“Një jetë për jetën e të tjerëve”


Ideja për të shkruar një libër për fisin Buci dhe për mikun tim dr. Ramazan Buci ka qenë e hershme, por kjo ide futej nëpër linja të ndryshme arsyetimi dhe mendimi mbrapsej për t’u rishfaqur më vonë dhe për t’u kundërshtuar prapë. Më shumë fitonte peshë mendimi që një monografi nuk është e domosdoshme. Mbase Ramazani ishte nën ndikimin e një thënie të Çehovit, që te njeriu çdo gjë duhet të jetë ose e domosdoshme, ose e mrekullueshme. Por libra të tillë sot nuk mund të shkruhen. Madje, librat më të dobët sot janë monografitë për fiset, të mbushura me lëvdata. Atëherë, përse ta rëndojmë shoqërinë edhe me një libër tjetër si këto? Binim në një mendje se këto libra, në shumicën dërrmuese pa asnjë vlerë, ose me vlera shumë të kufizuara, e kanë diskredituar në një farë mënyre fjalën e shenjtë “libër” dhe po u marrin frymën edhe librave të mirë. Promovimet e këtyre librave ku ata që e merrnin fjalën, e ngrinin në qiell shkruesin, saqë ky i fundit kujtonte se, në mos gjeni, ishte shkrimtar i madh. Këto lavdërime bajate dhe të pasinqerta, pa asnjë përgjegjësi intelektuale, u bënë të neveritshme. Po në këtë kuadër arsyetimi, ka edhe një mendim të kundërt, që konsiston në faktin që nuk e ka fajin monografia si lloj letrar, por mënyra se si shkruhen ato. Shkruesit e tyre e marrin punën kollajshëm.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, ata që angazhohen me këtë punë, gjithçka mund të bëheshin, vetëm shkrimtarë jo.
Megjithatë, arsyetoja unë në bisedë me Ramazanin, po të mos shkruhet ky libër për fisin tënd dhe për jetën tënde, pasardhësit e tu, nipërit dhe stërnipërit e shumë breza që do të vinin mbas tyre nuk do të dinin se fisi Buci nuk ka qenë në këto troje mot e dynja, por ka ardhur nga vise të tjera mjaft vonë. Bucet nuk kanë ardhur me makinë dhe me mjete të tjera moderne, nëpër rrugë të asfaltuara, siç udhëtohet sot, por më këmbë dhe të ngarkuar me plaçka; nuk kanë ardhur për një ditë, as për një javë, por për muaj e vite, rrugë pa rrugë, nëpër shtigje malesh dhe humnera, të kërcënuar nga i ftohti i madh dhe i nxehti përvëlues, nga kafshët e egra dhe njerëzit e fiseve dhe viseve të tjera, që ishin armiqësorë me shtegtarët. Pa këtë libër, ata që do të vijnë, nuk do ta dinë se fisi Buci edhe këtu ku është vendosur, nuk është pritur me lule, edhe këtu është ndeshur me një jetë shumë të vështirë, të mundimshme që është përballuar me lodhje dhe vështirësi të shumta; nuk do ta dinin se pikërisht për këtë arsye, mjaft nga fisi Buci janë ngritur edhe prej këtu dhe kanë kërkuar vende më të mira për të jetuar. Kjo është arsyeja që këtë fis sot e gjejmë të përhapur në Fushë Lurë, Vlashej, Arrën, Qafë Murrë, Fushë Alie, Macukull, Lazarat, Gjirokastër, Shkodër, Sarandë, në Greqi, Itali, mbase edhe në vende të tjera.
Megjithatë, ky vend – Mustafet – Fisit Buci i është dukur dhe i duket i shtrenjtë, se këtu janë varret e të parëve, këtu është gjaku dhe djersa e shumë brezave, këtu është nderi, dinjiteti, identiteti që ata i kanë marrë kudo ku kanë shkuar, se këtu është vendi “ku të duket balta më e ëmbël se mjalta”.
Brezat e ardhshëm do të mësojnë se Buci ka lidhur miqësi me shtëpi të para në Çidhën, në Dardhë, në Reç, në Muhurr dhe në vendet e tjera; do të mësojnë si kanë jetuar të parët e tyre, si kanë bërë dasmat e mordet dhe do të çuditen me faktin se në ato kohëra nuk ka pasur lokale për gëzime dhe fatkeqësi familjare, ku gjithçka e gjen gati; ata do të mësojnë se për një dasmë duhet të preokupoheshe tre muaj para për të mbledhur në popull filxhanët e kafesë, tepsitë, kazanët, mutafët, qilimat, sixhadet, lëkurat e gjithçka tjetër që duhej. Por më vështirë ishte për të përballuar morden, që të binte papritur dhe papandehur, pa pyetur për njeriun që të merrte, pa pyetur nëse ishte shkulmi i dimrit apo zhegu i verës, pa pyetur nëse kishe apo nuk kishe bukë në shtëpi… Por të gjitha këto janë përballuar.
Ne themi ta ruajmë traditën në të gjitha shfaqjet e saj, të ruajmë edhe traditën e ndërtimit, ato kullat me gurë të gdhendur dhe dyert e dritaret me blloqe mermeri në vend të shtalkave të drurit. Ata që do të vijnë, nga ky libër do të mësojnë edhe si janë ndërtuar këto kulla si kala, për të cilat janë mobilizuar njëqind burra dhe njëqind kuaj për të sjellë gurët, trarët dhe mermerët nga Prati, dhjetë orë larg vajtje-ardhje. Ne sot mësojmë si janë ndërtuar piramidat e Egjiptit, por nuk dimë si janë ndërtuar kullat tona.
Pa këtë libër, brezat e ardhshëm nuk do ta dinin se të parët e tyre, edhe pse në këtë vend kanë vuajtur shumë dhe kanë hequr shumë, kanë luftuar dhe kanë derdhur gjakun për ta mbrojtur nga çdo invador. Varret e fisit Buci janë kudo nëpër Dibër dhe më larg saj. Ata janë burim krenarie për Bucet sot, por do të jenë akoma më shumë për brezat e ardhshëm. Pa e ditur se nga vjen dhe kush je, nuk din ku do të shkosh dhe cili do të bëhesh.
Prej këtij libri jo vetëm Bucet, por të gjithë, do të mësojnë se një nga fisi i tyre, Ramazan Buci, ka qenë doktor i shkëlqyer dhe organizator i zoti, njeri me humanizëm të thellë, me dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për shëndetin e njeriut për të bërë secilin të lumtur, do të mësojnë se në sajë të aftësisë dhe vullnetit ai arriti të marrë gradën “Doktor” dhe të japë mësim në disa universitete.
Prandaj, ky libër, jo vetëm sipas një linje arsyetimi, por sipas shumë syresh, më duket me vend për t’u shkruar, madje e quaj të domosdoshëm. E, pra, meqë qenka i domosdoshëm, vlen edhe kur nuk është i përsosur.