Osman Miha – Nderi i Bulqizës
Nga Shaqir Skarra


Këshilli bashkiak i Bulqizës shënoi në shenjë, duke nderuar një ndër inxhinierët e minierës, ish drejtorin e shkollës së mesme të bashkuar, Osman Miha, me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Ditën e premte, më datë 14 korrik 2019, shumë të njohur dhe familjarë të Osmanit, miq e shokë, kolegë e ish nxënës të tij e lanë vapën dhe zagushinë e madhe të Tiranës dhe udhëtuan drejt Bulqizës.
Lajmi që me datën 14 korrik, në orën 11:00 paradite do t’i dorëzohej titulli “Qytetar Nderi” Osman Mihës në qytetin e vogël të Bulqizës ishte shpërndarë kudo nëpër qytet dhe domosdo që ishte pritur me gëzim. Një vlerësim i merituar, i vonë, por siç thotë populli: “Më mirë vonë se kurrë” . Ndaj, që në orët e para të mëngjesit, lokali para “TV Bulqiza” ishte mbushur plot, sa edhe tavolinat ishin bashkuar me njëra-tjetrën. Të njohur e panjohur, por shumica në Bulqizë, Osmanin e njihnin jo vetëm brezi i tij që punoi për shumë vite me to, por edhe më të rinjtë. Ishin të vjetrit ata që kishin treguar për inxhinier Osmanin kur punonte dhe drejtonte në minierë, por edhe vite më vonë kur ishte drejtor shkolle. Erdhi kryetari i Bashkisë Bulqizë z.Milaim Damzi, kryetari i Këshillit bashkiak Gazmend Kënga si dhe gjithë anëtarët e Këshilllit bashkiak, ku rrallëherë kishte ndodhur që në vendime të tilla vota të ishte unanime.
Si gjithmonë, në të tilla evenimente të rëndësishme dibrane, gazetari i talentuar i televizionit shqiptar Defrim Methasani do të fillonte të moderonte këtë aktivitet. Në fillim shfaqet një dokumentar i shkurtër, por mjaft i pasur nga jeta dhe veprimtaria e gjatë e Osmanit si në fushën e inxhinierisë minerare, ashtu edhe në atë të mësimdhënies, përgatitur nga Defrim Methasani. Të pranishmit u përqendruan sy e veshë në skenë, ku po shfaqej dokumentari. Jo që nuk e njihnin Osmanin, por mënyra se si i kishte gërshetuar ngjarjet Defrimi, vlente për t’u parë vërtet me mjaft kërshëri dhe interes.
Pas dokumentarit radha do të ishte për kryetarin e Bashkisë zotin Milaim Damzi, i cili foli shkurt për Osmanin. “Janë të pakta fjalët sot në këtë eveniment vërtet mjaft të rëndësishëm, e nisi përshëndetjen e tij zoti Damzi. – Të flasësh për ish mësuesin tim, për njeriun e familjarin model, për intelektualin gjithëplanësh Osman Miha nuk është nevoja të mendohesh gjatë, se fjalët burojnë nga ndjenja e shpirtit dhe zemrës, pasi me punën, sjelljen dhe virtytet e tij, Osman Miha ua imponoi respektin të gjithëve në qytetin e Bulqizës. E prita me shumë dëshirë kërkesën e ardhur nga një grup intelektualësh për dekorimin e Osmanit. Emra të tillë si Osman Miha vetëm nder dhe krenari i japin qytetit tonë.
Folën pastaj Emin Gjapi, ish nëndrejtor shkolle e shok me Osmanin, Hamdi Haka, ish mësues në shkollën e Bulqizës, Agim Totraku, Muharrem Gjoka, Faik Bruçi, Latif Miha, i cili përshëndeti të pranishmit edhe në emër të familjes.
