Detaji artistik


Detaji në gjuhën shqipe ka kuptimin «hollësi», në sferën e ligjërimit të përditshëm. Në përdorime të tjera kjo fjalë mund të marrë edhe kuptime të ndryshme. Ne do ta përdorim në sferën e letërsisë artistike ose dokumentare kur për një ngjarje, personazh ose protagonist jetësor jepen detaje artistike, që rritin shkallën e emocioneve. Në veprat letrare, në biografitë e njerëzve të shquar gjejmë mjaft detaje. Kur ato përdoren me vend, e rrisin vlerën artistike të veprës. Kur përdoren pa vend dhe pa masë, shkaktojnë një efekt të kundërt. Për ta kuptuar lexuesi ç’është detaji, po japim një shembull nga monografia «Napoleoni», shkruan nga Emil Ludvig. Napoleoni tashmë jeton ditët e fundit në ishullin e Shën Elenës. Las Kazin, një nga shoqëruesit e tij, jep një rast të tillë:
«Kur arritëm në një fushë, që po e punonin, perandori zbriti nga kali, hoqi plugun nga dora e fshatarit. Për një kohë të gjatë, me shpejtësi të pabesueshme, hapi brazda të përkryera. Nuk tha asnjë fjalë, vetëm mbasi mbaroi, më urdhëroi t’i jepja fshatarit një napolon.» Kur e pyetën perandorin se a kanë ndonjë ambicie tjetër ata njerëz apo veç të punojnë tokën, ai u përgjigj se ka shumë Napoleonë që punojnë tokën. Atyre nuk u është dhënë rasti të bëhen perandorë. 1)
Po kështu një detaj interesant jep R. Roland në librin «Jeta e Tolstoit», për shkrimtarin e madh rus. Tolstoi kishte ide të çuditshme, një pjesë e të cilave ishin utopi. Ai provoi për të jetuar si muzhikët për t’u afruar shpirtërisht me ta dhe për më zhdukur diferencën ekonomike. Për këtë ai kap parmendën të lërojë tokën. Humb shumë kohë me kështu budallallëqesh në një kohë kur Zoti e kishte falur për tjetër gj. Një nga ata punëtorët që shtypte në shtypshkronjë librat e tij të mrekullueshëm, i thotë: «Mjeshtër i madh, nuk është ajo vegla juaj…Vegla juaj është pena, fusha juaj-shpirti njerëzor, i cili ka nevojë dhe ai të shërohet dhe të ushqehet.» 2)
Plutarku tek «Jetë paralele», me anë të një detaji tregon se trimëria buron edhe nga përçmimi i jetës: «…në ushtrinë e Antigonit ndodhej një luftëtar trim, por i dobët nga trupi dhe shëndetlig. Kur mbreti e pyeti përse ishte aq i zbehtë, ai iu përgjigj se vuante nga një sëmundje e fshehtë. Mbreti u dha urdhër mjekëve, që, po të kishin mundësi shërimi, të mos linin mjet pa përdorur. Mirëpo trimi, si u shërua, nuk kuturisej më nëpër rreziqe e as nuk hidhej në mes të përleshjeve. Kur Antigoni e thirri dhe i shprehu habinë për këtë ndryshim, luftëtari u përgjigj pa e fshehur të vërtetën:»Ombret, ti vetë ma hoqe guximin duke më shpëtuar nga ato të liga, që më bënin ta përçmoja jetën…» 3)
Autori Coulter me anë të një detaji të fuqishëm dëshmon se ka raste kur autori i veprës ndjen njësoj si personazhi që ka krijuar; ai hyn kaq shumë në «lëkurën» e personazhit sa identifikohet me të: «Floberi ishte njeri i jashtëzakonshëm; natën, kur shkroi skenën e vetëvrasjes së zonjës Bovari, ai e kishte ndjerë me të vërtetë shijen e strikninës në gojë, ai volli shumë dhe, kur pena e tij shkroi fjalët e fundit, e mbuluan djersë të ftohta dhe me dhembje të tilla, u desh që të thërrisnin një doktor.» 4)
