Lidhja me Rrugën e Arbërit të fshatrave të Grykës së Vogël dhe Gollobordës për zhvillimin e ekonomisë, turizmit historik e malor


Njësitë administrative të Grykës së Vogël dhe Gollobordës bëjnë pjesë në Bashkinë e Bulqizës të Qarkut të Dibrës. Ndodhen në jug-lindje të qarkut të Dibrës dhe kufizohen: Në lindje e veri lindje me Dibrën e Madhe, Maqellarën e Luzninë, në veri, veri perëndim e perëndim me Selishtën, Bulqizën e Zerqanin dhe në jug me Librazhdin.
Në këto njësi administrative bëjnë pjesë 37 fshatra, Shupenza (12) Gjorica (6), Ostreni (13) dhe Trebishti (6). Nga maja e Radacit në Klenjë (2 084 m) në Delgjurrë (Prat, Gjuras) dhe nga Ura e Topojanit në Okshtun (Plep) me një sipërfaqe prej 286,2 km2, nga të cilat : Shupenza 104 km2, Gjorica 35 km2, Trebishti 49,5 km2, dhe Ostreni 98,7 km2. Brenda këtij teritori banon një popullsi prej 14 897 banorë, nga të cilët në Shupenzë 5503 banorë, në Gjoricë 5368, Trebishti 993 dhe Ostreni 3034 banorë. (Instituti i Statistikave Qarku Dibër, Rregjistrimi i popullsisë Tiranë 2011 )
Ostreni dhe Trebishti lidhen me Rrugën e Arbërit tek Ura e Çerenecit. Vitet e fundit është hapur rruga Fushë Studën-Borovë-Sebisht-Orzhanovë-Ostren-Ramnagore-Ura e Çerenecit. Me asfaltimin e saj mbeten për t’u asfaltuar segmentet, Ostren-Trebisht, Dragalicë-Klenjë, Ostren i Madh-Ostren i Vogël dhe Ostren i Madh-Lejçan. Tuçepi lidhet me rrugën e vjetër buzë kufirit, Çerenec-Viçisht i Poshtëm-Miresh-Lladomericë-Tuçep. Në Lladomericë rruga mund të degëzohet për Pasinkë, nga Mireshi për Tërbaç.

Harta e Grykës së Vogël dhe Gollobordës

Kërkohet të hapet rrugë e re nga Sebishti në Okshtun (Ara e Martinit) buzë zallit 4 km. Kjo lidhet edhe me rrugën e re që është hapur nga një firmë për Hidrocentralin e Smollikut që vjen nga Strikcani në Smollik, Ara e Martinit.
Nga Fusha e Studnës nëpër Qafë Përvallë-Prodan (17 km.) është një rrugë me trase të mirë dhe të qëndrueshme, ndërtuar më 1963 për shfrytëzim të lëndës drusore. Ky segment zgjatet mbi Plep, Gropa e Zezë, Miniera e Tërnovës. Po të asfaltohet kjo transporti i kromit nga Tërnova – Okshtun-Fushë Studen – Librazhd – Durrës, është më e shkurtër se rruga aktuale Tërnovë – Bulqizë – Durrës. Kjo zonë ka shumë resurse turistike dhe ekonomike, veç kromit është e pasur me lëndë drusore dhe bime medicinale.
Gjorica është e lidhur me asfalt, mbeten për tu shtruar vetëm rrugët e brendshme të cilat i ka marrë përsipër t’i kryejë kompania “Gjoka”. Njësia administrative Shupenzë ka 4 fshatra të lidhura me asfalt, Okshatinë, Homesh, Boçevë e Shupenzë. Duhet të shtrohet më asfalt rruga Ura e Serbinit-Kepi i Gjurasit-Prat-Selishtë si dhe degëzimet me fshatrat Kovashicë, Zogje, Bllacë, Shtushan, Mazhicë, Gjuras e Delgjurrë afërsisht 50 km. Topojani lidhet më Okshatinën me një rrugë me gjatësi 3 km. Fshatrat e Katër Grykëve, po të ndërtohet e mirëmbahet, sidomos gjatë dimrit rruga Prat-Gjuras, lidhjen më të shkurtër me Rrugën e Arbërit e kanë të zbresin nga Gjurasi tek Ura e Serbinit e Shupenzë.

