Tablo përmbledhëse e historikut të arsimit në Okshtun


Nuk ka asnjë dyshim që e gjithë treva e Dibrës është shquar ndër shekuj nga dëshira e zjarrtë për dije e arsim, ndërsa kultura popullore u ka paraprirë këtyre aspiratave, të cilat ajo është përpjekur t’i sigurojë me çdo mjet e në të gjitha mënyrat, aq sa mund të themi se dëshira për dije e kulturë ka ecur paralel me dëshirën për jetën. Kjo nevojë jetike e ka shtyrë Dibrën dhe dibranët në kufijtë e të paimagjinueshmes, aq sa në mungesë të institucioneve të krijojnë shkollën e tyre, shkollën e Dibrës. Bëhet fjalë jo për një nocion teorik a metaforik, por edhe për një fakt real që e kanë njohur e pranuar shumë studiues vendas dhe të huaj.
Njihet se Dibra edhe në fushën e kulturës e të dijes është një mozaik, ka veçoritë e saj në çdo fshat a krahinë, ka prurjet dhe ndihmesën e saj, ka koloritin e vet ashtu siç bie fjala ka koloritin e vet kënga popullore, veshja e burrave, e grave apo edhe fjala e folur në çdo krahinë.
Edhe zhvillimi i historikut të arsimit, ndonëse ka ndjekur një rrugë e trajektore të caktuar si në të gjithë vendin dhe në Dibër, po ashtu është e vërtetë se ka veçoritë e veta dhe spiralen e vet të zhvillimit. Në këtë kuadër ai ka specifikat e veta, ka historikun e tij të pasur e të veçantë edhe në Okshtunin malor të Dibrës.
Specialisti dhe studiuesi i mirënjohur i arsimit dibran e atij kombëtar, Elmaz Lala, duke folur në një aktivitet promovues me 14 korrik 2014 do të deklaronte: “… Një familje nga Okshtuni i thellë dhe i ashpër, por me tradita patriotike dhe mikpritjeje, një familje që ndërsa luftonte për mbijetesë, pretendonte e luftonte si pak kush për jetën dhe të ardhmen, një familje shumë arsimdashëse, që shkollimin e fëmijëve e vinte edhe mbi bukën për ta…”. E vërteta është se i tillë ishte i gjithë Okshtuni, edhe pse disa familje si rasti që përmend studiuesi E. Lala spikatnin më shumë. Po përpiqem të paraqes disa argumente në dobi të kësaj teze, më tepër sesa të tentoj të bëj një historik tradicional të arsimit në Okshtun, gjë që e kanë realizuar specialistë të tjerë para meje.
Nuk ka dyshim se shkolla e parë, si kudo tjetër, ka qenë familja dhe mësuesit e parë prindërit, vëllezërit e motrat, me të mëdhenjtë, që çdo ditë kanë përçuar tek më të vegjlit njohuritë për jetën, edukatën e punës, njohjen e origjinës së familjes e të fisit, traditat, zakonet, historinë, vlerat morale të fshatit, krahinës e më gjerë, dashurinë dhe respektin për familjen, për më të moshuarit, për vendin e lindjes dhe atdheun. Në lashtësi parakaluan në vendin tonë kultura ilire, helenike, latine, por dhe romake e bizantine derisa mbërritëm në sundimin shumë shekullor të perandorisë osmane.
Një rol të patjetërsueshëm kanë luajtur dhe tubimet e ndryshme dhe dhoma e miqve e oda e burrave, ku aplikoheshin “ushtrimet e mendjes”. Ruajtjen ndër shekuj të këtyre vlerave në Dibër brez pas brezi, shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli, e quan “Pengjet e stërgjyshërve”, ndërsa ruajtjen e gjuhës amtare si “Tapia e vendit”(1).
Këto vlera e tradita të trashëguara brez pas brezi u formësuan e u fuqizuan dukshëm dhe morën formën e një shkolle të vërtetë, e cila u emërtua si shkolla e Dibrës, tashmë e njohur dhe e pranuar nga studiuesit vendas e jo vetëm ata. Lulëzoi e u bë e mirënjohur shkolla e ndërtimit, e drurit, e gurit apo ajo e famshmja, e gojëtarisë dibrane.