Karl Sendberg në biografinë për presidentin e Amerikës, Abraham Linkoln, u ka dhënë një vend të gjerë përdorimit të detajeve për karakterizimin e kësaj figure interesante të politikës së një shteti të madh. Ai vë në gojën e tij një detaj ironik për të kuptuarit e Lirisë: «Të gjithë çirremi për liri, por tek shqiptojmë këtë fjalë, gjithkush e kupton sipas mënyrës së vet. Kuptohet qartë se delet dhe ujku nuk mund të jenë në një mendje për përcaktimin e nocionit të lirisë.» Një detaj tjetër me plot domethënie për Abraham Linkolnin është edhe ai kur një grua e thjeshtë takohet me presidentin dhe tërë frikë dhe shqetësim i thotë: «ata», domethënë kundërshtarët politikë, nuk do të rrinin pa të vrarë» dhe Linkolni i përgjigjet: «Epo, më vranë, më vranë, Hana…njeriu një herë lind e një herë vdes…» 5)
De Goli ka qenë presidenti i parë i Francës pas luftës. Dihet kontributi i tij i madh jo thjesht për të shpëtuar Francën, por për të shpëtuar nderin e Francës. Por ai qëndroi gjatë në detyrë dhe filloi ta kompromentojë demokracinë dhe autoritetin e tij. Por në detajin që jepet më poshtë, tregohet se thelbi i këtij njeriu të shquar ishte shpirti demokratik, pavarësisht nga ndonjë shfaqje despotizmi: «De Gol refuzoi të nënshkruante një urdhër arresti për Sartrin, i cili në mënyrë demonstrative e provokuese kishte dhunuar një dekret të qeverisë që ndalonte shpërndarjen e një gazete të vogël maoiste, …ai haptazi theksonte një sentencë mjaft cinike se «gjeniu» është figurë qendrore e jetës politike të kombit.» 6) Detajet japin hijeshi dhe bukuri, ngjallin ndjenja të fuqishme vetëm kur përdoren me vend. Ata duhet të bëhen pjesë organike e gjithë strukturës së veprës, ndryshe duken si një rrobë e bardhë qepur me pe të zi.
Ka libra që janë ngritur pothuaj të gjithë mbi detajin. Një shembull i drejtpërdrejtë është romani I Huaji i Kamysë. Kjo duket një pjesën e dytë të tij, që ka të bëjë me kalvarin e hetimit dhe të gjyqit. Ata nuk duan ta dënojnë për krimin, -vrasjen e zezakut- që nuk e përmend askush. Ata kanë si qëllim ta cilësojnë Mersonë si kriminel të lindur,si njeri pa shpirt. Kamy jep një varg detajesh që hedhin dritë pikërisht mbi këtë qëllimshmëri të trupit gjykues. Merso,personazhi kryesor i romanit, është një djalë që e ka dërguar nënën plakë në azil jo vetëm që nuk mund ta mbante, por më kryesorja qëndronte në faktin se «Për më tepër, shtova unë, ajo i kishte mbaruar muhabetet me mua dhe mërzitej fare vetëm.» Kur mori vesh lajmin e vdekjes së nënës, u nis për në azil me bezdi të madhe. Vapa e tmerrshme, rruga e largët dhe me shumë kthesa, prania e një trashaluqi që e kishte afër gjatë udhëtimit, djersë e pluhur, e bezdisën pa masë gjatë gjithë udhëtimit. Kur mbërriti në azil, personeli e pyet nëse ai do që të hapë arkivolin për ta shikuar nënën për herë të fundit. Nuk dua ta shikoj, thotë ai dhe personeli habitet. Ai fle pranë arkivolit të nënës, nuk bën rojë siç bënin pleqtë azilantë. Pi kafe dhe cigare. Pret që ajo të varroset sa më parë dhe të marrë rrugën e kthimit. Kur e pyesin për moshën e nënës, thotë që «nuk e di.» Kjo e habit edhe më shumë personelin e azilit. Sapo bëhet varrimi, kthehet në shtëpi. Takohet me të dashurën me të cilën sheh një film humoristik, bëjnë dashuri. Përveç një copë shiriti prej bezeje të zezë që ka vënë si shenjë në jakën e xhaketës,asgjë tjetër nuk flet për zi. Kamy është mjeshtër për dhënien e detajeve. Procedohet kaq natyrshëm,sa lexuesi nuk vëren ndonjë qëllimshmëri të posaçme. Kur bëhet gjyqi,»paudhësitë» që ka bërë, ia kanë mbledhur pikë-pikë, siç mblidhet uji i shiut kur kullojnë strehët. Ato janë bazë për akuzën, jo vrasja e zezakut. Përfundimi që duan të nxjerrin është se ai njeri nuk është një vrasës i rastësishëm, por një «kriminel i lindur.»
