“Qesh e qaj me lot”, dëshmi e pjekurisë krijuese të Mevlud Bucit


Në poemën e vet madhore “Gomari i Babatasit”, poeti ynë i dashur Gjergj Fishta pasqyron një moment. Një deputet vjen me gomar në parlament dhe e lidh zinxhirin e kapistrës tek kangjellat e godinës. Sot deputetët tanë nuk shkojnë me gomar në parlament, por me makina të shtrenjta, po gomarllëqet e tyre nuk kanë fund ndaj, po të rilexonin poemën e Fishtës, do ta kuptonin se po të shkonin me gomerë në parlament do të ishin më afër të vërtetës së tyre.
Them po të lexonin poemën e Fishtës, ndërsa duhet të lexojnë edhe këtë vëllim të Mevlud Bucit që i ka bërë fërtele dhe i demaskon poetikisht me gjuhën e humorit dhe satirës. Shpesh pyes veten: Nga vjen kjo racë mediokrish që, nga njerëz të zakonshëm, shndërrohen në “njerëz të rëndësishëm”, bëjnë një shkëputje si me magji, sikur kanë pirë barin e harresës, nga e djeshmja e tyre; dhe nuk e gjej. Shumë analistë ia vënë fajin të djeshmes diktatoriale, kohërave të shkuara, faktorëve të një të shkuare më të hershme, po nuk e besoj, lëkundem. Si ka mundësi që njerëz të zgjedhur nga vota e popullit, vjen një ditë që i kthejnë krahët atij. Çfarë nuk shkon? Mos zgjedhjet e popullit janë të gabuara?
Një varg pyetjesh, që largojnë përgjigjet deri në pamundësi, të vijnë, ndërsa lexon vëllimin poetik të Bucit, një vëllim me vlera të veçanta për sa i përket thumbimit dhe tonit gjallërues që stigmatizon kastën e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave.
Një nga veçoritë ideore të strukturimit të vëllimit është se autori nuk e shikon këtë kastë si të shkëputur nga fenomeni psikosocial i shoqërisë. Ata gjejnë në radhët e shoqërisë edhe njerëz të posaçëm që u shërbejnë, që i miklojnë, që i idhujtarojnë dhe kështu bëhen të “paprekshëm”, kodoshë të lezetshëm dhe agresivë, njerëz që molepsin edhe shoqërinë. Janë ata dhe pikërisht ata, që ekspozohen në media, që flasin me një gjuhë të drunjtë, të egër, me fjalë jashtë standardit minimal moral, e që shpërndajnë në atmosferën e shoqërisë dhjetëra e qindra modele të së keqes, duke lëshuar tentakulat e dhunës për të kapur brishtësinë dhe elegancën në shpirtin e njeriut të zakonshëm. Duke bërë të fortin ata janë të dobët përballë qenies normale dhe kështu është ndërtuar gjithnjë psikologjia e gabuar e shtetit të fortë përballë njeriut të dobët, në vend që të vinte kjo anasjelltas.
Buci ka kohë që merret me satirën dhe fabulën; satira e tij rreh dhe trajton temën politike e, në këtë fushë, ai shpreh një aftësi të madhe, ndoshta shënon të vetmin poet satirik që e zbërthen këtë temë më mirë.
Satira politike e tij ndërthur mjaft pamje të realitetit politik shqiptar që manifeston karaktere të deformuara të këtij realiteti, herë-herë pamje fantazmagorike të tij. Përmes vargjeve të thjeshta të tij: “Ju nuk e njihni politikanin Sadush/ai kërcen si gështenja në prush” por: “do ta njihni deputetin Adem/ babai i tij ka qenë çoban me dhen”, del në konkluzionin: “Celulari i deputetit/porsi varka në mes të detit”. Ja sa thjesht e jep ai portretin e njerëzve të kësaj klike uzurpuese, megjithëse është e votuar. Jep temperamentin, origjinën dhe shkëputjen e tyre prej origjinës.