Përpjekja e fshatarëve të Okshtunit për një arsim të organizuar e institucional zë fill herët që në kohën e perandorisë turke, në shekujt 18-19, ndoshta dhe më herët. Të detyruar nga hallet e jetës për të emigruar në vende të tjera si në Stamboll, Selanik, në Rumani, Bullgari e gjetkë, por dhe brenda vendit si në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Krujë, Kavajë etj,, ata siguronin punë dhe mbijetesë për vete dhe familjarët e tyre. Por shpesh ata merrnin me vete edhe djemtë e tyre të vegjël që fillonin herët rrugët e kurbetit. Meqenëse mosha e njomë dhe fiziku i dobët nuk i lejonin që të përballonin punët e rënda të ndërtimit, ata shpesh i fusnin në shkollat e qyteteve ku ndodheshin dhe i shkollonin atje. Këtë unë e konsideroj një veçori të arsimimit të okshtunasve, ndoshta më herët se zonat e tjera. Kështu veproi Sulë Shermeti nga Muglica, i cili e mori djalin e tij, Hasanin, me vete në Peqin të Elbasanit dhe e futi të studionte në shkollën turke aty. Më pas ai vazhdoi medresenë e Elbasanit, që e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në moshën 22 vjeçare, ku mori titullin mësues e predikues i fesë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. I shkëlqyer në mësime dhe i etur për dije, më pas ai studioi për inxhinieri dhe teologji në Universitetin e Stambollit, ku mësoi përsëri disa gjuhë të huaja dhe i mbaroi studimet shkëlqyeshëm në vitin 1879. Në enciklopedinë turke me këtë rast është shkruar: “Stambolli nëpërmjet Hasan Muglicës i ka dhënë arnautllëkut mësuesin e fesë islame” (9). Edhe perandoria turke e njihte Hasan Muglicën si mësues, të tillë e ka përjetësuar atë në enciklopedinë e saj.
Okshtunasi Maliq Caka e mori me vete djalin e tij, Sadikun, (babai i dëshmorit Sabri Caka), në Elbasan, ku shkoi të punonte dhe e dërgoi atë në shkollë, në medrese. Sadiku studioi dhe u shkollua me sukses dhe i mirënjohuri Hoxhë Caka u bë një figurë e respektuar në Okshtun e më gjerë, që zgjidhi sherre e pajtoi konflikte, hoxhë Muglica e pat aktivizuar atë edhe si mësues.
Kështu, veproi edhe Ferhat Selmani nga Prodani, i cili e mori me vete të birin, Selmanin, në Mat, ku ai pat vajtur për të punuar në fshatin Lis në vitin 1928, por atje e dërgoi djalin në shkollën vendase që ishte hapur në vitin 1922 me mësuesin e mirënjohur Abdurraman Permeti. Ai studioi me shumë sukses aty dhe më vonë do të vazhdonte shkolla e kualifikime, derisa u bë një mësues i spikatur dhe që punoi më shumë se 25 vjet në Prodan të Okshtunit.
Nuk ka diskutim se përpjekjet për hapjen e shkollave, qoftë dhe të atyre turke në Okshtun, janë të lidhura me emrin e patriotit dhe atdhetarit të madh Hoxhë Hasan Muglica. Është vendi që të bëj një objeksion dhe të jap mendim lidhur me mbiemrin e tij. Për Hoxhë Muglicën janë shkruar artikuj e libra, ka një monografi të studiueses Valbona Ramçi dhe një libër biografik nga stërnipi i tij Elliot Hasan Muglica me banim në Kanada. Të gjithë këta publikime përdorin për patriotin e madh okshtunas mbiemrin “Moglica”. Në të vërtetë mbiemri i tij është Sula, pasi ishin pasardhësit e Sulë Shermetit nga Dibra e Madhe që pat ardhur e u vendos në Okshtun. Mbiemrin Sula e mbajnë sot një sasi e konsiderueshme e familjeve në këtë fshat, ndërsa Hoxha mori për mbiemër, emrin e fshatit të tij, Muglicë. Të gjithë banorët e Okshtunit, të vjetër e të rinj, e dinë dhe e thërrasin Muglicë. Kështu e thoshte edhe gjyshi im, Abaz Sula, njëri nga njerëzit më të afërt të gjakut me Hoxhën dhe që citohet në shumë botime për të. Kështu e thoshte edhe Hajdar Stojku, njëri prej ish nxënësve të Hoxhës, që citohet nëpër botime dhe që kam pasur rastin ta njoh personalisht. Mbiemrin “Muglica” për patriotin Okshtunas e konfirmojnë edhe botimet e mëhershme (para Luftës së Dytë Botërore) që janë bërë lidhur me të si gazeta “Tomorri” e dates 24 mars 1910, Revista “Zani i naltë” ( 1937), Haki Stërmilli në veprën e tij “Dibra në prag të historisë” 1940 (1,11, 12) etj. Ka dhe një arsye të qenësishme përse insistoj në mbiemrin Muglica të patriotit të madh dibran. Sipas studiuesit të Hasan Muglicës, Xhemal Koçi (5, f.123), njeri shumë i afërt i familjes Muglica (ishte nipi i Abaz Sulës), duke shqyrtuar arkivat kishte hasur në tentativë për ta tjetërsuar vendlindjen e tij nga Muglica në Moglicë, pra, nga Dibra në Korçë, çka është një shtrembërim i padiskutueshëm i së vërtetës. Në Dibër ka Muglicë, ndërsa në Korçë ka Moglicë, janë dy toponime krejt të ndryshme.