Këtë mënyrë ndjek edhe Cvajgu për të dhënë portretin e Balzakut tek monografia me të njëjtin titull. Por, ndryshe nga Kamyja, Cvajgu nuk i mbledh dhe nuk i organizon detajet, ai i le ato rrugës si të ishin gurë kilometrikë që tregojnë drejtimin që duhej ndjekur. Balzaku i ri ndryshon shumë nga Balzaku i pjekur. Kjo është një ndarje e çuditshme e moshës së tij në dy pjesë të barabarta. Gjatë gjithë monografisë së tij Cvajgu këtë rreh ta tregojë nëpërmjet detajeve të ndryshme. Po e fillojmë me detajin e parë :
«Gjer në moshën tridhjetëvjeçare ai, si artist, nuk guxon t’i vërë vetes detyrën që ia kërkon talenti,dhe në jetën private si burrë, u rri larg grave. Sado e çuditshme të duket, por Balzaku i rrëmbyer e i papërmbajtur në vitet e pjekurisë, në të ritë ka qenë i druajtur, thuajse tej mase.» 7) Cvajgu më poshtë e vë Balzakun të tregojë shkakun e kësaj tërheqjeje ndaj jetës:
«Unë isha,pa dyshim,shumë naiv në një shoqëri kaq artificiale, ku njerëzit rrojnë për sytë e botës e shprehin mendimet me fraza të stisura ose me fjalë që i dikton moda. Kështu që nuk dija si të flisja…» 8)Një detaj tjetër me rëndësi është ai që shënon kthesën në jetën e Balzakut, që tashmë është zgjuar nga gjumi letrargjik. Këtë e bëri dashuria. Por Balzaku në çdo gjë ka qenë i veçantë, edhe në dashuri. Djaloshi tridhjetëvjeçar dashuroi zonjën Laura dë Berini, grua 45 vjeçe, nënë e nëntë fëmijëve. Po pikërisht Balzakut i kishte munguar dhembshuria prej nëne, prandaj «instinkti i fshehtë, që, si një engjëll e shoqëron gjithnjë gjeniun në rrugën e jetës, i tregon Balzakut se forca e tij e brendshme ka nevojë për udhëheqje, për drejtim, për një dorë të dashur dhe të arsyeshme, që mund ta çlirojë, t’ia shkrifërojë tendosjen, të zbutë e të lëmojë tek ai gjithçka të vrazhdë, pa ia lënduar ndjenjat.»9)
Balzaku nuk do të kishte qenë ky që është sot sikur të mos e kishte përndjekur fati. Fati atë e kishte paracaktuar për ta ngritur në lartësinë e gjenialitetit, prandaj, sa herë Balzaku nisej një rruge të lehtë, për ta gëzuar jetën dhe për të jetuar me moskokëçarje, Fati i dilte në rrugë ia priste shetitoren e sheshtë dhe e çonte buzë greminave dhe rrëpirave, atje ku ishte më vështirë, sepse ai e dinte fuqinë titanike të këtij njeriu që mund të mposhtte gjithçka. Pikërisht një gjë të tillë ngre Cvajgu si më kryesoren për Balzakun: përndjekjen e fatit. Dhe këtë Cvajgu e jep përmes këtij detaji që merr një vlerë të madhe përgjithësuese sepse pasohet dhe plotësohet me shumë detaje të tjera të kësaj natyre:
