Kryeinxhinieri fjalëpak e punëshumë


Rreth një vit më parë u nda nga jeta inxhinieri i palodhur, qytetari korrekt dhe i përkushtuar, bashkëshorti i sjellshëm dhe prindi shembullor Xheladin Torba. E shoqja Resmia dhe dy djemtë e tij Ermali dhe Andrini do ta kujtojnë gjithmonë me respekt jo vetëm për vlerat dhe cilësitë personale profesionale, perspektivën që u hapi me djersën dhe ndershmërinë e tij.
Xheladini lindi në Shimçan në vitin 1943. Me të mbaruar teknikumin e ndërtimit plot dëshirë dhe vullnet, pa u dekurajuar nga vështirësitë, punoi si teknik zbatimi në Rruga Ura Milot – Qafë-Buall dhe segmentet e vështira malore të minierës së kromit Bulqizë. Pas përfundimit të Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Inxhinieri Ndërtimi Ndërtimi që nga viti 1968 deri në vitin 1972 kontribuoi me devotshmërinë që e karakterizonte në qytetin e largët të Bajram Currit. Atje për mëse 5 vite dha kontributin e tij modest në ndërtim apartamentesh banimi, objektesh social-kulturore, shkolla, spitale, kinema, rrugë rurale për të lidhur fshatrat e zonës mes njëri-tjetrit etj.
I pafjalë dhe me devotshmëri të shtuar pas emërimit si inxhinier zbatimi në Dibër punoi kudo ku e caktuan dhe ku ishte i nevojshëm duke filluar nga kantieret më të vështira që prej metalurgjikut të Elbasanit (Dibra kishte një sektor atje) deri te hapja e rrugëve të thepisura të minierës Bulqizë, fabrikës së tullave Vakuf etj.
Puna e palodhur, përkushtimi e mbi të gjitha aftësitë profesionale iu shpërblyen. Në vitin 1876 e emëruan Kryeinxhinier të ndërmarrjes së ndërtimit Dibër në vartësi të të cilit ishin 5 kantierë me mbi 1200 punonjës. Me vrull të shtuar drejtoi dhe zbatoi punën teknike në ndërtimin e spitalit aktual të Peshkopisë, Pallatit të Madh të Kulturës, apartamente banimi (rreth 100 të tilla në vit, në Peshkopi, Bulqizë, shkolla 8-vjeçare dhe të mesme në çdo fshat të Dibrës, rrugën 25 kilometra Peshkopi-Kala e Dodës, Hecin e Arrasit mbi lumin e Setës, ujësjellësin aktual që vazhdon t’i shërbejë jo vetëm banorëve të Peshkopisë por edhe të shumë fshatrave të Dibrës, kanale dhe rezervuare të shumtë për vaditje etj. Banorët autoktonë të qytetit vazhdojnë ta vlerësojnë kontributin e tij për ndërtimin e fabrikës së pijeve alkoolike, fabrikës së qumështit, atë të bukës dhe mobilierisë së përpunimit të drurit. Aktiviteti i tij i shtrirë edhe në Bulqizë bëri që nga puna e tij e palodhur të përfundojë faza e dytë e përpunimit të kromit, u ndërtuan shkolla të shumta 8-vjeçare e të mesme, furra buke etj.
Shumë e rëndësishme dhe me vlerë të pallogaritshme ishte përvoja e tij në rikonstruksionin e tranverbangut Klos-Bulqizë duke i kursyer popullit 34 don bullona, 350 ton hekur dhe 1300 ton çimento.
Këmbëngulja dhe vullneti i tij në pozicionin e kryeinxhinierit të ndërmarrjes së ndërtimit për 16 vite bëri që Peshkopia të kishte frigoriferin me kapacitet 300 tonësh, fabrikën e makaronave, linja të ndryshme për prodhim inertesh, llaçi e betoni dhe ofiçina të pafundme.
Edhe pasi doli në pension përsëri tërhoqi mënjanë nga profesioni. Pasioni për punë dhe dëshira për të ndihmuar komunitetin e Dibrës e aktivizoi përsëri që nga viti 2001 deri në 2007 në drejtorinë rajonale rrugore Dibër si kryetar i degës teknike. Duke hartuar dhe zbatuar projektet e shumta, ai u kujdes në mirëmbajtjen e 242 km rrugë nacionale dhe rurale. Xheladini nuk u shqua dhe vlerësua nga të njohurit e shumtë vetëm për punën si kryeinxhinier. Mbi të gjitha ai ishte njeri me zemër të madhe sjellje pothuajse të përsosur. I respektueshëm dhe fjalë ëmbël me të afërmit dhe gjithë sa e njihnin mundohej të ndihmonte këdo që i drejtohej. Këtë lloj mirësjellje nuk e kishte vetëm me hallexhinjtë, por edhe me të persekutuarit e regjimit të mëparshëm. Shumë prej tyre gjenin strehë e përkrahje prej tij në ndërmarrjen që drejtonte. Jo vetëm kaq, ai këmbëngulte gjithmonë që puna e tyre të vlerësohej pa u trembur nga pozicioni i tyre denigrues prej pushtetit komunist. Ngritjet e herë pas hershme në kategori u mundësonin atyre rritjen e pagës. Të persekutuari e kësaj kohe dhe pasardhësit e tyre nuk ia harrojnë mbrojtjen e vendosur në ato vite të vështira si he ndihmën dhe guximin e pakursyer sepse vetëm ato që i kanë kaluar ato situata i njohin vështirësitë e asaj periudhe. Nga piedestali më i lartë përfundoje në batakun më të ndyrë të jetës. Por fati ndoshta edhe ndershmëria e kursyen atë dhe familjen e tij.
Nga tërë ky aktivitet dhe përkushtim i jashtëzakonshëm mund të thoshim pa drojë që duhet t’i akordohet një vlerësim nga instutucionet vendore këtij inxhinieri të palodhur, që me kontributin e tij e bëri më të bukur qytetin tonë dhe më të pranueshme jetën e banorëve të Dibrës dhe Peshkopisë.