Borxhin ta ktheva vendlindje


Kërkimi në kujtesën e të gjallëve dhe të të vdekurve, duke ndjekur gjurmët e breznive në kohë, është një nga misionet më kuptimplotë të njeriut në jetë, pasi pa e ditur se nga ke ardhur, nuk mund të dish as ku je e as ku do të shkosh. Sidomos në moshën e autorit të këtij libri, Shaqir Skarra, por dhe në moshën time, ky kërkim kthehet në një model verifikimi të ndodhive dhe rrëfimeve të atyre që kanë ardhur gjer në kohë-hapësirën e brezit tonë si mesazhe vazhdimësie dhe përjetësie.
Duke lexuar këtë libër, rresht pas rreshti, pasazh pas pasazhi e kapitull pas kapitulli, bindesh se autori ka bërë një punë serioze, me pasion e përkushtim, për të na përcjellë historinë e një fshati, vendlindjes sonë të dashur, të cilit i ka mjaftuar vetvetja për të mbijetuar dhe përcjellë mesazhe nëpër kohë, gjer në ditët tona.
Shumbati nuk është një fshat i zakonshëm e për rrjedhojë dhe ky libër për të, shkruar me aq ngrohtësi e dashuri nga autori Shaqir Skarra, nuk është një libër i zakonshëm. Ndaj dhe përgjegjësia ime për të bërë një punë kualitative, redaktoriale, mori një dimension tjetër. Sa më shumë shtyhesha në rrjedhat e ngjarjeve të trajtuara në këtë libër, të personazheve të gjallë e të vdekur, të kujtesës së gurëve, pemëve, trajtave toponomastike, që rrëfejnë një narrativë ngulmimi autokton, aq më shumë kuptoja se përveçse një lloj manuali njohës e reflektues mbi udhëtimin e një fshati në kohë, ky libër është dhe një monografi me vlerë për luftën e njeriut të thjeshtë për të mbetur krenar në ngulmimet e tij, në etjen e tij për të ndryshuar rrjedhat e vështira dhe të pamundura, në favor të një jete më të mirë, më dinjitoze dhe më kuptimplote.
Gjurmët e Shumbatit në histori shtyhen thellë në qerthujt e kohës, deri në Antikitetin e largët, edhe pse gjurmimi shenjor i tyre, me anë të dokumenteve shkrimorë, është realitivisht i vonë. Duke qenë pikë kalimi jo vetëm për trevën e Dibrës, por dhe më gjerë, këtu kanë kaluar ushtri të huaja e vendase, mbretër, komandantë e strategë ushtarakë, janë bërë beteja e luftëra të stuhishme, si Beteja e Torviollit, e cila ka hyrë në analet më emocionuese të lavdisë shqiptare, duke dëshmuar në shekuj shpirtin e qëndresës së pathyeshme për liri dhe dinjitet shoqëror.
Shumbati është një fshat model i urtësisë dhe mençurisë së përcjellë në mexheliset e odave shumbatase, i filozofisë së të drejtës, e cila nuk e ka humbur kurrë orientimin, edhe në kohët më të vështira, kur e drejta dukej se nuk ekzistonte dhe shpërfytyrimi e degradimi qenë ngritur në sistem.
Shumbatasit janë njerëz punëdashës, me intuitë të mprehtë, me kurajë e shpirt qëndrestar, për të përballuar sfidat dhe për të shtruar rrugët e zgjedhjeve dhe zgjidhjeve më të mira të mundshme.
Ky libër përcjell sagën e fiseve të një fshati që e duan jetën dhe në emër të saj, të vlerave më qenësore të ekzistencës njerëzore, si nderi, dinjiteti, besa e bujaria, kanë sakrifikuar e vazhdojnë të sakrifikojnë, pasi një jetë e vlefshme dhe kuptimplote për t’u jetuar nuk mund të ketë kuptim pa këto kode të forta të ekzistimit njerëzor.
Shumbatasit i shohim në këtë libër si luftëtarë të angazhuar në të gjitha luftërat për liri e mëvetësi, si bartës të mendësive më të përparuara të kohës, si njerëz që dinë të respektojnë mikun, shokun, fqinjin, dinë të mbështesin të tjerët në nevoja ekzistenciale, në kushtrime lufte e qëndrese, si punëtorë duarartë dhe mentarë të odave e mexheliseve.
