Nezir Selita, njeriu i mençur i Matit


Të urtët popullorë u ngjajnë thesareve, sikur rilindin e jetojnë nëpër brezni. Ata lënë gjurmë mençurie, dritë mendje e zemre, dritë shpirti. Sot e kësaj dite si i thonë kur ndizen bisedat e odave në Mat, Dibër e më gjerë thonë më të moshuarit: Ka pas thënë Zirë Selita… Mendja e ndritur, kultura e odave, “akademia” e filozofisë matjane, dibrane e kombëtare u bë pronë e Nezir Haxhi Selitës, së Vinjollit të Matit. U lind, rrit dhe edukua në kullën e fisin bujar e trimëror të Selitës në Vinjoll të trevës së Lisit. Viti 1888 shënon lindjen e këtij burri të urtë e mendjehollë, fjalëpeshuar e tepër të thellë në mendime, urtësi e alegori të odës. Nezir Selita mësoi nga traditat e kullës e të fisit, nga odat e gjurmët e brezave të urtësisë matjane, dibrane e kudo. Kultura e të atit Haxhiut, e gjyshërve, kultura e dajave Ndregjonët e Lukanit të Dibrës ndikuan shumë në urtinë dhe zgjuarsinë, në “latimin” e kulturës së leme si i thonë të këtij filozofi popullor.
Rilindësi i madh Sami Frashëri thoshte: “Kur shteron pusi i dihet vlera ujit”. Pra, jo vetëm ne, por edhe brezat që do të vijnë do të kujtojnë, nderojnë e do të kenë nevojë për njerëz të mençur e mendjendritur si Nezir Haxhi Selita i Matit.

Krenari brezash…

Qysh në Mat e deri në Lukan rrëzë Runjës, kudo që kemi takuar nipin e Zire Selitës, Petritin, kemi parë krenarinë legjitime për gjyshin, nderimin dhe dashurinë e zjarrtë për të. Koha, familja, fisi e mbarë shoqëria më shumë se kurrë sot ka nevojë për dashuri, për lartësim të vlerave.
Petriti, nipi i organizator e i kudondodhur në ballë të punëve krenohet se 100 vjet pas lindjes gjyshit i lindi djali Erioni. Edhe bashkëshortja e Petritit; Lindita, bija e Koçit të Burgajetit, edhe tri vajzat dhe djali Erioni krenohen me dritëurtinë më të paharruar Zirë Selita. Edhe fëmijët e Zirës: Asllani, Bajrami, Rizaja, vajzat: Selvija e Mineja, nipat e mbesat krenohen me burrin e kullës, me gjurmët e provat e urtësisë të këtij burri të nderuar të Matit e të breznive. Gjurmë në fisin Selita kanë edhe Jashari, Nuzi, Sefa, Agimi, Aliu, të cilët kurdoherë janë krenuar me të urtin Zirë Selita. Është njerëzore, por edhe hyjnore dhe e domosdoshme që secili të lartësojë vlerat e të parëve. E thjeshtë, rrezatuese dhe gjurmëlënëse për bijtë e Selitës të Matit e më gjerë: krenari brezash…

Të këndoftë zemra
Xhovalin Shana…

Tek po bisedonim në Mat në një mjedis me poetin e nderuar Esenian matjan Basir Bushkashi i kërkuam nipit të Zirë Selitës; Petritit të na tregojë nga fejsbuku këngën kushtuar këtij filozofi popullor. Vargjet, melodia dhe interpretimi mjeshtëror të ngjallnin emocione e krenari. E ka shkruar dhe e këndon këngëtari shkodran Xhovalin Shana. Autori ka gdhendur portretin e të urtit popullor, peshën e fjalës dhe dritën e mençurisë. Pas pak miku im Basir më tha: Bëjë një shkrim për Zirë Selitën në stilin tënd… Disi u zura ngushtë, por edhe e falënderova Basirin. Për këtë të urtë popullorë jo një këngë apo një shkrim, por mund të shkruhen libra, poema, poezi, tregime a monografi, sepse kanë prova e gjurmë mençurie, gjurmë që janë model urtie për brezat.
Kënga melodia dhe zëri i këngëtarit shkodran lartësonin figurën e birit të Matit e nipit të Dibrës Nezir Haxhi Selita. Cilido që e ndëgjon uron me të drejtë, me përzemërsi: Të këndoftë zemra Xhovalin Shana.

