Ç’kemi asaj Dibre


Enisëm marsin me protesta nxënësish. Na hoqën mësuesen e anglishtes më 7 mars dhe protestat mbushën mediat dhe portalet. Dhe rezultati i protestës ishte rikthim në punë paradite, pushim për së dyti pasdite. Por, 7 marsi iku dhe nuk kishte më arsye për protestë. Sepse për aq na duhej, sa për lajm…
Protestat vazhdojmë t’i bëjmë. Diku për ujin, diku për pyllin, diku për prodhimet që s’po shiten… Si bëjmë edhe ne: rron njeriu edhe pa ujë, edhe pa pyje, edhe pa i shitur mollët e patatet. Se kështu thotë qeveria, përderisa nuk e vë “ujin në zjarr”… Pastaj duron njeriu derisa atë që Zoti e nxjerr nga nëntoka në male, njeriu ta fusë në tubacione për ca lekë, dhe pastaj populli ka të drejtë ta pijë ujin te burimi te hidrocentrali… Sepse uji që lëviz pihet në natyrë, ndërsa në shtëpi pihet nga bidoni…
Lëviz dhe uji i Drinit të Zi, por për të pirë pihet në burim. Se plehrat që hedhim nuk e filtrojnë rrugës. Janë plehrat tona, jo të qeverisë…
Dolën kandidatët për kryetar komune në Dibër të Madhe: Dy doktorë të nderuar të qytetit. Ata tani do të luftojnë, do të premtojnë e shpirtin do ta japin se si do ta “ndrisin” Dibrën. Sepse doktorët e ndritën qeverisjen në këtë anë, tani mbeten ta ndrisin edhe në anën tjetër…
Meqë jemi te mjekët, në Peshkopi i arrestuam dy pse “dhunuan” një mjek. Por se mjeku është pensionist, qejfli i rakisë dhe që nuk e kanë pranuar ca spitale të tjera në vend, nuk e bën lajm kush…
Me zjarret i kemi punët shumë mirë. Ia kemi nisur që për dit’vere dhe po vazhdojmë akoma… Qeveria, ngaqë nuk thotë dot se janë “njerëzit e opozitës”, thotë janë zjarrvënës dhe do të marrin dënimin e merituar… Nuk na lanë zjarrvënësit rehat: ca duan t’i vënë flakën qeverisë, ca pasurive tona. Por shtëpinë e vet asnjë ‘piroman’ nuk e djeg…
Meqë jemi te pyjet, i mbani mend ato protestat në Bulqizë për mbrojtjen e tyre. Ata që ia kanë vënë syrin atyre, meqë nuk ia arritën ta merrnin dot prej protestave, tani po përpiqen ta marrin me “mjete ligjore”: ndërrim pronësie nga bashkia në qeveri, që kjo e fundit ta japë me PPP (Privatizim e Prerje të Pyjeve).
Meqë e nisëm me mësuesit, ta mbyllim me nxënësit: 11 prej tyre shkuan në spital ne Bulqizë për një sapun 15 lekësh. Kështu është kur mësuesi e ble diplomën, blen punën dhe pastaj blen edhe orët e mësimit… Dikur thuhej “mos e ha sapunin për djathë”, por tani mësuesi e ha “sapunin për plastelinë”, sepse ka bërë një barrë shkollë me meritë…