Hide Kaloshi, profili i një gruaje fisnike


Kur punon në një shtëpi botuese dhe librari, pra, kur je rrethuar nga librat, kur merresh gjithë ditën me redaktime dhe korrigjime, e ke të vështirë të orientohesh për të lexuar libra të mirë, që të të nxjerrin nga përditshmëria e mërzitshme.
Megjithatë, unë e bëj këtë duke u nisur nga autorët. Dhe Xhafer Martini është njëri ndër tyre, i cili në orientimin tim letrar është ai të cilit i kushtoj kujdes në lexim dhe në atë që ai përfaqëson për mua apo dhe për shumë lexues, jo vetëm dibranë.
Në librarinë tonë ky autor është i pranishëm me të gjithë librat e tij. Më kishte rënë në sy vazhdimisht libri me titull “Tempulli i dashurisë”, në kopertinën e të cilit ishte portreti i një gruaje, me sytë që të vështronin në mënyrë magjepsëse, por përveç kopertinës, nuk kisha mundur ta shfletoj. Gjatë redaktimit të librit “Pedagogjikja – Personalitete”, u ndesha me këtë zonjë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me historinë e saj, madje, e dyzuar nëse autori e kishte përshkruar siç ka qenë apo e ka lartësuar atë më shumë se ç’duhet, ia shpreha dhe autorit këtë shqetësim. Ai më sugjeroi të lexoja librin “Tempulli i dashurisë” dhe do të bindesha akoma më shumë se çfarë përfaqësonte Hide Kaloshi dhe kohën në të cilën ajo kishte jetuar.
Kur fillova ta shfletoj, u ndodha para një të papriture të këndshme: libri më rrëmbeu që në faqet e para dhe nuk e hoqa nga dora derisa e mbarova. Më ka lënë mbresa. Nuk më kishte ndodhur më parë që një libër i këtij zhanri të më tërhiqte aq shumë.
Protagonistja jetësore, njeriu për të cilën shkruhej, rrezatonte dritë dhe mençuri. Në jetë njeriu varet nga këndi që e shikon. Shkrimtari e ka vënë atë në ato pozicione artistike ku ajo lëshon një dritë të butë dhe të këndshme dhe të shkakton shumë emocione njerëzore. Jeta e kësaj gruaje është shumë interesante, edhe pse ka jetuar gjithnjë në zonat më malore të Dibrës, siç janë Sllova dhe Sina. Në tërë pamjen dhe sjelljen e saj ka diçka fisnike, tipike malësore, tipike shqiptare. Jeta e saj kaloi nëpër dy faza: faza e parë, e mrekullueshme e fëmijërisë dhe e rinisë, pastaj faza tragjike e moshës mesatare dhe e pleqërisë. Ajo i bashkon këto faza në një të tërë: atë nuk e hutoi as begatia dhe madhështia e shtëpisë ku lindi, por as nuk e tronditi dhe e rrëzoi tragjizmi i derës ku jetoi. Tiparet më të qenësishme të karakterit të saj janë qëndresa, urtësia, mençuria, bujaria. Nuk besoj të ketë grua tjetër, me jetën e saj, që t’i ketë manifestuar këto cilësi si ajo.
Unë e konsideroj si një fat jetësor dhe artistik që kësaj gruaje i ka kushtuar një monografi shkrimtari Xhafer Martini. Po ua prezantoj: Është fjala për Hide Kaloshin, (Ndreun), e bija e Elez Isufit, gjeneralit me shajak.
Pena mjeshtërore e autorit na njeh shkurt, por saktë, pa asnjë teprim, me dy familjet më të shquara të asaj kohe, me Kaloshët dhe Ndretë. Mbasi kjo gjë bëhet në masën e duhur dhe me mjaft mjeshtëri, flitet për “gjeneralin me shajak”, Elez Isufin, për familjen e madhe të Ndreut që kishte tetëdhjetë vetë brenda. Nga këto, rreth pesëmbëdhjetë ishin vasha të mëdha, belikore, që kishin kapur moshën e martesës. Ishte një befasi e këndshme, shumë e këndshme për mua, kur mësova se Elez Isufi, megjithëse shumë i zënë me veprimtarinë e tij atdhetare, gjente kohë dhe kujdesej edhe për edukimin e vajzave të kësaj familjeje, madje jo vetëm të Ndreve, por edhe të fshatarëve të tjerë përreth. Për herë të parë mësova se arsimi në shqip nuk ka filluar me ndonjë shkollë tjetër, por me shkollën femërore të vajzave të Ndreut, shkollë, e cila ishte origjinale, e papërsërishtme, krejt e veçantë, se aty nuk mësohej me libra e me fletore, nuk kishte asnjë mjet mësimi dhe asnjë orendi mësimore; aty nuk shkruhej dhe nuk lexohej. Ajo ishte Shkolla e Fjalëve. E kisha ndeshur edhe më parë nëpër librat e Xhaferit këtë togfjalësh, por e kisha kuptuar si metaforë. Por nuk ishte metaforë: ishte një shkollë e vërtetë, e një lloji të veçantë, dhe autori nuk e kishte shpikur nga mendja e vet, por e kishte ndeshur në realitet.
