Dr. Ahmet Alliu


Ditët e fundit te Marsit, familjarët, shokët dhe miqtë nga Dibra, Tirana dhe e gjithë Shqipëria  i dhanë lamtumirën e fundit njërit prej mjekëve më të shquar të Dibrës, shokut, mikut, kolegut, prindit dhe familjarit shembullor, njeriut tonë të dashur, Dr. Ahmet Alliut.
Do të duhej atë ditë të ishim mbledhur për ditëlindjen e tij, pasi ai u lind me  25 mars të vitit 1933, plot 86 vjet më parë, në familjen e Ramadan Alliut në fshatin Strikçan të Dibrës. Rridhte nga një familje shumë patriote e arsimdashëse e Grykës së Madhe dhe u rrit e u edukua me tiparet më të mira të një dibrani të mençur, të ditur dhe veçanërisht human. Ishte vëllai i mësuesit të mirënjohur të Dibrës e të gjithë Shqipërisë, mësuesit të popullit Selim Alliu, nga i cili mori mësime e edukim vazhdimisht.
Viti 1944 e gjeti në klasën e parë fillore në shkollën e Zerqanit, ku kreu arsimin fillor. Në vitet 1946-1948 kreu shkollën 7-vjeçare në Peshkopi dhe i ofruan të studionte në arsim. Por prirjet e tij e shtynë drejt një profesioni tjetër human, me të cilin do të lidhte jetën, drejt profesionit të mjekut.
Në vitin 1948 shkoi të studionte në Politeknikumin Mjekësor që sapo ishte hapur  në Tiranë. E përfundoi atë në vitin 1952 dhe menjëherë shkoi të studionte në Institutin e lartë Mjekësor që u hap po atë vit  dhe në vitin 1957 do të ishte mjeku i parë dibran i shkolluar në shkollën shqiptare dhe po ashtu Diploma Nr. 1 e Mjekut që lëshonte Fakulteti i ri i Mjekësisë në vendin tonë.
Shërbeu me devocion për më shume se 40 vjet në Dibër, si një mjek i kompletuar e i gjithanshëm, si patolog, pediatër, radiolog, anatomo-patolog, ekspert mjeko-ligjor dhe në çdo sektor tjetër të shëndetësisë ku pati nevoje për të.
U shqua si një mjek erudit, i aftë e kompetent, i pa lodhur asnjëherë, i gatshëm në çdo kohë. Në të katër cepat e Dibrës dhe më tej në Mat, ku nuk shkeli këmba e tij. I përgatitur profesionalisht dhe mjaft human, ai do të ishte ndër figurat më të spikatura e të dashura të mjekësisë dibrane, njeri që bëri epokë e la historinë e tij në zhvillimin e përparimin e saj.
Intelektual me interesa të gjera, njohës nga me të shquarit e letërsisë botërore e asaj kombëtare, por dhe i filozofisë, i muzikës, i historisë, i sportit dhe i artit. Ai do të fliste me dashuri për Dante Aligerin, Balzakun, Shekspirin, Eseninin, Niçen etj., por edhe për korifejtë e letërsisë e të historisë së Shqipërisë dhe ishte i gatshëm të recitonte në çdo kohë pjesë nga krijimtaria e tyre. Dr. Ahmeti ishte mik i mire i figurave të ndritura të mjekësisë shqiptare që nga Frederik Shiroka, Bajram  Preza, Fejzi Hoxha, Selaudin Bekteshi, Besim Zyma, Hysni Rusi e Koço Poro, Mark Mirashi e deri te idhulli i tij Petrit Selenica. Ai ishte mik i mirë për të gjithë ne.
I pa përtuar në punë, hokatar në jetë, komunikues me të gjitha moshat e profesionet, ai do të ishte një figurë simpatike dhe e pëlqyer në çdo ambjent familjar dhe shoqëror ku merrte pjesë.
Dr. Ahmeti krijoi një familje model me mësuesen e mirënjohur Anastasi Alliun dhe rriti dy vajza të mirëedukuara e të shkolluara,  Ilda dhe Anjeza Alliun.
I dashur në familje, i respektuar në profesion e shoqëri, i këndshëm në biseda e i thellë në mendime dhe me një humor që nuk i shterri kurrë, ky mund të ishte portreti më i shkurtër dhe më i plotë i tij.
U nda nga jeta në mënyre të papritur, kur familja dhe miqtë e tij ishin përgatitur për ta uruar në përvjetorin e 86 të lindjes. Fluturoi pa pritur si një zog që ka qëndruar në një degë peme  dhe papritmas ngihet në fluturim dhe ikën drejt lartësive, drejt qiellit, drejt pafundësisë. Kështu iku dhe miku ynë.
Ahmet Alliu jetoi si princ dhe iku si mbret, pasi i kishte realizuar të gjitha synimet e tij në jetë. Do të na mungojë të gjithëve, veçanërisht familjes së tij, por dhe ne, miqve e shokëve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe i deshi aq shumë.
Na mbetet  thjeshte të krenohemi që ai ishte midis nesh dhe ne patëm fatin e mirë të ishim të dashurit e tij.
Për atë si jetoi e si u largua, për atë që bëri në jetë e na la si kujtim, Dr. Ahmet Alliu do të mbetet i pa harruar dhe do të kujtohet përjetësisht.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë, dr. Ahmet Alliu.

Nazmi Koçi, Abdulla Hoxha, Tajar Petani, Xhevat Kotili
Tirane, 26 mars, 2018