Të zhytur në “parajsën” e pasurisë “ata kanë “të drejtë” të sillen kështu, por populli duhet ta gjejë të drejtën e vet të mos i durojë, ndaj zemërimi i poetit është i ligjshëm, ai shpreh zërin dhe intuitën e çdo njeriu të drejtë, të moralshëm, që e do jetën të ndërtohet përmes drejtësisë, punës dhe kulturës, jo përmes egërsisë, padrejtësisë, përdhosjes së vlerave… Janë vlerat ato që ngrenë lart një shoqëri, së pari, vlerat morale, që e inkurajojnë një popull të ngrihet edhe nga hiçi. Por vlerat morale e japin rezultatin me vonesë, ndërsa amoraliteti shpejt. Kjo është tragjedia e ngutjes dhe e moskuptimit, e horizontit të ngushtë dhe e përfitimit të çastit. Këtë, poeti e sendërton përmes vargjeve lakonike. Lakonizmi i tij vjen përmes gjuhës së thjeshtë, në saj të ligjërimit oratorik dhe tribunal; ai me një duf të sinqertë të përçmimit jep dhimbjen dhe padurimin e njeriut të sotëm që shikon si nëpërkëmbet nga kjo klikë pushtetmbajtëse, e cila vjen si mallkim dhe çdo mallkim duhet nënçmuar.
Ky lakonizëm e çon poetin në pyetje retorike, po edhe të marrë sintagma të njohura nga Çajupi, Noli, për t`i funksionalizuar ato aq natyrshëm duke u dhënë shtratin e lëvizshmërisë përmes një përmbajtje të re. “Rend, or rend veç nëpër lluca/o mizorë për pufka e dokrra/koha ju pagëzon derrkuca/karrieristë dhe mediokra/”. Stilema që ta kujton vjershën e Nolit “Rend, o Maratonomak” këtu merr një ngjyresë në një kah tjetër, përplotpjesëtueshëm me të vërtetën satirike. Nëse stilema e krijuar së pari nga Noli, mobilizon dhe fuqizon, këtu stilema asgjëson me tonin ironik të sarkazmës. Poeti vijon: “Ku llomotitet me fjalë lum e det/ku petulla me ujë bëjnë në shtet? Në Shqipëri/ Ku ngjiten në poste për hajdutëri/ ku ka një pushtet me njëqind parti?/ Në Shqipëri”. “Perëndi të qofshim falë/ bëre hënën, bëre diellin/ bëre detin dhe oqeanët/ Ç`deshe që bëre politikanët?” Toni energjik dhe rimat buçitëse përfshihen herë-herë në një valë të natyrshme të bukur tingëllimit që vjen prej aliteracionit. Përkufizimi që u bën Buci politikanëve shprehet me fjalët e gjetura: “O maniakë, o mizorë, o lajkatarë…” Ky kod fjalësh kaq të hapura dhe të drejtpërdrejta arrin fuqinë shprehëse të Nolit tek poezia e tij e famshme “Marshi i Barabait” me fjalët: “O i zhgërryer, i zhyer, i vyer për hu”. Buci është një poet që mbështetet shumë tek poetët tanë të mëdhenj të traditës,tek gjuha e popullit (kujtojmë se ai ka shkruar veprën e merituar “Fjalori frazeologjik i Dibrës”); këtë gjuhë ai e përmason përmes lëndës dhe frymëzimeve të veta dhe e reja qëndron në faktin se ai e rrit, e pasuron, i jep jetë dhe ndërton me të një format të ri stilistikor. “O mini ministrat tanë/ hallall e paçi paranë/ s’ka si ju o burra shteti/ se me ju u zhduk ryshfeti”/. Gjuha e gjallë e popullit është gjuha më ironizuese ndaj së keqes, ndaj fenomenit, ashtu si dhe gjuha lartësuese; kush e njeh, mrekullohet nga ajo dhe di ta përdorë, sepse gjuha e popullit është thesar që ka dalë nga një përvojë shumëshekullore. Karakteri enumerativ i poezive të Bucit është një tipar tjetër që ua përsos rrjedhshmërinë dhe ua gjallëron freskinë e detajit, i bën ato të lexohen me vëmendje dhe me interes. Buci si vëzhgues i hollë, si sociolog dhe politpolog, arrin të na japë këtë panoramë të ngjethur të skizofrenisë politike, herë duke e përshkruar situatën paradoksale ku vihen politikanët, herë duke portretizuar ata me mjete të thjeshta dhe adekuate, të cilat të bëjnë për vete. Portretizimin e tyre ai e bën natyrshëm, pa gjetje të sforcuara, këndshëm dhe bindshëm, me aq sa lejojnë kufijtë e një poezie të shkurtër që nuk e ka këtë mision, por që poeti arrin ta japë. Qëllimi nuk është të demaskohen politikanët, sepse ata janë të demaskuar, por të krijohet situata dhe gjuha e posaçme që ky demaskim të bëhet në mënyrë të bindshme artistikisht dhe me fuqi të fjalës. Për t’ia zgjeruar mushkëritë gjuhës, ai thërret në ndihmë personazhe të njohura nga letërsia botërore si: Prometeun, Tartufin, Makbethin apo Don Kishotin, personazhe nga Bibla, si Kaini, apo sa herë e përdor në kontekste të sakta fjalën Bibël dhe Musaf. “Shtriganë dhe mizorë/ Tartufë të Molierit/ shpifarakë djallëzorë/ binjakët e ferrit”. Ose: “Popull në batak/me këta “Promete”/ llafollogë, kolltukofagë/mashtrues të pafe”.
