Përse u harrua Dibra në këtë përvjetor të vdekjes së Skënderbeut?!


Kanë kaluar mbi 500 vjet qëkur Skënderbeu nisi jetën, kurorëzoi lavdi, qëkur detyroi të ktheheshin të mundur dy sulltanët më të fuqishëm të perandorisë më të madhe të kohës, perandorisë Osmane. Në këtë 550 vjetor të vdekjes së tij duheshin kujtuar e plotësuar studimet në vendin ku lindi, ku arriti fitore të pakrahasuara në botë për të çliruar e mbrojtur trojet Shqiptare. Nga skeptikët e kësaj historie si dhe nga shërbyesit e të huajve që me siguri janë mbjellje e huaj në tokat Shqiptare janë shkruar shkrime me qëllim për të zvogëluar ose mohuar luftën e heroit tonë kombëtar. “Skënderbeu ka qenë kaçak”, “Skënderbeu lindi me datë 6 maj”, “Skënderbeun mund ta kenë mbytur mushkonjat” e të tjera shkrime që mohojnë luftën e Skënderbeut.
Si mund të jetë kaçak një udhëheqës që komandoi të gjithë popullin shqiptar dhe mundi dhjetra mijëra forca ushtarake të perandorisë më të madhe të kohës, asaj Osmane, një person që bashkoi të gjitha principatat Shqipëtare.
Jo, Skënderbeu nuk vdiq nga mushkonjat si Aleksandri i Maqedonisë. Ai vdiq i nderuar dhe i respektuar nga populli i tij dhe nga e gjithë bota.
Jo, Skënderbeu nuk ka datëlindje të njohur. Gënjehet. Po të fillosh jetën e heroit me gënjeshtra e tërë lufta e tij vihet në pikëpyetje. Ai nuk ka lindur më 6 maj. Me 6 maj ka lindur Gjergji i Kapadokias, i cili për besnikëri ndaj Jezusit u kryqëzua nga perandoria Romake. Më vonë Vatikani i ka dhënë titullin “shenjt”, pra Shën Gjergji i Kapadokias, i cili jetoi 1200 vjet para Skënderbeut. 6 maj nuk është ditëlindja e Skënderbeut. Heroi ynë nuk ka datëlindje të njohur, nuk është “shenjt” i asnjë feje. Gjergji ynë ka jetuar 1200 vjet pas Shën Gjergjit të krishterë.
Skënderbeu nuk luftoi për fe. Ai luftoi për Atdhe, për Shqipërinë, vinte nga një familje ortodokse Shqiptare. Në moshën e rinisë e mori peng sulltani dhe e dërgoi në Stamboll. E arsimoi në medrese. Gjergji Shqiptar kishte trup të bëshëm, të gjatë, të shkathët dhe të fortë. Ai kishte një zgjuarsi të lakmueshme. Në medresetë e Topkapisë, ai u dallua si më i miri nga të gjithë dhe u vlerësua nga sulltani. Mësoi shumë shpejtë disa gjuhë: turqisht, arabisht, persisht, italisht, sllavisht etj. Kur ishte në shkollë dhe pasi mësoi Kuranin u bë musliman dhe ndryshoi emrin nga Gjergj në Skënder dhe thirrej Skënder Kastrioti. Pasi mbaroi medresenë sulltani e zgjodhi me më të mirët dhe e futi në shkollën që quhej “Enderun”, në të cilën përgatiteshin kuadrot më të larta për udhëheqjen e perandorisë, gjithashtu aty mësonin dhe artin ushtarak e Skënder Kastrioti ishte ndër më të shkëlqyerit. Kur vdiq Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, sulltani e dërgoi Skënderin në Dibër dhe i dha gradën Bej e u quajt Skënderbej.
Çudirat për të thurur historinë e Skënderbeut shkojnë shumë larg. Këta studiues kanë kërkuar dëshmi për heroin tonë kombëtar në Vatikan, në Venedik, në Beograd, në Athinë, në Austri, në Francë, në Amerikë etj., ku Skënderbeu nuk ka jetuar asnjë ditë. Atje shkojnë për dy arsye: Për të gjetur shkrime për Skënderbeun dhe atje shkohet me fonde të konsideruara. Këta studiues duhet të veçojnë shkrimet e njëanëshme për interesat e këtyre vendeve, por nuk ndodh gjithnjë kështu. Këto shtrembërime herë-herë cënojnë historinë e heroit tonë kombëtar.
