Dr. Qemal Çadri, mjeku legjendë i Dibrës


I ka kaluar të 70-tat dhe si rrjedhojë e një problemi të koklavitur shëndetësor duket rrallë udhëve të Tiranës e ambienteve shëndetësore të saj, që vite më parë i ndriçonte me sharmin dhe mençurinë e tij. Herë pas here takohemi e çmallemi, kryesisht në shtëpinë e tij në Rrugën “Sitki Ciço” në Tiranë, ku kalon kohën midis përkujdesjeve të bashkëshortes, mjekes së mirënjohur Avije Çadri, e dashurisë së fëmijëve dhe të afërmve që e vizitojnë shpesh e marrin nga ai nektarin e mençurisë, që i buron pashterrur nga truri i tij aq pjellor dhe goja e tij fort e ëmbël. E kam edhe unë hera-herë këtë shans, si një nga miqtë e tij të vegjëlisë, të rinisë e të gjithë jetës.
Me doktor Qemalin u njohëm në shtatorin e vitit 1960, në bankat e Politeknikumit Mjekësor të Tiranës, ku të dy kishim vajtur për të studiuar për Mjekësi. Ai atë vit fillonte vitin e tretë, ndërsa unë vitin e parë. Të dy ishim nga Dibra, nga një krahinë dhe të dy i kishim baballarët mësues, të cilët jo për rastësi ishin dhe ata miq të mirë. Nga Dibra në atë kohë ishin dhe dy nxënës më të rritur se ne, më vonë mjekët e mirënjohur të Dibrës, Xhavit Miftari dhe Shefqet Domi. Ishte dhe Kadri Puca dhe Nazif Koltraka, që studionte paralel me mua , por ishte më i rritur në moshë, pasi e kishte kryer shërbimin ushtarak, ndërsa unë isha vetëm 13 vjeç. Natyrshëm, u lidha shumë me Qemalin jo vetëm pse ishte nxënës i shkëlqyer, por dhe pak më i madh nga unë, nga ana ime dhe një shembull në çdo drejtim, ndaj mik më të mirë as kërkova dhe as mund të gjeja.
Pas shkollës së mesme ai u pranua menjëherë në Universitet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ndërsa dy vjet më vonë, pas ca peripecive u pranova e studiova edhe unë. Në vitin 1967 ai i përfundoi me sukses të jashtëzakonshëm studimet e larta dhe u dërgua të punonte në Dibër. Dy vjet më vonë pata edhe unë po atë fat. Gjithmonë ai ishte një hap përpara dhe në kuptimin më njerëzor të fjalës ishte udhërrëfyesi im. Nga lartësitë e kodrës ku jemi ngjitur e me gjasë, si të gjithë të tjerët ndonjë ditë do të kalojmë prapa saj, u yshta të shkruaj disa radhë për të, për këtë mjek të jashtëzakonshëm e mik të papërsëritshëm, Qemal Çadrin. Pena ime është e pafuqishme për të portretizuar karaktere të tilla, përtej normales siç qe e është ai, por gjithsesi do të provoj, edhe pse jam i bindur se do të mund të them vetëm një pjesë të vogël të asaj që ai është. Së paku do të trokas një herë në memorien e të gjithë dibranëve që e njohën dhe patën fatin të marrin shërbimin e tij , të shokëve e miqve në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe që jam krejt i bindur se mendojnë tërësisht si unë.
Po kush është Dr. Qemali? Ai ka lindur në fshatin Trebisht, me 23.10.1944. Është i biri i Mehmetit, mësuesit fort të nderuar që pat studiuar në shkollën normale të Elbasanit së bashku me mikun e tij, Mësuesin e Popullit Selim Alliun. Se ç’nivele ishin ata, Dibra e di, por është kuptimplotë fakti se kur ishin rrethet e vogla që të dy ishin shefa të arsimit, Selimi në rrethin e Peshkopisë e Mehmeti në atë të Shupenzës. Prindërit e Qemalit, Mehmeti dhe bashkëshortja, lindën dhe rritën 7 fëmijë, 6 djem dhe një vajzë, Agimi, Qemali, Ramazani, Iliri, Dilaveri, Bujari dhe motra e tyre e vetme, që ishte si të thuash Hirushja e familjes. Sa herë do të shkoja me ndonjë shërbim në Trebisht, do më priste së bashku me bashkëshortin e saj në familje, tamam sikur të isha vëllai i saj, pasi e dinte që ne ishim miq të mirë. Ajo nuk do të harronte asnjëherë të më thoshte se qe e kënaqur dhe i dukej se i kishte ardhur Qemali në shtëpi. Të gjithë ata studiuan e u bënë jo vetëm me shkollë të lartë, por ekspertë shumë të spikatur secili në fushën e vet. Por ndoshta edhe pse kam njohje më të plotë, Qemali për mua ishte një univers me vete.