Vendburimi i Kovashicës

Bujqësia, blegtoria dhe pemëtaria janë degët kryesore të zhvillimit të ekonomisë për Grykën e Vogël dhe Gollobordën. Në bujqësi vendin kryesor e zenë drithrat e bukës, misri, gruri, thekra, fasulja shoqëruese dhe patatet. Janë të njohura fushat e Homeshit, Shupenzës, Gjoricës, Mireshit, Lladomericës e Tuçepit, por edhe disa lugina të vogla si Ostreni, Luboleshi, Okshatina, Zogjet, etj. për prodhimin e misrit, grurit dhe fasules. Në konsideratë duhet marrë prodhimi i patates në Klenjë, Okshtun e Gjuras. Për ilustrim mund të marrim një shembull : Fusha e Shupenzës dhe Homeshit më 1985 ka marrë 50 kv. Grurë për ha., Gjorica në 300 ha mori 30 kv. për ha. duke prodhuar 9000 kv. grurë, Klenja në 150 ha mori 15000 kv. patate. (Ushtima e Maleve 1 shkurt, 24 mars 1986 )
Janë afërsisht 5674 ha tokë bujqësore respektivisht, Shupenza 1899 ha, Gjorica 1368 ha, Trebishti 1019 ha dhe Ostreni 1388 ha që përbëjnë një rezervë të madhe për tregun e prodhimit të drithrave të bukës misër, grurë, thekër, patate, fasule, perime etj.
Kushtet natyrore e favorizojnë shumë rritjen dhe mbarështrimin e blegtorisë së imët, sidomos të deles dhe dhisë. Mali i Raduçit me bjeshkët e tij, Fusha e Klenjës (mbi 100 ha), Okshtuni me bjeshkët alpine, Fusha e Drerit, Gropa e Zezë, Fusha e Kuqe dhe Kolgreku kanë një kapacitet për mbarëshshtrimin e 7000-8000 krerëve. Vetëm kooperativa e Klenjës më 1986 kishte 5700 krerë të imta, dhe 300 të trasha e njëthundrakë. Të njëjtat kapacitete për blegtorinë e imët ka Shupenza, me kullotat alpine në Komavec (63 ha), livadhet e Bllacës, Pratit, Delgjurrës, etj. Në vitin 1960 vetëm fshati Bllacë kishte 3000 krerë të imta (1000 dele e 2000 dhi). (Xhevat Jella) Rraca e dhisë së Bllacës ka qenë e njohur në shkallë vendi, krahas asaj të Bulaçit në Muhur dhe Matit.

Vendburimi i Gjurasit

Në vitin 2018, Shupenza kishte 1800 krerë të imta e 2700 lopë, Gjorica 2500 të imta e 1720 lopë, Trebishti 2300 të imta e 827 lopë dhe Ostreni 4000 të imta e 866 lopë. (Internet 2018) Blegtoria ka kushte mjaftë të mira për mbarshtrim, por mungesa e baxhove, dhe e kushteve për tregëtimin e bulmetit dhe mishit, kanë sjellë një ulje të prodhimeve blegtorale, bashkë me atë të numrit të krerëve.
Drini i zi, Zallet e Okshtunit dhe Bulqizës, kanë peshk, kryesisht troftë, por pak vemendje i kushtohet kësaj pasurie e cila mund të zhvillohet me shpenzime shumë të vogla. Sokol Shtrezi në Kovashicë me punën e tij disavjeçare ka ndërtuar një rezervat për kultivimin e peshkut duke shfrytëzuar ujin e pastër të Gjurës së Leke. Ai po e zhvillon këtë biznes duke prodhuar deri 500 kv. peshk në vit, duke krijuar treg deri në Tiranë.
Gryka e Vogël dhe Golloborda kanë kushte mjaft të mira për rritjen e bletës. Eksperiencë ka në Bllacë (Gani Sinani e Femi Alimani), në Kovashicë (Naim Xhafa e Iljaz Xhafa), në Mazhicë (Met Koxha), në Izvirë (Bardhul Izvira), në Pasinkë, Klenjë, Prodan, etj. Afërsisht 700 koshhere bletësh kanë 4 njësitë administrative të këtyre zonave, ç’ka janë shumë pak për mundësitë e kushtet që ekzistojnë për rritjen e bletës.

