Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare Gjeneral Brigade në drejtimin e FA-së


Nga Halil RAMA

Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, është e vetmja grua shqiptare që mban këtë gradë. Numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (Nga data 16 janar 2018 e në vijim kryen detyrën e Zëvendësshefit të SHP të FA) vjen në këtë funksion mjaftë të rëndësishëm pas një karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare.
Veçanërisht, dibranët krenohet me profilin e vajzës së tyre, doktore e shkencave, gjenerale dhe juriste. Mbi të gjitha tek ajo spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare.
Si njohëse në mënyrë perfekte e dy gjuhëve të huaja (anglisht dhe italisht), dr. Manushaqe Shehu, ka përfunduar kursin e CIMIC në Qendrën P&P, Ankara, Turqi (mars – prill 2013), Kursin Gender Perspective in Peasekeeping Operations në Zagreb, Kroaci,(qershor 2014), studimet për CIMIC&CIMI Oberamengau, Gjermani (shtator – tetor 2015), Kursin “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore” në Qendrën P&P, Ankara, Turqi (maj 2016), Kursin e Lidershipit Strategjik, Budva, Mal i Zi (shtator 2016), Kursin e Sigurisë në “Qendra Marshall”, Garmish, Gjermani (korrik – shtator 2017) si dhe kursin “Billding Integrity” në Mbretërinë e Bashkuar (Tetor 2017). Në muajin gusht 2018 në mbrojtje të temës “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Ballkanit e më gjerë”, fiton gradën shkencore “Doktor”. Ajo ka botuar një sërë artikujsh shkencorë dhe joshkencor brenda e jashtë vendit, në Revista Ushtarake, në shtypin ushtarak e civil. Po ashtu ka marrë pjesë në disa aktivitete ushtarake ndërkombëtare në vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere të saj.
Dhe jo vetëm kaq, si intelektuale bashkëkohore demokracinë e konsideronte sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të saj ishte vetëm konkurrenca në vlera. Ajo besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. E qetë, e pjekur, shumë e kulturuar nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyese dhe autoritare në ndëshkimin e saj individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet ajo ishte dhe është individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e saj mund t’i shërbenin dhe i shërbejnë shumë një institucioni, një misioni. Këto cilësi i manifestoi dukshëm si drejtuese në disa nivele të Ushtrisë Shqiptare, deri në majën e piramidës së saj, si Zëvendësshefe e SHP të FA të RSH-së.

Kush është Manushaqe Shehu
Ka lindur në Peshkopi më 5 nëntor të vitit 1965. Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Lartë të Oficerëve në Tiranë në vitin 1984 – 1988, emërohet Shefe e Logjistikës në Brigadën 3900, Peshkopi. Gjatë viteve 1989 – 1994, përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Në vitin 1991 merr gradën Kapiten i Parë. Nga viti 1989 – 1996, kryen disa detyra të ndryshme në Logjistikë si itendente batalioni, shefe e shërbimeve të ndryshme logjistike për ushqimin, veshmbathjen, karburantin e kazermimin në brigadë, deri shefe e Logjistikës e Divizionit 1100, Shkodër. Në vitin 1996 emërohet Specialiste e Kontrollit Financiar dhe Rezervave të Paprekshme në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë detyrë e mban deri në mars të vitit 2000. Gjatë viteve 2000 – 2002 punon në ekipin amerikan të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, si përkthyese, njëkohësisht kryen studime pasuniversitare (Kursin Themelor të Oficerit në SHPFA dhe Kursin e Funksioneve) në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë.
Në vitin 2003 merr gradën Major dhe emërohet Shefe e Shërbimit të Ushqimit në FA, detyrë që e mban deri në vitin 2004. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë nismëtare e disa projekteve të ristrukturimit të FA dhe anëtare e Bordit të Kompanisë Amerikane SAIC “për ndryshimin e strukturave të FA”, si dhe anëtare e bordeve drejtuese të ndryshimit të disa rregulloreve të ndryshme për Logjistikën në FA. Drejtuese e Bordit të Ndryshimit të Normave të Ushqimit dhe Veshmbathjes e Kazermimit në FA. Në vitet 2004 – 2005 përfundon ADAMS P&P (shkollë logjistike) në Tur, Francë dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Spiro Moisiu”, Tiranë. Në vitin 2006 mer gradën Nënkolonel dhe emërohet Shefe e Furnizimit të FA dhe në vitin 2007, Shefe e Protokollit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Më 8 tetor 2007 emërohet Ndihmëse e Presidentit të Republikës për Çështjet Ushtarake dhe Integrimin Euroatlantik. Gjatë kësaj periudhe, përfundon studimet në Kolegjin e Lartë Rajonal të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Tiranë.
Në vitin 2010 përfundon Master Shkencor të Nivelit të Dytë (MND) në fushën Sigurisë Kombëtare dhe merr gradën “Kolonel”.
Më 4 shkurt 2011 emërohet Këshilltare Ushtarake e Presidentit të Republikës.
Me 1 shtator 2012 emërohet Drejtoreshë e Bashkëpunimit Civil – Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s
Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu ka qenë pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s, aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake e civile të FA dhe të rajonit. Gjatë karrierës së saj, ka qenë nismëtare e një sërë projektesh të përbashkëta civilo-ushtarake kombëtare dhe ndërkombëtare, ku një vend të veçantë zënë projektet për barazinë gjinore, për të cilat ka marrë mirënjohje dhe falënderime nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe nga shoqëria civile e strukturat e tjera të kontrollit civil në Forcat e Armatosura.
Më 1 nëntor 2016 emërohet Komandante e Akademisë së Nënoficerëve.
Më 14 nëntor 2016 gradohet “Gjeneral Brigade”, e para ushtarake femër në historinë e Republikës së Shqipërisë që merr këtë gradë.
Më 1 dhjetor 2016 emërohet në detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu është e martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë e një djalë.