Kur ne studionim në shkollë të mesme, ai nuk qe as ndonjë sportist i niveleve të larta dhe as ndonjë fizik nga ata për të cilët populli thotë: “Shtati pyll e mendja fyll”. Ai qe thjeshtë një mendje brilante. Në shkollë tregohej me gisht si më i miri dhe që i tepronte çdo ditë së paku 3/4 e kohës së studimit tonë të detyruar dhe prandaj merrej me gjuhë të huaja a letërsi artistike. Pedagogët, të shkolluar të gjithë jashtë siç ishin në atë kohë, e shikonin me admirim e përpiqeshin kush e kush ta aktivizonte më parë në specialitetin e vet. Ai ishte jo vetëm kujdestari i klasës, por epiqendra e saj. I dëgjoja gjithmonë shokët e tij kur thonin, jo se kështu e tha Qemali. Në klasë kishte shokë e shoqe, nxënës shumë të mirë, që më vonë bënë studimet e larta dhe u bënë personalitete në jetë. Pati prej tyre shkrimtarë, aktorë, politikanë dhe sigurisht mjekë titullarë, që drejtuan spitale e klinika në nivel rrethi e në shkallë Republike. E kam ende të freskët një episod që i përket shkurtit të vitit 1961, shpresoj që t’i kujtohet edhe Doktorit. Nxënësit që dalloheshin shumë në mësime, shkolla i shpërblente duke ju dhënë bursë dhe kishin të drejtë t’i vazhdonin studimet falas. Në atë ditë, na nxorën para shkollës, në oborrin e saj aty ku sot është shkolla “Skënder Caci”, tre nxënës që na kishin përzgjedhur për të na dhënë bursë. Në mes tyre isha unë si më i vogli që kisha mbaruar vetëm semestrin e parë të vitit të parë. Anash meje ishin dy nxënës të tjerë që kishin mbaruar semestrin e parë të vitit të tretë. Nga njëra anë ishte ai, Qemali, që tregohej me gisht për mirë dhe për një inteligjencë të rrallë natyrore. Nga ana tjetër ishte shoku i tij i klasës në shkollë të mesme e në të lartën, Sali Berisha. Ata ishin dhe mbeten miq të mirë së paku sa ishin të dy kontribues në shëndetësi, pastaj drejtimet e tyre u ndanë. Edhe pse ishin miq ata ndryshonin nga njëri-tjetri. Dr. Berisha, njeri këmbëngulës, që studionte vazhdimisht deri në orët e para të mëngjesit, padyshim që arrinte rezultate të mira. Dr. Qemali qe një natyrë tjetër, pasi dëgjonte me vëmendje shpjegimin e pedagogëve, regjistronte gjithçka në hardiskun e tij dhe i mjaftonte një përsëritje 15-30 minuta e mësimeve në ditë dhe ato mbeteshin aty si të skalitura në gurë e që koha nuk i fshinte dot. Me admirim e ndjek edhe sot kur tregon për interpretime teorike të shkencës mjeksore, a thua se këto mund t’i ketë dëgjuar dje. Ai kurrë s’e hoqi librin nga dora, por bazat e vërteta të shkencës i mori që në shkollë, i kultivoi e konsolidoi në praktikë.
Në Fakultetin e Mjekësisë ishte pa asnjë diskutim një student i shkëlqyer, në të gjitha vitet, në të gjitha lëndët. Dibra asokohe ka patur studentë të mirë në mjekësi. Por nëse ne të tjerët studionim dhe natyrshëm do të kishte dhe rezultate, Qemali ishte një rast i llojit të vet. Më kujtohet thënia e një pedagogu autoritar të mjekësisë në atë kohë, që i kishte dhënë mësim dy vite më parë. Kur erdhi fjala për Qemalin, na tha: “Ai është tjetër rast. Tipa të tillë, me inteligjencë karakteristike vinë në Fakultetin tonë një rast në 20 apo 30 vjet”.
