Mjedisi i pastër, një sfidë për një jetë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshem


Rafting në Dri, një nga burimet e reja ekonomike të turizmit në Dibër, i pashfrytëzuar akoma, por i rrezikuar nga mbetjet urbane. Foto: “North Green Association

“Mendo për mbrojtjen e mjedisit, para se të printoni në letër!”, nënvizon me ngjyrë jeshile një ftesë e organizatës “North Green Association” drejtuar nga Edmir Truka. Dhe kur është fjala për mjedisin, nuk flitet vetëm për drurin që bëhet letër, por edhe për ta mbrojtur e mbajtur pastër atë.
Më 11 mars 2019, “North Green Association” zhvilloi në Peshkopi një tryezë të rrumbullakët me temë “Parandalimi i ndotjes së rrjedhave kryesore që derdhen në lumin Drin, për një jetë më të shëndetshme dhe mundësi zhvillimi të qëndrueshëm në Bashkinë Dibër”. Kjo tryezë debati ishte në kuadrin e projektit “Gjurmë të gjelbërta për Dibrën”, i cili është drejt fundit, nismë e “North Green Association” e mbështetur nga “Lëviz Albania” dhe synonte ngritjen e zërit mbi problematikën e ndotjes mjedisore, dhe njëkohësisht promovimin e bukurisë natyrore të basenit të lumit Drin në Bashkinë Dibër.

Si lindi ideja?

“Projekt “Gjurmë të gjelbërta për Dibrën”, ka lindur papritur, tregon për gazetën Edmir Truka. “Kohë më parë sëbashku me kolegun Ilir Hysa, themelues i organizatës ‘Outdoor Albania Association’, organizuam disa zbritje me rafting në lumin Drin i Zi për të promovuar turizmin. Nisjen e bëmë në fshatin Potgorcë, pak më sipër urës së Topojanit, sepse në vëzhgimet që bëmë në terren ishte vendi më i përshtatshëm për nisjen e grupeve. Një udhëtim i këndshëm në valët e lumit të qetë, ku grupet këndonin dhe njëkohësisht vozisnin lopatat për të kaluar dredhimet e ujit. Një natyrë përrallore e pa shkelur ndonjëherë, falë gomoneve bëhet e mundur të shijohet. Por, nga e gjithë kjo bukuri në disa momente çfarë të shikoje, mbeturina nga më të ndryshmet, ndër më kryesoret që të binin në sy ishte plastika të cilat valëviteshin si flamuj. Kryesisht në degëzimet që derdheshin në lumin Drin kishte masa të mëdha plastike të ngecura në shelgje dhe gurë. Pas përfundimit të raftingut, të gjithë grupet dukeshin të magjepsur nga udhëtimi, por në fytyrat e tyre lexohej qartë se ndotja nga plastika e kthente atë bukuri përrallore në një shëmti, e cila ishte ashtu prej egoizmit të njerëzve”.
Edi, siç i thërrasin shkurt bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij, tregon se kjo panoramë e udhëtimit të parë në lumin Drin, u bë shkak për të hartuar një projekt ide.
North Green si organizatë, është themeluar me një vizion, ndërtimin e një strukture shkencore, e cila do të ndihmojë në dhënien e përgjigjeve të ndryshimeve klimaterike që po ndodhin vitet e fundit dhe ndihmën për një zhvillim të qëndrueshëm të zonave rurale dhe urbane, në respekt të mjedisit dhe mbrojtjes së natyrës.
Ata konkurruan me këtë ide pas një thirrje të hapur të “Lëviz Albania”, e cila i mbështeti të realizonim një projekt të tillë për zonën.

