Fjalë e frazeologjizma të rralla


Frazeologjizma të rralla

E ka kullot’: E ka kullotur. E ka bërë jetën e vet. Përdoret dhe për të treguar dikënd që e ka shfrytëzuar mirë detyrën. Kullote, kullote thuhet për dikënd që shfrytëzon një detyrë që i është dhënë.
I delë shqemash: Thuhet për dikë që nuk ruan asnjë normë, rrugaç.
E brenëj: E branoi / e brenoi, i kaloi brenë / branë sipër. I brenue në muhabet quhet personi që humb në një dialog a replikë në dhomën e burrave. I brenue quhet ai person që është i detyruar dhe pranon kushtet e tjetrit.
Ra squk: Kur dikush që tregohej i fortë dorëzohet. Ra squç, u dorëzua. Squç bien çerepi dhe saçi, kur u digjen drutë dhe buzët e tij zënë në tokë dhe fiket edhe zjarri.
M’njën e vet’ton: Mëgjon e veton, gjëmon e vetëtin. Mëgjon, metatezë e gjëmon. Thuhet për dikënd që bërtet pa vend.
Deth e desh: Dathë e deshë, zbathur e zhveshur: I kam rrit fëmijët dath e desh, me vuajtje të mëdha.
Ataj o bir: Aty o bir. Përdoret në ligjërimin gojor kur duam të tregojmë lëvizjen nga një vend në një tjetër. Pasi mora vesh, ia futa ataj o bir e në bjeshkë. Prej aty e …
Sa k’tu e n’: Sa këtu e deri në … Përdoret për të treguar ndonjë largësi a gjatësi.
Hap karrajk: Kemi mbetur keq, as këndej as andej. Hap karrajk, kur puna në avlëmend ngec.
Eh, krahanjëmi i shok’e: Eh, karahnjomi i shokëve. I thuhet dikujt që njihet si njeri i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. E kundërta e krahëthatë, që përdoret për dikënd që nuk i vlen puna. Një gjinore shumë interesante, njësoj si i emrave të fiseve: i shoke në vend të shokëve.
Tek a tek: Një për një.
Tiç e përtim: Tërhiq e përtërhiq. Një zënkë e gjatë. Nuk rrihet ma tiç e përtiç.
Ven e le: Vendos dhe lër. Përdoret kur duam të tregojmë se dikush i ngjan dikujt tjetër. Ai ishte, ven e le , si i ati. Del dhe në formën: marrsh e vufsh.

 

Fjalë të rralla

►c’nok: Prek pakëz dikë, diçka. Makina nuk është dëmtuar, vetëm është cnok pak. Çabej jep dy forma për kuptimin prek lehtë(241): cok dhe cek. Këtu me siguri nga cok – cnok.
►cokat: Përdoret për të shenjuar veprimin që bëhet në rastet kur ngordhin qingjat ose kecat: para se ti hidhen, i cokatim pak në fyt. Fjala cokat lidhet me formën cok (si më lart). Kingjin e cokata dhe e hodha.
►cikth: Maja e mullarthit, tek pjesët e mullirit, pjesë prej hekuri me formë konike. Mulliri nuk punon pasi është prishë cikthi. Fjala cikth shërben për të emërtuar edhe shpirtërat e të vdekurve, që vijnë në mbrëmje përqark shtëpive duke cicëruar. I një burimi dhe kuptimi me cifun, pjesa që mbledh ujin për ta dërguar me forcë në fletët e mullirit.
►cakërr: Ka kuptimin ngreftë, krekosun. Me fjalën cakërr janë formuar edhe fjalët cakrroj, cakrruar. Bimët janë cakrrue (janë ngjallë, forcuar); Hajde, cakrroma gotën (pop.).
►car: Përveç kuptimeve tek Çabej, kjo fjalë shërben ka dhe kuptimin u thamë, mërdhihëm: u carȃmë nga të ftohti, por edhe u carȃjtëm.
►celinë: Një llojë toke argjilore joprodhuese. Tokë celinë. Jo si tek Çabej për fjalën calinë – celinë.
►cupajt: Ka kuptimin vë në shenjë: Mori pushkën dhe iu cupajt dhelprës.
►cigon / ʦigɔn / cígon-i: Fëmijë i lëvizshëm.