Gjatë gjithë kohës së studimeve ishte ai përgjegjësi i grupit të tij, starost grupa, siç i thonin atëherë. Të gjithë pedagogët e mëdhenj të asaj periudhe: Bajram Preza, Josif Adhami, Fejzi Hoxha, Ylli Popa, Petrit Gace etj., të gjithë kur ngrinin grupet shkencore me studentët e kërkonin kush e kush ta merrte Qemalin në lëndën e tij. E do të referonte në aktivitete shkencore të fakultetit sa nuk merrej vesh nëse ishte mjek i ri apo specializant, kur mësohej se qe student, do t’i habiste të gjithë. Preza e donte neurolog, Ylli Popa kardiolog, ndërsa Petrit Gaçe bëri çmos që ta bënte kirurg. Ai nuk e pati shansin të bëhej specialist në të gjitha fushat e mjekësisë, sepse një praktikë e tillë edhe nuk ekzistonte. Por ai nuk zhgënjeu askënd. Ishte si një oficer gjitharmësh, që i njeh shkëlqyeshëm të gjitha disiplinat e fushës së vet. Kur ishte student dhe përgjigjej në provime, qe aq i veçantë si rast, sa nga Radio Tirana do të vinin t’i regjistronin përgjigjet e tij në provime. Mbrëmjeve në darkë në Radio jepej një emision shëndetësor dhe aty do të dëgjoje shpesh zërin e Hamdi Sulçebes duke dhënë këshilla për mirërritjen e fëmijëve, por jo rrallë edhe zërin e një studenti të shkëlqyer që përgjigjej në provime, të Dr. Qemalit Çadrit. E përfundoi me sukses të jashtëzakonshëm Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1967.
Nuk e pati rastin as të rrinte në Tiranë e as të dërgohej për specializim jashtë shtetit. Nëse kjo do të kishte ndodhur, jam krejt i bindur se Shqipëria do të kishte në strukturat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë një përfaqësues të denjë që do të na bënte nder të gjithëve. Ai u dërgua në Dibër dhe shpejt ju komunikua emërimi si mjek në lokalitetin e Klenjës. Me humorin e tij mjaft të hollë Doktori e kujton me detaje ditën e parë të punës në spitalin e Klenjës. “Ajo ka qenë një ditë dimri e ftohtë dhe me shumë borë, – kujton ai. – Pasi i zbrita makinës te Ura e Çerenecit afër Shupenzës, rrugën deri në Klenjë e bëra me disa fshatarë që udhëtonin andej më këmbë dhe na zgjati disa orë. Më në fund arrita në qendrën e fshatit dhe mezi prisja që të shkoja në spital. U paraqita në zyrën e Lokalitetit dhe sekretari thirri Ramën që të më shoqëronte. Rama ishte magazinier, qe një burrë i imët, mjaft i sjellshëm dhe më vonë mora vesh se do të kisha punë me të. Disa herë i thashë të më dërgonte në spital, por ai nuk bënte krye dhe më ftoi që të shkonim në klubin e fshatit. Nuk i njihja ato ambiente atëherë dhe prandaj hezitova, por ai vazhdonte: Do të shkojmë edhe në spital, o Doktor, por hajde një herë ndalojmë këtu. Më në fund u binda dhe u futëm në atë që quhej klub. Tymi i duhanit dhe era e alkoolit dhe zhurma që bëhej aty nuk të linin të shikoje e as të dëgjoje njeri. Në mes ishte vendosur një fuçi e madhe që mbushej nga sipër me dru dhe shërbente për të na ngrohur. Duke qenë se atëherë nuk pija duhan dhe alkoolin nuk e kisha provuar, u pështjellova fort keq dhe dola me vrap jashtë. Pasi volla nja 2-3 herë dhe i lodhur e ngrirë siç isha, u futa përsëri, nuk kishte rrugë tjetër. Më vonë mësova nga Rama se spitali qe nja 5 minuta larg, vendosur në një kodër. Por si ndërtesë njëkatëshe që ishte, e kishte mbuluar plotësisht dëbora dhe ata që punonin aty kishte nja 2-3 javë që nuk kishin vajtur fare në punë. Kuptohet, nuk kishte asnjë të sëmurë të shtruar. Nga qendra e fshatit, ditën e parë pashë vetëm një grumbull dëborë në majë të një kodre dhe kjo do të ishte më vonë qendra ime e punës. Atë natë përfundova mik te Rama”.
