Kalimi i pyjeve të ulta në pronësi të banorëve po jep rezultatet e para pozitive


 

Shpesh, vlera e një projekti nuk matet me kohëzgjatjen dhe me paratë e harxhuara, se sa me gjurmët që ai le, mësimet që nxirren prej tij, angazhimit dhe bashkimit të njerëzve për të arritur objektivat e duhura dhe të planifikuara. Kështu ndodhi dhe me projektin e cituar më sipër, të zbatuar në pyjet bashkiake të Dibrës. Ai tashmë është në mbyllje, por në fakt, që tani duket sikur nuk do të mbyllet kurrë. Po përse e themi këtë? Sa për të ndezur atmosferën, apo kemi arsye dhe fakte që vërtet na bindin për këtë, duke ju referuar argumenteve të shumtë.
Kanë kaluar vetëm tetë muaj qëkur drejtori i projektit, Maksim Hajrullai, mori përsipër të vinte dhe një gur në themelin e mbrojtjes dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve bashkiakë në Dibër. Ai ishte një kuadër që vinte nga fusha e bujqësisë dhe me jo pak vite eksperiencë në drejtim dhe punë me njerëzit në terren. E kishte të qartë ku do të arrinte, rrugët që duheshin ndjekur dhe mjetet me të cilat realizohej një ide e tillë.
Që në fillim ai e kuptonte se për këtë duheshin bërë bashkë njerëzit, faktorët dhe aktorët, me shumë ndikim, por qofshin dhe të tjerë me ndikim më të vogël. Në shumë panele, takime dhe seminare, për të cilat do të flasim më pas, pati përfaqësues nga bashkia, pushteti vendor, komuniteti, kryetarë këshillash, apo njerëz të thjeshtë, nxënës shkollash, apo specialistë të pyjeve. Kishte dhe njerëz që kishin në marrë në pronësi ngastra të vogla e zabele, si dhe ishin kujdesur maksimalisht për pyjet që gjendeshin në to.
Nëse flasim me gjuhën e shifrave do të thoshim se në harkun kohor të tetë muajve që zgjati projekti u bënë disa hapa të rëndësishëm: u realizuan gjashtë takime të para promovuese, me 60 persona, në njësi të ndryshme administrative; në Peshkopi dhe në Maqëllarë u mbajtën trajnime dy ditore, me rreth 100 persona ; në çdo njësi administrative u realizuan tre takime të mëdha me 300 persona; ekspertë të ndryshëm të fushës asistuan në rreth 40 takime me gati 500 persona; takime të ndryshme u realizuan me rreth 800 nxënës të shkollave të ndryshme,duke i njohur ato me problematikat e pyjeve; në facebook dhe rrjete sociale u publikuan materiale të ndryshme për pyjet, duke thithur mendimet më të mira dhe problematikat për çdo rast; në takime morën pjesë specialistë të AZM së, SHPP së, Qarkut, Prefekturës, etj.; u shkruan gjashtë materiale të ndryshme, me problemet e ndryshme në faqet e shtypit; u mbajtën kumtesa, konferenca dhe u çfaqën spote të larmishme, në lidhje me problematikat e pyjeve.
Në total, u angazhuan 4260 persona, nga të cilët, 800 gra, 1660 burra dhe 1800 të rinj.
Si rezultat i një pune konkrete në zyrë dhe në terren, u mundësua formatimi i 9 hartave me tregues për pyjet, si dhe 3 studime në përpjekje të përmirësimit të situatës aktuale. U mundësua dhe një hartë dixhitale, gjë që do të lehtësojë mjaft menaxhimin e sistemit pyjor dhe koordinimin e veprimtarisë të strukturave të specializuara në këtë drejtim.
