Një jetë që ua përkushtoi të sëmurëve


25 marsi i këtij viti erdhi tamam si një ditë pranvere, me një diell tejet të shndritshëm e me një rritje temperature. Për natyrën, vërtetë qe një ditë e bukur, por për ne dibranët që banojmë në Tiranë, e për një grup shokësh që rrinim bashkë ,erdhi si një ditë e zymtë… Në orët e para të mëngjesit të kësaj dite, ndërroi jetë, në moshën 84 vjeçare, Dr. Xhavit Miftari. Ndërroi jetë miku dhe shoku i dibranëve, kuruesi dhe shëruesi i qindra e qindra pacientëve nga semundjet infektive . Dr.Xhaviti lindi në vitin 1935 në fshatin Çerenec Diber. Fshat ky që shtrihet buzë Zallit të magjishëm e të mrekullueshëm. Lindi aty “ku gurgullima e Zallit përzihet me cicërimën e laureshave duke krijuar një melodi hyjnore e sidomos netëve të verës, ku gurgullima e freskia bashkohet e përcillet me aromën e luleve shumëngjyrëshe ”.
Dr.Xhavit Miftari, u lind në një familje t137 njohur me tradita atdhetare,kulturore dhe arsimdashëse.Si të gjithe bashkëmoshatret, e tij,edhe ai u rrit me hallet dhe problemet e kohës. Ngaqë babai e la shumë të vogël, për edukimin dhe shkollimin e tij u kujdes me një përkushtim të veçantë,nëna e tij Tushja ,e cila u bë shëmbëlltyra e humanistja e doktorit të ardhshëm; i modelit ,fjalëpaktit, korrektit e të papërtuarit. Qyshse fëmijë, u dëshmua si djalë i zoti, shumë “i gjallë” e mjaft kërkues. I dhënë dhe i etur për dije..Pasioni për shkollën, bëri që ai të vazhdoi studimet e larta për mjekësi dhe në vitin 1966 mbaroi fakultetin e Mjeksisë Tiranë në specialitetin, mjek infeksionist. Për dekada të tëra e derisa sa u pensionua punoi si mjek specialist në repartin e infektivit në spitalin e Peshkopisë.
Dr.Xhaviti është ndër mjekët e “gardës “ së parë të spitalit të Peshkopisë që punoi e luftoi duke evidentuar e eleminuar shumë sëmundje infektive të kohës.Në sajë të punës dhe përkushtimit për vite e vite me radhë ,ai u përkujdes për qindra pacientë,që në ato vite të hershme të fillimit të punës së tij,sëmundjet infektive ishin mjaft të përhapura. U bë shembull si mjek në të gjithë spitalin për të gjithë kolegët, për korrektësinë, humanizmin, profesionalitetin. Nuk lëndoi kurrë njeri. Doktori spikati jo vetëm si mjek infeksionist por dhe : si pedagog në formimin e kuadrit të ri infermjer,si drejtues dhe menaxhues shumë i mirë i repartit të sëmundjeve infektive.
Dr.Xhaviti ishte shumë i afërt dhe përherë solidar me njerëz që kishin nevojë. Mirënjojen dhe respektin ja shprehnin jo vetëm qytetarët e Dibrës, por edhe më gjërë. E vlerësonin për punën vetmohuese e plot pasion në ekzaminimin, kurimin e shpëtimin e sa e sa jetëve njerëzore nga sëmundjet infektive. Doktori nderohej e respektohej edhe për papërtueshmërinë e tij,për vitytet e tij si njeri i mençur,fisnik, i urtë, i thjeshte dhe dinjitoz, i drejtë e tolerant, kërkues ndaj vetes,po aq sa dhe ndaj të tjerëve.
Për humanizmin, punën e palodhur dhe kontributin ne fushën e mjeksisë, Dr.Xhaviti është nderuar në vitin 2009 dhe 2015 nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Peshkopi, dhe ai i Bulqizës me titullin “Qytetar nderi”.
Jeta e tij tashmë u shua,u nis drejt amëshimit, duke lënë në hidhërim të thellë familjen, kolegët, miqtë, të dashurit dhe pacientët e tij të shumtë .Gjithësesi, humbja e njeriut të afërt e të dashur le një boshllek të madh në komunitet, në shoqëri e sidomos në familje. Ai iku duke lënë në pikëllim bashkëshorten Shahe, djalin Menduh(Dufin) me të shoqen Zana ,vajzën Alma me bashkëshortin Visar, nipërit e mbesat Besmir, Ada, Sami e Jara. Doktorit ju bë një përkujdesje dhe shërbim i jashtëzakonshëm, nga e bija Alma e veçanërisht nga e reja Zana .
Dr.Xhaviti,do ti mungojë, jo vetëm familjes por edhe ish kolegëve mjekë, pacientëve të shumtë që i kuroi ndër vite , e sidomos ne , shokëve. Në këto ditë, ne miqtë e shokët e tij ndjejmë dhimbje e trishtim pasi në takimet e bisedat e përditëshme nuk do ta kemi më doktorin midis nesh . Dr.Xhaviti na la, por ai do të jetojë përherë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën! Familja e të ndjerit është krenare për jetën dhe punën e përkushtuar të mjekut humanist. Sa shumë njerëz e deshën dhe e respektuan nga të gjitha anët e Dibrës e vendit.. Respekt e mallë që u dëshmua me rastin e ngushëllimeve dhe në ditën e varrimit .
Ndaj ,Doktor Xhaviti do të nderohet e kujtohet në breza,për kontributin dhe ndihmesën që ka dhënë në fushën e mjekësisë .
Të pastë dritë shpirti miku ynë Xhevit .
Respekt jetës ,përkushtimit, punës,dhe veprës humane të Dr.Xhavit Miftarit.!
I paharrar kujtimi për Ju!

Dr.Huzrie Kalia, Dr.Met Kodra, Rakip Dançe, Rustem Deva, Zabit Lleshi , Nehat Daci , Musa Riçku, Gani Çajka, Shaqir Skarra.