Bujar Karoshi, i cili kishte ardhur nga Tirana për këtë veprimtari, në përshëndetjen e tij ndër të tjera tha: “Për mua është një ceremoni e veçantë dhe shumë domethënëse. E njoh Osmanin pak si inxhinier, mësues e hartues tekstesh të arsimit profesional, por e njoh më mirë si një njeri të përkushtuar, të ndershëm,, korrekt e gjithmonë të buzëqeshur. Cilësi këto që e kanë bërë ta njohin të gjithë si një inxhinier të zotin, një mësues e drejtues të përkushtuar. Ky nderim që këshilli bashkiak i Bulqizës i ka bërë Osmanit,nuk është vetëm një nderim për të individualisht, por një respekt që u bëhet të gjithë mësuesve dhe njerëzve të punës. Është me fat Bulqiza që ka një Qytetar të tillë Nderi, sepse me të tillë njerëz, nderi i Bulqizës dhe Dibrës vetëm rritet”.
Në fund, qershia mbi tortë, – siç u shpreh Defrimi, kryetari i Bashkisë Milaim Damzi i dorëzoi titullin e lartë “Qytetar Nderi i Bulqizës” Osman Mihës me motivacionin “Për punë të shquar në minierë dhe gjeologji dhe kontribut të çmuar në arsimin profesional në Bulqizë”.
Fundi i këtij aktiviteti nuk përfundoi këtu. Latif Miha, vëllai i vogël i Osmanit, administrator i kompanisë së ndërtimit në Tiranë “Andi Konstruksion”, kishte menduar ndryshe.
Të gjithë së bashku, ashtu siç ishim të pranishëm në atë sallë, u drejtuam për një drekë në dalje të Bulqizës, një drekë kjo më tepër se familjare, miqësore e shoqërore, ku nuk munguan as këngët e vallet dibrane. Orët u zgjatën e vetëm vonë pasdite e lamë Bulqizën, por e lamë me një “Qytetar Nderi” më shumë.
Po kush është në fakt Osman Miha, për ata që nuk e njohin dhe duan të dinë më shumë për jetën dhe veprën e “Qytetarit të Nderit” më të ri të Bulqizës?
U bënë më shumë se pesëmbëdhjetë vite që njihem nga afër me inxhinierin e minierave Osman Miha. Pesëmbëdhjetë vjet nuk i thonë pak. Takime të shpeshta, kafe, biseda të ndryshme komunikimi dhe herë-herë edhe debat miqësor. Nuk pata fatin ta njoh më herët Osman Mihën, atëherë kur qyteti i vogël i Bulqizës gumëzhinte si zgjua bletësh në çdo orë të ditës dhe natës. Jeta ime në atë periudhë kohe kishte marrë rrjedhë tjetër, e inxhinier Osmani e kishte lënë me dhimbje vendlindjen e tij të dashur, Qafë-Murrën për të ardhur përfundimisht në këtë qytet të bukur, të zhurmshëm, gjithë jetë e gjallëri, rrethuar nga male të lartë.
Shpeshherë kisha menduar që t’i shkruaja dy fjalë për inxhinier Osmanin, por hë sot e hë nesër, nuk më ishte bërë mbarë. Pikërisht ky titull i lartë nderi u bë shkak që kujtesa ime të trokiste tamam në kohë, dëshira për të shkruar e portretizuar jetën dhe veprën e intelektualit, inxhinierit, njeriut model, dibranit të mirë e palodhur Osman Mihës.
Lindi në Qafë-Murrë në një natë të ftohtë shkurti të vitit 1947. Ishte fëmija i parë i Hidër Mihës dhe domosdo edhe përkujdesjet ishin më të mëdha. Vendi sapo kishte dalë nga lufta e madhe dhe e gjatë nacionalçlirimtare dhe era e barotit të djegur ndjehej kudo.
Hidër Miha, edhe pse vetë ishte i paarsimuar, e donte arsimin dhe kishte besim të plotë që vetëm nga arsimi, vendi duhej të ndryshonte, ndaj dhe kurrë nuk ia preu vrullin dhe dëshirat që kishte djali i tij për t’u shkolluar.
Osmani do të vazhdonte shkollën fillore e shtatëvjeçare në fshatin e tij të lindjes dhe më vonë do të zbriste në Lunarë. Ishte larg fshatit, duhej të ecje më këmbë, në kohë të mirë dhe vështirë, por nuk u shkëput nga shkolla asnjë ditë, nuk bëri asnjë mungesë dhe niveli i tij mësimor ishte shumë i kënaqshëm. Përparimi i tij në mësime kishte rënë në sy edhe të mësuesit Adem Perhati, i cili do të ngulmonte shumë që Osmani të vazhdonte më tej.