Autori përpiqet të vendosë pikat mbi “i” për ngjarje, episode të ardhura nga koha në kohë, nga brezi në brez, protagonistë, fise, tradita e kode zakonore, shenja të tjera ekzistimit të një fshati, që nga ngulmimet e para në kohë-hapësirën e fillimit, kur shfaqen më së pari gjurmët e tij dhe gjer në ditët e sotme.
Në shpalimin e gjithçkaje shpirtërore, që nga kultura e mikpritjes gjer tek ushtrimi i riteve, zakoneve e traditave të ardhura brez pas brezi, Shumbati është krejt i veçantë dhe shpreh mendësinë e një fshati që di të respektojë vlerat, di të ndërtojë jetën dhe të shijojë mirësitë e natyrës dhe universit.
Autori depërton në shtresimet e mendësive dhe psikologjisë shumbatase, që kanë vënë në veprim mekanizmin e jetës në këtë fshat të madh, me një etje të pashuar për dinjitet njerëzor.
Në këtë këndvështrim, kuptimshmëria e rrëfimeve të Shaqir Skarrës në këtë libër janë të ngrohta, të vizatuara lehtë dhe të spërkatura me nuanca të imëta nostalgjie e malli, çfarë është më se e natyrshme për dikë që niset në një “aventurë” shkrimore drejt rrënjëve të vendlindjes, të cilat janë rrënjët e tij dhe të të gjithë ne të tjerëve, që jemi pjesë e tyre, pjesë e një sage krenarie dhe dashurie njerëzore, me emrin Shumbat.
Përshkrimet e gjalla, të detajuara imët, me një narrativë të ngrohtë e stil të zhdërvjellët, ku zotërojnë fjalitë e thjeshta, me rezonancë komunikimi sa më të gjerë, e bëjnë këtë libër të lexohet me një frymë, me kureshtje dhe dëshirë reflektimi.
Në libër ka momente prekëse dhe emocionuese, siç është, bie fjala, rezistenca e organizatës bazë të partisë së Shumbatit, e cila në unison me banorët e tjerë të fshatit, edhe pse nën survejimin famëkeq të Sigurimit, bënë një qëndresë të fortë, për të mos lejuar kthimin e fshatit nga ndërmarrje bujqësore, siç ishte, në kooperativë. Edhe pse mekanizmat e kohës ishin diabolikë dhe, siç thotë populli: “Murit me kokë nuk i bihet”, ky akt tregon se për shumbatasit, bashkëjetesa në harmoni dhe në interes të përbashkët të gjithsecilit, qëndronte më lart se çdo ideologji dhe direktivë e kohës.
Autori duhet përgëzuar për punën me përkushtim e përgjegjësi që ka bërë në shkrimin e librit, në qëmtimin dhe përcjelljen e fakteve dhe detajeve jetësore e historike, me një gjuhë të thjeshtë e të kapshme nga të gjithë.
Secili fis, secila familje, gjithkush që ka një kontribut sado modest në fisnikërimin dhe lartësimin e emrit të Shumbatit, zë vend në faqet e këtij libri, të shkruar me zhdërvjelltësi e ngrohtësi, të shkruar, si i thonë asaj fjalës, me zemër në dorë.
Ky libër duhet të jetë një libër tavolinë për çdo familje shumbatase, për çdo shumbatas, kudo që ndodhet, në vendlindjen e tij të rrënjëve e degëve apo në treva të tjera të atdheut, urbane a rurale qofshin, në emigracionin e vjetër a të ri, në diasporë e gjetkë… Por ia vlen ta kenë si libër shtëpie të gjithë ata që duan të njohin më në gjerësi e më në thellësi historinë e trojeve tona etnike, nëpërmjet dyerve, fiseve e fshatrave më në zë, histori e përgjithshme kjo, ku rri me aq natyrshmëri e dinjitet historia e veçantë e Shumbatit, përcjellë nga autori Shaqir Skarra.