Tre Hasanët


Për bujarinë dhe “bukën e Zajmit”, në gojën e popullit kemi edhe nji ankdotë:
“Hasan beg Zajmi, shquhej në Dibër për mikpritjen e tij. Si e shembi në dajak Jashar Gazi Toçin, kajmekamin turk në Peshkopi, i doli nami në nëndë malet e Dibrës. Pikërisht për këtë gjë e kapi cmira Hasan beg Xhilagën. Një natë, ky ndodhej për darkë tek Hasan beg Karahasani. Krejt rastësisht, erdhi edhe Hasan beg Zajmi. U bënë tre Hasanë: Hasan beg Karahasani, Hasan beg Xhilaga e Hasan beg Zajmi. Mbasi iku Has beg Zajmi, Xhilaga i drejtohet Karahasanit:
– Or Hasan, unë jam oxhaku ma i vjetër në Dibër, Has Zajmi nuk asht’ oxhak. As pasuri nuk ka sa kemi ne. Pse ta ketë namin ma të madh se timin?!
– Has Zajmi ka sofër, or Has beg. Has Zajmit ja ka qitë namin sofra!
Ia priti Hasan beg Xhilaga:
– Hasan Zajmi u qet miqve në sofër përshesh me dhallë, kurse ne….
– Po, por sofra e Hasan Zajmit asht’ ma e madhe. Kur sofra asht’ ma e madhe edhe namin e ka ma të madh.
– Unë do t’ia marr të gjithë miqtë Has beg Zajmit. Do të bëj që sofra e tij të mbetet bosh. Do t’ia thyej sofrën e bashkë me sofrën, do të thyej edhe namin e tij!
– Provoje! – i tha Has beg Karahasani.
Si u kthye në shtëpi, Has Xhilaga filloi menjëherë përgatitjet. Porositi në Lurë që t’i bëjnë shtatë sofra të mira dhe më të mëdha se ajo e Has beg Zajmit. Pastaj, pa pasur as dasëm, as ndonjë shyqyrllëk që njerëzit të gjenin ndonjë sebep për ta uruar, grishi në një gosti të madhe parinë e gjithë Dibrës, pa harruar asnjë. I erdhën gjithë bejlerët, agallarët, shehlerët, hoxhallarët, bajraktarët, paritë e fshatrave dhe çdo njeri që kishte sadopak nam e njihej si burrë i mirë. Kjo festë e padëgjuar, zgjati shtatë ditë e shtatë net. U therën 18 krerë qe, 40 berra. Drekë e darkë, sofrat u shtruan me çorbë, mish, pilaf e hallvë. Shtatë ditë e shtatë net, miqtë hëngrën, pinë, kërcyen, kënduan dhe mbetën shumë të kënaqur. Pastaj ikën të gëzuar, duke i uruar shëndet të zotit të konakut.
Hasan beg Xhilaga, priti që t’i dalë nami në Dibër, por prapë se prapë s’u ba gja. Nami i Has beg Zajmit, ma i madh. Pas nji viti, Hasan beg Xhilaga i thotë Hasan beg Karahasanit:
– Më shkuen gjithë ato shpenzime kot! Prapë njerëz më shumë shkojnë ke Hasan Zajmi. Prapë ai përmendet ma shumë se unë. Si e harruen njerëzit kaq shpejt gjithë atë ziafet të madh dhe nuk e përfillin fare oxhakun tim të vjetër? Lene kët’, po edhe më tallin e më shajnë. Disa thonë hëngrëm e u ngopëm, kërcyem e kënduem, por nuk e morëm vesh përse; disa thonë, jo po natën e parë mishi ishte i pa zier, jo po natën e dytë pilafi pa gjalpë, jo po natën e tretë hallva e papjekun…!
– Or zotnoj, ti ja kalon Has beg Zajmit me pasuni, po jo me bujari! Has beg Zajmi nuk na thërret, po na shkojmë vetë, shkojmë me bisedue me të për gjithfarë punësh se kemi nevojë për këshillën e tij. Shumë herë Has Zajmi qet në sofër veç bukë e krypë e dhallë, sepse atje, populli shkon orë e pa orë. Or Hasan, nuk asht e madhe sofra e drunit, po sofra e bujarit ne e mentarit. Ti na thirre, na gostite, hangrëm e u kënaqëm, të faleminderit…!

(Marrë nga libri “Shtek më shtek e skutë më skutë” i Munir Shehut,
Botimet M&B, Tiranë, 2018)