Sinoret e Luznisë


Studiuesja Emrie Skuka ka shkruar me përkushtim e kompetencë për Luzninë,tradita, etnografinë, folklorin,frazeologji dhe ligje popullore,historinë në periudha të caktuara përballë turkut, luftën përballë serbit, po edhe kohën e Monarkisë, luftën partizane si dhe periudhën e monizmit. Është pra, një pasqyrimi gjerë i një realitetit të gjallë të kësaj krahine. Në hyrje të librit, shkrimtari i shquar AgronTufa e përcakton atë si një libër të shquar monografik, filozofik e publicistik, studimor, kronikal e enciklopedik. Treva e Luznisë, njëra nga Nëntë Malet e Dibrës, është treva e mençurisë, satirës dhe humorit therës e filozofik. Skuka, një mësuese gjurmuese, është ndalur pikërisht në këto, duke sjellë në fokus luftërat, figurat e shquara të udhëheqësve popullorë, kullat e qëndresës, etnokulturën, ç`kanë thënë e ç`kanë shkruar për Luzninë, prejardhjen e fiseve; ajo shkruan me drejtësi, argumenton me realizëm, jep tablotë e pashembullta të jetës, vetëmohimin popullor. “Krahina e Luznisë – shkruan Agron Tufa, – i mbijetoi një diktature ekstreme siç dihet, të pashembullt në gjithë kampin socialist të Europës Qendrore e Lindore”(fq.11).
Duke lexuar këtë libër e ndjen peshën e rëndë të viteve sikur je para Korabit apo Runjës. Në studimin “Amaneti i kujt është Luznia”?, fq.515-519, autorja shkruan:” Është amaneti i atyre që zgjodhën për herë të parë të jetonin aty, të atyre që banojnë aty, të atyre që u ndeshën me vështirësi si nga terreni e nga dimri i gjatë dhe i egër… Është amaneti i asaj djerse të derdhur për të gjetur rrugë e shtigje dhe për të siguruar mbijetesën”.
Libri hapet me “Vendbanime të hershme”, ”Koha parahistorike”, ”Në antikitet”, ”Lusnja”, ”Mesjeta”, ”Në kohën e Skënderbeut”, ”Ligje zakonore, Kanuni,””Kararet e Dheut” ”Oda dhe Kanuni” e plot kapituj të tjerë që vijnë radhë pas radhe në një qasje ndërtimore konceptuale.
Studiuesja Skuka ka argumentuar dhe zgjeruar studimet e dr.Adem Bungurit, Iliaz Kacës, Kristo Frashërit, Munir Shehut, Bajram Xhafës, Mevlud Bucit etj. Ajo përshkruan martirët e ndritur: Ali Lik Damzi, Elez Murrën, Isuf Murron, Hazis Manukën, trima të rrallë luznakë në betejën kundër turkut apo serbit, flet për zogistët, për luftëtarët partizanë, Luznia me kufijtë, sinoret, me filozofinë, gjenezën, toponimet dhe realitetet historike bëhet kështu një krahinë mjaft e veçantë që rrezaton vlera të rralla. Asnjë lexuesi nuk do t`i shqitej lehtë nga mendja shkrimi studimor: “Në kullën e Lam Dacit”, “Isuf Murrja” etj. Dhe për epikën popullore që thur vargjet:
Isuf Murrja paska thanë
Pesë djem mbrapa i kam lanë,
Kam Dautin dhe Abdullanë
Pa pagu gjakun s`e lane.
Ka nis dita me zbardhue,
Ndal yzbash s`ke ku me shkue..(fq.123).
Shkrimet “Kaçakët e Luznisë”, eseja filozofike “Deri kur? Dikush, diku? Do të majmet me tokat e Shqipërisë?” (Vladimir Majakovski), argumenton qëndresën e patriotit Ali Likë Damzi. Kur printe Ali Damzi, i pushkatuar me pabesi nga monistat gjaksorë, që u preu dashin dhe i dhanë plumba, koha dridhej e rritej burrnia. Studiuesja shkruan për kullën e Manukës në Arap të Poshtëm, duke dhënë saktësisht epikën historike:
Një luan atje te kulla,
Qenkan mbledh do trajma burra,
Hazis Manuka ç`po thërret
O mor burra bani gajret
Krajsi topi e krajsi pushka
Jo s`dorëzohet Hazis Manuka
U drodh toka,u tund mali
Mu ke kuylla u vra gjenerali..(fq.150).
I veçantë dhe me vlera mbetet kapitulli “Kanë thënë për Luzninë”.
Studiuesja na jep materiale burimore të sakta nga studiuesit e tjerë si: Xhetan Prençi, Beqir Mata, Zija Skuka, Faslli Mera, Xhafer Martini, Xheladin Tollja, Dukagjin Hata, Halil Vani, Mevlud Buci, Mensur Murrja, Arif Mata, Bajram Krrashi, Dilaver Deda, Hasan LLeshi, Ram Hasani, Hysen Uka, Adrian Skuka, Sadik Damzi, Harjrie Ramadan Uka, Banush Skuka, Bashkim Dedja, Hajrulla Nikolli, Behar Mera, Genc Lleshi, Bilbil Mera, Jashar Uka, Haki Përnezha, Haxhi Damzi, Rahim Koleci, Bari Konesha e të tjerë…
Me një punë përkushtuese ajo pasqyron prijësin popullor Likë Damzi, shkrimet ”Në vitet e regjimit të Zogut”, ”Lufta partizane”, ”Vendosja e pushtetit popullor” mbeten për t`u lexuar e rilexuar për vlerat që kanë; po kështu përshkrimet e saj për Maliq Skukën, Abdulla Murrën, Mal Merën, Isuf Merën, Vesel Shqutin, Nazif Ruçin, Emin Kurtin, Hajdar Murrën, Bajram Nezirin, Arif Matën, bëhen mjaft interesante për shkak të rrjedhshmërisë së tyre. Po kështu, në shkrimet për gjuhën shqipe ajo pasqyron portrete mësuesish të nderuar si: Sali Nezziri apo të drejtuesve të talentuar si: Mensur Dalip Murrja, Harjdar R.Poliçi, Xhelil Qerimi, Adrian Skuka, Likë Berisha etj. Po kështu, interesante mbeten shkrimet për vitet nëntëdhjetë si vite kapërcell.
Në shkrime të ndryshme si: ”Etnokultura”, Shprehjet frazeologjike, fjala e rrallë, Gjakmarrja, Fjalori, Veshja, Veshja e Grave, Dasma, Grishja, Ceremoniali i dasmës me këngët dhe vallet e Luznisë, Tre sahanët e mikut, Kryet e vendit dhe kryet e berrit, Gruaja, vendi dhe roli i saj, Gatimi tradicional, Vulat e Luznisë, Banesat, Ceremonia mortore, Rrugët e vjetra dhe urat, Lojërat popullore dhe festat, Pyjet kullotat blegtoria, Mjeksia popullore etj., etj., dëshmojnë për një vështrim tërësor dhe të thelluar të Luznisë.
Emrie Skuka ka dhuruar një monografi mjaft të çmuar dhe me vlerë që lexohet për vështrimin e saj dhe dritën që hedh në mjaft fusha të jetës nga historia në aktualitet…