Kthimi i Musait


Prej gati 25 vitesh, ndërsa propagandonim nevojën e një rruge të re për Dibër, njëra nga pyetjet që na lodhte më shumë ishte: A ka fuqi ekonomike Dibra që ta justifikojë ndërtimin e një rruge të re?
Atëherë, kur fjala “ndihma” përmendej më shpesh se fjala “punë”, përgjigjja e kësaj pyetje nuk mund të thuhej me dy fjalë. Kërkonte argumente, fakte, statistika e shifra që edhe një ekonomist do ta kishte të vështirë t’i përpunonte. Por, mes shumë argumenteve, kishim një që ishte i pakundërshtueshëm: rruga do të ndalonte braktisjen e këtyre zonave. Do të ndalonte migrimin e brendshëm, madje shtonim se rruga do t’i rikthente njerëzit në vendlindje…
Dhe sot, kur gati 30% e punimeve në Rrugën e Arbrit kanë mbaruar, pyetja që na bren më shpesh është se a do të jetë fizibile ajo? A do ta justifikojë ekonomikisht lëvizjen e mallrave dhe njerëzve?
Unë jam njëri prej atyre që besoj se pritshmëritë do të jenë më të larta se të atyre që besojnë. Sapo qeveritarët e asaj kohe e premtuan ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pati menjëherë një rritje të çmimit të banesave, duke i krahasuar ato me çmimet në periferi të Tiranës.
Specialistë të ndryshëm kanë argumentuar se me ndërtimin e Rrugës së Arbrit shumë fusha të ekonomisë do të marrin zhvillim të shpejtë, përfshirë investimet në bujqësi, frutikulturë, blegtori, turizëm, etj. Dhe më e rëndësishmja, do t’i kthejë njerëzit në vendlindje.
Dhe një ndër të parët në këtë kthim është Musa Riçku.
Musai e ngriti biznesin e tij në Peshkopi në kushte të vështira. Pas një përvoje të shkurtër në emigracion, ai kuptoi se e ardhmja e tij ishte në vendlindje. Ka njerëz që marrin vendime çdo mbrëmje, por heqin dorë të nesërmen në mëngjes. Por Musai është njëri prej atyre që mëngjesin e pret zgjuar, për të realizuar vendimet e tij. Dhe shumë shpejt kthehet në një nga tregtarët më të mëdhenj në Dibër. Madje, në vitin e mbrapshtë 1997, në ato ditë të vështira kur bandat kishin marrë nën kontroll rrugët, Musai ishte vetë “shteti”, duke garantuar furnizimet me ushqimet bazë për të gjithë rrethin e Dibrës.
Ndërsa biznesi po rritej, banorët po e braktisnin çdo ditë Peshkopinë. E mes tyre edhe Musai iku, duke ndërtuar një biznes të ngjashëm në Tiranë, por gjithnjë me kokën pas nga vendlindja…

Unë kam kontakte me Musain prej 15 vitesh, kryesisht prej bashkëpunimit në gazetën Rruga e Arbërit, e cila na ka afruar më shumë dhe na ka bërë të diskutojmë më shpesh. Kafet e mëngjesit, sidomos kur gazeta del nga shtypi, është e përbashkët. Megjithëse ka ngritur një biznes të suksesshëm në Tiranë, ai e ka kokën gjithmonë nga Dibra. Musa Riçkut i del emri te veprimtaritë e shoqatave dibrane si donator, te librat si kontributor, te gazeta si aksioner, te sporti si dhurues… Nuk ka veprimtari, sidomos në Tiranë, që lidhet me kulturën e sportin, ku emri i Musait të mos jetë i pranishëm me një kontribut sado të vogël. Dhe këtë nuk e bën se është i pasur e ka miliona në bankë, se të pasur e milionerë ka më shumë se ai, por ai ka një dashuri të madhe për vendlindjen, për Dibrën. Dhe gjithmonë e ka vrarë mendjen se çfarë duhet të bëjë. Dhe duket se e ka vendosur kthimin në vendlindje me një investim me një nga markat më të njohura në vend: Big Market. Natyrisht, në këtë investim nuk është i vetëm, por ai është ideatori dhe këmbëngulësi që ky emër i madh i rrjetit të dyqaneve ushqimorë të hapet në Peshkopi.
Përmes këtij investimi fiton qyteti i Peshkopisë. Përveçse janë punësuar 21 gra e vajza, do të ketë edhe bashkëpunim me biznesin e vogël vendas, kryesisht prodhues, artikujt e të cilëve do të gjejnë vend të veçantë në market. Gjithashtu, në një të ardhme të shpejtë, prodhimet e Dibrës do ta gjejnë veten në çdo raft të Big Market në të gjithë vendin.
Qytetarët e Peshkopisë do të kenë mundësi të përfitojnë nga ofertat e vazhdueshme të rrjetit të Big Market, njëlloj si në të gjithë Shqipërinë.
Ndërsa përgatitjet e fundit për hapjen e marketit vazhdonin, Musai iu bashkua në Tiranë grupit të ekskursionistëve që zhvilluan një ekspeditë në tunelin e Murrizit. Për shumëkënd, ndërsa shikon punimet në tunel dhe i duket e largët dita e përfundimit të punimeve, Musait i duket sikur ajo është hapur. Sepse ai u kthye në Peshkopi me një investim. Tani mbetet ta ndjekim ne të tjerët, duke investuar në ndërtim, turizëm, shërbime, industri, bujqësi e frutikulturë, për t’i dhënë një mundësi Dibrës për t’u zhvilluar ekonomikisht. Për ta kthyer Dibrën në një qendër të zhvilluar ekonomike, siç ajo i ka të gjitha mundësitë.