E filloi me zell të madh punën në zonën e Klenjës dhe në fshatrat përreth, sidomos duke u kujdesur për shëndetin e nënave e të fëmijëve 0-3 vjeç, por dhe të gjithë popullsisë së zonës.
Në vitin 1970 u dërgua për specializim në Kirurgji të përgjithshme në Tiranë, por synimi i profesorëve që e njihnin ishte Kardiokirurgjia. Pasi kishte bërë një vit specializim, nuk u miratua nga rrethi specializimi në Kirurgji dhe u rikthye përsëri në Klenjë, ku punoi si mjek i përgjithshëm deri në vitin 1973. Në janar të vitit 1973 u dërgua për specializim në patologjinë e përgjithshme, të cilin e kreu me sukses të plotë. U rikthye në Dibër dhe u emërua shef i shërbimit të patologjisë të rrethit Dibër, në spitalin e Peshkopisë e këtë detyrë e kreu për 14 vjet me radhë me shumë dinjitet e profesionalizëm si rrallëkush. Gjatë kësaj periudhe kreu disa kualifikime e specializime afatshkurtra. Për një periudhë kohe mbulonte edhe shërbimin e neurologjisë para se ai të ndahej më vete dhe kryente me sukses punksionet lumbare e procedura të tjera të ndërlikuara. Në periudhën 16 janar deri 16 prill të vitit 1979 ishte në patologji të përgjithshme. U dërgua për profilizim në shërbimin e nefrologjisë me 16 mars deri 16 qershor 1988 dhe pas kësaj periudhe shërbeu kryesisht si nefrolog. Me shumë specializime dhe profilizime e mbi të gjitha me një intuitë profesionale të jashtëzakonshme, ai do të ishte mjeku i kompletuar që do të pyetej në çdo rast e do të thirrej në konsulta në të gjitha rastet e ndërlikuara edhe jashtë profilit të tij. E pata dëgjuar personalisht mjekun Femi Agolli, që ishte një drejtor autoritar i kohës së vet, duke u thënë disa mjekëve: “Le të flasë Qemali një herë, pastaj diskutojmë ne të tjerët”.
Për meritat e padiskutueshme që kishte, me 15 qershor 1982 emërohet si drejtor i spitalit të rrethit, që atëherë quhej Drejtor i Institucioneve të Mjekimit të rrethit Dibër.
Me 1 qershor të vitit 1983, Qemal Çadri u emërua përgjegjës i seksionit të shëndetësisë të rrethit, detyrë të cilën e kreu me dinjitet deri me 31 tetor të vitit 1986 dhe më pas u rikthye përsëri në detyrën e patologut të përgjithshëm në spitalin e Peshkopisë. Më pas ai kërkoi që për arsye familjare të transferohej në rrethin e Tiranës dhe kjo kërkesë ju plotësua në shkurt të vitit 1991. Në Tiranë u emërua si patolog pranë urgjencës së spitalit Nr.1, ndërsa më 1 janar 1993 u dërgua si përgjegjës i Poliklinikës nr.10 në Tiranë. Aty vazhdoi të punojë derisa doli në pension si një mjek me aftësi të rralla diagnostikuese e mjekuese. Zotëronte në nivel mjaft të mirë gjuhët ruse dhe angleze.
Dr. Qemali është erudit. Lexonte dhe ishte i azhurnuar në çdo kohë. Koha nuk e la dot prapa se ai ishte në garë me të dhe do ia kalonte gjithmonë. Hokatar në jetë dhe jashtëzakonisht serioz në punë. Asnjë kompromis nuk mund të bëhej me të në këtë drejtim. Edhe miqtë e tij më të mirë, do të ishin pré e kritikës së tij të hollë e të rreptë, kur ishte fjala për shërbim ndaj të sëmurit, vlerësimin e jetës së njeriut.