Mund të vazhdonim me dhjetëra e dhjetëra shembuj të këndshëm, por kaq mjaftojnë për të kuptuar sesi figura të skalitura të letërsisë botërore vijnë e hyjnë natyrshëm në poezinë e tij dhe shpalosin vlera artistike. Shfrytëzimi i mitologjisë pagane dhe fetare postpagane bëhet nga poeti për të vetmen arsye të thjeshtë se ai, jo vetëm e njeh këtë mitologji, por edhe di ta aktualizojë me mundësinë që jep ajo përmes universalizimit të saj të pashtershëm. Po kështu, poeti si një satirist i njohur dhe me plot nerv e gjallëri, tregon, duke përdorur këto figura, groteskun e mjerimit paradoksal të shoqërisë sonë të kapur mat nga politikanët tanë që poeti i quan lanetë, depulanetë, pordhilikanë apo polishejtanë e polithikanë, politikuajt etj…Duke shfrytëzuar mundësitë që jep fjala, ai ka krijuar në analogji me tingëllimin dhe hapësirën e saj fjalë të reja që ngjajnë me fjalën e parë, po që marrin nuanca kuptimore që mbarten në kujtesë. Depulanetë, të djallëzuar, pordhilikanë, të paduruar në propagandë, polishejtanë, të pakapshëm në lojërat e tyre; polithikanë; që të ngulin thikën pas shpine e që i ngulin thikën zhvillimit; politikuajt; ashtu si kali shijnë lëmën e tyre prej bereqetit të vjedhur.
Sa humor shkaktojnë këto fjalë dhe sa origjinalitet shprehin është e kuptueshme, ashtu siç prej tyre gjenerojnë e azdisen kuptime të ndryshme që mund të interpretohen në një fluks idesh dhe interpretimesh. Mund të themi se loja me fjalën është veçori e shkrimtarit që jeton me fjalën dhe Buci “loz me fjalën si Mesi me topin”, edhe kjo shprehje e krijuar prej tij, çka do t`i shkonte çdo shkrimtari që fjalën e ka pjesë të përditshmërisë së tij, nxitëse të opusit krijues. Fjala e gjetur fuqizon imazhin, krijon konotacione bindëse dhe afron mundësi fantaziste.
Poezia e Bucit është e angazhuar, me nerv qytetar, ajo shpreh në tërësinë e saj pikërisht këtë, çka do të thotë se ky angazhim e bën atë të jetë sa më afër të vërtetës social-politike dhe kjo e vërtetë duhet kuptuar si e tillë kur sillet nga pena të stërvitura që, më herët, e kanë lëvruar atë. Kjo poezi, allabrehtiane po edhe në ngjashmëri me satirat e Juvenalit, duhet kuptuar dhe shijuar brenda interesimit të një lexuesi që e shijon atë si të tillë. E në këtë vijë shtjelluese mbërrijnë gjithnjë një arsenal fjalësh nga fjalori i bisedës së vrazhdë, kjo e gjitha për të identifikuar portretin moral të politikanëve; ai merr fjalë nga bota e kafshëve, si: ujk, dhelpër, çakall, ari, luan, urith, ngjalë, kameleon; përdor fjalën tellall, trumpetë, ryshfet (jo mitmarrje), llafollogji, hamshorë, brac, dovlet, kopuk, shpifacak, zuzarë, karagjoz, lukuni, gallatë, vampirë, harbutë, llogje etj, etj. Këto fjalë vërshojnë me një intensitet të fortë dhe gjenden aty ku duhet për të plotësuar arkitekturën e vjershës dhe të idesë.
