Bashkimi shqiptar në ritin e festimeve të Nevruzit


Riti…
I pari: Ata pres?
I dyti: Me kalë e me thes.
I pari: A ta pres or gegë?
I dyti: Me kalë e me shegë.
I Pari: A ta pres or toskë?
I dyti: Me kalë e me plloskë.
I pari: A ta pres?
I dyti: Preje…

Dita e Nevruzit (Jetë e re) si festë pagane, e lidhur me pranverën, me “bukoliket” dhe “gjeorgjiket”, bujqësinë dhe blegtorinë, me pemëtarinë e vreshtarinë në veçanti festohet nga banorë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë në vlerë të kohëve të lashta mbushur me rite parakristiane.
Më poshtë do të merrem me Nevruzin në një vështrim të gjallë, në atë që e kam jetuar në fëmijëri dhe të paktën, edhe sot e vite në vijim, jeton në Dibër, në Topallti dhe në Male.
Do të merrem edhe me një rit që i fton shqiptarët, Gegë e Toskë, të jenë bashkë…
Nevruzi në Dibër festohet në varësi nga lartësia gjeografike e vendbanimeve – Nëntë ditë pas Ditës së Verës (Lugina e Drinit të Zi) dhe – Dymbëdhjetë ditë pas Ditës së Verës (në zonën malore), në të dy krahët e lartësisë mbi luginë.
Në kujtimet e mia Nevruzi, nga ritet, këngët dhe doket nuk është gjë tjetër veçse një festë popullore thjesht pagane, festë e lidhur me bujqësinë e në veçanti me pemëtarinë, festë e lidhur me thirrjen për t’iu përveshur punës në sektorin jetik të trevës (trevave) që lidhej me bujqësinë e blegtorinë.
Disa rite si mbledhje e luleve, të shkuarit mbrëmjen e natës së Nevruzit në mulli, ndezja e mullarëve me kashtë e dëllinja para shtëpive, peta (byreku) i Nevruzit dhe ushqime të tjera deri tek therja e gjelit të dytë më të madh të tufës (i pari theret natën e Ditës së Verës), veshjet e lojërat popullore, veç të djemve e veç të vajzave, nuk ndryshojnë nga ato të Natës dhe Ditës së Verës.
Ajo që e dallon Nevruzin janë këngët dhe thirrjet e veçanta ndonjëra prej të cilave më është ngjitur në kujtesë dhe me gjithë vitet që më rëndojnë mbi supe nuk më shqitet edhe këtu, larg e larg në mërgim.
Kujtoj ndër të tjera mbrëmjet e Natës së Nevruzit, kohën kur me një sëpatë në dorë me një shuk kashte të njomur thekre bridhnim sa tek njëra pemë tek tjetra, sa tek një cung hardhie tek tjetri. Bridhnim bashkë, si familje e me mysafirë.
Njeri thërriste e tjetri i përgjigjej..
I pari: Ata pres ?
I dyti: Me kalë e me thes.
I pari: A ta pres or gegë ?
I dyti: Me kalë e me shegë.
I pari: A ta pres or toskë?
I dyti: Me kalë e me plloskë.
I pari: A ta pres?
I dyti: Preje…
Ai që mbante sëpatën në dorë, pasi e kthente në të kundërt të pjesës prerëse i mëshonte pemës me tunin e saj duke thirrur i ngazëlluar…
– E preva…
Thirrje në kor…
Riti vazhdonte me lagie të “plagës” së pemës me një përzierje të pekmezit me erëza e me qerasje me fruta të thata e vezë të ziera…
Kështu vazhdonte pemë më pemë e hardhi më hardhi, me këngë e romuze për të përfunduar rreth e qark mullarit të Natës së Nevruzit me këngë e valle, djemsh e vajzash, burrash e grash të fisit.
E veçanta e Nevruzit është se ajo shndërrohej në një festë masive njerëzish të një gjaku dhe miqsh që zbrisnin luginës së Drinit e ngjiteshin lartësive të maleve në ditët që e ndanin festën, në “Nëntë Ditë pas Ditës së Verës” (23 mars) dhe në “Dymbëdhjetë Ditë” pas saj (26 mars). Një festë e hershme, pagane, që festohej dy herë e mblidhte bashkë njerëzit e gjakut dhe të fisit shpërndarë në hapësirën dibrane.
Riti që përcolla më sipër, dialogu, të bën të mendosh e të arrish në mendimin se Nevruzi, si kohë që lidhet me pranverën dhe ftesën për punë, nga tubimi i njerëzve pranë pemëve dhe hardhive, nuk është gjë tjetër veçse një rit i pemëtarisë dhe vreshtarisë, një thirrje për ti krasitur pemët dhe vreshtat që ata të prodhojnë “me kalë e me shegë”, me “Kalë e me plloskë”, një thirrje e gjerë me përmasa gjithë Shqipërinë, me Toskë e me Gegë.
Këtu e meriton të ndalem, pikërisht atje ku kënga, riti hap krahët në të gjithë hapësirën shqiptare, tek “Toskët” dhe tek “Gegët”…
I pari: A ta pres or gegë ?
I dyti: Me kalë e me shegë.
I pari: A ta pres or toskë?
I dyti: Me kalë e me plloskë.
Sa i vjetër është ky rit?
Në ç’kohë të shoqërisë shqiptare është futur “Nevruzi i përbashkët shqiptar” kur ai, siç dëshmohet, është thellë historisë së njohjes së tij si “Nevruz” apo “Ditë e re”?
Në kohën e Skënderbeut kur për të parën herë shqiptarët, “Toskë e Gegë” u bashkuan në një shtet me Gjergjin e Gjon Dibranit në krye, kohë kur edhe u lidhën historikisht martesa të shumta mbarë shqiptare?
Më vonë në lidhjet e qëndresën shqiptare ku “Toskët” dhe “Gegët” ishin një?
Ka shumë gjëra që duhen studiuar, mbase edhe ky rit madhështor i bashkimit mbarshqiptar.
Jo mbase, domosdoshmërisht…
Koha, largësia fizike nga Dibra e treva ku Nevruzi është një festë e thjeshtë popullore, pagane, me krye në lashtësi, ma heq mundësinë të shkruaj më gjerë e më thellë. Ua lë lexuesve radhën që ta vazhdojnë meditimin tim…
Për mua, para se Nevruzi të jetë Sulltan Nevruz, festë e bektashinjve, është “Ditë e re”, është një festë pagane e lidhur me pemëtarinë dhe vreshtarinë, ashtu siç është Dita e Verës e lidhur me Lulet, ashtu siç është Dita e Shëngjergjit e lidhur me blegtorinë…
Ja na erdhi vera
me dele e me shqerra…
Siç këndohet në Dibër e gjetkë…
Është e lidhur me Shqipërinë e bashkuar, Toskë dhe Gegë. Atje ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë…
Athinë, mars 2019