Takimi me belanë


Populli, kur do ta nëmi dikë, i thotë: “Të daltë mendja mbi kësulë”, domethënë, “T’u rrittë mendja!”. Një burri i ishte rritur mendja aq shumë, sa e mbante veten më trimin e më të mençurin e krahinës. Dilte rrugëve të katundit dhe thërriste: “Oj bela, ku je?!” Kur nuk e gjeti në katundin e vet, doli me e thirrë nëpër vende të tjera. Takoi në rrugë një burrë, i cili u habit kur dëgjoi që thërriste ashtu.
Ky ishte Hizri mrekullibërës. E shndërroi burrin në gomar. I hipi dhe ra një teposhteje. Hasi në do punëtorë që ndërtonin një urë. Ata ia kërkuan gomarin me qira për një muaj, por ai ua la pa asnjë lekë.
Punëtorët nuk e lanë një minutë të pushonte: i vunë arkat dhe e çuan për rërë. Pjesën tjetër të ditës mbajti gurë. Kështu, çdo ditë: rërë – gurë, gurë – rërë, pa pushuar. Nuk donin ta mundonin, por ashtu ishte puna. Edhe vetë punonin shumë. Gomari u tret dhe u dobësua aq shumë, sa të vinte keq kur e shikoje.
Ditën që mbaroi ura, i zoti i gomarit, sikur ta kishin lajmëruar, erdhi te punëtorët. Nuk priti as ta falënderonin, por i hipi gomarit dhe u nis për udhë. Nata e zuri tamam në katundin prej të cilit ishte gomari. Shkoi pikërisht te shtëpia e tij. Kafsha, sa hyri në oborr, lëshoi një pallmë të fuqishme. Doli gruaja për të mësuar ç’ishte ajo pallmë në oborrin e saj. Gomari bëri hov t`i hidhej në qafë. I zoti e largoi nga dera me zor dhe i tha gruas:
Mos ke vend, moj zonjë, për këtë gomar ta lë sonte këtu. Do shkoj deri në qytet dhe vij e marr nesër.
Vend kam sa të duash, – i tha gruaja. – Më fal, jam grua pa burrë se do të të ftoja në shtëpi…
Do të shkoj në qytet, të thashë. Ti vetëm më rregullo gomarin.
Gruaja e tërhoqi për litari gomarin ta fuste në ahur të bagëtive, por ai nguli këmbët në tokë nuk lëvizte, edhe pse ishte kockë dhe lëkurë. Bënte hov nga dera e shtëpisë dhe donte të hynte brenda.
Jo këtu, jo këtu, – i thoshte gruaja dhe e tërhiqte nga ahuri.
Kur ai, me gjithë tërheqjen nuk luajti nga vendi, ajo kapi një thupër thane dhe ia zhamreti aq fort, sa i mbetën vijat e thuprës në shpinë e në vithe.
Në mëngjes erdhi i zoti dhe bashkë me gruan hynë në ahur me marrë gomarin. Kafsha kishte kundërshtuar për të hyrë në ahur, por, për të dalë, e kishte ndarë mendjen të dilte vetëm i ngordhur. Gomar për gomar, deshi t’i shërbente shtëpisë së vet. I zoti e kapi për litari dhe e tërhoqi sa mundi, kurse gruaja e shtyri për nga dera. Po luante ai! Kockë e lëkurë, por këmbët i kishte të forta.
– Kap drurin, kap drurin, se nuk merr vesh me të mirë ky.
Gruaja, se ku gjeti një thupër thane të trashë dhe bjer e bjer aq sa gomari, me gjithë qëndresën heroike, doli në oborr. I zoti i hipi dhe e çoi pikërisht tek ai vendi ku ai pat kërkuar belanë dhe e gjeti. Hizri bëri një dua dhe gomari u shndërrua prapë në njeri, siç kishte qenë.
– Hë, si t`u duk belaja? – e pyeti Hizri.
Tashmë nuk ishte ai xhagadurri e kapadaiu që nuk bëhej fjale me të, por një njeri i telendisur, që mezi rrinte në këmbë.Tha:
Nuk tregohet ç`kam hequr! Mbase një ditë do t`i harroj të gjitha vuajtjet, veç dajakun që më ka dhënë gruaja, nuk kam për ta harruar kurrë…

(Marrë nga libri “Tregime alegorike” i Xhafer Martinit, Botimet M&B, Tiranë, 2019)
Librin mund ta gjeni duke kontaktuar pranë librarisë së botimeve M&B, rrjetit të librarive Adrion ose libraria Art’s te stacioni i trenit në Tiranë.