Dy vendet më të domosdoshme për të mësuar origjinën e Kastriotëve, bëmat e Kastriotëve dhe të Skënderbeut janë Shqipëria me qendër studimi Dibrën dhe Turqia për kohën që Skënderbeu ka jetuar në atë vend, kryesisht Stambolli. Kristo Frashëri, disa vite qëndroi në Dibër për ta mësuar mirë historinë e Kastriotëve dhe atë që mësoi në Dibër e shkruajti në dy libra për Dibrën. Ai vizitoi Kastriotin, vizitoi Çidhnën por edhe vende të tjera betejash dhe banimi. Edhe akademiku Pëllumb Xhufi ka vizituar Dibrën për këtë problem. Nuk thuret historia e një populli edhe nga akademik që vijnë në Dibër për të marrë ndojnë votë ose për të ngrënë mish qengji meqë prodhimet e Dibrës janë më të shijshme se të çdo vendi tjetër. Këta “studiues” e mbushin historinë me të pavërteta e e quajnë të rëndësishme të gjejnë pas 500 vjetësh ditën e lindjes të Skënderbeut.
Kastriotët kanë jetuar në Kastriot edhe para se të vijnë turqit, edhe para se të vijnë serbët e Stefan Dushanit. Mes për mes Dibrës nga jugu në very kalon lumi i Drinit. Ai më shumë i lidh dy anët e Dibrës sesa i ndan e është pjesë e jetës së dibranëve në kohë paqeje por edhe në kohë lufte. Krahina Dibrane e Çidhnës (Kidhna – i thotë Barleti)është ndër më të përmendurat në historinë e Dibrës. Dibranët kanë pasur prona në të dy anët e lumit Drin. Në stinën e verës këta dibranë punonin e jetonin në krahun e djathtë të Drinit, punonin tokat kurse në dimër kalonin në krahun e majtë të Drinit. Të njëjtën gjë bënin edhe kur ishin në luftë. Kur sulmoheshin nga sllavët kalonin në krahun e majtë të lumit Drin, organizoheshin dhe mbroheshin nga sllavët. Kur sulmoheshin nga latinët kalonin në anën e djathtë të Drinin e bënin të njëjtën qëndresë si me sllavët. Edhe sot, pas 500 vjetësh nga ajo kohë shumë dibranë kanë prona edhe në të djathtë edhe në të majtë të Drinit. Përmendim disa: Kaloshët, Koltrakët, Nokët, Përnezhët, Dertet, Spatët, Buci, Alijet etj., kanë toka, zabele dhe bjeshkë në të dy anët e lumit Drin. Edhe Kastriotët atëhere kishin prona në Kastriot dhe në Sinë e që të dy fshatrat janë banim i Kastriotëve. Kjo krijoi mundësinë që kronistët të shënojnë Sinën si vendbanim të Kastriotëve. Fshati i Kastriotit ka të dhëna të shumta dhe të gjalla që vërtetojnë vendbanimin e Kastriotëve: Emri i fshatit, kalaja e Gjonit, troja Gjonit, pusi i Gjonit, përroji i Kastriotit, fusha e Kastriotit, guri i Skënderbeut, fshati Kukaj-vendbanim i 5 heronjëve të kohës së Skënderbeut: Pal Kukaj, Gjergj Kukaj e njëri prej tyre u rrop për së gjalli prej turqve. Kastriotët, gjithmonë kanë qenë luftëtarë të përmendur. Car Stefan Dushani i serbëve u mundua ti zhdukë edhe fshatin edhe Kastriotët. Këtë punë bënë edhe turqit. Kastriotët janë shpërngulur për ti shpëtuar zhdukjes.
