Kur më merr malli për gegërishten


Molla të këputuna një deget
dy qershia lidh në nj’ rrfan’.
Ku fillojnë kufijt ‘ me geget,
rrin’ dy çika me një nanë.
Ndre Mjeda “Andra e jetes “

Kujtoj, që ende nxënës, kur shkoja nga Skorea në Poliçan, për të ndjekur tetëvjeçaren dhe kur nga larg shikonim mushka të ngarkuara që i ngisnin kufitarë të postës së Sopikut, ne fshiheshim në dushkajën e dendur poshtë rrugës. Mbanim frymën derisa të kalonin dhe mundoheshim që të dallonim ndonjë fjalë nga dialogu i tyre. E kapnim ndonjë fjalë dhe pastaj mundoheshim që të zbërthenim kuptimin dhe konstatonim se ishin fjalë që i dinim, por pak më ndryshe. Nuk ishte vetëm gjuha pak ndryshe, se shumica e tyre vinin nga krahina të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, ashtu dhe djemtë e anëve tona shkonin ushtarë në viset e tyre, por ajo që na trembte më shumë ishin armët. Karabine apo automatik, më shpesh me grykë poshtë dhe rrallë të varura në samarin e mushkës. Ne më të vegjlit merrnim guxim dhe qëndronim anash së përpjetës shtufore, derisa të kalonin ata. Na thërrisnin “Ella re pedhja, ella re kopeles” dhe ne dilnim nga dushqet. Guximi dhe miqësia arritën deri atje saqë bënim dhe shkrepje boshe. Mua, pra, që dikur në fëmini trembesha nga fjalët e gegërishtes, më takoi fati që të “bashkëjetoj” me këtë dialekt të shqipes gati 20 vjet. Në fillim kontakti me të ishte në librat e Leximit letrar dhe antologjitë mësimore. Mjeda, Migjeni, Filip Shiroka, Qemal Stafa, Vaso Pasha e Luigj Gurakuqi ishin poetët mjeshtra të poezisë së shkruar në këtë dialekt. Dhe rasti e solli që të jem student m’u në zemër të gegërishtes letrare, e cila i dha letërsisë shqipe perla të paarritshme. Muajt e parë ishin të vështirë. Por muzikaliteti nga njëra anë dhe koloriti gazmor dhe humoristik i të folmes, bënë që t’ i kuptoj, por asnjëherë nuk munda që të flas sadopak në shkodranishten e bukur. Kur isha nxënës në Poliçan, në një numër estrade të rinisë së fshatit, të drejtuar nga i shumëtalentuari Jorgo Iso, Kosta Iso, veterineri që kishte bërë shkollën në Shkodër, në një kuplet të interpretuar në shkodranisht bëri që të qeshin të gjithë. Ndoshta për mua që isha nga jugu dhe greqishtfolës më pengonte dhe “tradhtonte” aksenti i toskërishtes jugore dhe më shumë ai i greqishtes, një gjuhë krejt e veçantë. Tani që i njoh mirë të dy gjuhët, greqishten dhe shqipen, bindem se kanë të përbashkët jo melodinë, por anën dinamike të të folurit.
