Fjalë e frazeologjizma të rralla


Marrë nga libri “Toponimia e Çidhnës” i autorëve
Haki Përnezha dhe Rruzhdi Bitri,
Botimet M&B, Tiranë, 2016.
Frazeologjizma të rralla

I duel lërana: I doli lërana. Përdoret njëlloj me i doli fundi kësaj pune. Lëranë quhet një dërrasë që qëndron në fund të mullirit të blojes, mbi të cilën vendosen të gjitha objektet lëvizëse që rrotullojnë gurin e mullirit. Po u prish (i duel) lërana, mulliri nuk punon.
E theu kolerin: E theu kularin. Thuhet për dikë që rebelohet. Kau kur thyente kularin ikte me vrap që të mos vihej sërish në zgjedhë.
Ka zrrak: Ka-u zrrak. Thuhet për dikë që shkon pas femrave, por nuk i ecën. Vjen vërdallë si ka zrrak. Kau zrrak, kau i qetun, kau që është tredhur, por jo krejt. Kau zrrak u rrin lopëve në shpinë, por mëkot.
Mos rraj si n’pivana: I thuhet dikujt që ka ardhur mik dhe nuk rrafshohet, por rrin gati për t’u ngritur. I zoti i shtëpisë i lutet: Rrafshoju tani, mos rri si n’pivana. Pivana quhen copërat e dërrasave të holla që u vihen kuajve në gju duke i detyruar ato të ecin pa e thyer gjurin.
Si dhaj’ llaçk’: Thuhet për ato gra që nuk kujdesen sa duhet për fëmijën. Llaçkë janë ato dhi që pjellin para se t’u ketë ardhur koha dhe pjellin të vegjël të dobët.
E bê (mban) zgjedhën pa qise: E mban zgjedhën pa plis. Kjo shprehje përdoret për të etiketuar dikë që duron shumë, më shumë se ç’mund të durojnë të tjerët. Plisi është një copë rrobe e trashë që vihet poshtë zgjedhës e mbi qafën e kaut që të mos i vritet qafa.
Agje ke qëft’: Atje ku qoftë, qoftë larg. Thuhet për besëtytni për diçka që nuk don ta përmendësh, që dëshiron që të jetë gjithnjë larg teje.
Mugjullon n’dimën: Mugullon në dimër. Çel gjethi në dimër. Thuhet për dikë që është sipërfaqësor në fjalët dhe veprimet e tij.
Ia shtaje ujt’ n’shnre: Ia shtie ujit (tokës) në mes të dimrit, në muajin e Shëndreut. Thuhet për dikë që bën veprim pa mend në kokë.
Dit’n e shajut gjegj oxhakun: Ditën e shiut, ditën me shi – djeg oxhakun. Thuhet për dikë që është shumë punëtor dhe që nuk e harxhon kohën kot, që edhe ditën me shi i gjen punë vetes.
Vner xherpën e bisht çapaj: Vrer gjarpër e bisht çapini (zhapini). Thuhet për dikë në dukje është i qetë por fjalët i ka të idhëta.
Fjalë të rralla

bllag: Një copë lëvore e thatë e pishës, që hyn midis dërrasave të vozave a shekave për të mos rrjedhur.
bici-bici: Nga sll. bistro-bistro, shpejt-shpejt. Fjalë për nxitje lakmie ndaj dikujt. Zakonisht në gojën e fëmijëve, kur kanë diçka për t’u ngjallur lakminë të tjerëve. Bici-bici, ja çfarë kam unë. Na nxore bicin-bicin.
besleme: Tregon një kafshë të rritur në kullotë lirisht, pa kapistër, nga një arë në një tjetrën. Dele besleme. Kjo vajzë është rritur besleme (pa kufizime).
bële: Bole. Në disa raste ka kuptimin fëmijë-mashkull. Kështu thirren fëmijët me përkëdheli (në Sinë) me kuptimin i vogël. E njëjta fjalë tek Çabej del me kuptimin trim, guximtar. Nuk është ashtu, oj bole.
bëlb: Bolb/ë-a. Tufat e leshit të shkurtër të deleve. Mblidhi bëlbat dhe hidhi në kosh. Çabej fjalës bolbë i jep dhe kuptimit fatkeqësi, hata.
bët: Bot/ë-a, argjil, baltë që ngjishet për të bërë çerepë. Në Çidhën janë përdorur disa lloje botash (argjilesh): botë për të larë kryet; botë e bardhë për të lyer dhomat; botë e zezë për të hequr brezat e shtëpive; botë çerepësh dhe botë e kuqe për të lyer (zakonisht tavanet).
brenë: Brenas, rrëshqanthi, zvarrë. E mori brênë dhe e futi brenda. Si folje përdoret në formën brêno-j dhe kjo me kuptimin rrafshoj, fshij nga faqja e dheut. Kaçakët u sulën mbi shtëpitë e lagjes dhe i brênuen.
bridh’t: I bridhët, njësoj më (i/e) shkriftë, që është me pak ujë, gati i thatë. Me kuptim të kundërt me çfarë jepet nga Çabej, i njomë, i butë(): pa ujë a me pak ujë. Kjo hallvë qënka shumë e bridh’t.