Mallkimi i sheh Murat Begut


Historia që po tregojmë ka ndodhur këtu e pesqind e ca vite më parë, në fshatin e Allejbegisë. Sheh Murat begu, njeriu që ndërtoi xhaminë e këtij fshati, ka qenë në atë kohë njeri me shumë influencë, jo vetëm në fshatin ku banonte, por dhe në rrethinat për rreth. Thuhej se kishte miqësi të ngushtë me Agollet e Kërçishtit dhe me gjithë paritë e zonës dhe thirreshin për çdo sebep.
Duhet të ketë qenë atë mot, e shtunë apo e diel, ditë pazari. Zakonisht, sheh Murat begu shkonte në Dibër të Madhe, jo vetëm për të bërë pazar, por dhe për të takuar shokë e miq të shumtë, që kishte atje. Ashtu kishte bërë dhe asaj dite, duke u kthyer pak i lodhur në shtëpi. Sheh Murat begut i kishte ndërruar jetë gruaja e tij e parë, duke lënë një djalë, diku te tetëmbëdhjetë vjeç. Me gruan e dytë kishte një djalë tjetër motak. Djali i ri me njerkën nuk i kishin marrëdhënjet shumë të mira, por prania e babait ishte e mjaftë, që ndonjë flakë e vogël zemërimi të fikej menjëherë nga të dyja palët.
Me të dëgjuar hingëllimën e kalit dhe patkonjtë e tij që u përplasën në kalldrëm, nusja e re i doli përpara të shoqit dhe e përshëndeti. Pak minuta më vonë u shtruan të hanë drekën dhe më tej akoma një kafe të freskët, nga ajo që kishte sjellë i shoqi nga pazari. Mungesa e djalit të madh i ra në sy dhe e pyeti zonjën se ku ishte. – Nuk e di ku ka dalë, u përgjigj ajo. Vetëm nga zëri, sheh Murat begu e kuptoi se diç kishte ndodhur. – U zutë prapë me të, pyeti sërish i shoqi. – I kërkova të priste pak dru, foli gruaja me një zë të ulët, dhe ai nuk i preu. Kur i thashë se do ti tregoj babait tënd, ai u nxeh dhe ma hodhi djepin, bashkë me fëmijën poshtë shkallëve.
Sheh Murat begu u ngrit në vrikth, duke lënë filxhanin e kafes pa pirë akoma. U afrua tek djepi, që ishte vetëm pak metra më tej dhe e tërhoqi mengadalë napën e bardhë, që ishte mbi krye të fëmijës. Një fytyrë engjëllore u shfaq përpara syve të tij. Ai kurrë nuk e kishte parë me shumë vemendje djalin e tij të vogël. Burrat e asaj kohe nuk duhej të jepeshin shumë pas fëmijëve të vegjël. Kapakët e syve të mëdhenj notonin në një gjumë të thellë dhe ai besonte se vetëm engjëjt e kishin ruajtur djalin motak, pa pësuar as gjënë më të vogël. Përherë të parë e puthi djalin e tij të vogël dhe ngriti duart lart, në shenjë falenderimi ndaj Zotit, që kishte bërë njëmrekulli të madhe me djalin e tij.
E përfundoi kafen dhe doli në telis të kullës dykatshe. Hodhi sytë në oborrin e mbushur me pemë, por nuk e dalloi djalin e madh asgjëkundi. E thirri dy tre herë dhe më së fundi ai u përgjigj. Pak minuta më vonë, erdhi dhe vetë, qëndronte duke qëndruar para të jatit, me kokë të ulur nga faji dhe frika, të bëra bashkë, në pritje të ndonjë ndëshkimi të fortë. Babë e bir, qëndruan kështu për disa minuta, por i jati nuk e ndëshkoi këtë rradhë dhe pse faji kishte qenë më i madh se herët e tjera. Ndoshta kishin qenë dy arsye që nuk e lanë. Djali ishte zgjatur jo pak dhe i kish kaluar 18 vjeç, nuk mund të rrihej më si fëmijë. Nga ana tjetër i erdhi keq për të, një fëmijë që ishte rritur shumë vite pa nënë. Dhe ai vetë si baba, shpesh i kishte munguar, duke u angazhuar në luftra, në miqësira, në vizita dhe në takime të ndryshme. Mungesa e të dyve e kishin bërë pak nervoz, gjë që e kishte shprehur ndonjëherë në veprimet e tij.
-Laju e ndërroju, se do të shkosh në dasëm , në Kërçisht, te Agollet. Djali ngriti pak kokën, të shohë nëse babai e kishte seriozisht, por në fakt nuk dukej asnjë lloj dyshimi për këtë. Nuk i ka treguar mjerka për ndodhinë, apo si është puna?