Nga ideja te realizimi:
shumë punë për mjedisin

Edi thotë se “ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i të gjithë aktorëve për situatën e krijuar në lumin Drin brenda territorit të Bashkisë Dibër, do të ishte hapi kryesorë që duhej të ndërmerrej sa më parë”. Sëbashku me grupin e punës filluam zbatimin e aktiviteteve të planifikuara, duke filluar nga evidentimi e monitorimi i vendeve, ku ndotja apo hedhja e mbeturinave ishte prezente në tetë degëzimet kryesore që derdhen në lumin Drin si në Pocest, Gradec, Peshkopi, Çetush-Ushtelenxë, Murrë, Vrenjt, Setë dhe Radomirë.
Gjithashtu, gjatë realizimit të projektit është krijuar harta GIS e vend-depozitimeve të mbeturinave më të mëdha në rrjedhat e degëzimeve, krijimin e info-grafiqeve, të cilat krijojnë lehtësi perceptimin e situatës, krijimin e disa materialeve multimediale për të pasqyruar realitetin, aktivizim me nxënës të shkollave për të sensibilizuar mbi problematikat “duke pastruar oborrin e e shkollës”, por gjithashtu edhe në bashkëpunim me Bashkinë Dibër, Prefekturën e Dibrës dhe DLDP – një program që ka asistuar institucionet vendore për planifikimin e menaxhimin e mbeturinave, gjithashtu, zbritjen në lumin Drin për të parë nga afër ndotjen dhe njëkohësisht aksion pastrimi aty ku ishte e mundur, por edhe për të lartësuar zërin mbi zhvillimin ekonomik me anë të turizmit të raftingut në Bashkinë Dibër.
Të gjithë këto veprimtari tashmë janë të njohura për publikun pasi janë shpërndarë në rrjetet multimediale dhe sociale. Gjithkush që ka një telefon, po të kërkojë në motorët e kërkimit në internet me emrin “North Green Association” do të gjejë të gjitha veprimtaritë mbi këtë projekt nën hashtagun #perdibren.
“Jemi munduar që të lartësojmë zërin edhe në radio kombëtare si, radio RASH, mbi këtë problematikë, tregon Truka. Ai thekson se “kjo lëvizje është për të advokuar dhe lobuar te të gjithë aktorët për të mbrojtur lumin Drin i Zi, i cili ka një potencial të madh në zhvillimin e turizmit dhe ekonomik të banorëve të zonës”.

