Në dhé të huaj


Një grup njerëzish u larguan nga vendi i tyre për një jetesë më të mirë. U bënë bashkë tri-katër familje, se rruga ishte e gjatë, e vështirë. Ata kishin nevojë për njëri-tjetrin. Mbërritën në një vend që u pëlqeu; aty kishte shumë toka të mira dhe prodhuese, kishte lumë, pyll pa hesap, bjeshkë, gjithçka që duhet për jetën e njeriut. Puna e parë që bënë qe takimi me burrat e atij vendi për t’u kërkuar leje që të uleshin aty. Burrat e atij katundi u thanë:
– Ju mund të uleni këtu me një kusht: kur të vdesë njëri prej jush, bashkë me të vdekurin, do të varrosim edhe një të gjallë.
Ata nuk e pranuan kushtin dhe vazhduan përpara. Ec e ec dhe ja ku gjetën një vend tjetër edhe më të mirë se i pari. Takuan vendalinjtë dhe ua thanë hallin që kishin.
Ju mund të rrini këtu e të bëheni vendas, por me një kusht: kur të vdesë njëri prej jush, bashkë me të vdekurin do të varrosim edhe dy të gjallë.
Të ardhurit nuk e pranuan kushtin dhe deshën të shkojnë përpara, në kërkim të një vendbanimi tjetër, por më plaku u tha:
Kthehemi dhe shkojmë në vendin tonë, se me siguri më tutje do të na thonë që bashkë me të vdekurin duhet të varrosim tre të gjallë. Bënë si tha plaku: u kthyen…

(Marrë nga libri “Tregime alegorike” i Xhafer Martinit, Botimet M&B, Tiranë, 2019)
Librin mund ta gjeni duke kontaktuar pranë librarisë së botimeve M&B, rrjetit të librarive Adrion ose libraria Art’s te stacioni i trenit në Tiranë.