Kulla e Sal Markes

Pemtaria është një degë tjetër ku ka kushte e mundësi të mëdha të rritet kudo në kodrat, deri në 800 m mbi nivelin e detit, molla, kumbulla, arra, thana, qershia, lajthia (kohët e fundit ka filluar të kultivohet në masë), gështenja, hardhia (në vreshta) etj. Arra në Gjuras, Shtushaj, Zogje, Pasinkë, Lubolesh, Trebisht, etj., Gështenja në Mazhicë, Tuçep, Orzhanovë, etj. Thana në Bllacë (sheshi i thanave), Pasinkë, Topojan, etj., vreshta në Viçisht, Shupenzë, Pasinkë, etj. Në fshatin Trebisht, brigadieri i pemtores Fitim Balla mori në vitin 1985, 50 kv. arra. (Ushtima e Maleve, 12 korrik 1986 ) Familja e Zenel Kajës në Gjoricë para pak vitesh mbolli 4 ha tokë me mollë dhe me të ardhurat e siguruara ngriti një bazë frigoriferike, me të cilin ka siguruar vijimin e tregut gjatë gjithë vitit. Vreshta janë mbjellë edhe në Viçisht (Mane Cami, Latif Lika), në Pasinkë, Tuçep, Trebisht, Ostren i Vogël, etj.
Ardhja e Rrugës së Arbërit do të zgjerojë tregun e prodhimeve bujqësore, misër, grurë, fasule, patate, mollë, arra, gështenja, thana, mjaltë dhe peshk, ndërsa për prodhimet blegtorale mungojnë bazhot, një mundësi për t’u shfrytëzuuar nga bizneset private në Kovashicë, Izvor, Okshtun, etj. Për tregëtimin e mishit ekziston një thertore në Shupenzë me pronar Ramazan Miftari, i gatshëm për t’u vënë në shërbim të një tregu më të gjërë.

Pisha e Zogje (Vishkulli)

Gjatë rrjedhjes së lumejve janë krijuar hapësira inproduktive me shelgjishte me një sipërfaqe afro 796 ha. Ato mund të shërbejnë si lëndë e parë për prodhime artistike për në vend dhe për eksport . Kujtojmë se para viteve ’90 Ndërmarja e Prodhimeve të Ndryshme në Peshkopi rreth 80% të lëndës së parë për thupra shelgu e merrte në zonën e Gjoricës dhe Shupenzës.
Pasuritë minerale të Grykës së Vogël dhe Gollobordës

Nga pasuritë minerale të Grykës së Vogël dhe Gollobordës më të rëndësishmet janë vendburimet e Gurëve dekorativë (mermere) të zonës Kovashicë, Gjuras e Shtushaj dhe Ostren e Trebisht. (Bashkim Lleshi 2010) Një investitor i huaj (italian), erdhi pas viteve ’90, bëri disa investime e nxori një sasi blloqesh të gurëve dekorativë, instaloi një fabrikë të vogël për prodhimin e pllakave, por nga viti 2010 u largua. Gurët dekorativë janë të cilësisë së mirë dhe mjaft të kërkuar, por presin investitorë vendas apo të huaj për të dalë në treg bashkë me vendburimin e Gjurasit. Para 6-muajsh, në Zogje (tek Gjuri i Çetës), një firmë tjetër vendase ka filluar punë me pak punëtor, në një dalje të gurëve dekorativë.