Poezia e Bucit është poezi që i thur himne lirisë, të drejtës së njeriut që kërkon mos ia marrin atë që i takon, ajo ngrihet me vetëdije kundër padrejtësive dhe shushunjave politike që kërkojnë të mbijetojnë përmes mashtrimit, intrigës dhe llafollogjisë. “Ti njeri i urtë, i vuajtur, i torturuar/ku e ke ti vallë lirinë e mohuar?/ Trumpetat me fjalë nga çdo qeveri/ të lanë në vuajtje, zhgënjim, varfëri”. Më se të kuptueshme janë këto vargje kur na duhet të mendojmë propagandën fallso për të justifikuar varfërinë dhe mizerjen e diferencat sociale. Lirinë e individit në Shqipëri e kanë uzurpuar retë e zeza të politikës, duke ia penguar diellin e natyrshëm që i takon, prandaj poezia e këtij autori bëhet poezi e revoltës dhe është në linjën e artit të revoltuar që na ka sugjeruar Kamy.
Revolta që vjen nga tendenca e drejtpërdrejtë, nga mosaludimi, po nga thënia açik, vërtet largon metaforën, po sjell energjinë dhe nervin shprehës dhe këtu vjen në ndihmë epiteti, si një rrobe e menjëhershme për ta veshur trupin lakuriq të idesë dhe të konceptit. Buci është poet i epitetit dhe i krahasimit, dy figura që rrinë afër e afër dhe shpesh ndërrojnë pozicionet dhe bëhen komplementare. Ai identifikon tiparin shpejt, me vrull, me zemërim, mallkim, me keqardhje e përçmim ndaj të shëmtuarës që e gjen tek njerëzit e politikës, të cilët i shikon në bllok të këqij, mafiozë, të zbrazët e të mbushur me ethet e pasurimit. I vjen të qeshë me këto lolo, se vërtet janë për të qeshur, po i vjen edhe të qajë se ata janë lolo të rrezikshëm, përderisa aktrojnë të keqen në kurriz të gjithë shoqërisë.
Prandaj kemi një tragjikomedi, një ndërthurje zhanresh që ndihmojnë dhe elipsojnë njëra-tjetrën sipas rastit dhe tendencës ideore. Kjo tragjikomedi nuk luhet në ajër, as në shkreti; ajo luhet në përditshmërinë tonë, ka lidhje me jetën tonë, me fatin e kombit, prandaj mesazhi i poetit vjen natyrshëm duke sugjeruar kundërshtim, syçeltësi dhe vëmendje ndaj kamuflimit të së keqes.
Satira në letërsinë shqipe njeh mjeshtra të mëdhenj si Çajupi, Fishta, Spiro Çomora, Dionis Bubani, Dritëro Agolli, Qamil Buxheli, Pëllumb Kulla etj. E lëvruar në periudha dhe kohë të ndryshme, ajo ka synuar gjithnjë goditjen dhe asgjësimin e së keqes duke e bërë atë sa më prezente për të mos u pajtuar me të.
Si poet satirist, Buci mëson nga mjeshtrit e mëdhenj, po krijon edhe stilin dhe mënyrën e tij të veçantë, origjinale. Vëzhgimi dhe nxjerrja e fenomenit si i veçantë brenda rëndomtësisë së tij, është tipari kryesor i shqetësimit të poetit satirist. Mund të hetojmë se poeti arrin ta përveçojë dukurinë dhe të gjejë mjetet e duhura të shprehjes së saj. “Zyrtarë, tarafçinj në qeveri/poshtë pallateve plot zagarë/nga muzika s’ka gjumë në sy/më shumë qen se qytetarë”.
Shumë poezi të thurura në trajtën e një strofe kanë vlerën e një epigrami, ku fjala e ngjeshur nuk ka nevojë për shumë shoqe të saj. Edhe me katër vargje mund të japësh një realitet urban, kaotik dhe problematik, dhe, duhet thënë se Buci, përmes vëzhgimeve të tij, arrin ta bëjë këtë dhe të na sjellë herë pas here befasira të zbulimit dhe të mendimit poetik satirik. “U gëzua daja me teze/u shtrua banketi me meze/po martohej nipi Servet/që u lidh në internet”. Plot epigrame satirike gjejmë në këtë vëllim që qëllojnë në shenjë me pak rreshta e fjalë, dhe të bëjnë të nënqeshish me devijacionin moral dhe të sjelljes së sotme shoqërore në marrëdhëniet e njeriut me kohën, me keqkuptimet e saj etj. Epigrami satirik nuk është i thjeshtë, ai nuk mund të shkruhet lehtë, sepse kërkon ekonomizim të vargut, por kur gjendet dhe shprehet me mundësinë e vet të të goditurit në shenjë, mbahet mend dhe nuk harrohet, e në këtë hulli lexuesi i mësuar i kujton epigramet e autorëve satirikë grekë dhe romakë, po edhe epigramet e Volterit të zgjuar. Duke lëvruar këtë zhanër, Buci provon mundësitë e tij, sjell zërin e vet, që polifonon sa në poezinë satirike, fabula, epigrame, anekdota, fjalë të urta, skica dhe tregime satirike, duke i dhënë veshjes dhe thelbit përmbajtësor të librit një natyrë të përzier zhanresh dhe këndvështrimesh të ndryshme.