Shumë studiues që janë marrë me historikun e arsimit të Okshtunit, referojnë se Hasan Muglica hapi shkollën te ara e Martinit në vitin 1904. Në këtë shkollë Hoxha aktivizoi si mësues edhe dy hoxhallarë, Hoxhë Cakën dhe një Hoxhë nga Zabzuni që dinin vetëm turqisht. Ndërsa mësimet në gjuhën shqipe Hoxhë Muglica i zhvillonte vetë dhe këtë aktivitet e kishte filluar shumë kohë më parë. Sipas kujtimeve të Abaz Sulës dhe Hajdar Stojkut, njëri prej nxënësve të tij, mësimet në gjuhën shqipe Hoxhë Muglica i kishte filluar që në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 19-të (13). Fillimisht ai kishte përdorur për këtë qëllim shtëpinë e tij. Shumë studiues e kanë theksuar faktin se Hoxhë Muglica e ktheu shtëpinë e tij prej 28 dhomash, veçse si shtëpi banimi, në shkollë dhe bibliotekë të librave të gjuhës shqipe. Ajo shërbeu edhe si kështjellë për t’u mbrojtur nga sulmet e panumërta që pushtuesit e ndryshëm veçmas ata turq e serbë, i organizuan shumë herë për ta kapur e asgjësuar patriotin e dijetarin dibran. Hajdar Stojku, nxënës dhe bashkëkohës i Hoxhë Muglicës, në kujtimet e tij dhënë arsimtarit Selman Koçi, ka sjellë edhe një fakt jo të njohur deri sot. Shtëpia e Hoxhë Muglicës ka shërbyer edhe si konvikt, ku në kohë dimri, nxënësit e lagjeve të epërme kishin dhoma për studim e fjetje dhe ushqeheshim aty me shpenzimet e mësuesit (13). Për t’u mbrojtur nga regjimi i kohës ose në periudha rreziku, Hoxhë Muglica i largonte nxënësit nga shtëpia e tij dhe mësimet në gjuhën shqipe i zhvillonte te valanica në Zallë e maskuar midis shelgjeve, mes Okshtunit dhe Sebishtit. Ai pat ndërtuar aty një punishte shajaku që punonte me ujin e lumit dhe e emërtoi me fjalën e bukur shqipe valanisë (vala e nis) dhe populli e thërriste valanicë. Kjo shërbeu edhe për takime të fshehta që hoxha organizonte herë pas here, por edhe si shkollë për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1904 u hap në Okshtun shkolla te Ara e Martinit. Hoxhë Muglica solli nga Stambolli 5000 abetare të gjuhës shqipe, jo në trasta , por me karvanë kuajsh në thasët e sheqerit, dhe i strehoi ato te Shkëmbi i Patës e i shpërndau në Gollobordë, Çermenikë e gjithë Dibrën (9). “Patat dhe zoti i ruajnë abetaret e mia”, u kishte deklaruar Hoxha bashkëfshatarëve (13). Shtëpinë shkolllë e bibliotekë me libra shqip të Hoxhë Muglicës e dogjën forcat ushtarake turke të Durgut Pashës në vitin 1908 së bashku me 15 shtëpi të tjera të Okshtunit. Patrioti Hoxhë Muglica mësohet se nuk u shqetësua fare për pronën dhe shtëpinë që humbi, por i erdhi shumë keq për bibliotekën dhe librat shqip që ju dogjën. Kjo mësohet nga një letër që ai i ka shkruar të birit, normalistit Osman Muglica, ku i shprehet: “… Ah medet se hasmi i kombit na e dogji bibliotekën shqipe tek shpia. Ah, ma mirë të më kishin djegun mue se sa librat shqyp. …Na shujtën konakun, por jo bajrakun…”(5). Kjo letër ndodhet e plotë e botuar në librin e Elliott Hasan Muglicës, i cili ruan dhe origjinalin dhe i përket qershorit të vitit 1915.