Si çdo njeri i ditur është mjaft modest. Kam përpara një karakteristikë të tij të marrë nga zyra e kuadrit të asaj kohe dhe ku ai fare thjeshtë shkruan: “Njoh gjuhët rusisht dhe anglisht. Nuk kam gradë shkencore”. E ç’vlerë do të kishte grada shkencore përballë asaj eksperience të rrallë, atij kontributi të madh në shërbim të njerëzve, të atyre mijëra e dhjetëra mijëra vizitave e konsultave dhe qindra, ndoshta mijëra jetëve të shpëtuara. Asnjë titull, asnjë medalje a dekoratë nuk do ta kishte vlerën e atyre që një njeri modest e i ditur si ai, ka mundur të bëjë në jetë.
Ka qenë një rast i ngjashëm si ai në spitalin nr.1 të Tiranës dhe pedagog në mjekësi. Ai ishte mjeku Skënder Dauti, pa tituj e grada shkencore, por të gjithë të tjerët dhe ata që kishin titujt më të lartë, kur ndodheshin para ndonjë rasti të vështirë që nuk i jepnin drejtim, shpreheshin: “Ta pyesim Skënderin një herë”. Kështu, ai ishte i zakonshëm dhe i jashtëzakonshëm. Nuk ishte mjek i udhëheqjes, por për të vënë diagnoza të vështira e me përgjegjësi do të thirrej dhe duke qenë i aftë e kurajoz thoshte i pari: “Për mua është kjo ose ajo diagnozë” – dhe jeta e konfirmonte saktësinë e mendimit të tij. I tillë ishte e është edhe kolegu ynë legjendë, Dr. Qemali. Para disa kohësh, i dërguar nga Ministria e Arsimit, u ndodha në një Universitet privat në Vlorë. Rasti e solli që ta përmendja profesorin tonë, Dr. Skënder Dautin. Pas përfundimit të takimit më bëri përshtypje të madhe, pasi nja 20-25 mjekë vlonjatë ishin rreshtuar për të më përshëndetur. Na nderove shumë, – më thanë, – na përmende Skënder Dautin dhe ai ishte joni dhe ka punuar edhe me ne këtu në Vlorë. Kam qenë disa herë në Dibër, sidomos për të nderuar figura mjekësh të brezit tim, por nuk kam dëgjuar aty të më thonë se kam punuar me Qemal Çadrin, Vebi Ketën, Hysen Pashën, Xhavit Miftarin, Muhamet Kodrën apo ndonjë tjetër të atij brezi.
Dikur, kur bëja detyrën e përgjegjësit të shëndetësisë të rrethit, puna e kërkonte që të shkoja në çdo zonë të Dibrës. Më pat bërë përshtypje modestia e atyre mjekëve shembullorë, një pjesë e të cilëve ishin të ardhur me shërbim në Dibër. Kur uleshim të bisedonim të gjithë më patën thënë se Dibra ishte e vështirë, por shumë mikpritëse dhe ata ishin të lumtur që i kishin sjellë te ne. Një pjesë e tyre ishin studentë të shkëlqyer dhe sot janë ngjitur në majat e shkencës mjekësore shqiptare, por të gjithë më patën thënë: “Ka qenë fat i madh për ne që erdhëm në Dibër dhe kemi bërë stazhin në Peshkopi e punuam me Qemal Çadrin. Ne mësuam prej tij shumë më tepër seç kishim mësuar në Fakultet. Dibra dhe Qemali kanë qenë një Fakultet i dytë për ne”. Kështu më thoshte Arben Ademi, që shërbente në Tuçep, Pëllumb Tafili në Reç, Ali Ceni në Lurë apo Aleksandër Hoxha në Selishtë dhe Kita Sallabanda në Maqellarë.
