Lamtumirë doktoreshë Sheza!


Para pak ditësh, më 19 qershor, u nda nga jeta Sheza Balliu (Alushani), një grua fisnike, qytetare e denjë, nënë krenare, një mjeke humane, veprimtare e shquar për emancipimin e gruas shqiptare.
Lindi më 1 nëntor të vitit 1944 në fshatin Gjerbës të Skraparit, në një familje patriote të Alushanëve, të njohur në luftën për liri e pavarësi brez pas brezi në Malësinë e Skraparit.
Babai i saj Ismaili luftoi dhe mori pjesë aktive në luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Pas çlirimit të vendit, si pjesëtar i forcave ushtarake të ndjekjes në vitin 1947, u vra duke dhënë jetën në mbrojtje të fitoreve të lirisë dhe pavarësisë, shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
Nëna e saj, Rrahime Qazim Fusha, rridhte nga një familje me tradita atdhetare, bujare dhe mikpritëse. Vajzës së vogël jetime i munguan vetëm fizikisht prindërit. Atë e rritën Isufi së bashku me vëllezërit, duke i krijuar atë ngrohtësi e kujdes familjar për t’u admiruar. Sheza pas përfundimit të shkollës fillore e shtatëvjeçare në vitet 1958-1962 vazhdon shkollën e mesme mjekësore në Tiranë, ku u dallua si nxënëse model në sjellje dhe mësime, në marrëdhënie me shokët e shoqet, personelin mësimdhënës, por edhe me qytetarët e Tiranës.
Në vitin 1962 filloi studimet në Universitetin e Tiranës në degën e Mjekësisë së përgjithshme. Gjatë studimeve ajo u njoh dhe u lidh për jetë me studentin dibran Tush Balliu nga Bllaca e Grykës së Vogël, duke krijuar kështu një familje të re.
Kjo lidhje e zgjeroi rrethin miqësor të Dibrës me Skraparin, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve shpirtërore e humane midis trevave të Shqipërisë.
Sheza shumë shpejt u ambientua me zakonet e traditat e Dibrës (ato për fat të mirë nuk ndryshojnë me ato të Skraparit), me njerëzit dhe qytetarët, krijoi njohje e miqësi të reja me dibranët në punë si mjeke në qytetin e Peshkopisë. Ajo u bë e afërt jo vetëm me pacientët, por me gjithë kategoritë e moshave që kontaktonte gjatë realizimit të misionit si humaniste në shërbimin ndaj njerëzve.
Peshkopia ishte një strehëz e ngrohtë për njerëzit e mirë e me zemër të madhe siç ishin Tushi me Shezën. Si familje ato me të vërtetë rrezatonin kulturë dhe qytetari.
Komuniteti i mjekëve u besoi detyra të rëndësishme, atë të drejtuesit në institucionet mjekësore. Tushi për shumë vite drejtoi seksionin e shëndetësisë së rrethit, ndërsa Sheza, pasi përfundoi specializimin si neurologe, shërbeu edhe si drejtoreshë e spitalit të Peshkopisë (1983-1990).
Në vitin 1974, vajza e Skraparit, nuse dhe mjeke në Dibër zgjidhet deputete në Kuvendin e Shqipërisë, detyrë me përgjegjësi, që e justifikoi plotësisht besimin e popullit të Dibrës për tre legjislatura (1974-1990).
Fryt i kësaj familje janë dy vajzat, Anila dhe Erisi. Anila mbaroi fakultetin e Gjuhëve të huaja (frëngjisht), ndërsa Erisi Universitetin e Tiranës, Fakultetin juridik. Të dyja vajzat ekselente në studime, modele në punë e familje.
Sheza Balliu ishte një veprimtare e gruas në rrethin e Dibrës, luftoi për më shumë se 40 vjet për emancipimin e saj, kundër konservatorizmit, për ngritjen e kulturës nëpërmjet shkollës, rritjes së kualifikimit, bashkë me pjesëmarrjen e saj në sferën prodhuese e atë shoqërore.
Si përfaqësuese e popullit, ajo njihej nga i madh dhe i vogël në zonën zgjedhore, gjithmonë pranë problemeve e shqetësimeve të qytetarëve.
E njihnin për principet dhe virtytet, për karakterin e fortë, për korrektësinë, objektivitetin, për humanizmin dhe solidaritetin. E qetë, gjithnjë e qeshur, fitoi besimin dhe respektin e njerëzve, shokëve, miqve, kolegëve të punës, familjes, të afërmve e shumë dashamirësve me të cilët pati marrëdhënie në jetën e përditshme.
Asnjëherë, edhe pse larg, nuk e harroj vendlindjen. Të gjithë e duam vendlindjen e kanë detyrime ndaj saj, por ajo ndiente një nostalgji të veçantë. Këtë e shprehte shpesh herë. Në të vërtetë, ajo kishte një dashuri të pakufishme ndaj xhaxhallarëve. Ishte mirënjohëse për gjithçka kishin bërë për rritjen dhe edukimin e saj. Përpiqej të mbante e forconte gjithnjë lidhjet me ato njerëz të dashur e humanë, që gjithsesi për ditët e sotme do të ishte një model për dashurinë e harmoninë midis qytetarëve në familje e shoqëri.
Ishte kjo arsyeja që me fillimet e viteve të demokracisë, për të qenë më afër me njerëzit e saj të gjakut, erdhi në Tiranë. Punoi si mjeke psikiatre në Poliklinikën nr. 3 (Iraniane) në vitet 1990-2000, ndërsa Tushi në Spitalin Ushtarak.
Si gjithnjë, derisa doli në pension, Sheza u shqua për aftësi profesionale në punë si neurologe në shërbim të njerëzve, për edukatë e kulturë në marrëdhënie të mira shoqërore e miqësore me kolegët. Përvojën dhe eksperiencën e saj shumëvjeçare ua dha mjekëve më të rinj , prandaj ishte komode e ndiente kënaqësi të veçantë. Sheza ishte një grua me vullnet të fortë, kishte durim, ishte këmbëngulëse në vendimet që merrte.
Vepra, mundi, fisnikëria, madhështia e saj shpirtërore dhe intelektuale do të mbetet krenari për vajzat, mbesat dhe nipërit e saj. Dashuria dhe kujdesi për gjyshen do të rrezatojnë e do të ndikojnë si një shembull i përkryer në jetën e tyre.
Çdo njeri që lind, një ditë do të vdesë. E rëndësishme është që jetën ta ndërtosh me punë, djersë, dinjitet e t’u lësh një emër të mirë pasardhësve. Këtë detyrë Sheza Balliu (Alushani) e përmbushi me sukses, prandaj kujtimi dhe vepra e saj do të ruhet e kujtohet brez pas brezi në Skrapar, Dibër, Tiranë, në të gjitha vendet ku punoi e jetoi familjarisht.
Lamtumirë doktoreshë Sheza!
U prehsh në paqe!

Nazmi Koçi, Xhelil Gjoni, Rakip Dançe, Nesim Fusha, Dilaver Çorja, Uzire Kalia, Fatbardha Sinani, Idriz Kukeli, Zabit Lleshi, Xhevat Jella.