Patrioti i madh Hasan Muglica luftoi gjithë jetën për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar, luftoi dhe dha jetën për këto aspirata të larta. Ai përqafoi idenë e profetit: “Pa atdhe nuk ka fe” dhe punoi me moton “Një atdhe, një komb” dhe “Shqipëri e lirë”. Mori pjesë në të gjithë evenimentet e rëndësishme historike të kohës, ku vendoseshin fatet e kombit, të territoreve dhe të gjuhës shqipe. Pasi e kishte mirëpritur dy ditë në Muglicë në qershor të vitit 1878, ishte së bashku me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Prizrenit, më pas e përcolli atë përsëri nga Muglica në Martanesh dhe e shoqëroi me njerëzit e tij deri në Tiranë. Është për t’u theksuar se në të gjitha kuvendet e kohës Hoxhë Muglica mori pjesë përkrah Abdyl Frashërit dhe Iljaz Pashë Dibrës, Vebi Dibrës etj. Kjo falë arsimimit të tij dhe vetive burrërore si besa, bujaria, trimëria etj. (5,9). Mori pjesë në Kuvendin e posaçëm të Lidhjes Shqiptare në Dibër me 1 nëntor të vitit 1878, dhe Kuvendin e Dibrës të tetorit 1880. Që pjesëmarrës në Kongresin II të Manastirit në nëntor 1908, shkruante Haki Stërmilli (1). Ishte delegat në Kongresin e Dibrës në korrik të vitit 1909, ku u vendos hapja e shkollave shqipe dhe ndarja e shkollës nga kisha e xhamia. Mori pjesë më 1909 si delegat në Kongresin e Elbasanit, që u emërtua “Kongresi i shkollave shqipe”, i cili hodhi themelet e arsimit kombëtar shqiptar, sanksionoi arsimin laik, bëri bashkimin e dialekteve e zgjodhi elbasanishten për gjuhën e shkruar shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës normale të Elbasanit. Hoxha ju përkushtua energjikisht dërgimit të nxënësve në këtë shkollë dhe përgatitjes së mësuesve të gjuhës shqipe. Hoxhë Muglica, muderiz i Gollobordës, organizoi një takim të zgjeruar në fushën e Klenjës, i cili u quajt Kuvendi i Klenjës. Aty pati pjesëmarrje shumë të gjerë dhe ai u foli të pranishmëve për rëndësinë e shkollës e të gjuhës shqipe dhe mbrojtjes territoriale të vendit. Me entuziazëm të madh u vendos që të gjitha shtëpitë e mëdha të dërgonin djemtë e tyre në shkollën normale të Elbasanit dhe takimi u shpërnda nën bataret e armëve nga gëzimi që u krijua. Por siç vëren një nga biografët e Hoxhë Muglicës, nga presioni i ushtruar paria u tërhoq. (5,6,9). I paepur Hoxhë Muglica nuk u tërhoq, organizoi fshatin e tij. Ai dërgoi në atë shkollë 7 nxënës nga Okshtuni, tre nga shtëpia e tij (Hazizin, Qazimin dhe djalin e tij të vetëm, Osmanin), si dhe dy djemtë e Kurt Ballës nga Okshtuni i madh. Hoxha Muglica dërgoi në shkollë me shpenzimet e veta edhe djalin e Nun Bedinit e të Abdulla Likës (5) dhe djalin e një miku të tij nga Sebishti (9). Vetëm momenti që nga Okshtuni u siguruan 7 kandidatë për t’u dërguar në Shkollën Normale të Elbasanit (1909), e ben te padiskutueshem faktin se në Okshtun shkolla shqipe kishte kohë që ishte hapur dhe po jepte frutet e veta. I bën nder Okshtunit dhe gjithë Dibrës fakti i dokumentuar në botimet e kohës se midis 29 nxënësve që u regjistruan për herë të parë në Shkollën Normale të Elbasanit (1909), 7 prej tyre ishin nga zona e Okshtunit. Asnjë rreth tjetër veç Dibrës nuk e kishte arritur një kuotë të tillë. Kontributi i Okshtunit dhe i Hoxhë Muglicës ishte i pa diskutueshëm (1,4,5,9, 11, 12). Me 28 nëntor të vitit 1912, Hoxhë Muglica ngriti flamurin kuq e e zi në ballkonin e kullës së tij në Muglicë të Dibrës.
Kontributin e tij të madh për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, Hoxhë Muglica do të paguante me jetën e tij.
Ai u ekzekutua barbarisht nga shovinistë serbë të Ara e Shermetit me 15 qershor të vitit 1915 së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Avdi Sallaku, dhe u groposën ende të gjallë në varrin që i kishin detyruar të hapnin vetë. Hoxhë Muglica jetoi dhe vdiq me dinjitet. Ai nuk pranoi të nënshkruante një dokument që ju kërkua, sipas të cilit rajoni nga Fusha e Kolgrekut e në perëndim në Kaptinë, në Vorvjak, Qafë Buall, Qafë Murrë e deri në Lurë të quheshin toka serbe.(6,9). “Nëse do të firmosej deklarata nga Hoxhë Muglica, serbët jo vetëm do ta lironin, por ai do të përfitonte shpërblime dhe ofiqe të majme”, shkruante gazeta “Zani i naltë” në nr.11 të viti 1937 (11). Ai shkoi krejt i bindun drejt vdekjes, duke deklaruar: “Mos m’i lidhni sytë, dua të shoh tokat shqiptare nga Çermenika e deri në Korab” dhe “në ktë vend ku unë po bi, ka qenë asht e do të jetë Shqipni”. Hoxhë Muglica nuk vdiq i ulur ne mutaf duke numruar tespiet, por vdiq në këmbë dhe u varros për së gjalli nga dora e hasmit, prandaj nuk mund te harrohet e as te anashkalohet.