Fati «nuk pranon që Balzaku të kënaqet para kohe me gjëra të vogla, sepse kërkon prej tij gjëra të mëdha. Ai s’e lë mendimtarin e shtetit të shkrijë forcat e të banalizojë talentin në kolltukun ministror. Ai ia pret Balzakut afarist për të fituar me anë të spekulimit pasurinë e dëshiruar. Ai ia heq nga rruga të gjitha vejushat e pasura që ia do aq shumë zemra. Ai ia kthen pasionin për gazetari në një neveri të tmerrshme. Ai ia ndez urrejtjen për çdo zhgrapsje të kot gazete, e të gjitha i bën vetëm e vetëm që ta gozhdojë në tryezën e shkrimit. Dhe këtu gjenia e tij mund të pushtojë jo vetëm sferat e kufizuara të Dhomës së Deputetëve apo të bursës, jo vetëm botëzën e ngushtë të shkapërdarëve elegantë, por të pushtojë mbarë botën.»10)
Dhe kjo ka ndodhur se Fati nuk ka dashur vetëm Balzakun, por edhe Francën. «Në Francë forca morale e kombit shfaqet me një qartësi të veçantë në dy tipa: në tipin e hollë, delikat, aristokrat të Rishëliesë, të Volterit, të Valerisë, dhe në tjetrin ku merr shprehjen e vet forca dhe shëndeti i popullit, në tipin e Miraboit dhe të Dantonit.
Balzaku bën pjesë tërësisht në këtë klasë të rëndomtë të masave të gjëra dhe aspak në aristokratët, në natyrat e çoroditura. Lidhini një përparëse dhe vëreni tek banaku i një pijetoreje në Jug të Francës dhe Balzakun shpirtmirë dhe gazmor nuk mund ta dallosh nga ndonjë mejhanexhi analfabet që i gostit klientët me verë dhe bën muhabet.» 11) Sa herë Balzaku është përpjekur të dalë prej qyrkut të njeriut të thjeshtë, sa herë ka dashur ta ndërrojë lëkurën dhe të bëhet elegant, aq herë ka dështuar dhe jo vetëm ka dështuar, por është bërë qesharak, lolo oborri. Shikoni me ç’detaj i jep Cvajgu kundërshtitë që e kanë pasë kapërthyer Balzakun:
«Sa gjenial është Balzaku krijues, aq i patalentuar është në rolin e luanit mondan. Një paradoks i çuditshëm: që të ngrihet në këtë sferë, ai do të përkulet tërë jetën; që të rrojë mes luksit, do të gozhdohet në galerën e punës së përhershme; që të duket elegant, duhet të bëhet qesharak dhe pa kuptuar ai vërteton atë ligjin që e ka parashtruar njëqind herë, sipas të cilit njeriu që është mjeshtër në sferën e vet, duket kokëtrashë kur përpiqet të futet në një sferë të huaj për të.» 12) «Sa herë që Balzaku del nga caqet e sferës së vet, gjenia dhe intelekti i tij i kthjellët nuk punon mirë. Ante në truallin e vet, ai me t’u futur në zonat e huaja, bëhet loli i xhuxhëve.» 13) Mund të jepnim shembuj të tjerë pa mbarim, por edhe me kaq besojmë se del i qartë roli i madh i detajit në paraqitjen e esencës së personazhit ose të protagonistit jetësor. Për Balzakun janë shkruar shumë libra, monografi e studime, të natyrave të ndryshme, por monografia e Cvajgut fiton një peshë të madhe dhe zë një vend të veçantë pikërisht pse nëpërmjet këtyre detajeve ai jep esencën e Balzakut, tregon kush ka qenë në të vërtetë Balzaku dhe ku qëndron gjenialiteti i tij.