Erdhi emërimi. Në Dibër. Fillimisht Lura! As një muaj. Ndoshta ishte se vija tashmë nga një jetë disavjeçare në një qytet të gegërishtes, por e folmja e Lurës m’ u duk shumë e kuptueshme. Jo vetëm kur më drejtoheshin mua, se njerëzit në këtë rast mundoheshin të kujtonin gjuhën e librave, por edhe kur flisnin me njëri-tjetrin i kuptoja mirë. U transferova në Ostren. Rezistova pak tek zyra e drejtorit Hajri Begu, një nga mësuesit intelektualë të vërtetë të Peshkopisë. – Nuk mund të të ndihmoj! Është urdhër i Sanie Batkut. Vrapova te harta e Shqipërisë që të shoh se ku ndodhet ky fshat. Sapo pashë, se gati ngjitur me të kalonte vija e kuqe e xhadesë, mblodha valixhen. I hipa një makine të tregtisë. Të nesërmen dal tek agjhencia pranë lumit. I drejtohem një burri. – Cili autobus shkon për në Klenjë? – Futu mbrenda dhe po nuk dëgjove shqip, ulu në të! Po kjo, thashë me vete! Nuk e dija këtë hollësi, se në vendin ku shkoja, nuk flitej shqip. Si në fshatin tim, më kaloi një mendim. Gjatë gjithë rrugës shumica flisnin sllavisht. Më vonë mësova se asaj të folmeje vendasit i thoshnin “bugarski “ dhe dëgjova shprehjen “Ar znaesh bugarski Njie znajet po nash”, ishte një shprehje që e dëgjova shpesh, sa kohë qëndrova në Ostren. Më ndjekin gjuhët e huaja, mendova ato ditë. Por kishte dhe një të mirë, shqipen e flisnin si në Pogon, shumë pranë gjuhës së librave. Mësova goxha nga gjuha e vendit. Edhe tani në Greqi e praktikoj me bullgarët. Nuk më kuptojnë gjithmonë. Erdhi dhe transferimi tjetër. Nga kufiri me Mirditën, në kufi me Librazhdin dhe tani me Kukësin. Zall Dardha! E njohur prej meje nga këngët e Haziz Ndreut dhe Lirie Rashës. Sa ramë në kontaktin e parë me banorët, fqinjët e pallatit ku do të banonim dhe disa nxënës që na ndihmuan për të shkarkuar skodën, e ndjeva vështirësinë e të folmes së vendit! Nga ato ditët e para më ka mbetur e pashlyer nga kujtesa kjo skenë: Ishte një mbasdite e vranët. Në lartësitë e maleve retë kishin zbritur në pllajat e tyre. Isha para PTT-së. Unë, Shqipja, mamia e spitalit dhe xha Mustafa, njeriu i mirë Mustafa Hoxha, me të cilin më vonë u bëmë miq. Filluan të bien ca pika shiu. Xha Mustafa thirri një nga djemtë e tij, nxënësi im, dhe i thotë: Or tei, a je tu shkue me mal dhaet se a tu fillu shaju! Unë hapa sytë dhe vështrova maminë. Mesa duket, vështrimi im ishte i tillë që mamisë iu duk sikur i thashë: “Më thuaj se çfarë i tha?!” Xha Mustafa i tha djalit të tij të shkonte të milte dhitë para se të fillonte shiu. Djali filloi të fliste si shokët e tij vendas. Kur shkonim në Tiranë i jepnin pecin e petëve dhe e vinin të këndonte një këngë me çifteli. Dhe ai nuk ia prishte qejfin gjyshit, se i sillte fera manafera dhe këndonte: A më njeve (ndjeve) moj a më njeve, kur të vuna unazën, të cilën e kishte dëgjuar të kënduar në festivalin zonal. Kur shkonim në Skore dhe i shpëtonte ndonjë fjalë në gegërisht, disa e ngacmonin duke i thënë “malok”. Një ditë erdhi i mërzitur. Gati për të qarë e na tha: Në Zall Dardhë më thonë grek, në Skore më thonë malok!
Njerëz të mirë të Dardhës! Me dashurinë dhe respektin me të cilin na rrethuat, i kaluam të gjitha vështirësitë. Kur ikëm, lame shumë miq e shokë! Por unë si lexues gjithmonë kam lexuar dhe lexoj letërsi në gegërisht. Mbaj mend, pa përmendur klasikët e letërsisë shqipe, “Vlaga e dheut” dhe “Diell nën kreshta” të Filip Ndocajt, novela dhe tregime, poezi të Mark Gurakuqit, poemat e Llazar Siliqit, vëllimi poetik i kolanës së poezisë shqipe të Drago Siliqit, proza dhe poezia e Kol Jakovës etj., vepra të cilat i lexoj edhe tani.
Pas vitit 1990 hapësira e leximeve në gegërisht u zgjerua dhe me vepra të Fishtës, Koliqit, Camajt etj. Më kanë rënë në dorë dhe botime të brezit më të ri të autorëve shkodranë, kryesisht. Nuk jam plotësisht dakord me ta! Ja , pra, nga frika prej fjalëve gege, u bëra një lexues i zellshëm i letërsisë së shkruar në atë dialekt. Sa herë më merr malli për ato vise të legjendave shqiptare dhe banorët e tyre, marr një libër nga rafti dhe çmallem!