Fryma dhe kuptimi që përftohet nga ky libër shtjellohet përmes mendimit dhe ndjesisë që na japin këto poezi të hovshme plot tonalitete që ziejnë nga atakimi që u bën autori mjaft problemeve dhe të ndodhurave në realitetin sureal dhe absurd shqiptar; ai pasqyron karaktere të deformuara që i gjen me lehtësi tek aradha dhe skota e politikanëve, por edhe në nivelet më poshtë të shoqërisë; deformimi i karakterit në periudhën postdiktatoriale erdhi si shkas prej mundësive që dha demokracia, të cilat u shfrytëzuan me një pangopësi të tmerrshme.
Këtë e jep mirë edhe në tregimet e tij.
Janë një tufë tregimesh satirike që lexohen me ëndje, shkruar rrjedhshëm, si një rrëfim i dhimbshëm mbi njeriun që bëhet me lehtësi pre e vesit, që i ndodhur në situata të pakëndshme u dorëzohet atyre në mënyrë të lehtë. Tregimet e Bucit janë në vijën e shtjellës satirike dhe krijojnë me penelata të shpejta tipa dhe karaktere që vizatohen përmes mundësisë dhe pamundësisë, e këtu krijohet konflikti i brendshëm psikologjik, humori që mpreh tehun e satirës.
Nga këto tregime spikat “Gruaja me lule” ku jepet portreti i një gruaje që s’diti ta ruajë vajzën e vet që shkoi viktimë e vesit dhe e instinktit. Edhe tek kjo grua e përdalë, autori arrin me mjeshtëri të na zbulojë botën e nënës, dhimbjen e saj, përmes një poetike të hollë, me një konceptim që i jep fuqi nëntekstit dhe krijon kështu madhështinë e nënës. Tregimet trajtojnë tema dhe motive nga fusha e arsimit-fushë që autori si mësues e drejtor arsimi në bazë e njeh mirë. Gra që jepen lehtësisht për përfitime, shefa dhe drejtues me principe të shuara moralë, lëvizin në ankth përmes përshkrimeve të ngjeshura ku tonet gri zbërthejnë një ankth të lehtë.
Vaniteti dhe kotësia, amoraliteti si normë shformëzimi karakterial, janë rrjedhat e dukshme ideore që japin një botë të ngushtë të këtyre njerëzve që vënë interesin mbi gjithçka dhe humbasin shumëçka nga karakteri njerëzor. Në kapërcyell (dhënia e tyre në dy kohë: diktaturë-demokraci) këta tipa marrin një frymëmarrje tjetër, ata bëhen agresivë dhe ngjiten gjer në sfera të larta të shoqërisë, sepse demokracia bëri “një të mirë” ajo e nxori në sipërfaqe llumin. Nëse në atë kohë (diktaturë) ky amoralitet mbante një koperturë nderi të sipërfaqshëm, tani në demokraci “plasën ujërat e zeza” të shoqërisë dhe askush nuk e merr tenderin t`i kanalizojë ato, sepse kushton shumë. Kjo është drama e shoqërisë shqiptare, dramë që aktrohet para një spektatori indiferent. Në këtë prizëm ideor, tregimtari sjell diçka të re, ku tregimet e shkurtra dhe të ngjeshura me mendim, jo vetëm lexohen për shkak të rrjedhshmërisë së tyre, po edhe prej këtij konceptimi dhe prosedut artistik lakonik. Situatat e humorit janë të ndryshme, ato krijohen në çaste të shpejta ku interesi dhe vesi ushqejnë njëri-tjetrin në mënyrë të habitshme.
