Plaka në bjeshkë


Legjenda e bukur e plakës në bjeshkë ka bredhur në të gjitha viset shqiptare. Tregohet në Jug e në Veri. E nuk ka se si të shpëtojë Dibra pa këtë legjendë vërtet të bukur, e cila në vetvete tregon vetë gëzimin që tregonin njerëzit për ardhjen e pranverës pas një dimri të gjatë e të ftohtë.
Tregojnë të moshuarit se në kohë të hershme dhe dimrat kanë ardhur mjaft të ftohtë, me reshje e ngrica akulli. Njerëzit mbylleshin brenda qysh me ardhjen e vjeshtës.
Bagëtitë qëndronin në ahur dhe kështu njerëzit ishin të detyruar të siguronin ushqim jo vetëm për vete, por dhe bagëtitë për muaj me radhë. Të gjithë e prisnin me padurim pranverën, këtë stinë të begatë. Ai vit kishte ardhur me një dimër të ftohtë, borë të shumtë dhe ngrica. Reshjet e borës kishin filluar qysh në vjeshtë. E megjithatë pranvera kishte filluar të vinte edhe pse pak e vonë, si i thonë fjalës.
Lulet kishin çelur dhe bora sapo kishte filluar të shkrinte edhe majë maleve. Megjithatë, asnjë nga fshati nuk guxonte të ngjitej lart në bjeshkë me bagëti, edhe pse ushqim ma nuk kishin. Të gjithë i ruheshin ndonjë të ftohti të madh. Fundja dhe shprehja “kërcuna e madhe, ditën e Shëngjergjit” kishte një domethënie të madhe.
Vetëm një plakë e vetme pa njeri tjetër në shtëpi, nuk po i besonte kësaj thënie të hershme. Ishte një plakë mjaft zevzeke, saqë nuk pyeste njeri në fshat e gjithmonë bënte në kokë të vet. Kur marsi kishte vetëm dy a tre ditë e do t’ia lironte vendin prillit, plaka mori delet, i vuri para dhe u nis për në bjeshkë.
Delet filluan të kullosnin nga pak ndonjë fije bari, i cili sapo kishte filluar të shpërthente e plaka me furkën në dorë duke tjerrë lesh, ironizonte marsin:
– Aha tani nuk se çfarë të më bësh. Ma more të keqen. Kaq e pate! – shfrynte plaka.
Ishin fjalë të rënda këto të plakës për marsin, por e vërteta kështu ishte. Ai nuk kishte më forcë. Edhe pak ditë e ia lëshonte vendin prillit, i cili kishte filluar të trokiste. Zemërimi i kaloi caqet se plaka po bëhej e padurueshme se rrinte sa rrinte e tundte furkën nga qielli, sikur i thoshte marsit:
– Aha, hike o i shkretë, kaq e pate takatin e fuqinë!
Marsi duroi sa duroi dhe iu kthye prillit me të lutur:
“Prajll, o im vëlla, / më jep nja tre dit hua, / ta ngrij plakën me gjithë çka!”
E prilli e dëgjoi lutjen e marsit. Nuk vonoi shumë e qielli u nxi e shkreptimat ia nisën në bjeshkë. Pas pak ia nisën shtruar-shtruar të bien flokë dëbore. Nuk zgjati shumë e bjeshka u mbulua me borë. Plaka u fut poshtë deleve të mbrohej nga i ftohti i madh e delet ishin bërë grumbull bashkë. Nuk qëndroi me kaq inati i marsit. Filloi edhe ngrica e një erë e fuqishme që shkulte dhe drurët nga vendi e jo më plakën. Inati i marsit ra vetëm kur pa se plaka me gjithë delet ishte ngrirë kallkan.
Marrë nga vëllimi “Gurrat e Korabit”, Botimet “Email”, Tiranë 2012