Mungesa e të shkruarit të gjuhës së tyre nga vendasit veniti të kaluarën heroike të Kastriotëve. Populli i ruajti këto kujtime. Para disa vitesh në odat dibrane kjo histori tregohej dhe iu pasua brezave. i imponuan popullit tonë ndryshimin e emrave për njerëz, për fusha dhe male, për kodra dhe përrej, na imponuan edhe ndryshimin e emrave të fshatrave. Me shumë forcë këtë e bënë serbët. Emri Kastriot përmendet edhe para shekullit të dymbedhjettë. Ndoshta serbët e hoqën këtë emër. Kastriotët lindën dhe jetuan në Dibër dhe luftuan për Dibrën, por edhe mund të kenë lëvizur nëpër vende të tjera. Djali i Skënderbeut u detyrua të emigrojë në Itali. A thua edhe Skënderbeu ka qenë italian, apo matjan, krutan, venedikas etj.? Kur vdiq Gjoni, Skënderbeu u dërgua në Dibër, sepse kështu i kishte premtuar sulltani Gjonit. Erdhi në Dibër me emrin Skënder. Kur u emërua në krye të Sanxhakut të Dibrës iu dha grada Bej e që atëherë e deri sa vdiq ai u thirr Skënderbeu. Kështu e thirrën shqipëtarët, kështu iu drejtuan turqit, venedikasit, italianët, por edhe të tjerët. Skënderbeu kurrë nuk e braktisi këtë emër muslimani. Kurrë nuk iu kthye emrit të mëparshëm “Gjergj”.
Beteja midis ushtrisë europiane, që komandohej nga Hunjadi, me turqit ka qenë ndër më të ashprat. Skënderbeu u thirr nga sulltani për të qenë pjesë e turqve. Ai shfrytëzoi rastin për të realizuar planin e tij për çlirimin e atdheut. Skënderbeun e shoqëronin Dibranët. Ai nuk i bashkoi forcat e veta as me turqit as me koalicionin e të krishterëve të Hunjadit. Që këtu duket qartë se Skënderbeu nuk do të luftonte për fe. Skënderbeu mori fermanin për sanxhakbeun e Krujës dhe me dibranët që e shoqëronin u kthye përsëri në vendin e të parëve të tij, në Dibër. Me dibranët u nis për në Krujë, e rrethoi atë, i dorëzoi fermanin mëkëmbësit të sulltanit, i cili u largua nga Kruja.
Gjoni i dorëzoi sulltanit të katër djemtë e tij: Stanishin, Raposhin, Konstandinin dhe Gjergjin. Thuhet se Gjoni dhe tre djemtë e tij, duke veçuar Konstandinin pranuan fenë Islame. Gjergji kishte trup të gjatë e të mbushur, ishte i shkathët si askush tjetër dhe tregonte një zgjuarsi të rrallë. Sulltani shihte tek Gjergji një luftëtarë besnik të Perandorisë, prandaj e mbajti në Topkapi, qendër kryesore e Sulltanatit. Gjergji dallonte nga të gjithë për vecoritë intelektuale e shëndetësore, prandaj e rregjistruan në shkollë, në medrese. Mësoi në këto shkolla të lexonte e të shkruante në gjuhën turke, arabe, perse, por edhe gjuhë të Europës si italisht, sllavisht etj. Në përvetësimin e artit ushtarak të kohës ai ishte më i miri. Mësimi i fesë Islame ishte detyrë në të gjitha shkollat edhe për jeniçerët, ndërsa pranimi i fesë Islame nuk ishte domosdoshmëri. Në rradhët e ushtrisë turke kishte me shumicë jeniçerë të krishterë e të feve të tjera. Gjergji me dëshirë pranoi fenë Islame dhe zgjodhi emrin Skënder. Këtë emër e kish pasur një udhëheqës shumë popullor e i dashur për popullin e tij, që thirrej edhe me emrin Dhul Karnejn, por emri i parë i tij ishte Skënder. Historinë e tij e mësoi në medresenë e Stambollit. Gjergjit i pëlqeu ky udhëheqës popullor. Pas vdekjes së Gjonit sulltani e dërgoi Skënderin në Dibër me këtë emër. Ai e emëroi Bej të sanxhakut të Dibrës. Që këtu u thirr Skënderbej. Fjala Bej është gradë ushtarake e sulltanatit. Skënderbeu me këtë emër bashkoi popullin në luftë kundër pushtuesve turq. Me këtë emër mundi dy sulltanët më të fuqishëm të turqve osmanë. Me këtë emër fitoi 18 beteja të zhvilluara në Dibër midis turqve pushtues dhe shqiptarëve. Me këtë emër fitoi gjithsej 26 beteja kundër turqve, venedikasve dhe të tjerë. Me këtë emër shkoi i respektuar prej populli të tij dhe tërë popujve në varr. Me këtë emër bashkoi popullin shqiptar pa dallim besimi fetar. Populli ynë gjatë gjithë jetës së tij dhe sidomos gjatë rilindjes dhe luftës për pavarësi, gjatë gjithë kohës këtë emër, Skënderbej, vendosi në udhëheqje në luftërat për pavarësi dhe liri.
