Ç’kemi asaj Dibre


Këtë muaj po e nisim nga fundi: Jemi të mërzitur shumë që kryeministri na refuzoi titullin Qytetar Nderi. Por ne do t’ia “fusim” prapë: Do t’i bëjmë një bust e do t’ia vendosim te Tuneli i Murrizit, një në Qafë të Buallit dhe një te Ura e Drinit… Që, sa herë të kalojmë, ta kujtojmë e ta urojmë që na bëri Rrugën e Arbrit. Ndërsa në qytet do t’i bëjmë një shtatore e t’ia vendosim në krah të Skënderbeut, aty ku e meriton…
Pastaj do të ngrihen ndjekësit e Saliut dhe ata do të bëjnë nga një bust edhe më të madh, dhe në fund ndjekësit e Nanos, edhe ata me nga një bust… Kështu do ta bëjmë rrugën histori e buste, se për ta bërë rrugën – rrugë do shumë rrugë për t’u bërë…
Për arsimin folëm shumë muajin që shkoi. Ka plasur debati me heronj e heroina ta bëjmë gjimnazin 1 apo 2. Dhe debatin që ta bëjmë gjimnazin 1 e në qytet nuk e bën kush. Sepse hallin e kanë t’ia kafshojnë një godinë për ta kthyer në zyra qeverie…
Në Bulqizë plasën sërish betejat. Ato për prerjen e pyjeve i fituan banorët muaj më parë, por për këtë për ujin vështirësi po dalin. E kanë kuptuar bizneset afër qeverisë se për t’i marrë edhe pyjet duhen larguar banorët, e për të larguar banorët u duhet marrë uji… Si ajo “kuçedra” në përrallat që u tregojmë fëmijëve në mbrëmje… Dhe për të luftuar kuçedrën, po kërkohet një trim… Dhe trima në fshat po bëhen gratë dhe pleqtë…
Një viktimë tjetër u regjistrua në minierat e Bulqizës. Një minator ndërroi jetë dhe një tjetër u plagos. Media shkroi se shkak u bë shpërthimi i gazit, ndërsa prokuroria pritet të nxjerrë fajtor viktimën, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën…
Po vazhdon ëndrra për t’u bërë i pasur. Ca kërkojnë të marrin ujin, ca të tjerë të presin pyjet… Ca të tjerë të gërmojnë për florinj në vende historike… Pas ca vitesh do të mbetemi pa asgjë: as ujë, as pyje, as histori…
Në Dibër të Madhe i mbaruam zgjedhjet. Qyteti votoi njërin doktor, fshati votoi doktorin tjetër… Por, sidoqoftë, një doktor është përsëri kryetar komune… Tani pritet veç ta shërojë Dibrën. Si doktorët këndej kufirit…
Një grup qytetarësh bënë një ekspeditë në Rrugën e Arbrit. Panë ç’po bëhej dhe u mbushën me shpresë… Por që të shkatërrohet mjedisi, pyjet, tokat e lumenjtë, nuk i sheh kush…
A e mbani mend para ca ditësh për problemin e ujit të llixhave? Duket se çështja u mbyll. Por që ka rënë numri i pushuesve dhe që shërbimet ndaj tyre janë minimaliste, nuk merret kush… Sepse është pasuri e jona e është më mirë të prishet e të shkatërrohet sesa ta marrë dikush e ta kthejë në një atraksion turistik…