Pishtari i dijes e arsimit që ndezi Hoxhë Muglica rreth 140 vjet më parë është i ndezur edhe sot. Nga familja Muglica kanë dalë mbi 15 arsimtarë në 5 breza të kësaj familje atdhetare e arsimdashëse. Por kësaj çështjeje mund t’i kthehem ndonjëherë tjetër.Përpjekjet për konsolidimin e shkollës shqipe në Okshtun nuk reshtën kurrë edhe pas Luftës së Parë Botërore. Ka pasur një rregullshmëri të admirueshme në funksionimin e shkollës në Okshtun pas Shpalljes së Pavarësisë, sidomos pas Kongresit të Lushnjes. Ishte koha kur për arsye të frekuentimit shkollat herë hapeshin e herë mbylleshin, sidomos ata që kishin më pak se 30 nxënës. Nga viti 1924 dhe deri në vitin 1934 mësues në Okshtun ishte i biri i Hasanit, normalisti Osman Muglica, i cili vdiq papritur me 5 qershor 1934. Më parë ai kishte shërbyer në Çermenikë, kryesisht në Zdrajsh, ku i ati dhe familja e tij ishin strehuar kur përndiqeshin nga serbët. Parimor siç ishte Hoxhë Muglica u pat dërguar djalin e tij atje si mësues në shenjë mirënjohjeje për shërbimet e tyre. Në vitin 1926 shkolla e Okshtunit kishte 4 klasë, ku mësonin 41 nxënës (4). Nga viti 1934 deri në vitin 1938 në Okshtun ka shërbyer si mësues Shaban Ostreni. Në të gjitha statistikat e kohës rezulton se numri i nxënësve është ruajtur konstant dhe ka pasur frekuentim normal. Në vitin shkollor 1937-1938 në shkollën e Okshtunit ishin të regjistruar 34 nxënës, midis të cilëve 5 femra, të cilat kaluan të gjitha pa mbetje. Në vitin shkollor 1939-1940 në Dibër funksionuan 40 shkolla, midis tyre dhe shkolla e Okshtunit me mësues Gafurr Rada. Mësuesi Okshtunas Tufik Balla, që kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, filloi punë në vitin shkollor 1938-1939 në Muhurr. Emri i tij figuron edhe në listën prej 37 mësuesish që u dërguan në Dibër, në “zonat e lirueme” në vitin 1940. Më vonë ai u dërgua dhe në Dibër të Madhe e në nënprefekturën e Strugës, që do të hapnin kurse për mësimin e gjuhës shqipe për të gjitha moshat gjatë periudhës së verës.
Pas çlirimit të vendit në nëntor të vitit 1944, këshillat popullore që u krijuan, mbështetur nga etja e pashuar e banorëve për shkrim e këndim dhe për dituri, hapën kurse kundër analfabetizmit e shkolla në të gjitha fshatrat e Okshtunit dhe u përgatitën edhe mjaft mësues vendas, të aftë e kompetentë. Në vitin 1946 në fshatin Prodan populli ndërtoi me kontribut vullnetar shkollën e fshatit dhe vendosi aty mësuesin vendas Rexhep Tahir Koçi. Në vitin 1985 në Okshtun kishte 6 shkolla fillore, dy shkolla 8 vjeçare, një në Okshtun të madh dhe një në lagjet e sipërme me qendër në Shulla. Kishte dhe një shkollë të mesme me drejtor mësuesin e mirënjohur të matematikës, Mentor Muglicën, që ishte stërnipi i patriotit të madh Hasan Muglica, aty te Ara e Martinit ku e pat hapur me 1904 vetë ai, mësuesi i madh.
Okshtuni ishte çerdhe mësuesish. Kur unë bëja klasën e pestë në vitin 1957 në Ostren, pata fatin të kem mësues Idriz Bibën, Selami Muglicën ( nipi I Hasan Muglicës), Muhamet Sulën, Arif Briçin nga Okshtuni dhe Jonuz Muçën nga Sebishti. Drejtori i shkollës ishte Idriz Biba, ndërsa mësuesi kujdestar ishte i mirënjohuri Halim Shehu, që kishte ardhur nga Sllova.