Lisi i Kovashicës

Minerale të tjerë që takohen në këtë rajon janë, Objekti e Manganit të Topojanit, dhe daljet e manganit të zonës së Trebishtit. (Hasan Hajdari 1972) Në këtë zonë takojmë dhe Objektet e argjilave të Çerenecit e Shupenzës për tulla e tjegulla dhe Inertet lumore të Çerenecit të Poshtëm. (Mustafa Manjani, Lenard Kazanxhi, Sefedin Shabani,1998,2004) Në Çerenec është zbuluar një punishte e herëshme që shërbente për pjekjen e tjegullave për mbulimin e shtëpive. Takohen dhe Shistet argjilo silicore të zeza (rrasat) për mbulimin e çative në Kovashicë (Rrasa e Toçit), Zogje (Hurdha e Lleshit), etj. Gëlqerorët e ranorët si lëndë e parë në ndërtim e në infrastrukturë nga Vlashajt në malin e Homeshit, të Kovashicës e Bllacës deri në Gjuras, në zonën Sharra e Zogje, Shtushan, Gjurra e Mazhicës e Topojan, si dhe në zonën Ostren-Trebisht-Klenjë, të cilët janë përdorur që në kohët e lashta e deri më sot për qoshet e shtëpive e kullave, për gurë dekorativë etj. Daljet e ranorëve feldshpatikë për ndërtim e fajancë në Zogje, Shtushaj e Gjuras, të argjilave si ngjyrosës mineralë (bojra dheu) në Kovashicë, Zogje e Mazhicë (bota e zezë e Kovashicës dhe e Mazhicës), argjilat e kuqe (Kuçlat e Shalave në Zogje) dhe argjilat gri me cilësi shumë të mirë për poçeri të Kovashicës, që vendasit i përdorin edhe për bërjen e çerepëve për pjekjen e bukës. Këto

Teqja e Bllacës

argjila kanë veti pastruese dhe përdoren për larje në llixha. (Bashkim Lleshi 2018).

Në aksin e Rrugës së Arbërit nga Ura e Çerenecit deri në lumin e Drinit të Zi, kemi një pasuri të madhe të inerteve lumore. Përvoja e viteve pas`90, tregon se ato shfrytëzohen kryesisht pa kriter dhe duke krijuar mjaft probleme me përmbytjet, me dëmtimet e shkatërimet e tokave të bujqësore etj.

Pasuritë ujore të Grykës së Vogël dhe GollobOrdës

Lumi Drini i Zi, nga Ura e Spiles në Viden (pika e takimit të Gjurrës së Mazhicës me Drinin e Zi afër Dovolanit) 18 km., bashkë me Zallin e Okshtunut 34 km., Zallin e Buqizës e Shupenzës 23 km. Zallin e Tuçepit e Pasinkës, Gjurra e Kovashicës, etj. përbëjnë pellgun ujëmbledhës të Grykës së Vogël e Gollobordës. Ato shërbejnë për vaditje por edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1967 u ndërtua He-ci i Çerenecit, më 1974 i Homeshit dhe Tuçepit, ndërsa vitet e fundit në Smollik për të shfrytëzuar energjinë e ujit.
Pasuri tjetër ujore janë edhe përrejt nga zona e Klenjës, Okshtunit, Ostrenit e Trebishtit që derdhën në Zallin e Okshtunit e Drinin e Zi. Ato të Homeshit, Kovashicës, të Zogje e Shtushanit që derdhen në zallin e Shupenzës dhe përrejt e Gjurasit e Mazhicës që bashkohen në Gjurrën e Mazhicës e derdhen në Drinin e zi në pjesën veriore në kufi me Luzninë (Hoteshin). Rrjedhjet e sipërme të tyre shërbejnë për vaditjen e tokave bujqësore. Kjo zonë është e pasur me ujra të freskëta si, Gjurrat e Kovashicës, të Zogje, Mazhicës dhe Delgjurra, Burimet e Izvorit në Viçisht, të Tuçepit, Klenjës, Okshtunit, etj mbi të cilët janë ndërtuar ujësjellësa për furnizimin me ujë të pijshëm të Okshatinës, fshatrave të Shupenzës dhe Gjoricës. Burimet tjera të vogla të gjithë fshatrave të Gollobordës e Grykës së Vogël përdoren gjithashtu për ujë të pijshëm. Për vaditje të tokave bujqësore funksionojnë Rezervuarët e Shtushanit dhe Mazhicës. Duhet të shikohet mundësia për të vënë në funksionim Rezervuarin e Bllacës me kapacitet 6 000 000 m3 ujë për vaditjen e Maqellarës i cili u abandonua në fillim të viteve nëntëdhjetë.
Zalli i Okshtunit, pjesërisht i Bulqizës, proi i Zogje, nga Kovashica gjer në Drin të Zi, Zalli i Tuçepit dhe Pasingës mund t’i shërbejnë sportit të lëvizjes me varka sportive (Rajting).