Unë do të sjell nja dy raste nga ato që i kam jetuar personalisht në atë kohë. Në ato vite, kur isha ende mjek në Shupenzë, na u sëmur një shok dhe nga shenjat e jashtme dukej si një insult cerebral. E dërguam në spitalin e zonës dhe kërkova të lidhem me mjekun e rojes në spitalin e Peshkopisë, që për fat ishte Dr. Qemali. Më bëri disa pyetje dhe unë i verifikova te pacienti sipas porosisë së tij. Në fund më tha se: “Mendoj se është hemorragji e cipave të turit dhe pacienti mund të transportohet, prandaj po të nis ambulancën. Unë do të kisha ardhur vetë, por jam roje dhe kam shumë të sëmurë në spital”. I sëmuri shkoi në spital dhe filloi të mjekohet aty nën kujdesin e tij direkt, filluan dhe përmirësimet e para. Diagnoza e vënë me telefon nuk u ndryshua as atë ditë dhe as më vonë. Pas disa ditësh në spitalin e Peshkopisë erdhi konsulta eprore e spitalit nr.1 të Tiranës për të vlerësuar shëndetin e një ushtari. E konsultoi edhe rastin që përmenda dhe tha vetëm dy fjalë: “Është diagnostikuar e trajtuar me kompetencë të lartë profesionale nga mjeku kurues”.
Në një rast të dytë jemi ndodhur të dy në Tiranë. Na kishte ardhur një i njohur që ishte sorollatur shumë me një patologji të gjakut që i bënte mjekët të dyshonin për keq. Unë isha marrë me atë rast dhe e kisha shoqëruar edhe në klinikën e hematologjisë, ku as atje nuk u shpjegua dot se ç’ishte. Ju bënë lloj-lloj analizash, bile edhe punksion lumbal, por problemi mbetej enigmë. Ne atëherë punonim të dy në Poliklinikën nr. 10 në Tiranë. Ia referova rastin Dr.Qemalit. Qeshi dhe më tha se për mua kjo është një gjë fort e thjeshtë. Është një pararazit që jep ndryshime të tilla të formulës së gjakut dhe i konfondon mjekët. E dërguam të bënte një analizë të thjeshtë dhe dyshimi u konfirmua. “DR. Adhamudhi” – siç thoshte shpesh me shaka, shkroi një recetë që kushtoi vetëm 200 lekë dhe i sëmuri me nja 7-8 tableta u shërua. Kohë më vonë e takova shefin e Hematologjisë të asaj kohe, të cilit i kishte mbetur merak ai rast dhe më pyeti se ç’bëhej me fatin e atij të sëmuri. I thashë se i sëmuri është shëndoshë e mirë dhe se atë e kuroi Qemal Çadri me një recetë fare të thjeshtë. Shefi i klinikës e njihte Doktorin që nga shkolla e mesme. E kam parasysh mimikën e tij edhe sot, kur më tha: “Eh, ai Qemali, ç’mendje është!”. Sikur desh të më thotë se ai është më i madhi ndër të gjithë ne.
Kohë më parë kam intervistuar mjekun e parë dibran të shkollës shqiptare, Dr. Ahmet Alliun. Duke e pyetur për kolegët, kur erdhi radha te Qemali, më tha: “I jashtëzakonshëm!” Dhe më tregoi një rast. “Të gjithë ishim mbledhur në një konsultë dhe po analizonim një rast të vështirë. E thirrëm edhe Dr.Qemalin. Ai i hodhi një sy analizave dhe e kqyri të sëmurin dhe tha vetëm një fjalë: mononukleozë dhe u largua. I sëmuri u dërgua dhe në Tiranë e kush nuk u mor me të, por diagnoza mbeti ajo që tha Qemali. Në jetën e tij ka me mijëra raste të tilla, sepse ai ishte i tillë jo një herë, apo rastësisht, por në çdo ditë të punës e të jetës së tij.