Në Dibër do të mësoni historinë e Skënderbeut, sepse në të gjitha kuvendet e Dibrës është transmetuar brez pas brezi. Në Dibër do të shihni fshatin e Kastriotit, ku janë edhe sot mbetjet e kalasë së Gjonit, pusi i Gjonit, troja e Gjonit, përroi i Kastriotit, fusha e Kastriotit, emra tokash, kodrash, fushash e të tjera me emrat e Kastriotëve si në asnjë vend tjetër. Kastriotët përmenden në Dibër edhe para ardhjes së serbve të Stefan Dushanit, 200 vjet para Skënderbeut. Në Dibër do të gjeni edhe Kanunin e Skënderbeut dhe në këtë kanun do të veconi edhe disa qëndrime të Skënderbeut për ndryshim të kanunit të Lekës me zgjidhje nga feja Islame. Në Dibër do të gjeni Hasin që përmend Marin Barleti, bile disa Has. Emri Has vjen nga fjala arabe “Hasa” që ka kuptimin e një cope toke bujqësore që thiret gurishte e që shtrihet afër lumenjve ose rrëzë kodrave. Hasi i Çidhnës ndodhet disa qindra metra në të djathtë të Drinit të zi. Më i përafërmi Has është në Çidhën të Dibrës, disa dhjetëra metra në të djathtë të Drinit. Në Dibër do të shihni fushën e Torviollit, e cila shtrihet pasi Radika merr kthesën drejt veriut dhe vazhdon të zbresë drejt fushës së Kastriotit dhe Ferrës së Pashës. Në Dibër do të shihni 18 vendet e betejave, do të vëreni luginat e veshura me pyje nga niseshin dibranët kundër pushtuesve. Në Dibër do të habiteni me fshatin e Çidhnës ku sulltan Mehmeti i dytë vrau 8000 dibranë: pleq, gra, fëmijë e të sëmurë ku ishin strehuar në kohën e rrethimit të tretë të Krujës.
Përse pushtuesit kërkuan të shfarosin Dibrën? Përse u zhvilluan 18 beteja, nga 26 gjithsej, në Dibër? Përse sulltan Mehmeti i dytë u nis për Turqi e në Elbasan mori kthesën për të ardhur në Dibër. Kaloi nëpër Mat dhe arriti në Dibër për ta zhbë popullin e Dibrës? Përse nuk sulmoi një qytet tjetër? Përse nuk zhbiu një qytet tjetër në Elbasan, Mat, etj.? Përgjigja është se Dibra ishte vendi i Kastriotëve, se populli i Dibrës ishte bazë e fuqishme e përkrahjes së komandantit të vetë.
Skënderbej dibrani largoi nga Kruja pashain turk, ndërsa dibranët ruanin maleve të Krujës dhe rreth e qark Krujës.
Skënderbeu sulmoi dhe çliroi Danjën nga malazezët e krishterë. Ai i preu rrugën katolikëve të Malit të Zi për të vendosur sundimin e tyre në Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë e deri në Korfuz. Skënderbej dibrani u preu rrugën italikëve për të dalë në gadishullin e Ballkanit si dikur Perandoria Romake. Skënderbeu i Dibrës për herë të parë i bashkoi shqiptarët në Lezhë, e mbrohej prej dibranëve për të evituar sulmet e turqve dhe të venedikasve. Skënderbeu i Dibrës vazhdon të jetë mësim, atdhedashuri dhe guxim për shqiptarët e të gjitha kohërave. Lexuam edhe një shkrim të një matjani që pretendon se Skënderbeu na paska qenë matjan. Matjan ishte Ballabani, që nuk e degjoi Skënderbeun për tu kthyer në atdhe edhe si bari, sepse kështu do të ishte më i nderuar.