Vaniteti, kotësia, paaftësia, mbyllja e mundësive kërkojnë lëshime të mëdha në karakter. Po kështu edhe indiferenca dhe asfiksia e shoqërisë nuk jep asnjë ilaç. Kështu këta njerëz asgjësohen ngadalë në pritën që i kanë ngritur vetes, bëhen inkoshientë dhe instiktivë, lëvizin si nëpër tym dhe asnjëherë nuk japin një reagim pozitiv, në të kundërt të moçalit moral ku janë zhytur. Ky moçal moral i gllabëron ngadalë, sepse këneta e shoqërisë nuk bonifikohet nga ekskavatorët e moralit. Është një shoqëri e kapur keq, e deorientuar, kapur nga ethet e pasurimit, që nuk e ka hallin se ç’do thonë për të, por si mund të mbijetojë në këtë rrugë ku është nisur dhe po ecën pa e kthyer kokën pas. Toni satirik dhe spektri filozofik që sjell autori në këto tregime është i dukshëm dhe mund të analizohet përmes këtyre dy treguesve; po kështu ky tonalitet vjen edhe në vijimësinë me zigzake të kohës së re, që shpërfaq dhe relievon sa e sa bëma, qesen me qelb të tyre nuk ka shigjetë të satirës që ta shpojë.
Buci ka shkruar edhe një numër aforizmash si krijime të vetat, po edhe të sjella përmes mençurisë së popujve të ndryshëm. Edhe në libra të tjerë paraardhës ai ka shkruar aforizma, të cilat tregojnë për prirjen e tij në këtë fushë, për gjurmimet që i bën ai mençurisë, përvojës dhe diturisë. Prirja aforistike e çdo shkrimtari të mirën, nga sintezat që ai u bën realiteteve që priten në kohëra në një pikë: të përcjellin përvojën tek njëra-tjetra. Përgjithësimi i këtyre përvojave u jep mundësi kohërave pasardhëse që të ecin më mirë, të mos gabojnë, edhe pse çdo kohë në mënyrë të verbër përsërit gabimet e tjetrës, veçse duhet thënë se krijimi i tyre nga autori, synon që lexuesi t`i kuptojë ato mirë, si këshilla të urta, ku të ndjejë peshën e tyre dhe të mbajë mend disa prej tyre, për të mos gabuar.
Edhe në anekdotat, Buci tregohet i hollë, ata japin momente nga njerëzit e mëdhenj, Njutoni, Uollter Rilei, Bethoven, Dante, janë anekdota me kripë dhe humor, të veçanta dhe, ndoshta të padëgjuara e që jepen për herë parë. Ato vijnë në trajtën e konceptimit të librit dhe të strukturës së tij polizhanrore, politematike dhe me një fluks motivor. Si të tilla, kur duhet t`i lexosh ato, gjithnjë të shkon mendja se humori shkaktohet edhe nga gjëra të zakonshme, madje ai është humori më i mirëfilltë.
Buci shkruan edhe fabula të bukura, të cilat shprehin një aspekt tjetër të talentit të tij. Në fabul ai ndihet mirë, komod, zotëron me mjeshtëri teknikën e saj, madje shumë fabula të mbeten në mendje për mprehtësinë e gjykimit dhe moralin e shëndoshë.
Në letërsinë shqipe kemi fabula të shkruara nga Çajupi, Dritëro Agolli, Ferit Lamaj, por edhe nga autorë të tjerë më pak të rëndësishëm. Buci sjell zërin e vet, mënyrën e tij. Fabula është njëlloj si poezia, po në ndryshim ajo ka një subjekt ku personifikohen bimë e kafshë. E rëndësishme është, se kujt temave, gjendjeve, ua përshtat, temave universale apo temave aktuale, dhe Buci dallohet për temën aktuale. Posaçërisht, edhe këtu aktualiteti i tij futet natyrshëm në fushën politike. Madje, do të themi se në lëvrimin e fabulës politike ai po dëshmon se gjithnjë e më tepër po arrin të sendërtoje fabulën që mbetet vetëm e tij. “Fliste bufi bënte gafa/hiqej i zgjuar plot talent/e azdisur i thosh xhirafa/ veç bëjmë ligje në palament” “Gëzohej një humnerë/se fundoste plot lanetë/aty ku ngrenë vilat përherë/kryekopukë, deputetë”. “U grind një cjap dhije/sa mori post qeverie/u bë shpejt prijës i dredhisë/i mbeti nofka: si cjapi dhisë…” Fabulat e Bucit ndërtojnë imazhe të thjeshta ideorë përmes rrëfimesh të gjetura, ato shfrytëzojnë çdo aspekt të jetës, çdo koncepsion popullor dhe të gjuhës së gjallë të popullit. Ai e shfrytëzon gjuhën e popullit, humorin popullor, të folurin alegorik dibran, sepse dihet që përmes shenjëzimeve përftohet alegoria dhe alegoria është baza e metaforës.