Vendet dhe Monumentet historike

Shpella e ftohtë Gjuras

Në Grykën e Vogël dhe Gollobordë njihen si vendbanime të herëshme, Topojani, në epokën e bronxit, Gjorica, Tuçepi e Okshtuni në epokën e hekurit, etj. Toponimet si Xhiteca (Qyteza) e Gjurasit (Kazane) në Gjuras, Xhiteca (Qyteza) e Sute në Zogje, në shekullin e IV-tër, lidheshin me ato të Sofraçanit e të Krajkës. Gjetjet arkeologjike në Gjoricë, Deth të Mazhicës, Trebisht, Okshtun, etj. tregojnë për zhvillimin historik të këtyre zonave që në lashtësi, për rrugët lidhëse midis tyre dhe për qytetërimin e lashtë të kësaj zone. Janë gjithashtu të njohura kalaja e Homeshit, Tuçepit, Kojovecit, Prodanit, Trebishtit, etj. (Adem Bunguri 2010)
Të njohura janë vendet historike ku janë zhvilluuar kuvende të rëndësishme të Maleve të Dibrës për luftë ndaj turqve, serbëve, bullgarëve, sic janë ato të Gjurrës së Mazhicës, Gropës së Ukut (Homesh), Fusha e Thatë (Gjoricë), Fusha e Klenjës, etj. (Munir Shehu , Kristo Frashëri 2012)
Kemi shumë luftëra e përpjekje të njësive partizane gjatë Luftës Nacionalçlirimtare si në Gjoricë, tek Ura e Topojanit, Zogje, Sofraçan, Çerenec, Trebisht, Prodan (ku u strehua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Operacionin e Dimrit), etj. Ekzistojnë disa përmendore e lapidare, një pjesë të prishura e abandonuara. Për disa ngjarje nuk ka asnjë mbishkrim ku të marrësh ndonjë informacion për historinë e këtyre objekteve të vizitueshme nga turistë vendas apo të huaj. Organet e pushtetit lokal së bashku me intelektualët e treritorit që mbulojnë, kërkohet të punojnë për plotësimin e dosjeve për çdo ngjarje, për vendet historike, kalatë, monumentet e natyrës e të kulturës, bashkë me memorialet kushtuar atyre.
Gryka e Vogël dhe Golloborda kanë një etnografi shumë të pasur. Golloborda ka një veshje të veçantë, për fat të mirë, të ruajtur dhe të padëmtuar, sidomos veshja e grave, e cila përdoret në dasma. Veshja e burrave nuk ka ndonjë ndryshim me ato të burrave të malësisë dhe të Zerqanit.
Nga Monumentet e kulturës të vizitueshme për turistët e huaj dhe vendas mund veçojmë, kullën e Sal Markes në Zogje, me 4 kate e ndërtuar më 1840 rreth 180 vite më parë, (Zabit Lleshi 2011) ndërtesa 3 katëshe me plita (qerpiç) e breza druri e Shefki Kurtit në Shupenzë, kullat e Ferat e Zyber Koçit në Prodan (pak të rrënuara me mundësi rikonstruksioni), etj.
Në zonën e Grykës së Vogël dhe Gollobordës të banuar nga ortodoksë e katolikë vendas ka shumë toponime të kishave të vjetra, fatkeqësisht të rrënuara, kemi vetëm themele e gjurmë të tyre si, Kishat e vjetra të Gjurasit (Shën Kollit), kisha më e vjetër në rajon. Kryepeshkopi i Dioqezës së Durrësit Mark Skurra më 1641 i shkruante Papës së Romës: “Kisha e Gjurasit është rrënuar nga forcat turke, ju lutem paguani edhe për dy vjet priftin se kanë ngelur edhe 120 të krishterë” (Iljaz Zamputi 1965) Të vjetra janë edhe Kisha e Jakime në Shtushaj, Kishat e Vernicës, Gjinovecit, Prodanit, etj. Ekzistencën e kishave e tregojnë gjithashtu edhe shumë toponime pothuajse në të gjitha fshatrat e Grykës së Vogël e Gollobordës si, mali i Kishës e kodra e Kishës në Zogje, Viçisht, Tuçep, Okshtun, Trebisht, etj.
Teqja e Bllacës është një institucion tjetër fetar me veprimtari të shquar patriotike për mësimin e shqipes.
Është e njohur vizita e Abdyl Frashërit më 1878 në Bllacë, në takimin me malësorët e Grykës së Vogël tek varret e Shupenzës, në Moglicë të Okshtunit me hoxhë Moglicën, dhe përcjellja e tij prej familjes Koka, nga Plepat e Okshtunit për në Elbasan e Shqipërinë e Jugut.