Çfarë i dha Dibra e Skënderbeut Shqipërisë gjatë luftërave 1443-1468 e më tej? Mbështetur në të dhënat e defterëve turk, të viteve 1430 dhe 1467 Kristo Frashëri bën krahasimin: Në vitin 1430 Dibra kishte 57700 banorë, ndërsa në vitin 1467 kishte vetëm 10700 banorë (57700-10700=47000). Dibra i dha Shqipërisë 44000 dëshmorë e të larguar. Dibra kishte 171 fshatëra dhe i mbetën 153. 18 fshatëra u zhdukën fare. Çdo fshat kishte jo më pak se 40 shtëpi me familje të mëdha patriarkale. Mbetën vetëm 5-6 shtëpi për çdo fshat, gjithashtu numri i pjestarëve të familjes u pakësua shumë. Ja pra cfarë i dha Dibra këtyre luftërave të udhëhequra nga Skënderbeu për të siguruar vazhdimësinë e jetës shqiptare në viset e veta. Studiuesit e historisë duhet të kishin zbritur prej kohësh në Dibër për të kërkuar këto xhevahire të ruajtura nga populli i Dibrës. Asnjë historian veçuar Kristo Frashërit dhe Pëllumb Xhufit nuk kanë kërkuar në Dibër. “Sikur edhe për kureshtje” për të vizituar fshatin e Kastriotit e emërtimet e shumta me këtë emër. Dibra kurrë nuk e ka kursyer dijen, punën dhe gjakun për interesat kombëtare. Dibra ndali vërshimin sllav(serbo-bullgar) të vazhdonte pushtimet në Ballkan. Dibra i tregoi Hajredin Pashës se populli shqiptar e Skënderbeu jetojnë. Dibra ndali Car Dushanin dhe e detyroi të ikte nga kishte ardhur. Dibra, në vitin 1913, ndali serbët të dilnin në Durrës për të penguar shpalljen e pavarësisë. Dibra i dërgoi Shkodrës mbi 3000 burra luftëtarë për ta mbrojtur nga Karadaku. Kur pyeteshin këta luftëtarë se ku po shkonin ata përgjigjeshin: Shkojmë të biem shehidë (dëshmorë), as për plaçkë e as për vjedhje. Dibranët nuk iu bindën Ali Pashë Tepelenës për të vrarë meshkujt e një fshati shqipëtarë, vetëm pse ishin kundërshtarë të Aliut. Ata i thanë: “Pasha”, nuk kemi ardhur tek ti për të vrarë shqiptarët, por për të mbrojtur vendin nga të huajt. Dibra e vetme ka mbrojtur kufijtë prej pushtuesve të huaj.
Dibra i dha titullin “Hero Kombëtar” Krujës. Përsëri ishte dibrani Haxhi Lleshi që në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, 1968, ai që ia dorëzoi popullit të krujës këtë dekoratë të lartë.
Edhe Lezha e cila shijon nderin që i bëhet prej 500 vjetësh për Lidhjen e Lezhës e ka nga Dibranët. Kjo lidhje u arrit sepse ishte dibrani Skënderbej që e organizoi këtë lidhje, ishin dibranët ata që e rrethuan për mbrojtje dhe e mbrojtën këtë qytet, bënë të arrihej kjo lidhje.