-Nuk shkoj, se nuk më njeh mua njeri, atje.
-Do të shkosh, se je në emrin tim, në emrin e sheh Murat begut. Na këto lekë dhe do ti lesh në kafe. Na dhe një paqetë, që do t’jua japish njerëzve për ta shpërndarë në konak. Merre kalin dhe shko! Djali nuk po lëvizte. Sheh Murat begu nuk e ndëshkoi fizikisht, por zemra e tij ishte bërë gur.
-Shko o djali im! Shkofsh shëndoshë e mirë dhe bëfsh qejf. Kur të kthehesh, tu pengoftë ati ( kali ). Ku të raftë kria(koka) u bëftë xhamia, ku të raftë medisi(mesi) mbiftë lisi. Ata qëndruan dhe pak kohë pa lëvizur, si statuja. As vetë njeriu që i nxorri ato fjalë, nuk e diti se si. Nuk kishin dalë nga goja, kishin dalë nga zemra. Do të dëshironte ti kthente prapsh ato fjalë, atë mallkim që kurrë nuk e kishte bërë, por e dinte që tashmë çdo gjë qe e kotë. Ata kishin dalë, në një dalje pa kthim, si një plumb që le armën dhe kërkon të arrijë në destinacion. Më pas djaloshi tërhoqi këmbët zvarë, sikur u kërrus nga pesha e mallkimit që i ra përsipër.
U la, u ndërrua me rroba të mira dhe u nis. Shkoi në dasëm dhe u kënaq. Bile për pak kohë harroi dhe atë skenën me babain e tij. Agollet bënin dasëm të madhe dhe kishte shumë të ftuar. Pasi kishte lënë paratë dhe paqetën duke i uruar në emër të të jatit, ai ishte bashkuar me të rinj të tjerë, duke luajtur e kërcyer. Erdhi koha e kthimit. Kali po ecte me një hap të shpejtë dhe djali ishte jo pak i stërvitur. Ja tek u dukën shtëpitë e para të fshatit në lagjen e Çiflikut. Kali nuhati diçka, një aromë, apo një zhurmë dhe u tremb. Flegrat e hundës i hapi fort dhe turfulloi. U ngrit në dy këmbët e para dhe u lëshua me revan. U tremb dhe djali. Mos vallë mallkimi i babait, që e kishte harruar si një ëndërr të keqe, po shfaqej pikërisht tani? I futi këmbët fort në yzengji, u shtrëngua akoma më fort në shalën e bukur dhe tërhoqi frerët. Kali u tremb akoma më shumë, sikur e kapën xhindet. Frerët ikën nga duart e djalit dhe u varën poshtë nëpër këmët e kalit. Duart e djalit u zgjatën në kërkim të frerëve, pa arritur ti kapnin dhe trupi u var poshtë kokës së kalit. Këmbët e djalit ishin zhytur fort në yzengji e nuk shqiteshin dot, duke qenë pika e vetme që bashkonin trupin e tij me kalin. Koka e djalit u var akoma më poshtë, duke takuar në tokë,ndërsa kali e shtoi akoma më shumë revanin duke turfulluar e hingëllirë me të madhe. Plasi gjaku nga hundët, u ça dhe balli, u thyen dhe dhëmbët, ndërsa sytë u mbushën nga pluhuri i rrugës. Dy tre persona e panë gjithë këtë tmerr, pa qenë të zotët të bënin asgjë, pasi kali parakalonte me një shpejtësi të frikshme. Lëndina e fshatit po shfaqej përpara dhe kali me trupin e djalit kaluan nëpër të si në një paradë mortore. Koka tani vetëm zvarritej nëpër tokë dhe qafa ishte holluar mjaft, gati për tu këputur. Aty sipër përroit, që thirret “ Brraka e xhamisë”, ku sot është xhamia pesqindvjeçare e fshatit të Allajbegisë, u këput koka e djalit të sheh Murat begut. Kali u ndal për një moment dhe pastaj bëri pesëdhjetë metër më tej, në të djathtë. Gjymtyrët e djalit, këmbë dhe duar u shkëputën nga mesi, që i mbante bashkuar dhe u shkërmoqën në pjesë, si për të vërtetuar profecinë e frikshme dhe tragjike të mallkimit të sheh Murat begut.
Ashtu veproi më pas sundimtari i zonës. Aty ku ra koka(kria) e djalit u ndërtua xhamia dhe atje ku u shkëput mesi( midisi), mbolli një lis, në përkujtim të djalit. Historia tragjike ka kaluar gojë më gojë, te banorët e fshatit, nga njëri brez në tjetrin, deri në ditët tona.