Autori i këtij libri, Xhafer Martini, që e ka njohur personalisht Hide Kaloshin, është mahnitur nga dijenitë dhe personaliteti i saj edhe kur ishte në moshë të shtyrë. Ajo mund të recitonte vargje nga Lahuta e Malësisë dhe nga vepra të tjera të Naimit, Pashko Vasos e të tjerë.
Libri është shkruar në vetën e parë, por me vetë të alternuar, me çka duhet kuptuar se një kapitull e “shkruan” vetë Hidja, një kapitull tjetër e shkruan, fjala vjen, një nga vëllezërit e saj, dijetari, Xhelal Ndreu, një e shkruan djali i saj, Fehmi Kaloshi, e kështu me radhë. Kjo i jep veprës larmi dhe bukuri stili, dinamizëm dhe freski. Hidja shikohet nga shumë anë, jepen shumë profile të saj nga njerëzit që e kanë dashur dhe e kanë njohur më mirë. Hidja tregon se Elez Isufi nuk kishte në “oborrin” e tij vetëm Hoxhë Kallën, por edhe njerëz të tjerë të shkolluar fort mirë si Osman Myderizi, Abdulla Çanga, Ismail Strazimiri; tek ai ishin miq të përhershëm burra të shquar të asaj kohe, atdhetarë dhe mendjendriturit, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Islam Spahia, Ahmet Zogu, Hoxha Kadria, Aqif Pashë Elbasani, Seid Najdeni, Mehmet Pashë Deralla, Iljaz Pashë Dibra, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Në këtë mjedis u rrit dhe u edukua Hide Ndreu. Zoti ia kishte falur mendjen dhe bukurinë.
Me punët e shtëpisë nuk merrej vetë Elezi, se ai ishte mik në shtëpi. Merrej i biri, Ceni. Ai kishte në dorë edhe fejesën dhe martesën e vashave të Ndreve. E kërkonin gjithandej Hiden se kishte nur, bukuri dhe hijeshi, kishte dituri më shumë se burri më i ditur, sa vetë Elez Isufi konsultohej me të dhe nuk bënte asnjë punë të rëndësishme pa marrë mendimin e saj. Më në fund, Elezi ia preu Cenit: “Me Hiden mos u merr, do ta fejoj vetë. Bile e kam fejue.” “E ku e paske fejue?” – e pyeti Ceni. “Te Selim Kaloshi i Sinës!”
Kur Elez Isufi shpëtoi nga rrethimi që i kishin bërë serbët në kullën e tij, ra poshtë në Dardhë, në shkulmin e dimrit, me gra dhe me fëmijë. Kullave të tij u doli tymi. Ka qenë shumë interesante se si ai shpëtoi nga serbët, se si u iku, “për duarsh”, si thuhet, por këtu nuk ka vend për të treguar gjithçka. Familja e tij mbeti jashtë, në cikmën e dimrit të egër. Ai ishte Elez Isufi dhe kishte shumë miq e dashamirë, por nuk ishte kollaj të strehosh tetëdhjetë frymë për një dimër e për më shumë, derisa të bëheshin prapë nga themelet kullat në Sllovë. Nuk dihej sa vjet duheshin për t’i ndërtuar prapë. Pastaj, a do ta lejonte serbi një gjë të tillë, se ja, ai ishte maleve. Ndërsa fjalëtorët e tij po ktheheshin të mërzitur, sepse miku tek i cili i kishte adresuar Elez Isufi, nuk e kishte mbajtur barrën e rëndë, u doli në rrugë një djalë i ri, njëzetvjeçar, që i pyet: “Çfarë halli u paska nxjerrë në këtë shkulm dimri?”. Ata ia tregojnë. Selim Kaloshi, pa u menduar fare, u thotë: “T’i bani selam Elez Isufit, që, me bukë e me groshë, siç ha vetë e robt’ e mi, e mbaj familjen e tij jo nji dimën, por disa dimna”. Dhe Elezi atij ia shkarkoi familjen në derë. Midis njerëzve të shtëpisë ishte edhe Hidja, atëherë katërmbëdhjetë vjeç, që sapo kishte “lulëzuar”. Sa bukur i jep shkrimtari Martini këto marrëdhënie! Ai zgjon parandjenja njerëzore. Për këtë arsye, Elez Isufi e bëri dhëndër Selim Kaloshin e Sinës.