Gjeomonumentet, Hidromonumentet dhe Biomonumentet

Ndër gjeomonumentet e miratuara kemi Shpellën e Ftohtë në Gjuras, 920 m. mbi nivelin e detit, me gjatësi 25 m. gjërësi 2m dhe lartësi 2m. (Perikli Qirjazi, Skënder Sala, 2006) ndërsa nga vendbburimet e gurëve dekorativë si gjeomonument mund të veçojmë vendburimin e Kovashicës dhe Kepin e qytetit në Gjuras (Kepi i Gjurasve). Kjo zonë është e pasur edhe me hidromonumente si, Delgjura, Gjurra e Kovashicës, Gjurra e Leke (Tejme), Gjurra e Mazhicës, Izvori i Viçishtit, Gjurra e Prodanit, etj. të cilat janë një pasuri e madhe e këtyre fshatrave.
Livadhet alpine si ato të Komavecit në Shupenzë (mbi Bllacë), në Klenjë, ato të Kozjakut Okshtun, etj. shërbejnë për verimin e blegtorisë. Gjatë dimrit mund të shfrytëzohen dhe për ski. Klenja ka favor të madh për të rigjallëruar këtë sport, ndërsa Komaveci duhet të lidhet më rrugë ose teleferik.
Nga Biomonumentet veçohet, Pisha e Zogje (e zezë) ose Vishkulli afro 500-vjeçare. Karakteristikë e saj është, se ndodhet në zonën e dushkut dhe rreth 650 m mbi nivelin e detit (Zabit Lleshi 2011), Lisi i Kovashicës afro 300-vjeçar, (Perikli Qirjazi, Skënder Sala, 2006) Mani i Zi i Jashar Camit në Viçisht, afro 300-vjeçar, etj.

