Në strofkullën e gjarpërit


Fare pranë Liqenit të Zi, në Kala të Dodës, ndodhet një toponim, që vendasit i thonë “Strofkulla e gjarprit”. Po t’i hedhësh një vështrim herët në mëngjes shpatit të malit matanë fshatit Radomirë, deri në breg të lumit Veleshicë, duken disa gurë të ndritshëm që rrezatojnë edhe më shumë kur bije dielli. Sipër kësaj shpatine në lashtësi, gojëdhëna tregon se ka pasur miniera ari dhe ndoshta kemi të bëjmë me qytetin antik Demastion, për të cilin flasin studiues dhe arkeologë vendas dhe të huaj. Po legjenda çfarë tregon për “Strofullën e gjarprit’?
I thamë të gjitha këto se nganjëherë dhe legjendat kanë një bazë të vërtetë. Tregojnë vendasit se pikërisht këtu ku sot ndodhet ky toponim ishte një arë. Një fshatar i varfër ngjitej tek kjo arë dhe e punonte vazhdimisht. Një ditë, tek po pushonte pikërisht tek ky vend, nga një e çarë shkëmbi doli një gjarpër i zi sterrë dhe tepër i gjatë. Fshatari i varfër u tremb dhe bëri të ikte.
– Mos ik! – i foli gjarpri.- Ne të dy do të bëjmë një marrëveshje bashkë. Do të më bini tek kjo e çarë një tas me qumësht dhe unë do t’ju lë një pare floriri në tas.
Kaq tha gjarpri dhe u largua. Fshatari, i bërë dyll i verdhë në fytyrë, i vajti në shtëpi, por nuk tregoi për atë që kishte parë.
– Nesër në mëngjes mori tasin me qumësht që të provonte fjalët e gjarprit se sa të vërteta ishin dhe u nis për në arë. Shkoi në fillim tek guva dhe la tasin me qumësht dhe pastaj filloi të punonte në arë. Kur do të kthehej në darkë në shtëpi shkoi të merrte tasin, syve nuk po u besonte. Në fund të tasit zverdhonte një flori.
– Në darkë nuk tregoi tek shtëpia. Kështu vazhdoi plaku disa ditë me radhë. Në mëngjes çonte qumësht në tas dhe në darkë merrte një flori. Ekonomia e tij filloi të ndryshonte dhe nga i varfër u bë më i pasuri i fshatit.
– Një ditë u detyrua të shkonte diku për miqësi. Mori djalin e vetëm dhe i dha porosi:
– Merre, bir, tasin me qumësht! Kur të shkoni tek ara, aty ndodhet një shkëmb i vogël, i çarë. Tasin me qumësht lene aty se del një gjarpër dhe e pi. Në fund të tasit gjarpri ka me të lënë një flori. Ti mos bëj asnjë lloj veprimi tjetër, vetëm zbato këshillat e mia.
Kaq i tha babai djalit.
Shkoi djali e veproi si i tha i ati. Pas pak gjarpri doli nga strofkulla dhe filloi të pinte qetë-qetë qumësht në tas. Sapo mbaroi qumështin, gjarpri hodhi floririn në tas dhe bëri të kthehej në strofkull. Djali kishte parë me bisht të syrit në të çarën e shkëmbit dhe sytë ia kishin verbuar grumbuj me florinj që ndodheshin brenda.
Sakaq i bie gjarprit në bisht me një dru me qëllim që ta mbyste dhe të merrte të gjithë thesarin që fshihej në strofkull. Nga goditja gjarprit iu këput vetëm bishti. Ky, ashtu siç ishte i plagosur, u kthye dhe kafshoi djalin. Vdekja ishte e menjëhershme. Në darkë plaku dyshoi se diçka kishte ndodhur djalit, ndaj u nis tek strofkulla. Kur pa djalin të vdekur, i thirri gjarprit që të dilte, se i kishte sjellë qumështin si ditët e tjera. Gjarpri, pa dalë jashtë strofkullës, u përgjigj:
– Bishti pre,
– Djali n’dhé,
– S’ka miqësi ndër ne.

Marrë nga vëllimi “Gurrat e Korabit”,
Botimet “Email”, Tiranë 2012