Kemi detaje-ngjarje, natyrisht ngjarje shumë të shkurta, kemi detaje episode, detaje shprehje, detaje citime. Ta fillojmë nga fundi: Përdorimi thënieve të njerëzve të shquar është diçka që i shtohet veprës tënde, pra,nga ana funksionale është një detaj, pa të cilin vepra edhe bën, por me detaj plotësohet më mirë, bëhet më e argumentuar dhe merr më shumë frymëmarrje. Por, nëse për të argumentuar mendimin tënd, kërkohet një mbështetje nga një mendimtar i madh, pra, përmendja e një fraze, nganjëherë edhe të një pasazhi, kjo duhet bërë tamam në vendin e duhur, në çastin e duhur dhe me mjeshtrinë e duhur. Nuk ka gjë më të pështirë se sa citatomania kur këtë miell të marrë hua nuk din ta përdorësh. Kështu, si shembull, nëse do të studiojmë raportin e krijimtarisë letrare ose çfarëdo krijimtarie tjetër me autorin e saj, me kuptimin se cilës duhet t’i japim përparsi, veprës apo biografisë së autorit, citojmë thënien e Arbën Xhaferit që thotë: «Në fushën e estetikës kur ka antagonizëm ndërmjet krijimtarisë dhe biografisë, sugjerohet që të lexohen veprat e autorit. Vetëm ato janë indikatorë të vepërs.» 14)
Një lloj i veçantë detaji është i ashtuquajtururi detaji krahasues. Kjo është forma më e lartë e përdorimit të detajit dhe është karakteristikë për shkencën. Edhe në këtë lloj detaji Cvajgu paraqitet mjeshtër dhe pikërisht me përdorimin mjeshtëror të detajeve bën të njohur thelbin e gjithçkaje. Në librin «Tre mjeshtër: Balzak, Dikens, Dostojevski», Cvajgu na njeh me detaje interesante që në fakt na bën të dallojmë këto tre personalitete të shquara krijuese në esencën e tyre. Libri është fund e krye krahasues, por po japm vetëm pak nga këto detaje:
Sipas tij Balzaku është: «Metereologu i rrymave shoqërore, matematikani i vullnetit, kimisti i pasionit,gjeologu i formave kombëtare primitive; qenia e një shkencëtari enciklopedik aq sa të depërtonte në trupin e kohës së tij dhe ta hetonte atë me të gjitha mjetet, e, në të njëjtën kohë, ishte një koleksionist i të gjitha fenomeneve, një ushtar i çdo ideje, kjo formonte krenarinë e Blazakut, e, si rrjedhim, prandaj qe i palodhur në regjistrimin e gjërave sa madhore aq edhe të vockla.»15) Kjo që thotë Cvajgu është shumë e saktë: Balzaku jep kaq shumë hollësi, është kaq skrupuloz në paraqitjet e jetës, hyn kaq thellë në zhbirimin e karaktereve sa, kur ta mbarosh së lexuari një vepër të tij, natyrisht, një nga më të mirat, si shembull, romanin «Fshatarët», të lodh me kuptimin që të ngop dhe për mjaft kohë nuk do të kapësh libër tjetër me dorë. Balzaku përshkruan me hollësi rrugë, sheshe, kanale të nëndheshme, bilme, oda, kthina, oborre,shkallë,kalime të fshehta etj. Ti si lexues, nëse je i pajisur me atë durim që e kërkojnë gjenitë, më vonë e shikon se asgjë nuk ka qenë e panevojshme se në të gjitha ato mjedise që Balzaku ka përshkruar, tani veprojnë personazhet e tij të shumtë; ai, si të thuash, i ka bërë ata me shtëpi, njërin që të banojë në pallat, tjetrin në një izbë të ndyrë,sipas karakterit dhe fushëbetejës të secilit prej tyre me jetën.