Debati

Në Bashkinë Dibër, problematikat në menaxhimin e mbetjeve janë nga më të ndryshmet, të cilat kërkojnë sa më parë të ndërmerren hapa konkrete në zgjidhjen e situatës. Hedhja e mbeturinave jashtë vendeve përkatëse është kthyer si diçka normale për banorët. Papërgjegjshmëria dhe jo-sensibilizimi i çdokujt mbi efektet negative në mjedis dhe vetë shëndetin, është e patolerueshme.
Të gjitha ato mbetje që nuk arrihen të menaxhohen përfundojnë në rrjedhat kryesore që derdhen në lumin Drin. Ndotja e tyre shkakton një dëm të madh jo vetëm në florën dhe faunën e pasur të basenit të Drinit, por edhe në shëndetin e njeriut, duke menduar që gjithçka është një cikël i mbyllur. Çdo gjë “nuk zhduket por transformohet”.
Aktivistë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore shfaqën pakënaqësi gjatë debatit. “Shumë organizata që merren me mjedisin i kalojnë problematikat perciptazi, jo të thelluar dhe shpesh nuk gjenden zgjidhja”.
“Ky është një konstatim që uk na vjen mirë kur e dëgjojmë, thotë Edmir Truka, por për “North Green Association” ky ishte projekti parë që po zbaton dhe puna jonë si organizatë mbi problematikën e ndotjeve të rrjedhave kryesore në projektin, e ka tejkaluar atë se çfarë kishim parashikua. Mund të themi që me dëshirë kemi bërë vullnetarisht më shume se planifikimi”.
Truka nuk harron të falënderojë stafin, Drejtorinë Arsimore Dibër, Pace Corps-Dibër, nxënësit dhe mësuesit, aktivistët, rininë dhe organizatat partnere, të cilët i janë bashkuar veprimtarive tonë, duke treguar se në vend ka potenciale njerëzore për t’i gjetur zgjidhjen këtij problemi.
“Në i falënderojmë të gjithë ata që na mbështetet, dhe te mbështetja e tyre ne kemi parë se në Dibër ka njerëz që mendojnë se me çdo çmim Dibra mund të ndryshojë”.
“Situata e mjedisit nuk është e mirë, thotë gjatë debatit Durim Kaba, ekspert mjedisor. Ai shtoi që duhen ndërgjegjësuar më shumë i gjithë komuniteti mbi rrezikun dhe ndikimin negativ në mjedis. Gjithashtu, ai thekson se “një menaxhim i mirë, një ndarje e mbeturinave në burim dhe një riciklim mund të rigjenerojë ekonominë lokalë”. Ai propozon që në ato zona, ku gjendja është rënduar, duhet të ndërhyhet me sa më shpejt për një rehabilitim të zonës dhe njëkohësisht të mbillen fidanë në mënyrë që, nëse dikur aty hidhnin mbeturinat, sot nuk mund ta bëjnë më një gjë të tillë. Një ndërhyrje mjaft e mirë, e cila përkon me qëllimin e projektit “advokim dhe lobim” duke ndërgjegjësuar dhe sensibilizuar për situatën e ndotjes dhe njëkohësisht potencialin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik që ka Bashkia Dibër”.
Ajo që propozojnë ekspertët mjedisorë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e institucioneve qeveritare, qendrore dhe lokale. Përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve të ngurta është Bashkia Dibër, por ajo nuk ka asnjë përfaqësues në këtë tryezë debati.
“U është dërguar ftesa bashkisë Dibër që t’i bashkoheshin kësaj tryeze, por në të dy takimet tona prezenca e tyre mungoi”, thotë Edmir Truka.
“Duke mos e parë si tabelë qitjeje Bashkinë për keqmenaxhim, edhe pse përgjegjësitë kryesore i takojnë, ne jemi munduar që këtë fenomen, hedhjen e mbeturinave pranë rrjedhat ujore, ta luftojmë me aktivizim dhe ndërgjegjësim të shoqërisë dibrane me të gjitha instrumentet e mundshme që kemi patur në dispozicion”, thotë Truka.

Mbështetja që vjen nga mediat dhe rrjetet sociale

Ekipi i “North Green Association” ka shfrytëzuar maksimalisht mundësitë e komunikimit që të ofrojnë sot mediat sociale. Përveç radios kombëtare “Radio RASH” dhe gazetën lokale “Rruga e Arbërit”, për hapësirën që i kanë dhënë kësaj organizate për të shpërndarë zërin e tyre mbi problematikat të ndryshme, në rrjetet multimediale dhe sociale (Facebook, Instagram, Twitter, Linkedin), janë publikuar disa klipeve ndërgjegjësuese të shkurtra si, rafting në lumin Drin, apo edhe disa imazhe me dron në vendet ku anëtarët e organizatës nuk arrinin dot të shkonin, për të pasqyruar situatën reale të të gjitha degëzimeve kryesore që derdhen në lumin Drin. Gjithashtu janë publikuar disa spote sensibilizuese nga zëri i rinisë dibrane (shih faqen në Facebook të organizatës).

* * *
Mbajtja e një mjedisi të pastër është përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve dhe administratës publike. Njerëzit duhet të të ndërgjegjësohen se mbeturinat e hedhura anës lumenjve, nuk ndotin oborret e shtëpive të tyre, por shëndetin e fëmijëve pas pak vitesh. Ndaj një mjedis i pastër mbetet një sfidë jo vetëm për një jetë të shëndetshme, por edhe për për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të zonës së Dibrës.
Më shumë mund të ndiqni:
Faqen zyrtare në internet: www.northgreen.org
Faqen në Facebook të organizatës
https://tinyurl.com/y49uatr4
Më shumë video:
https://tinyurl.com/y65clksl