Provat e fjalës
dhe të alegorisë

Dituria ka prova. E prova me e madhe është drita e pesha e fjalës, rrezatimi i urtisë e i maturisë. Nezir Selita ishte dhe mbeti burri i urtisë, i karareve, mjeshtri i fjalës e i alegorive, burri që luante mjeshtërisht me fjalën në valle të odave. Ishte i lindur për urti, për alegoritë, rrotullat retorikën, gjetjet filozofike nëpërmjet të cilave ai shpërfaqte dukuri të karakterit njerëzor, vlerat e veset e shoqërisë, traditat… Pothuajse i plejadës të të urtëve popullorë në Mat, ortak të urtësisë që përmenden si Kros Skura, Ibrahim Hoxha, Kurt Skura, Ibrahim Hoxha, Kurt Ruçi, Nurë Frangu, Sulë Bushi apo si Taf Kola, Mane Kacani, Selim Leshi, Mudë Hasi në Çidhën, Maliq Nikolli, Elez Murrja, Bajram Mera, Rrem Manuka, Beqir Uka, Sali Palluçi, Ibrahim Nikolli në Luzni, Dine Hoxha në Muhurr, Isuf Lala e Sali Duka në Qafëmurrë e plot të tjerë. Fjalët e alegoritë e Zirë Selitës përbëjnë një thesar të vërtetë, dëshmojnë talent e mençuri prej filozofi popullor. Shpesh sot ndëgjon të thonë: Ka thënë Zirë Selita: “I ligju ka gjuhë brrylash, i meri (i miri) ka gjuhë bylbylash”, “Tri të mera (të mira) të japin burrni: kur ke besë, kur grue e fomi, shokë e miqësi”, “Goja mjaltë, goja spece”, “Trimi që asht trim ka maturi e guxim”, “Burri e peshon veten e thotë vetëm të vërtetën”, “Burri fol me karar, mba me vete metër, gërshanë e kanar”. Janë të shumta fjalët monument të Zirë Selitës, apo retorikat, filozofike të odës, këto e plot të tjera mund e duhet të jenë objekt i një studimi të veçantë. Të një bukurie të rrallë janë edhe alegoritë, meselet, rrotullat në oda. Ato përmbajnë vlera, tone satirike, lartësojnë apo godasin me mana (me shifra) me hidh e prit. Në Qafëmurrë 85 vjeçari Bajram Dik Daçi na tregoi disa prej tyre.

***
Gjuha e urtisë e këtij mjeshtri të rrallë të fjalës përcillte mesazhe jete, mirësie, paqe, pajtimi. Çdo herë edhe mbronte me argumente, por edhe godiste me takt, me durim e humor dukuritë negative. Ishte i thellë, i matur, i qetë, vëzhgues i hollë e mbi të gjitha i respektuar, dashamir, i mprehtë, i drejtë e i prerë.

***
Këtu e mbi 50 vite kur isha mësues i ri i sapo dalë nga bankat e Normales së Elbasanit më thotë babai im (ndjesë pastë): Or bir sot na vjen Zirë Selita dhe Sufë Lala, shko e thirri të vijnë për darkë Dali Kurtin, Tafë Limanin e Allaman Saliun, të tre nga fisi Totraku edhe xhaxhai im i shtrenjtë (Bajram Buci). Nata e parë tek kulla ime dhe nata e dytë tek xhaxhai Bajrami (i dyti) pas Hoxhë Bucit, Molla Bajramit dëshmor i kombit me babë edhe djalë; rritur jetim tek Molla Liman Ndregjoni (prijs popullor – M.B). Duke ndëgjuar Zirë Selitën, Sufë Lalën, Totrakët, në odë të dukej vetja fare i vogël, por përbrenda meje më vlonte dashuria për fjalën e mençurisë për të urtit popullorë si Zirë Selita i Matit të barotit e nipi i Ndregjonëve të qëndresës, nipi i Dibrës trime. E nga zemra ime më burojnë vargjet e thjeshta për një vigan të urtësisë popullore:
… E ka vendin n’faqe t’librës / Mal ka fjalën edhe meritën / Biri i Matit e nipi i Dibrës / Lum, o Mat për Zirë Selitën..
Në kohëra e brezni rron e do të rrojë dritëurtësia e Zirë Selitës.