Okshtuni në optikën time pati disa kategori mësuesish. Një kategori mësuesish që unë po i konsideroj si ‘Elitë”, nuk punuan në Okshtun, por dhanë kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në Dibër dhe më gjerë në shkallë vendi. Po sjell disa shembuj: I mirënjohuri Idriz Biba, të cilit i peshonte truri më shumë se trupi i imtë që kishte, ishte një normalist Okshtunas, mësues i shkëlqyer matematike, shok shkolle me Selim Alliun e Xhelil Kulejmanin, pat qenë drejtor shkolle, më pas shef i kabinetit pedagogjik të rrethit Dibër dhe punoi në vitet e fundit në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Adem Sallaku nga Okshtuni i Madh punoi si shef arsimi në Shkodër e më vonë në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Arif Briçi nga Muglica ishte inspektor në seksionin e arsimit të rrethit Dibër, u dërgua për studime të larta në Vietnam dhe shërbeu shumë kohë në Diplomaci. Riza Lika, një tjetër Okshtunas, pasi kreu studimet e larta për ekonomi në B.S., shërbeu si profesor në një nga shkollat e larta të kohës, derisa doli në pension. Kështu mund të dallojmë edhe mësuesin nga Okshtuni Esat Caka (vëllai i dëshmorit Sabri Caka), që punoi si mësues e drejtor shkolle në Peshkopi. Të tillë ishin edhe mësuesit Selami Muglica e Muhamet Sula, ndërsa stërnipi i Hoxhë Muglicës , Elliott Hasan Muglica kryen aktualisht me mjaft sukses mjeshtërinë e mësimdhënies në Kanada. Edhe pse ka edhe shumë shembuj të tjerë, besoj se është e mjaftë për të kuptuar se Okshtuni dha kontribut në zhvillimin e arsimit më gjerë se territori i vet.
Ne kujtimet e veta , mjeku i pare dibran i shkolles shqiptare, dr. Ahmet Alliu, ka deklatuar: ‘ Me vone kam vazhduar shkollen unike (keshtu e quanim athehere arsimin 7 vjeçar, me vone 8 vjeçar) ne Peshkopi ku rrinim ne konvikt. Kisha shoke nga krahina ime Selami Muglicen, Esat Caken , Adem Sollakun dhe Riza Liken (per kuriozitet te lexuesit keta jane te kater nga Okshtuni). Keshtu gjate viteve 1946, 47 dhe 48 e kryem me sukses shkollen unike ne Peshkopi” (14). Te gjithe keta u bene mesues te nderuar te fushes se vet.
Një kategori tjetër arsimtarësh në Okshtun do t’i konsideroja si “Veteranë “ të arsimit vendas. Pati mësues që me kontributin e tyre ndikuan që në ndërtimin e pajisjen e shkollave dhe punuan për një kohë të gjate aty. Mësuesi Selman Koçi nga Prodani, edhe pse më parë kishte qenë nëpunës në lokalitete dhe në Qarkun e Peshkopisë, filloi mësuesinë në vitin 1951 në Borovë. Nga viti 1952 dhe deri kur doli në pension, ai punoi në shkollën e Prodanit, gjithmone me kater klase kolektive, ku përgatiti mjaft nxënës që më vonë u bënë kuadro të lartë e me reputacion në sektorët e tyre. Po paraqes vetem nje episod te mare nga libri i shkrimtarit Velo Cfarku “Mozaik episodesh e ngjarjesh , rrjedhes se Drinit te zi “. Ai kujton:…” Nje here ne nje mbledhje fshati ne Prodan, ne ate shkolle ngulur mes ahishteve shkon Sekretari i pare ( ne vitin 1967) Sul Baholli. Ulet ne tavolinen afer rrjeshtit te pare te bankave . I pranishem edhe mesuesi Selman Koçi, per te cilin kishin respekt te merituar e gjithe zona e Golloberdes dhe Dibres . Duke ndjekur me vemendje diskutimin e bamnoreve, per nje moment Sekretari i pare nxjerr stilolapsin per te shkruar diçka ne ballorin e bankes qe shkelqenin si te lyera me llake. Per çudi brofi ne kembe mesues Selmani dhe pune sekondash i kapi doren e djathte duke ja shternguar si me dare. I drejtohet me nje lutje therese : -Aman mos shkruaj ne banke! Jane 30-40 vjeçare dhe asnje nxenes nder vite nuk kane lene qofte edhe nje shenj me te vogel. Duke pare kete skene , si ne teater, ngrihet Sekretari pare ne kembe duke i thene mesuesit: “Me fal, me fal Selman!” Kur i lexova keto radhe s’ di perse mu kujtua diçka nga jeta e mesuesit Mirash Ivanaj, Minister arsimi i qeverise se mbretit Zog., aso kohe Drejtor ne gjimnazin e Tiranes. Mbreti kishte vendosur ta bente Minister dhe dergoi njerzit e tij ta therrisnin mesuesin ne takim. Ata vajten dhe e gjeten ate ne oren e mesimit. Kur i thane se e kerkonte mbreti , mesuesi qe pergjigjur : “ I thoni mbretit une nuk mund te vij, une jam ne mesim , le te gjeje ndonje kohe tjeter dhe vazhdoi oren e mesimit”. Kohet dhe vendet ndryshojne , por mesuesit dhe portretet e tyre ngjasojne.
