Kur populli të ngre këngë, veprat dhe emri nuk shuhen kurrë


Nëse ndodhesh në fshatin Urxallë, të Njësisë Administrative Macukull, Bashkia Mat dhe kërkon të njohësh figurë të historisë si atdhetar e patriot, menjëherë bashkëbiseduesi vendas të prezanton emrin e Shahin Toçit. Kjo situatë të ndodh edhe në fshatin tradicional, Macukull, ku dikur fshati Urxallë administrativisht ka qenë lagje e tij. Sigurisht, lista e atdhetarëve dhe e patriotëve të dëgjuar në këto fshatra është e gjatë, por ajo “shkurtohet” në një ku në memorien popullore ekziston emri i Shahin Toçit.
Shahin Toçi u lind më 15 prill 1914, në një familje me tradita atdhetare, patriotike e luftarake, një familje punëtore e bujare, por dhe arsimdashëse. Qysh fare i vogël, Shahini shquhej midis shokësh për zgjuarsi e shkathtësi. Si fëmija i parë i familjes Toçi, nën kujdesin e prindërve, Osmani dhe Merjemja, mori dhe tërë kujdesin e veçantë të shkollimit dhe arsimimit. Për të, 15 shtatori i vitit 1925, qe ditë e veçantë, sepse e gjeti Shahinin në bankat e shkollës së Derjanit, i cili nën kujdesin e mësuesit Rrapush Stringa nga Elbasani, ai do të bëhej njëri nga nxënësit më të dalluar ndër shokë për përparim në mësime dhe për sjellje shembullore në shkollë e jashtë saj. Përveç bankës së shkollës, i pëlqenin dhe i frekuentonte shpesh dhe odat matjane, në formatin e një institucioni popullor tradicional, që shërbenin dhe ato si një shkollë e madhe formimi dhe edukimi. Etja për të vijuar mësimet më tej, falë dhe rezultateve shumë të mira, i mundësuan këtij djaloshi të ndiqte mësimet në shkollën mbretërore ushtarake në Tiranë, për katër vjet, midis viteve 1930 – 1934, mësime të cilat i përfundoi po me rezultate shumë të mira. Rezultatet e tij të shkëlqyera në mësime i hapën rrugën për më tej, më lart, por tashmë jashtë vendit, në Itali. Iu akordua e drejta me bursë e studimit në Kolegjin Ushtarak të Napolit. Në tetor të vitit 1934 nisi kursin “Bianchini” midis 120 studentëve të tjerë, midis të cilëve katër ishin bashkëkombas shqiptar. Kjo shkollë ishte me sistem tre vjeçar, të cilën e përfundoi në korrik të vitit 1937, po me rezultate shumë të mira, duke qenë në listën e ekselencës. Këto rezultate i shërbyen, që sapo erdhi në Shqipëri, të rikthehej përsëri në Itali, këtë herë në Akademinë Ushtarake të Modenës, në specialitetin e Kombësorisë e Kavalerisë, në kursin “Audercia” dhe “Impero” të cilin e përfundoi në maj të viti 1938. Për afro pesë javë, pasi u kthye në Shqipëri, punoi si oficer kariere NË Ministrinë e Mbrojtjes, në një zyrë të rëndësishme dhe përsëri dërgohet për specializim në kursin pasuniversitar që përgatiste kuadro ushtarakë për nivelet e larta të shtabeve të Shtamadhorisë.
Pushtimi i Shqipërisë nga fashizmi Italian në 7 prill 1939, Shahinin e zuri atje në Itali. Ky pushtim e zemëroi dhe e indinjoi shumë. Edhe pse ishte larg vendit të tij, mendja dhe zemra e tij rrinte se si do të kontribonte për të shporrur këtë pushtues barbar nga vendi i tij, Shqipëria. Qarqet qeveritare italiane për të ndryshuar imazhin e keq të këtij pushtimi, mendoi dhe organizoi ceremoni festive me studentët shqiptar, për të servirur pushtimin e Shqipërisë si një vullnet i vetë popullti shqiptar dhe këtë e tregon edhe ceremonia me studentët që u betuan për flamurin Italian. Përgatitjet zgjatën rreth një muaj e gjysëm, ku çdo ditë kuadratet me student zhvillonin stërvitje ceremoniale.