Gjurra e Kovashicës

Për turizmin malor do të shfrytëzohen bukuritë natyrore të Komavecit e Delgjurrës, Guri i Bilbilit e mali i Shullanit (Bllacë), Livadhi Marke, Arnitë e Kaje dhe Qafa e Kroi i Fangut (Zogje), Fusha e Teqes e Livadhet e Bllacës, Gjurrat e Mazhicës dhe Kovashicës, mali i Raduçit (Klenjë), Prodanit, Fusha e Klenjës etj. Në shumë nga këto bjeshkë e fusha mund të zhvillohet sporti dimëror i skive, etj.
Kemi besim se Rruga e Arbërit do ti japë shumë frymëmarrje Dibrës, ekonomisë, bizneseve, investimeve. Resurset e fjetura deri tani, do të zgjohen, do të gjallërohen. Do të rritet ekonomia dhe të ardhurat e shumë familjeve, bashkë me atë të mbarë shoqërisë.
Referimet

Adem Bunguri (2010) “Prehistoria e Dibrës” Tiranë 2010
Bashkim Lleshi (2010) – Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë ) të Shqipërisë, libër, Tiranë 2010
Bashkim Lleshi “Rruga e Arbërit do ti shërbejë njohjes së mëtejshme të historisë” G.“Rruga e Arbërit” mars 2017
Bashkim Lleshi “Ruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor”G.Rr.Arbërit”prill 2017
Bashkim Lleshi (2018) “Pasuritë minerale të Grykës së Vogël”Gazeta “Valët e Drinit”1, 2018
Gazeta Ushtima e Maleve 1 shkurt, 24 mars 1986
Gazeta Ushtima e Maleve 3 maj 1986
Gazeta Ushtima e Maleve 12 korrik 1986
Hasan Hajdari (1972) – Raport mbi punimet e kërkim-zbulimit të kryera në vendburimin e Manganit Topojan në vitet 1968-1971, Ndërmarja Gjeologjike Bulqiizë 1972
Hasan Hajdari (1976) – Raport mbi punimet e kërkim zbulimit në vendburimin e gëlqerorëve të mermerizuar Gjuras (Peshkopi), Ndërmarja Gjeologjike Bulqiizë 1978
Iljaz Zamputi (1965) “Gjendja e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin e XVII-të faqe 251, Tiranë 1965
Instituti i Statistikave Qarku Dibër, Rregjistrimi i popullsisë Tiranë 2011
Kristo Frashëri (2012) Historia e Dibrës, Tiranë 2012
Leonard Kazanxhi,Mustafa Manjani (1998) – Raport mbi punim et e kryera në vendburimin e Inerteve lumore
Çerenec i Poshtëm në vitet 1997-1998, Ndërmarja Gjeologjike Bulqizë 1998
Munir Shehu (2010) “Dibra I në vitet 1840-1860”, Tiranë 2010
Mustafa Manjani, Leonard Kazanxhi,Sefedin Shabani (2005) – Raport shkencor mbi rezultatet e punimet të kryera për argjila për tulla e tjegulla në vendburimet e Argjilave Shupenzë, Çerenec i Poshtëm, etj., Ndërmarja Gjeologjike Bulqizë 2005
Perikli Qirjazi, Skënder Sala (2006) “Monumentet e natyrës së Shqipërisë” Tiranë 2006
Vesel Hoxha,Bashkim Lleshi,Ilir Alliu,Sefedin Shabani, Naim Karaj (2007)- Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Kuvendi Teniko- Shkencor për Rrugën e Arbërit. Tiranë 26 maj 2007
Xhevat Jella Kujtime në dorëshkrim. Shupenzë 2018
Zabit Lleshi (2011) Artikulli ku përshkruan Kullën e Sal Markes dhe Vishkullin Gazeta “Dibra” nëntor 2004
Zabit Lleshi (2018) “Gryka e Vogël” Gazeta Valët e Drinit nr. 2 Tiranë 2018 .

Shënim: Ndalohet kopjimi i këtij materiali apo përdorimi i tyre, me çdo lloj apo mjeti, përveç rasteve kur shërben si burim referimi. Materiali i mësipërm është punë origjinale e autorëve ndaj çdo keqpërdorim i tij, pa miratimin e autorëve është i ndaluar. Çdo shpërndarje përmes internetit duhet të ruajë linkun e botimit origjinal.