Njeriu që zgjonte shatërvanë…


Nga fotoarkivi i gazetarit

Ai iku duke lënë pas një emër me germa të mëdha: BAJRAM STOJKU.
Mbase, në nderin e tij, Këshilli Bashkiak i Dibrës, Rrugën e Stojkeve, siç emërtohet në gjeografinë e përditshme të banorëve të qytetit të Peshkopisë, autoktone me histori brezash trimërie e përkushtimi atdhetarë do ta përjetësojë me emrin “RRUGA BAJRAM STOJKU”…


<br>Do të shkrihen në NJË e kaluara dhe e sotmja…
Unë e propozoj, nga larg në mërgim…
E kërkova në arkivin tim fotografik:
Të pasur në ato që kam fiksuar ndër vite…
Të varfër në ato që në udhëtimin tim larg e larg humbën për të mos u bashkuar kurrë…
Kërkova shumë…
E gjeta në një portret të 9 tetorit 2007…
E gjeta në një duet fotografik të po asaj dite…
Unë dhe Ai…
Ishim ulur në një lokal në hollin e ish Shtëpisë së Kulturës. Gjerbnim kafe, e në shije të saj, gjerbnim kujtime të kohës që jetuam maleve e fshatrave të Dibrës…
Nuk qe e thënë që të uleshim më së bashku…
Koha na ndau për të jetuar mes kujtimesh e respekti që vetëm Ai dinte të ta fuste në shpirt për ta marrë me vete tërë jetën.
Nuk do të shkruaj për Të se kur lindi e ku hodhi rrënjë jetës së tij të vrullshme.
Ai, ndër të tjera ishte njeri i DRITËS në profesion e në udhëheqje për ta bartur mbi shpinë deri në shtëpitë më të largëta maleve të Dibrës…
Nuk kam shkrepje aparati fotografik në portretin e tij, monopateve të dritës.
Kam një film të tërë kur zgjonte shatërvanë…
Nuk e kam kur shpërndante ujin e burimeve të Korabit në Sllovë, Shumbat, Sohodoll, Pilafe…
I shmangesh fotografisë, bujës në gazeta…
E kapa në Burimet e Kovashicës…
E kapa dhe nuk e lëshova…
Shik si Ai, gjithnjë veshur bukur, përherë me kollare e i qeshur, më erdhi dhe nuk po e mbaj për vete.
Bajram Stojku është pjesë e atij brezi që iu përkushtuan me mish e me shpirt Dibrës.
Vështrojini me përqendrim fotografitë…
Ato flasin, flasin, flasin…
Nuk pushojnë.
Bajram Stojku iku për të mbetur i nderuar dhe i respektuar për Dibrën dhe Dibranët.
Respekt për Të…
Respekt për familjen dhe të afërmit e Tij në gjak e gjini…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 11 prill 2019