Kurse Dikensi,në përdallim nga Balzaku, është moralisti i Anglisë së kohës së tij,është pedagogu dhe edukatori, shkrimtari që mban përgjegjësi për edukimin moral të njerëzve, ai kujdeset për çdo fjalë që shkruan që ajo të mos tingëlloi banale dhe të të vrasë veshin. Për Dikensin Cvajgu jep këto detaje:
«Dikensi censuron ndiesitë në vend që t’i lërë të veprojnë lirisht; nuk i lejon ato siç bën Balzaku që të vërshojnë me fuqi të natyrshme, por me anë digash dhe hendekësh, i çon në kanale ku vihet në lëvizje mulliri i moralit anglez.» 16) «Kur vdiq Dikensi, ipeshkvi i Uinchester-it, duke lavdëruar veprën e tij, pat thënë që ajo mund t\i lihet në dorë qetësisht çdo fëmije …për t’u bërë hero tek Dikensi duhet të jesh arkë virtytesh, një puritan ideal…» 17)
Vërtet kjo është esenca e Dikensit. Personazhet e tij mbahen mend për butësinë dhe bukurinë e shpirtit:kujtoni Mikoberin, Anjezën, Dorën,Davidin…Të gjithë të paharruar, të praruar dhe të modeluar nga pena e matur dhe perfekte e Dikensit.
Kurse Dostovjeski është në antipod me të gjithësh shkrimtarët e tjerë. Cvajgu e krahason së pari me bashkëkombësin e tij të madh, Tolstoin. Të dy të mëdhenj, por krejt të ndryshëm!
«Tolstoi ngrihet i shqetësuar nga puna e tij, ndalet, lë artin dhe torturohet gjithë jetën në përpjekje për të dalluar të mirën nga e keqja, për të shqyrtuar nëse jeton me drejtësi apo gabimisht; prandaj jeta e Tolstoit është didaktike, një libër shkolle, një pamflet, kurse ajo e Dostojevskit është një vepër arti, një tragjedi, një fat.» 18) Nuk ka si thuhet më bukur. Dhjetëra dhe qindra faqe mund të shkruheshin për gjigantin e madh rus, por kaq bukur dhe kaq saktë sa e ka karakterizuar Cvajgu zor se mund të bëhej nga dikush tjetër. Kjo është forca e detajit kur përdoret me mjeshtëri.
Për Dostojevskin «…njerëzit janë heronj dhe kanë vlerë artistike për sa kohë janë natyrë problematike: ata të përsosurit, të pjekurit, i shkund nga vetja si pema frutat e saj.» «Dostojevski i do njerëzit vetëm sa kohë vuajnë, sa kohë ata kanë formë gjallëruese dhe të çarë në dysh, sa kohë ata janë në kaos, i cili dëshiron të shndërrohet në fat.» 19) «Heronjtë e Dostojevskit …nuk kërkojnë as gjejnë ndonjë lidhje me jetën e vërtetë; kjo ishte veçoria e tyre. Ata nuk duan të hyjnë në realitet, duan ta kapërcejnë atë që në fillim në kërkim të pafundësisë. Fati për ta nuk ka kuptim të jashtëm, por vetëm të brendshëm. Mbretëria e tyre nuk është e kësaj bote. Gjithë format e dukshme të vlerave: titull, pushtet, para, gjithë pasuritë për ta nuk kanë vlerë…» 20) «Komoditetet tona, rrugët e rrahura, të mbrojtura me parmakë moralë dhe udhërrëfime etike për ata janë të panjohura: gjithmonë dhe kudo ata shkojnë përmes shkurrnajës më të pakufishme, në pambarim.» 21) «Njerëzit e Dostojevskit …janë njerëz të një fillimi të ri. Ata,me gjithë gjenialitetin dhe mendjet e tyre të ndritshme, kanë zemër fëmijënore: ata nuk duan këtë apo atë gjë, por duan gjithçka.» 22)
Dhe në fund, për ta mbyllë me një hollësi tragjike, Cvajgu duke nëpërmendur heronjtë e Dostojevskit, thotë:
«Për njeriun nuk ka ankth më torturues sesa përpjekja për të gjetur një gjë para të cilës të përkulesh.»