Beqir Demiri i Selanes


 

Nuk është më shumë se katër kilometër rruga për në fshatin piktoresk të Selanes. Shoferi mezi pranoi të na përcillte për shkak të rrugës, ku troshiten pasagjerët, bashkë me makinën e gjorë. Shpesh është diskutuar e janë bërë projekte për të asfaltuar rrugën, po deri tani ata kanë mbetur vetëm në letër dhe pse janë ndërruar deputetë, kryetarë komunash e bashkish, nga e majta dhe nga e djathta e krahëve politikë. Përroi i Llixhave të shoqëron më të shumtën e kohës, duke të dhuruar pamje mbresëlënëse me bimësinë, lulet dhe pemët përqark. Kur ke kaluar tre kilometër, përroi vazhdon drejt përpara e derdhet në lumin e Drinit, ndërsa ne vazhdojmë në të majtë për të shkuar në fshat.
Dikur me gati njëqind shtëpi e sot jo më shumë se gjashtëdhjetë të tilla, fshati i Selanes na shfaqet para sysh. I mbrojtur nga erërat, me një lartësi 400 metër mbi nivelin e detit, në ultësirën e tij, fshati Selane është shquar që herët për prodhimin e të gjitha llojeve të perimeve, duke furnizuar veten dhe qytetin. Ka vite që fermerët po kultivojnë dhe qershinë, duke shtuar ndjeshëm prodhimin e saj. Mali, fusha, kodrat e buta pjellore, të veshura me bimësi të egër e pemë frutore, alternohen e gërshetohen bukur, duke dhënë një panoramë, që vetëm Zoti di ta bëjë të tillë. Pa le pastaj, kur e gjithë kjo mrekulli zbret deri në ujërat e Drinit të motshëm dhe prapë ngjitet në të njëjtën mënyrë në krahun tjetër të Hoteshit, duke u plotësuar në të dy anët e saj. Por ndoshta këto bukuri e vlera do të bëhen objekt i një shkrimi tjetër, pasi sot jemi ftuar nga Beqir Demiri, një nga fermerët e shumtë të këtij fshati e do të fokusohemi pak te puna e tij.
Beqiri nuk ka shumë shkollë, por ka punë dhe përvojë të grumbulluar ndër vite. Kur u nda nga vëllezërit, kishte pak më shumë se një dynymë tokë dhe një shtëpi të vogël me dy dhoma. Vuri para vetes disa piketa. Sikur do të blinte dhe një hektarë tokë, sikur do të ndërtonte një vilë të madhe, sikur do të bënte një stallë moderne, sikur do të blinte një dyqan në qytet e do shiste prodhimet e tij dhe më shumë akoma, sikur… Si shumë lart e ke ngritur stekën o Beqir Demiri, i tha vetes. Por të paktën, mos u trego të tjerëve, se do të turpërohesh.
Ca vite punoi në Greqi. Nuk kishte rëndësi çfarë pune ishte ajo. E rëndësishme ishte që shtoheshin lekët në xhepin e tij. Erdhi një ditë, kur llogaritë i dilnin se mjaftonin për të blerë jo pak, por dhjetë dynymë tokë. Ishte një tokë në hyrje të fshatit, pjellore dhe me ujë të bollshëm. Nuk ndenji dhe shumë për të punuar në shtetin fqinjë. Një nga objektivat e realizoi. Sikur dhe këtu të mbetej ëndrra e tij, mjaft do të ishte. Tashmë ai ishte një fermer me tokë, gjë që aq shumë e kishte dëshiruar. Tani e tutje do të punonte në fshat, duke u përpjekur pak nga pak për objektivat e tjera.