Ngjarjet rrjedhin dhe erdhi lufta nacionalçlirimtare. Ndretë u bënë me komunizmin. Vatra e komunizmit në Dibër ishte Ndreu. Dali Ndreu, djali i Isuf Xhelilit, u bë gjeneral, Esat Ndreu, kolonel; të gjithë Ndretë mendonin se i pret një e ardhme e ndritur: kishin qenë dhe do të ishin. Kishin qenë të fortë dhe pasanikë, do të bëheshin më të fortë dhe më pasanikë. Por Hidja e kishte zemrën akull. Ajo nuk u besonte komunistëve. Nuk mund të donin komunistët pasardhësit e Elez Isufit, i cili ishte shpallur “gjenerali me shajak” nga populli i Dibrës pikërisht për luftërat heroike që kishte bërë kundër forcave serbe dhe jugosllave. Zemra e Hides ishte e ndjeshme, intuita e saj ishte e jashtëzakonshme. Kur Dali Ndreu kaloi me brigadën e tij nga Sina, në dimrin e vitit 1943, gjeti rastin të shkonte te Hidja dhe të bisedonte me të vetëm për vetëm. Kur po e përcillte, Hidja i tha: “Or Dali, nuk asht rruga jote kjo.” “Si nuk qenka rruga ime, oj Hide. Jam gjeneral. Kam luftue për këtë ditë”. “Lufto sa të duesh, or Dali, je i biri i Sufë Xhelilit, që ka vrarë me qindra serbë. Nuk mund të ulet serbi në një sofër me ty!”. Por Daliu nuk e dëgjoi dhe e gjeti ajo që e gjeti: Enveri e pushkatoi me gjithë grua, e cila qe shtatzënë.
Cen Elezi u kujtua vonë që ishte i biri i Elez Isufit. Doli në mal së bashku me djemtë dhe nipat. Po ku të shkonte? Ishte i rrethuar nga të katër anët. Komunistët, megjithëse e ndiqnin natë-ditë për ta futur në dorë, nuk ia arritën: ishte dhelpër dhe luan Ceni. Një natë para se ta ndante mendjen për ta lënë atdhenë, ishte mik te Hidja. Kjo i tha:
– Or Cen, e shikoj se e ke nda mendjen me hikun, por nga do të dalësh?
– Nga dilet, oj Hide. Nga Korabi.
– Nuk ka dalje nga Korabi për të birin e Elez Isufit.
– Jam marrë vesh, oj Hide. Mos kij merak. Nuk janë ma ato kohna. Tani jugosllavët janë prishur me Enverin dhe mua do më pranojnë si kundërshtar të tij.
Vërtet Ceni kishte dërguar njerëz në Jugosllavi, kishin rënë dakord që ai të dilte matanë dhe të trajtohej si refugjat politik, si kundërshtar i rreptë i Enver Hoxhës ndaj të cilit, me gjithë djem e nipa, kishte vite që po luftonte.
– Nuk ka besë serbi, o Cen, – i tha Hidja.
Po Ceni i zuri besë serbit dhe tani dihet se atë e lanë të vdiste nga uria në kalanë e Shkupit.
Në këtë monografi Hidja jepet në shumë plane, ndësa Selimi, bashkëshorti i saj jepet me shumë në procesin e gjykimit që iu bë atij.
I doli borxhit Hidja edhe të shoqit, Selimit. Atë e arrestuan dhe e dërguan në Peshkopi, ku e mbajtën gjashtë muaj në hetuesi. E lëshuan për mungesë provash, se Selimi, në fakt, nuk kishte bërë asgjë kundër partizanëve. Hidja i tha:
– Mos u beso komunistëve se do të vijnë prapë të të marrin.