Në ditën finale do të asistonte dhe ndihmës sekretari i shtetit i Luftës së Mbretërisë Italiane, gjeneral Alberto Periani. Më 13 maj 1939 do të zhvillohej prova gjenerale e ceremonisë, ku ndër studentët shqiptar do të ishte edhe Shahin Toçi, por jo me uniformën ushtarake fashiste. Ai ishte veshur me uniformën kombëtare të oficerit shqiptar. Ky fakt, paraqitja e këtij oficeri me uniformën shqiptare, i tërhoqi vëmendjen gjeneralit, i cili e thirri: “Ç’është kjo uniformë? Tashmë mbreti i juaj ka rënë”. Oficeri Shahin Toçi iu paraqit ushtarakisht dhe i shpjegoi gjeneralit: “Zoti Gjeneral! Gaboheni, mbretërit bien, por Atdheu mbetet po ai. Ne jemi shqiptar dhe me uniformën tonë të ushtarakut mund të betohemi vetëm para flamurit tonë kuq e zi”. Pas këtij shpjegimi me zë të lartë dhe kumbues, të gjithë shokët e Shahin Toçit njëzëri thirrën: “Të lumtë Shahin”. Nga ky moment, prova e ceremonisë u shthur dhe dështoi. Shikimi i egër e kërcënues i gjeneralit ndaj Shahin Toçit nuk e ndryshoi situatën, betimi i studentëve për mbretin dhe flamurin italian dështoi. Por shërbeu si një paralajmërim për oficerin shqiptar, eleminimin fizik të tij, si protagonist kryesor në këtë dështim të madh. Shahin Toçi, në qëndrimet e tij si atdhetar iu referohej edhe figurave të mëdha historike botërore, ku njëri prej tyre ishte Ciceroni i cili thotë: “Njeriu nuk lind për vete, por për Atdheun e tij”, citat ky i gjetur në ditarin e xhepit të tij të shkruar me shkronja kapitale.
Policia sekrete italiane (SIM-i) e evidentoi oficerin shqiptar Shahin Toçi, i cili për disa ditë u përndoq deri sa më 27 maj 1939 u vra në gjumë në dhomën e tij, me pesë plumba pas shpine. Për disa ditë ky akt makabër u mbajt sekret. As studentët shqiptarnuk u lejuan të marrin informacion dhe të jenë pjesë e ceremonisë së varrimit të tij. Lajmi u përhap më vonë edhe nga agjensitë e huaja të lajmeve, si Radio Londra, Praga, Varshava, Parisi etj, dhe ky akt u vlerësua prej tyre si një vrasje politike nga qeveria dhe policia italiane, si një shenjë hakmarrje, por dhe për terror ndaj të gjithë atyre studentëve shqiptar që mund të ndërmerrnin akte të tilla në të ardhmen.
Populli matjan dhe më gjerë, ai mbarë shqiptar, trimit Shahin Toçit i thuri vargje dhe këngë që e përjetësuan atë përgjithmonë. Vargjet “e vranë me marifet/ mbas shpine në gjumë tuj fjet” apo “kjo Shqipëri ka rritur burra/ që nuk njohi dy flamura” etj, tregojnë dhe evokojnë rolin fuqishëm aktin dhe trimërinë e këtij burri atdhetar, patriot dhe luftëtar i lirisë.
Ngritja e një Muzeu në fshatin Urxallë në banesën e tij është pak për Shahin Toçin. Këtë e thotë edhe bashkëmoshatari dhe bashkëstudenti ushtarak i Shahin Toçit, Mark Arapi nga Mirdita, i cili në formën e një mesazhi thotë: “Atë që ka bërë Shahin Toçi për Matin dhe Shqipërinë, të tjerët nuk e kanë bërë për Shahini”. Në këtë 105-vjetor të lindjes dhe në 80-vjetorin e rënies, i madh e i vogël, përulemi përpara Shahin Toçit, duke treguar së është i pavdekshëm, jeton midis nesh përgjithmonë.
Lavdi aktit dhe veprës heroike të dëshmorit të LANÇ, Shahin Toçi! Mati dhe matjanët kanë në mendje dhe në zemër, të kanë në çdo shtëpi, sepse ti dhe jetën për liri. Busti i Shahin Toçit vendosur në qytetin e Burrelit është nder që iu bëhet banorëve të komunitetit, për sot dhe për të ardhmen e tyre.
SEFER DUKA
RENATO TOTRAKU