Shumë fabula të tij, kur dalin jashtë temave dhe shqetësimeve politike, rrahin momente të ndryshme të psikologjisë sociale të moshave të ndryshme, shprehin përvoja të jetës së gjallë të popullit apo gjetje interesante që burojnë nga larushia e jetës dhe lëvizshmëria e mendimit të zgjuar. “Nisi sorra të gërhasë/pula lëshoi një glasë/seç qeshi një manar; gënjeshtra, tha, është lajm i parë”; “një dhelpër kapi pulën/një çakall tundi vulën/sorra uroi me zemër/lum o zot, më bëre femër”. Buci ka fabula ku merret menjëherë kuptimi, po ka fabula të tjera ku nënteksti ndërton disa shtresa që fshehin njëra-tjetrën dhe duhet të gjesh shtigje të ndryshme interpretuese për të shkuar tek një objekt mendimi. Ja sa bukur i ka thënë ai në vargjet e fundit: gjërat e dobishme të bukura në jetë synohen më shpesh dhe ata që mbartin shëmtinë gëzohen për asgjësimin e tyre. A nuk është kjo një filozofi e përditshme e jetës sonë që tralliset nga këto orekse dhe egoizma që kontrastojnë pahijshëm me dhimbjen tonë për të bukurën? Sepse: “u grind drama me komedinë/bën jetë kush quhet njeri/qeshi fort komedia/dramën luan njerëzia”… Loja e kësaj drame është e dhimbshme, po edhe prej kësaj drame shkëndijohen dhjetëra e qindra subjekte, dalin në dritë sjellje e karaktere të shumanshme të çuditshme që shkërbejnë tipat që ne i shohim përditë.
Misioni i poetit, por edhe i artit ky është: t`i tregojë jetës shëmtinë dhe bukurinë e saj, të shpalosë të bukurën në kundërvënie me të shëmtuarën, të moralizojë përmes së mirës, jo moral të thatë po me mjete të transfigurimit poetik.
Fabulat e Bucit që zënë vend natyrshëm në këtë vëllim, dëshmojnë për kërkimin e vazhdueshëm të poetit në këtë zhanër, kërkim që shfaqet në përpjekjet intensive për të shkuar sa më shumë drejt origjinalitetit të gjetjes së fabulës, të shkurtësisë dhe ngjeshjes subjektore, dhe, mbi të gjitha, duke mprehur synimin për të thënë gjëra të mençura. Dhe kjo nuk është e thjeshtë, fabulistët e mirë sot në Shqipëri numërohen me gishta, sepse fabula që duket në pamje të parë e kollajtë, kërkon zgjuarsi, simbolikë dhe, përmes saj, një alegori të stërholluar dhe fine. Mendojmë se në fabulat më të mira, Buci ia arrin kësaj, duke e renditur atë në emrat e fabulistëve më të mirë të sotëm.
Shkëndijimet e mençurisë dhe thirrja e një bote të gjerë kafshësh e shpendësh në ngjizje të natyrës që ka fabula, bëhen në mënyrë të tillë që ato të shkojnë në një përputhshmëri ku, gjetja, personazhet kafshë, të përpjesëtojnë dukshëm rolin e ideve dhe kuptueshmërinë e moralit të fabulës. Është e natyrshme të kuptojmë se përmes botës së kafshëve, dhe jo vetëm prej atyre, po edhe të bimëve, luleve, botës floreale, të kuptojmë se gjithçka funksionalizohet në dobi të mençurimit dhe të mësimit të njeriut, të jetës njerëzore ndër breza.
Nga kjo, jo vetëm zgjerohet shtrati filozofik i tyre, por edhe fabula bëhet një lloj shumë i dashur, loja fantaziste merr kuptime më domethënëse dhe krijon mundësi për ta parë jetën më ndryshe, brenda intonimeve më medituese.
Kështu njerëzimi akoma mban mend fabulat e Ezopit, Fedrit, La Fontenit, jo pse janë interesante dhe me nivel të lartë artistik, por edhe pse ato ngërthejnë një mesazh filozofik të fuqishëm që të mëson dhe mobilizon. Fabula tregon edhe për atë marrëdhënie që ka njeriu me botën, kafshën sidomos. Nëse kafsha do të kishte gjysmën e ndërgjegjes së njeriut, njeriu do të kishte një ndërgjegje më të konsoliduar, sepse ai nuk e ka atë instinkt natyral që ka kafsha, që i është dëmtuar nga presioni i ndërgjegjes.
