Elegji për një mik, Asllanin e Kambereve të Zimurit të Dibrës


I biri, Majvjeni, mesnatën duke u gdhirë 22 marsi 2019, më mori në telefon…
I dridhej zëri…
I mbahej fryma…
I derdhej loti nga liqeni njerëzor që shpërthen kur vjen e vozit dhimbja…
– Babai ndërroi jetë… Varrimi bëhet nesër në orën 3 pasdite…
Ma vrau gjumin…
Mbi mblodhi truc kujtimet…
Nisa ti shfletoj si një libër…
Ishte dhëndëri i parë i babait tim Hajredin Ashiku…
Martuar me Shamen, motrën time të madhe…
Ishte biri i Fari Kamberit, rrënjë e Kambereve të Zimurit…
Ishte babai i nipit tim të parë, Majvjenit lindur në maj prej nga daja i madh i dha emrin.
Ishte babai i dy mbesave të mija të bukura, Enkeledës dhe Arjolës.
Ishte gjysh i nipërve dhe mbesave nga djali dhe vajzat…
Familje e plotë…
E qetë, e bukur, në harmoni me të gjithë…
E takova në fundgusht, fundverë…
Sëmundja e rëndë e kishte lodhë…
Shpirtin e kishte plot…
Mbushur nga djali…
Mbushur nga vajzat…
Mbushur nga nipërit dhe mbesat që i vareshin përqafe si gjerdanë margaritarësh…
Nuk e mendova se do të ikte…
Nuk do të arrij ti hedh një grusht dheu të freskët.
Mërgimi na largoi, na e thau lotin, na e ndali hapin…
Kërkova një fotografi nga arkivi im…
Shkëputa një fiksuar në ditën kur fejoi vajzën e vogël…
Eh mik!
Lamtumirë!

Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 mars 2019