Si Dibra s’ka tjetër


Jemi mësuar që këtë slogan ta ndeshim në pjesë të tjera, për të tërhequr vizitorët dhe turistët, por nuk e kemi ndeshur më parë në Dibër, pasi për shumë vite jemi mësuar ta shikojmë Dibrën si vendi ku nuk jetohet dhe nuk ka të ardhme, me probleme sociale, ku papunësia është e lartë, pa infrastrukturë rrugore, pa ujë të pijshëm, me pyje të degraduara dhe ku njerëzit vetëm duan të largohen.
Por Dibrës, zoti i ka falë natyrën, mikpritjen dhe traditën, unike dhe si askund tjetër, vlera që intrigon çdo vizitor për ta vizituar dhe, pasi e ka parë, nuk rrin dot pa ardhur përsëri.
Dibra është kampione dhe më dalluese në Shqipëri, sepse ka:
– Malin më të lartë, Korabin.
– Lumin më të gjatë, Drinin e Zi.
– Vendlindja e Heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
– I vetmi territor ku janë 21 liqene akullnajore.
– Ujërat termale më të mirat në Ballkan.
– Kufiri i kulturës dhe qytetërimit romak dhe bizantin.
– Parkun e Lurës dhe Korab-Koritnikun.
– 41 monumente natyrore dhe 24 monumente kulturore dhe arkeologjike.
– Vendi simbol i dhisë së egër.
– Vendi i qershive, mollëve dhe frutave.
– Vendi i origjinës së jufkave.
– Vendi i sheqerpares, dhe llallangijave.
– Vendi i lëngut të mollës dhe rakisë së kumbullës.
– Atje ku mishi dhe bulmeti kanë vlerat dhe aromën e 136 bimëve të rralla mjekësore.
– Popullin, mjeshtër të punës, alegorisë, mençurisë së odës dhe kuvendit.
– Ku vallja dyshe e burrave dhe kënga në korr e grave e bëjnë gëzimin dhe dasmat edhe më mitike.
– Ku vlerat krijuese nga Haki Stërmilli deri tek Agron Tufa pasurojnë mozaikun e vlerave krijuese të dibranëve.
– Ku miku respektohet dhe mikpritja lartësohet me thënien “Shpia është e zotit dhe e mikut”,
– Ku rinia e dashuron me shpirt turizmin!
Nëse nuk e ke vizituar ende Dibrën, nuk e ke parë ende Shqipërinë!
Mirë se vini në Dibër!

Autori është koordinator i Projektit D2T (Dibra: Turizëm dhe Traditë)