Qemal Çadri është edhe një bashkëshort i mirë e prind shembullor, mikpritës dhe që di të nderojë e respektojë të tjerët. Me bashkëshorten e tij, Dr. Avijen, kanë lindur e rritur 3 fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ata janë edukuar më së miri dhe kanë kryer të gjithë arsimin e lartë. Rovena është juriste dhe ka punuar në institucionet e administratës qendrore. Ndërsa Vilma është mjeke nefrologe në QSUT dhe ecën me dinjitet në rrugën e prindërve, ndërsa Ledi ka studiuar për fizioterapi dhe ushtron me pasion profesionin e tij. E kam parasysh Doktorin sa i merakosur ishte kur bëhej fjalë për shkollimin e fëmijëve. Edhe në këtë fushë ai ia ka dalë me sukses. Qemali është krenar dhe trim, por fort i butë e i ndjeshëm me njerëzit që kanë nevojë për të, veçanërisht me të sëmurët. Madhështinë e Everestit e dinë vetëm ata që kanë tentuar ta ngjisin atë. Unë pata fatin për gati 60 vjet të jem pranë tij, këtij Everesti njerëzor. Unë jam krenar për miqësinë që pata dhe që kam me të. Kam besim se krenar duhet të jenë edhe të gjithë mjekët e Dibrës, të sëmurët që morën shërbimin e tij dhe populli i saj për djem si ai. Figura të tilla duhet të nderohen fort dhe në meritë. Jo vetëm ai, por dhe të tjerë si miku i tij Xhafer Martini, apo studiuesi Iljaz Kaca e ndonjë tjetër.
Kam lexuar një herë një shkrim ku e kishin pyetur shkrimtarin e respektuar të Dibrës Xhafer Martinin: A jeni ju Qytetar Nderi i Peshkopisë apo i qarkut të Dibrës? Dhe ai, duke qeshur, qe përgjigjur: “Jo, nuk më ka ardhur radha akoma”. Xhafer Martini ka ngritur lapidarë me penën e tij jo vetëm për krahinën nga është, por për gjithë Dibrën e më gjerë. Këto lapidarë do të jetojnë në shekuj dhe do ta lartësojnë Dibrën dhe historinë e saj edhe kur ne të mos jemi më. Po kush janë ato figura që mund të vlerësohen para këtyre personaliteteve e që kanë fuqi t’i vënë ata në radhë. Nuk më duket se ka vërtet të tilla.
Ka një shembull mjaft domethënës me një intelektual tjetër shumë të nderuar të Dibrës, zotin Abdurahim Ashiku, i cili aktualisht jeton në Athinë e duket rrallë këtyre anëve. E kam njohur nga afër në ato vite kur të dy punonim në fshat dhe në zona afër njëra-tjetrës. Ishte punëtor, serioz dhe një penë e fuqishme që shkroi për Dibrën e dibranët pa u lodhur asnjëherë. I fuqishëm kur ishte në Dibër, i paarritshëm sot që është larguar. Ai sot boton gati çdo vit nga një libër, shkrime e artikuj pa fund, kryesisht për Dibrën, historinë dhe kulturën e saj. Janë të pafuqishme fjalët e mia përballë veprës së tij, ndoshta të papërsëritshme. Po më të ç’bën shoqëria e sotme dhe institucionet që ne kemi. Ai flet e shkruan përditë, ndërsa ne heshtim gjithnjë. Nuk kanë vetëm ata detyrime për Dibrën, ka dhe Dibra e dibranët dhe institucionet e kohës detyrime për ta. Nuk është mirë të ndodhë siç ka ndodhur me Elez Isufin, që e propozuan për Hero të Popullit, pas vitit 1985. Kjo e kishte habitur edhe udhëheqësin komunist të kohës, Ramiz Alinë, i cili kishte pyetur: “Po përse, për tani e keni lënë ju Elez Isufin që luftoi e u vra me serbët për mbrojtjen e territoreve shqiptare që në vitet para Luftës së Pare Botërore?” Prandaj Qemal Çadri dhe takëmi si ai duhen nderuar sot e jo mot.
Kujtoj dhe një rast që më duket domethënës. Atë, kur një shkolle në Tiranë ju vendos emri “Dritëro Agolli”. Shkrimtari i madh që asokohe ishte gjallë, e vlerësoi shumë këtë dhe e shprehu në fjalën e tij. “Bëtë mirë që më ftuat edhe mua, – ju tha, – se disa vite më vonë nuk do të ju vinja”, duke shprehur me ironinë e tij të hollë se më vonë për të nuk do të kishte më kuptim. Prandaj po thërras me zë plot, respektojini djemtë tuaj. Respektoni ata që e deshën Dibrën dhe punuan aq fort për emrin dhe nderin e saj. Nëse nuk mund t’i nderoni, shajini. Shajini, por mos i harroni!
Tiranë, shkurt 2019