Mësuesi Hysen Sallaku shërbeu për një kohë relativisht të gjatë në shkollën e Okshtunit të Madh, derisa doli në pension. I tillë ishte edhe mësuesi Bilal Salku, i cili bëri dhe nëpunësi të tjera, por që mësues punoi pa u lodhur në shkollën e Okshtunit të Vogël. Më pas ai u transferua në Tiranë, ku përfundoi studimet e larta dhe u bë një mësues e historian i mirënjohur në Tiranë e më gjerë. Figura të tilla të arsimit në Okshtun kanë qenë edhe Jashar Stoku, Hysni Imeri, Mersim Biba e mjaft të tjerë. Për rreth 30 vjet dha kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në Okshtun , i paharruari Mentor Muglica, nipi i Osmanit dhe stërnipi i Hasan Muglicës. Nxënës e sportist shembullor, ai u bë promotor i zhvillimeve në Okshtun. Ishte mësues, kryetar i Këshillit të bashkuar, sekretar i byrosë dhe drejtor shkolle. Ai shkëlqeu si mësues matematike, por dhe si organizator, gjahtar e sportist i talentuar. Të gjitha përparimet e arsimit në Okshtun gjatë dekadave të fundit para vitit 1990, kanë mendimin dhe firmën e tij. Vitet e fundit ai u transferua e dha kontributin e tij në Tiranë. Mjerisht u nda nga jeta para kohe me 8 shkurt te vitit 2017. Punen ne arsim e vazhdon me dinjitet ne Tirane bashkeshortja e tij Lefteria dhe vajza e Mentorit Vilma Muglica qe perfaqeson brezin e peste pa shkeputje te arsimtareve nga familja e te pa harruarit Hasan Muglica.
Edhe mësuesi Hamdi Koçi, që shërbeu herë si mësues e herë si drejtor, ka kontributin e vet të pacenueshëm sidomos në Okshtun të Vogël. Për një kohë relativisht të gjatë shërbyen edhe mësuesit Idriz Koçi, Lefteri Muglica, Nafije Koçi etj. Në gjeneratën e më të rinjve, duke ju kërkuar falje se mund të kem harruar ndonjërin , bëjnë pjesë edhe Dashurie Gega në Oreshen, Jashar Koka në Plepe, Flutra Balla , Atlie Balla e Shqipe Balla, Besnik Ceni e pa dyshim mësuesi I talentuar Osman Sallaku etj.
Okshtuni pati dhe mjaft mësues të ardhur nga krahina e rrethe të tjerë. Kontributi i tyre nuk mund të mohohet kurrsesi. Para vitit 1952, pasi u largua për në Elbasan, mësuesi Rexhep Tahir Koci, në Prodan erdhën Xhemal Baxhaku nga Elbasani dhe Ramadan Duka nga Qafë Murra. Okshtunasit u janë mirënjohës mësuesve Naxhi Hasa, Muharrem Bardhi e Drita Bardhi, Shemsi Ceka, Lutfi Cami, Zihni Methasani, Fais Gjeleshi, Tahir Veliu, Selim Meziu, Shazimir Koci, Bari Sejdini etj. Gjenerata të tëra ish nxënësish i përmendin me respekt të veçantë Naxhi Hasen, Shemsi Cekën, Zihni Methasanin, Ramazan Pikun e mjaft të tjerë, për punën aq me pasion që zhvilluan në Okshtun për arsimimin e brezave. Një nga ish nxënëset e shkollës së Okshtunit, që më vonë u shkollua, u bë mësuese, që punoi mbi 7 vjet në Okshtun dhe më vonë si e tillë derisa doli në pension në rrethin e Lushnjës, tregon se kur në klasën tonë me më pak se 30 nxënës erdhi një ekip i seksionit të arsimit të rrethit Dibër, klasa mori 17 nota 10 në lëndën e matematikës ku jepte mësim me pasion mësuesi Ramazan Ilnica.