Kush ishte qëllimi i luftës së Skënderbeut? Pse Skënderbeu la të jetuarit në kryeqytetin e botës së atëhershme, Stambollin, dhe erdhi të flejë maleve e të ushqehet me ushqimet më të thjeshta që gatuante populli shqiptar! Pse Skënderbeu la lavdinë që mund të siguronte në perandorinë më të madhe të kohës dhe erdhi të luftonte për një popull kaq të vogel? A luftoi Skënderbeu për fe dhe për çfarë feje? Të gjitha këta pyetje e kanë përgjigjen shumë të qartë. Ai erdhi dhe luftoi për lirinë e popullit të tijë. Ai erdhi t’i sigurojë popullit të tijë lirinë dhe pavarësinë. Skënderbeu në moshën e re në Shqipëri thuhet se ishte i besimit ortodoks edhe pse nuk e njihte këtë fe, në besimin e familjes së tij. Në Stamboll ndoqi shkollat më me emër të Stambollit, ndoqi medresetë që në themel të programit të këtyre shkollave ishte Kurani. Në mënyrë krejt të ndërgjegjshme njohu fenë Islame dhe u konvertua në Islam. Vetë zgjodhi emrin Skënder. Më vonë, shumë më vonë, kur ai numërohej komandant i zoti për ushtrinë turke, sulltani i dha gradën Bej dhe u quajt Skënderbej. Me këtë emrër muslimani luftoi, fitoi dhe thuri lavdi kundër pushtuesve turq, kundër venedikasve të krishterë, kundër të gjithë atyre që kërcënonin vendin tonë. Përse pretendojnë të krishterët ta quajnë Skënderbeun të krishterë? Në vitin 1998, misionari i krishterë Mark Klark, punoi disa vite në Dibër dhe propaganda e tij ishte: Skëndërbeu ka qenë i krishterë prandaj kthehuni në fenë e të parëve tuaj, në fenë e Skënderbeut. Askush nuk i shkoi prapa. Skënderbeu nuk luftoi për fe, luftoi për atdhe. Ai luftoi me të njëjtën ashpërsi kundër turqve muslimanë, kundër venedikasve dhe italikëve të krishterë dhe kundër gjithë atyre që kërcënonin vendin tonë. Ja disa të dhëna të tjera interesante, të dhëna nga ortodoksi Kristo Frashëri dhe të tjerë, që tregojnë se Skënderbeu nuk ka qenë i krishterë. Ai bëri ndryshime në kanunin ekzistues atëherë, bëri kanunin e tij mbi shumë baza islame. Ky kanun ka marrë jetë në Dibër: 1-Si i miri si i keqi janë njësoj. Prej të mirit del i keqi dhe prej të keqit del i miri. (Në kanunin e krishterë ishte ndryshe) 2-Vendin e kreut të shtëpisë duhet ta zejë pjestari më i aftë i familjes. 3-Fëmija kur lind e ka pjesën njësoj me të madhin. 4-Gruaja mund të ndahet me burrin vetëm për vjedhje e punë të pandershme, ndryshe sa thuhet në kanunet tjera. Gruaja merr sa gjysma e pjesës së pasurisë së burrit. 5-Gjaku nuk ngel për faj, ai shkon për gisht e jo për fis (Dënohet vetëm fajtori). Të tëra këto sipas normave të fesë Islame. Thuhet e shkruhet se në familjen e Gjon Kastriotit numëroheshin së paku 5 muslimanë: Gjoni, tre djemtë dhe Hamzai.
Kush ishte karakteri i Skënderbeut? Tërësia e veçorive psiqike e morale që përbëjnë individualitetine njeriut e që shfaqen në sjelljet dhe punët e tij ishin më të spikaturat që formonin karakterin e Skënderbeut. Skënderbeu ishte i vendosur në arritjen e qëllimit të tij e që ishte liria e pavarësia e popullit të vet. Ai ishte besnik, trim, i pa përkulur, i drejtë, i dashur me njerëzit. Që të gjitha këto i mbyllin të gjitha rrugët për ta akuzuar Skënderbeun si “tradhëtar”, si kaçak, si thyes i besës etj. Ai dhe vetëm ai mundi me këta cilësi e veti të rralla të luftojë e të fitojë kundër perandorisë më të madhe të asaj kohe, Turqisë, por edhe kundër Venedikut, kundër tyre edhe kur ishin së bashku.
Dibra dhe Skënderbeu meritojnë një përmendore aq të lartë sa të shihet në Dibër, në Prizren, në Shkodër, në Janinë, më tej edhe në Beograd, në Romë e Venedik, në Athinë dhe në Stamboll. S’ka pse fshihen zyrtarët tanë kur kanë vizitorë të huaj. Ky lapidar, ashtu siç u ka dhënë zemër në të kaluarën, do tu japë edhe brezave të ardhshëm për mbrojtjen e atdheut, por edhe kujtesë për të huajt se këtij populli që nuk iu ul koka për rreth 3000 vjet beteja e qëndresë me më të mëdhenjtë e kohërave, do të vazhdojë të jetë i lirë e i pavarur.