Lamtumirë miku ynë Ramazan Rama!


Ike shpejt nga kjo botë zhurmë madhe miku ynë Ramazan. Nuk e menduam kurrë ikjen tënde në këtë mënyrë kaq të qetë, kaq të paqtë por vdekja u tregua tinzare. Të shkëputi në këtë mënyrë nga gjiri ynë, nga miqësia, shoqëria, familja dhe të mori në botën e përtejme. Të mori në një moshë që ende ne, miqësia, shoqëria, familja kishim shumë nevojë për ju.
Ramazan Rama ishte djali më i vogël i Ismail Melanit. Ishte lindur më 9 gusht të vitit 1952 në një familje të madhe e të njohur patriotike e atdhetare në fshatin Melan. Jeta e tij nuk ishte se jeta e bashkëmoshatarëve të tij. Jo, i takoi të kalonte mjaft peripeci të vështira, duke u goditur edhe nga ajo e quajtura Luftë e klasave, se i ati i tij, Ismail Melani që shkriu pasurinë për luftën e madhe nacional-çlirimtare paska “gabuar në ideologji”, dhe domosdo që këto “gabime” duhej ti paguanin fëmijët e tij.
Shkollën fillore e përfundon në fshatin e tij të lindjes Melan me nota të mira dhe shtatëvjeçaren në Grevë. Vazhdon me sakrifica të mëdha gjimnazin në qytetin e Peshkopisë të cilin e përfundon me nota të mira por për arsye biografike nuk i japin të drejtë studimi për në shkollë të lartë.
Pas mbarimit të gjimnazit, duke parë dhe rezultatet e tij dhe me ndërhyrjen e miqve të familjes e dërgojnë në një shkollë dy vjeçare në Tiranë për totpograf të cilën e mbaron në vitin 1974. Sapo mbaron këtë shkollë fillon punë pranë Ndërmarjes së Ujrave në Peshkopi si dhe në Ndërmarjen e Bonifikimit po në Peshkopi ku punoi dhe dha kontributin e tij disa vjeçar në sektorë të ndryshëm dhe gjiothmonë larg vendlindjes si në Liqenin e Zi në Tërnovë, ndërtimin e kanalit Lubalesh- Gjoricë, në ndërtimin elagjes së re Kamen, në ristrukturimin e rrugës Bllatë-Maqellarë etj.
Ramazani punoi në Lurë, Selishtë, Bulqizë, Kala të Dodës dhe kurrë nuk u ankua apo të mërzitej për këto pa drejtësi që i bëhej, përkundrazi ai punoi fort, me disiplinë dhe dijet e tij i vuri në zbatim gjithmonë të veprave që ndërtoheshin. Ishte njeri i thjeshtë, kërkues shumë karshi vetes dhe të tjerëve, këmbëngulës dhe korerekt në marrëdhënje me punën dhe njerëzit sa të ngjallte vetëm respekt.
Ramazani nuk u ankua kurrë edhe për rrugën që bëri katër vite me radhë nga Melani në Peshkopi për të vazhduar gjimnazin, në kohë me borë dhe me shi, dhe ia doli, ia doli për mrekulli se e përfundoi shkollën me rezultate të shkëlqyera. Nuk u ankua as kur bënte rrugën nga Melani në Lurë, në Selishtë, në Bulqizë më së shumti në këmbë si dhe anasjelltas. Jo, ai nuk dinte të ankohej, ai dinte të punonte, dinte të buzëqeshte, dinte të ndidhmonte të tjerët.
Në vitin 1979 martohet me Meliha Asllani nga Kërçishti i Poshtëm ku lindën, rritën dhe arsimuan pesë fëmijë: Ismailin,Nevilën,Xhemilen, Jonidën dhe Fikretin.
Pikërisht në moshën më të bukur, në kohën më të mirë, kur ishte bërë gjysh disa herë dhe nipërit dhe mbesat i mbushnin atë boshllëk që ia krijuan vitet e rinisë, Ramazan Rama ndahet nga jeta fare pa pritur duke lënë në pikëllim miq e shokë, familjen, vëllezërit e motrat, bashkëshorten djemtë e vajzat, nipërit e mbesat.
Ramazan Rama sot nuk është më midis nesh por tek ne ka lënë një boshllëk të madh. Do na mungosh Ramazan, do na mungosh me atë buzëqeshjen tënde duke pirë kafen e mëngjesit, do na mungojnë ato shakatë e tua të zakonshme, do na mungojë ajo sjellja jote bujare dhe fisnikëria juaj e rrallë.
Dheu qoftë i lehtë për ty miku dhe shoku ynë Ramazan! Njeriu nuk është i përjetshëm në këtë botë, por ajo çfarë ke bërë dhe ndërtuar ti ndër vite do të mbetet e pa vdekshme, miku dhe shoku ynë Ramazan!

Nehat Daci, Shkëlqim Pula, Hidër Daci, Shaqir Skarra