Alegori nga Nezir Selita
(Sipas tregimeve të Bajram Dik Daçit)

“Gjyshi – Halil Daçi (ish prijs popullor, burrë i urtësisë) kishte qenë një natë në Vinjoll ke kulla e Zirë Selitës… Në mëngjes i hip kalit në kurt (oborr) të Zirës pa u falë me Zirën. Në këtë kohë Zira iu mbështet një trungu peme…
– Ku shkon or Zirë? – i thotë Halili.
– Të hipi në pemë, or Halil e të të jap dorën se unë në tokë e ti në kalë me shalë s’un të mrre (nuk të arrij)…
Halili qeshi e menjëherë zbriti nga kali e u përqafue me Zirën…
***
Xhelal Neli nga Dibra shkon tek Zirë Selita në Vinjoll. Në bisedë e sipër i tha:
– Or Zirë ke pas do pasuri, por a ke ndërmend me ia lanë kujt?!
– Po, or mik – i thotë Zira, – por nuk kanë enë…!
***
“Sa qesh i ri mbolla arat e shokëve, kur fillova me mbjellë arën time nuk u poq, mbetën haliça për lopë, asnjë s’mbet me e fut në koshar”.
Shaqir Shaban Perhati tregon:
Isha në një dasëm tek Kalaverët në Urrxallë të Matit. Bëmë muhabet sa u tund konaku gati gjithë natën. Të nesërmen, kur vija për Qafëmurrë në Qafë-Dardhë, në Viç ku ndahet udha këmbësore për Vinjoll më thotë vjehërri im Sefë Selita: “Or Shaqir fol ma kadalë me mue, mbrëmë ke folë dibrançe e na ke coptue. Kujdes se besa, ta mbaj nusen (ishte fjala për bijën e vet, Sarien, nusja e Shaqir Perhatit – M.B).
– Po si të duash, or mik, le të zgjedhë vajza vetë.
Ndërkohë që u ndanë Saria shkoi mbas burrit, Shaqirit…
Shaqiri kishte thënë në valle të odës: “Burri i mirë fol mirë e ban mirë, burri i keq fol mirë e punët haje dreq…”
Sa shkon Sefë Selita në shtëpi takon Zirën, i tregon ngjarjen si u ngatërrova me dhëndrin Shaqir Perhati nga Qafëmurra.
– Or Sefë e paskë nga (ke gabue me Perhatin). Ai ka folë me vend, pra, shko e kërkoi falje në shtëpi, në Qafëmurrë. A e din – thotë Zira, – përse i ka mbet Perhat? Sepse din! – vijoi Zira, – e ban spat, din me i da ujët në sfrat, ka prova fjale, sofre, lufte, pune e bese… Të nesërmen në mbrëmje Sefë Selita shkon tek kulla e Shaqir Perhatit në Qafëmurrë. Shaqiri fton gjithë kushërinjtë: Çupin, Aqifin, Ademin, Feritin, Sadikun etj.
Pasi ulen në sofër të bujarisë u thotë Sefa: Or miq kam ardhë t’i kërkoj falje dhëndrit tim Shaqirit se kararin ma ka da Zirë Selita im, se kisha nga mikun. Në odë vazhdoi humori e alegoria… Pra ky ishte Zirë Selita që kudo e kurdoherë ndante drejt, fjala e tij latonte edhe gurin, hijeshonte konakun, gëzonte zemrat e kthjellonte mendjet. Njerëz me vlera si Zirë Selita, janë pak, fare pak, këta lindin rrallë ndaj janë një vlerë e shtuar e familjes, fisit, trevës dhe e kombit, vlerë e çmuar për breznitë…