Shumë fermerë të fshatit mbollën mollë e qershi. Beqiri mbolli katër dynymë me qershi, kurse pjesën tjetër, gati gjashtë dynymë, ai mendoi ta mbjellë me perime, traditën e vjetër të fshatit. Vit pas viti fermeri i përsos gjërat, përzgjedh farërat dhe përmirëson teknologjinë në çdo hallkë të zinxhirit. Farën e lakrës Beqiri thotë se e mban po të njëjtë, me atë që kanë kultivuar gjyshi e stërgjyshi i tij. I prodhon vetë fidanët dhe mbjell çdo vit dy dynymë me këtë kulturë, duke marrë në total rreth 200 kv prodhim. Dy dynymë të tjerë mbillen me patate, duke marrë një prodhim prej 80 kuintalësh në total. Në intervalin kohor 10 – 30 qershor, kjo kulturë shkulet dhe ai mbjell misër gushtak të shijshëm, për tu konsumuar nga njerëzit në periudhën e vjeshtës. Domatet, specat dhe qepët, janë pjesa tjetër e arsenalit të perimeve, duke shtuar kështu kuintalët e prodhuar dhe të ardhurat në xhepin e fermerit. Beqiri ka pasion dhe kungujt. Të mëdhenj e të vegjël, të kuq, të bardhë e me shirita, ai prodhon çdo vit dy kamionë me kunguj, të cilët pëlqehen mjaft nga konsumatorët. Tek ëndrrat e hershme të tij, ishte dhe një dyqan. Nuk e donte për tu dukur, se asnjëherë nuk ka luftuar për këtë gjë. I duhej të shiste produktet e tij bujqësore, po pse jo dhe të tjera, që mund ti gjente me një çmim të leverdisshëm te banorët e zonës. Po ku e gjen kohën ky njeri tu shërbejë gjithë atyre bimëve që mbjell, të kryej gjithë shërbimet në to, të menaxhojë dhe blegtorinë, që e ka me po kaq dëshirë dhe gjatë ditës të shesë tek dyqani i tij, tek ura e Peshkopisë? Ai fle pak, vetëm katër, ose pesë orë. Kur të tjerët zgjohen nga gjumi, ai ka bërë dy ose tre orë punë. Në një rast, tregon Beqiri, kur policia natën po patrullonte për kontrollin e drogës, unë kisha vënë një elektrik në ballë dhe prashisja lakrat e mia në parcelë.
Para pak vitesh Beqiri një shtëpi të madhe, por dhe një stallë me të gjitha kushtet për të mbajtur lopë. Viçat e shitur janë një e ardhur neto për fermerin, por dhe plehu i prodhuar prej tyre është mjaft i nevojshëm për aktivitetin e tij prodhues. Por sado punëtor që është Beqir Demiri, ai nuk do kishte arritur të bëjë gjithë këto punë të mëdha, pa ndihmën e të shoqes, Nitës. Në oborrin e shtëpisë së tij ndodheshin mbi 200 metër katror shpore, vendi ku përgatiten fidanët, të gatshëm për tu hedhur në fushë brenda javës. Ndonëse ka dhe një fëmijë të vogël, ajo i kryen të gjitha shërbimet aty, i vadit me ujë dhe me pleh organik të lëngshëm, i pastron nga barërat e këqija, deri në mbjelljen në fushë. Pas shtëpie kanë të tjera shpore, por këto janë me arrë. Gjatë vjeshtës, Beqiri zgjedh kokrrat më të mira dhe i mbjell në fidanishte, për ti shkulur më vonë në trajtën e fidanëve. Shumë njerëz i blejnë, por dhe për vete i duhen për ti mbjellur buzë përrenjve, apo në zabelet e tij.
Krahas perimeve, nga të cilat nuk ka ndërmend të tërhiqet, Beqir Demiri, po hedh sytë nga frutikultura. Katër dynymë me qershi, tashmë janë në vitin e dhjetë dhe japin jo pak prodhim. Në pyllin që kanë si familje, krahas dushkut, ka dhe gështenja, të cilat sjellin të ardhura gjithnjë e më shumë. Këtë vit mbolli dhe 70 rrënjë arrë të shartuar, por do të dëshironte të mbjellë dhe një sipërfaqe me lajthi italiane, që e ka shumë për zemër.
Beqir Demiri është shumë i lumtur me punën që bën. Ëndrrat e tij të hershme, i sheh të realizuara. Stekën dëshiron ta ngrejë në lartësi të reja, por një frikë që ka filluar t’i shtohet kohët e fundit, e shqetëson dhe në ato pak orë gjumi që bën. Ka dëgjuar se njerëz me dhe pa pushtet duan ta marrin ujin e përrenjve pranë fshatit dhe të bëjnë centrale me to. Pa u konsultuar fare me to, pa u treguar projektet, a thua banorët nuk paskan asnjë lidhje me këtë problem. Nuk do të ketë më ujë për vaditje, nuk do të ketë prodhim, nuk do të ketë më para të mjaftueshme për familjen e tij dhe të fermerëve të tjerë. Ai do që ujërat të mos preken e të qëndrojnë aty ku kanë qenë për shekuj e ndoshta mijëvjeçarë. I lutet Zotit që kjo mos të ndodhë, se përndryshe nuk ka më kuptim të jetosh në atë fshat. Po tu heqësh ujin banorëve u ke hequr bukën e gojës, shpirtin, u ke këputur vetë jetën.
Së fundmi, Beqir Demiri ka dhe një mesazh për të rinjtë. U lutet të mos e braktisin vendin e tyre dhe të shkojnë për të punuar në dhera të huaj. U thotë se më mirë të fitojnë më pak në vendin e tyre, se trefish në shtete të huaja. Ai i fton me fjalën e tij, me shembullin e tij, me punën e tij.