Vëllimi poetik “Qesh e qaj me lot” dëshmon se ky poet gjithnjë e më tepër po e rrit peshën e krijimtarisë së vet, ai po bëhet më aktiv në kapjen e temave të mprehta politike, sociologjike, duke ia nënshtruar ato një gjykimi filozofik më të thellë. I dhënë pas poezisë lirike, e më së shumti asaj satirike, ai shfaq interes dhe motivim krijues edhe në fushën e tregimit, anekdotës dhe sentencës që e krijon vetë, por edhe e mbledh nga kontaktet që ka me njerëz të ndryshëm dhe nga leximet e literaturës artistike, historike, folklorike e sociologjike.
Vëllimi është një pasqyrë e gjerë e realitetit absurd shqiptar, i dëmtimeve që i kanë ardhur këtij realiteti nga elitat pushtetmbajtëse, të cilat të vëna në shënjestër të satirës së Bucit duken më lolo seç janë.
Nervi luftarak, toni panegjirist i poezisë së Bucit, dallohet dhe ndihet e kjo ia sjell edhe origjinalitetin, sepse ai nuk është poet i modës, por i përjetimit, thotë atë që ka për të thënë dhe nuk ka nevojë që fjalën ta fusë në inkubatorin e modave, sepse ai vjen nga Katër Grykët, një zonë liridashëse e Dibrës, një zonë e malësisë sonë, që dukshëm ka rritur tek ai cilësitë më të mira të dashurisë për lirinë, të drejtën, njerëzoren, zhvillimin; jeton atje dhe e shikon sesi politika jonë dritëshkurtër me “bracët e dovletit” as nuk duan t’ia dinë për mundësitë e zhvillimit të kësaj zone, edhe pse kjo krahinë, si të gjithë krahinat shqiptare, i ka votuar.
Poezia e tij satirike përmes demaskimit poetik shpreh dhimbjen dhe dashurinë për njerëzit e thjeshtë, shpreh shqetësimin për fatet e kombit dhe bën thirrje për ndërgjegjësim, realizon, pra, një dimension ideor me shumë vlerë, e këtu nuk mund të shpërfillet fakti se ajo edhe pse vjen me rrëmbimin e një frymëzimi të shqetësuar, nuk i anashkalon mjetet dhe teknikat artistike të të shprehurit, përkundrazi. Është një poezi që himnizon të bukurën në kontrast me të shëmtuarën, që vjen drejtpërdrejt , pa lajle lule, po që lë jehonën e një misioni ideor të perceptueshëm duke menduar për të.
Në këtë vëllim, krahas larmisë tematike, gjejmë dhe shohim një fushëpamje të gjerë të realiteteve të përditshmërisë, tipa dhe karaktere që i kemi ndeshur, halle dhe problematika të cilat na kanë rënë mbi kokë, dhe poeti i jep forcë zërit tonë të kundërshtisë ndaj së keqes. Nëse ky zë do kishte qenë më i fortë kjo e keqe do të qe minimizuar. Detyra e poetit është të zbulojë, evidentojë dhe të shpalosë, ndërsa e lexuesit të frymëzohet nga poezia e tij që të mundet të reflektojë për diçka që e ndjen të drejtë.
Vëllimi ka një fjalor të pasur, ritëm dhe intonacione vibruese, rima buçitëse dhe sidomos poezitë satirike dallohen për një enumeracion të rrjedhshëm. I shquar për tonin oratorik dhe retorikën rrjedhëse poezia e Bucit gjen vetvetiu shtratin e strofimit të shumëllojshëm, me metra të ndryshëm, siç edhe i ngjet gurgullimës së një përroi malor që derdhet me shpejtësi nëpër thepat e një shkëmbi.
Ajo është poezi që nuk e zbut nervin në meditime të sëmura dhe përsiatje trishtuese, përkundër është një vjershërim që i troket njeriut në ndjesitë e tij qytetare dhe mobilizon për guxim ndaj së keqes.
Si e tillë ajo shfaqet me një nivel të kënaqshëm në vëllimin në fjalë dhe imponon nderimin e natyrshëm për një poet ekzigjent dhe të përkushtuar ndaj idesë dhe fjalës artistike.