– Ishte akuzë e rreme, oj Hide. Më kishin ngatërrue me Selim Kaloshin e Kandrit, prandaj më lëshuen.
Selim Kaloshi i Kandrit kishte qenë me Halil Alinë në Gjorm të Vlorës gjatë ekspeditës së dhjetorit 1942 – janarit 1943. Ai kishte vdekur nga vdekje e natyrshme, pak para se të çlirohej vendi nga partizanët. Tani ndaj tij nuk kishin si të hakmerreshin dhe ja ku ishte ky Selimi tjetër. Por si mund të ngatërroheshin dy Selimat, pse kishin të përbashkët vetëm mbiemrin, si mund të ngatërroheshin ata që i njihte gjithë Dibra? E tregonin dallimin edhe pasaportat dhe plot dokumente të tjera. Po Selim Sul Kaloshin e kapën dhe i bënë po atë akuzë: “Ke qenë në Vlorë me Halil Alinë!”.
“Do t’ju nxjerr dëshmitarë krejt Dibrën që jam Selim Sul Kaloshi nga Sina dhe jo Selim Xhetan Kaloshi nga Kandri, që ka vdekur vetiu. Do t’ju tregoj edhe varrin e tij. Kjo është një akuzë krejt e rremë dhe pa kuptim.”
Po anëtarët e gjyqit dhe të gjithë ata që e kishin shkruar skenarin, e dinin të vërtetën: e dinin që ai ishte Selim Sul Kaloshi i Sinës. Ai i si i tillë do të dënohej dhe do të pushkatohej, nuk kishte fare rëndësi pse nuk kishte qenë në Vlorë. Akuza është tjetër gjë: në akuzë ashtu do të shkruhej se pushkatohej pse ka qenë në Gjorm të Vlorës.
Pastaj filluan dënimet dhe pushkatimet me radhë të të gjithë Kaloshëve dhe Ndreve. Esat Ndreun e kishin zhveshur dhe e kishin internuar si gjithë Ndretë e tjerë në Vlorë. Ja si e kujton Esati Hiden:
“Hidja nuk ishte prej atyne njerëzve që, pse na kishte paralajmërue të mos u zinim besë komunistëve, të na thoshte: “Hë, u doli fjala ime!” Ishte Hidja që na u ndodh të gjithëve. Ishte Hidja ajo që vinte dhe na shikonte atje, në skëterrën ku na kishte katandisur Enveri. Më kujtohet vitit 1960. Hidja erdhi në Vlorë dhe na gjeti të rrasur në disa barraka. Sa erdhi Hidja e derisa shkoi, na grumbulloi bashkë dhe kemi ndejt rreth Hides si zogjtë nën fletët e klloçkës. Edhe në atë skëterrë njerëzore për ne ishte kënaqësi e madhe kur vinte nata dhe grumbulloheshim të gjithë rreth zjarrit me burra, me gra, me fëmijë dhe dëgjonim zanin e ambël dhe fjalën melhem të Hides, që na jepte zemër dhe na lutej të kishim besim te Zoti.”
Një natë para se ajo të ikte për në Dibër, Esati e pyeti:
– Oj Hide, çfarë ke thanë, të ka dalë deri më tani. Tani na thuej hapun: a do të marrë fund ndonjiherë kjo e keqe që na ka gjetun? A do të ketë edhe për ne ditë lirie?A do të dalim gjallë prej ferrit komunist apo do të shuhemi këtu?
– Do të dilni, o Esat, do të dilni. Zoti kërkujt nuk ia ka lanë përherë, nuk do t’ia lajë as Enver Hoxhës. Të rinjtë kanë me e mbrritun atë ditë, po ene ne të vjetrit do ta mbërrijmë.
– Domethanë qenka afër ajo ditë, oj Hide!
– Afër, o Esat, por durim e forcë me besue, me jetue.

Fort afër ajo ditë nuk qe, se u deshën të kalojnë edhe tridhjetë vjet që të shembej diktatura dhe të vinte Liria. Për fat të keq, Hidja nuk e mbërriti vetë atë ditë. Vdiq në vitin 1989, pak muaj para se të vinte Liria!
Për Hiden këto janë fare pak fjalë në krahasim me bëmat e saj. Në qoftë se ju, lexues të dashur, doni të lexoni me të vërtetë një libër që do t’u japë kënaqësi dhe prej të cilit do të mësoni, ky është “Tempulli i dashurisë” i autorit Xhafer Martini.