Kohët e fundit shfletova një material voluminoz mbi problemet e arsimit në Dibër. Më duhet ta komplimentoj autorin për punën e madhe që ka bërë dhe përpjekjet për të sjellë sa më shumë material mbi këtë problem. Megjithëse autori i këtij punimi është një miku im i kahershëm, po veproj sipas parimit: “Mik e kam Sokratin, por më mik kam të vërtetën”. Meqenëse si metaforë autori ka përdorur termin “…në hulli të historisë…”, më duhet t’i them se hullinë bujku i mirë dibran e ka nxjerrë gjithmonë deri në qosh të arës. Ai është dalluar pikërisht për atë që i ka punuar po aq mirë cepat e arës së tij, ashtu siç edhe mesin e saj dhe të gjithë cepat njësoj. Bëra përpjekje që të gjej disa nga faktet që kam paraqitur më sipër lidhur me historikun e arsimit në Okshtun, por hasa vetëm në disa të dhëna jo krejtësisht të plota. Duhet t’i kujtoj lexuesit edhe faktin që bëhet fjalë për një zonë jo vetëm arsimdashëse, por edhe në kontakt fizik e gjeografik me treva të tjera si Elbasani, Tirana, Kruja, Mati. Kjo ka pas ndikimin e vet jo vetëm në zhvillimin e arsimit, por edhe në gjuhën e folur që ka theks përafrues me atë të Shqipërisë së Mesme, përndryshe nga zonat fqinje. Boll të përmendim faktin se fshati me jugor i Okshtunit, Prodani, është i baraslarguar nga Elbasani po aq sa nga Dibra e Madhe, ndërsa Tiranën këmbësorët e dikurshëm e kanë bërë edhe brenda një dite vajtje e ardhje.
Është e nevojshme, gjithashtu, të përmendim faktin se Okshtuni ka pasur një muze për arsimin, besoj i vetmi në rrethin e Dibrës, të vendosur pikërisht aty në fshatin Muglicë, ku lindi, jetoi, punoi dhe ra atdhetari i madh Hasan Muglica. Ndër figurat e shquara të arsimit dibran këtë personalitet të madh të arsimit kombëtar nuk e gjeta në materialin e sipërcituar. Muzeu i arsimit në Muglicë nuk është më. Një stuhi jo natyrore që kaloi atyre anëve e fshiu atë dhe shumë dokumente të afishuara aty që kam pasur rastin t’i shoh me vëmendje disa herë. Por historia është aty. Shkëmbi i patës, Livadhet e Muglicës, Miligjanja, Kodra e Xhengut, Ara e Shermetit ku ra hoxhë Muglica aty janë. Shoku i Abdyl Frasherit, Iljaz Pashë Dibrës, Vebi Agollit, Ndre Mjedës e Luigj Gurakuqit, bashkëstudiues me Nikollë Kaçorin e Gjergj Fishtën e shumë të tjerë, Hasan Muglica është aty. Ndoshta edhe stërkalat e gjakut që u shpërndanë nga trupi i tij pas batares së armëve të armiqve të gjuhës shqipe e të trojeve shqiptare janë aty përmbi gurët e murrmë te Ara e Shermetit.
Si një intelektual dhe djalë i një mësuesi veteran, por dhe si njeri që punova rreth 25 vjet në arsim, u formova e vlerësova edhe në fushën e arsimit me tituj e ndere, nuk mund të mos them një të vërtetë të qartë e të pamohueshme se jo vetëm historiku i arsimit dibran, por as historiku i arsimit kombëtar shqiptar nuk mund të bëhen pa i dhënë vendin e vet Hoxhë Muglicës dhe Okshtunit malor, por arsimdashës. Për të gjitha kontributet e tij Hoxhë Muglica është shpallur në vitin 2000 “Dibrani i shekullit”, duke konkurruar pikërisht me figurat e shquara të epokës së vet (9). Një histori e ngjashme me atë të Hoxhë Muglicës për një patriot tjetër ka shërbyer si subjekt për filmin e mirënjohur “Udha e shkronjave”. Me jetë e pagoi edhe patrioti okshtunas dashurinë për gjuhën shqipe, për shkronjat dhe trojet shqiptare. Duhet të jemi objektivë në trajtimin e figurave të tilla madhore të historise sonë kombëtare. Asnjë harresë nuk mund ta zbresë atë nga piedestali i lavdisë dhe historisë së arsimit kombetar ku jeta dhe vepra e tij e lartësoi dhe e vuri për të mbetur përjetësisht aty. Pse jo, edhe për patriotin dibran të mos ketë filma e botime të tjera, veç atyre që tashmë njihen. Për të mund të shkruhet si strateg ushtarak, si diplomat, si inxhinier që la vepra, si klerik i zoti, por jo fanatik, si udhëheqës i administratës shtetërore që edhe në kushtet e tij dinte ta vinte në shërbim të njerëzve, si figurë popullore që siguronte unitetin e njerëzve, dinte t’i printe e t’i çonte me një fjalë goje në luftë dhe plot gjëra të tjera. Largimi i shumë banorëve të Okshtunit nga trojet e veta në zona të tjera për një jetë më të mirë, nuk duhet t’i largojë ata nga varret e të parëve, nga historia dhe lavdia e Okshtunit. Posaçërisht për ata dhe për të rinjtë po i shkruaj këto radhë.