Të gjithë këto aktivitete të shumta e të larmishme, kanë ndikuar mjaft në ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e banorëve të komunitetit. Jo se më parë nuk e dinin, por tani ata po e ndjejnë akoma më shumë, se pa zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve, vetë zhvillimi i jetës njerëzore vihet në pikëpyetje dhe në dyshim serioz. Mbrojtja e tokës nga erozioni, lulëzimi dhe zhvillimi i turizmit, industria e bimëve mjekësore dhe frutave të pyllit, pastrimi i ajrit, janë vetëm disa nga përfitimet e shumta, që kanë banorët nga këto aleatë të përhershëm, pa marrë asgjë në këmbim të vlerave, që ata japin. Përdorimi i pyjeve për dru zjarri dhe materiale ndërtimi, është një vlerë e shtuar, që duhet eliminuar, sa të jetë e mundur.
Projekti dhe drejtuesit e tij janë të ndërgjegjshëm se situata nuk do të ndryshojë me një frymë, apo me një fjalë goje, por ama rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme. Pyjet e ulta dhe zabelet, dikur toka të askujt, po fillojnë të vlerësohen, të sistemohen dhe po merren përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, në kufinjtë e vjetër të pronësisë. Si rezultat kemi më pak dëmtime në pyjet e larta, duke shfrytëzuar krasitjet vjetore dhe rigjeneruese të pyjeve të ulta. Nga shumica e banorëve të kontaktuara gjatë veprimtarive të shumta të projektit, shprehet qartë se kalimi i pyjeve të ulta në pronësi të banorëve dhe stimulimi i tyre nga projektet qeveritare për të kryer disa shërbime në to, do të ishte një masë tepër efikase për të zgjidhur njëherë e mirë këto probleme negative, që kemi trashëguar deri tani. Përdorimi i burimeve alternative, si shfrytëzimi i erës dhe paneleve diellore, do të ishin vërtet një shërbim i mrekullueshëm në dobi të pyjeve.
Projekti ka synuar ndërgjegjësimin e gjithë shtresave të popullatës, por duhet thënë se më e shpejta, më e ndjeshme dhe më aktive, është rinia dhe nxënësit e shkollave. Kur pasqyruam disa shifra pak më lartë, jo rastësisht grupi i të rinjve ta angazhuar me projektin, ishte më i madhi, me 1800 pjesëmarrës. Ndaj drejtuesit e projektit i kanë parë shkollat si vatra ku do përgatiten njerëz, që jo vetëm nuk do ti dëmtojnë pyjet, por do ti mbrojnë ata me fanatizëm, do të rigjenerojnë pyjet e dëmtuara dhe do të mbjellin sipërfaqe të reja, që gjërat të shkojnë në kahjen dhe drejtimin e duhur.
Për të zbritur në rrafshin konkret të problemit, po synohet që çdo shkollë të ketë një sipërfaqe pylli në dispozicion, duke e konsideruaratë si pyllin e vet. Aty, ata mund të mbjellin pemë të reja, aty mund të shohin kafshët dhe insektet, që rriten mrekullisht në pyje, duke gjetur gjithçka të duhur e të nevojshme. Aty ata mund të bëjnë disa praktika mësimore, duke farkëtuar një dashuri të përjetshme me pyllin, që nuk zhbëhet më kurrë. Shkolla 9 vjeçare e Melanit e ka marrë tashmë një nismë të tillë, por dhe të tjerat, ndoshta do ta ndjekin pa hezitim.
Më 26 prill 2019 në sallën e konferencave të pallatit të kulturës në qytetin e Peshkopisë u zhvillua takim përmbyllës i projektit Agro- Eko – Dibra. Zonja Englantina Gollaj, menaxhere e Programit ReLOaD/ UNDP, falenderoi drejtuesit e projektit për punën dhe përkushtimin e treguar. Përshëndetën takimin përfaqësues nga bashkia dhe prefektura. Në fund, drejtuesi i projektit, Maksim Hajrullai, bëri një përmbledhje të punës tetë mujore dhe falënderoi pjesmarrësit dhe diskutantët për idetë dhe mesazhet, që ata përcollën.