Të drejtat e studimit vinin pak dhe me planifikim. Degët e preferuara dhe të pëlqyera nuk para vinin në fshatra të thella siç ishte Qafë-Murra.
Në vitin 1961 erdhi një e drejtë studimi për në teknikumin e minierave dhe gjeologjisë në Përrenjas, të cilën me të drejtë e fitoi Osman Miha. Ishte hera e parë që largohej nga familja, por vullneti që kishte për t’u shkolluar nuk e pengonte fare të niste një jetë larg familjes e fshatit. Shpeshherë, si nën zë, i thoshin Hidrit bashkëfshatarët e tij se djali tashmë nuk do të kthehet në fshat, do të vazhdojë shkollën e nuk dihet ku e përplasin dallgët e jetës. Djali i madh, shtylla e shtëpisë, nuk do të të bëhet krah mbështetje për ty në blegtori e bujqësi. E Hidër Miha i dëgjonte të gjithë, por e kishte vendosur se djalin nuk do ta ndalonte në udhën e dijes.
Atë mëngjes shtatori të vitit 1961 Osmani largohet nga fshati me një valixhe të vjetër druri, për të mos u kthyer më kurrë. Fillimi i shkollës së mesme ishte edhe shkëputja përfundimtare fizikisht me vendlindjen. Them fizikisht, se shpirtërisht Osmani kurrë nuk është shkëputur nga vendlindja e tij e dashur.
Në vitin 1965 përfundon teknikumin e mesëm gjeologji-miniera në Përrenjas me rezultate të mira dhe pushimet e verës i bëri në vendlindje. Nuk qëndroi shumë pranë prindërve, pranë vëllezërve dhe motrave. Një detyrë e re tashmë e priste. Jeta e tij merrte rrjedhë krejt ndryshe. Osmanin e kishin caktuar me punë në minierën e kromit të Bulqizës. Kjo ishte dhe periudha që Osman Miha do të përqendrohej jo vetëm me punë, por edhe me banim përfundimisht në qytetin e Bulqizës. Për një periudhë kohore dy vjeçare punoi si brigadier, teknik miniere, teknik makshedër në minierë. U njoh gjatë kësaj periudhe me minierën, me të fshehtat e vështirësitë e saj. Ky ishte edhe kontakti i parë i Osmanit me minierën, por edhe një përvojë e madhe pune, ku gërshetohej bukur teoria që kishte fituar në shkollë me praktikën që po e shikonte dhe prekte vetë me duar.
Në vitet 1967-1972 Osman Mihën do ta gjejmë në Universitetin e Tiranës, sot Universiteti Politeknik, fakulteti Gjeologji-miniera. I kishte dalë e drejta e studimit për inxhinier miniere, të cilën e përfundon me nota të mira në vitin 1972.
Pas përfundimit të shkollës kthehet tashmë i kompletuar në qytetin minator të Bulqizës. Qyteti kishte filluar të rritej e mjaft banorë të rinj i ishin shtuar Bulqizës. Edhe Osmani jetonte në këtë qytet të bukur minatorësh.
Në fillim filloi punë përgjegjës sektori dhe kryeinxhinier kantieri në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Minierave, por këtu nuk qëndroi gjatë. Duke parë aftësitë e tij menaxhuese sidomos në fushën e arsimit profesional, Osman Miha caktohet drejtor i shkollës së mesme të bashkuar Bulqizë, ku kishte degët: miniera, gjeologji, shpim, elektrike, mekanike, bujqësore dhe të përgjithshme, një shkollë kjo me shumë profile dhe me një kolektiv të madh si në mësues, ashtu edhe në nxënës. Shkolla ishte hapur vite më parë, por nga vetë profilet e ndryshme, ku shumica ishin profesionale, vazhdonin edhe një numër i madh nxënësish, jo vetëm nga qyteti i Bulqizës, por edhe nga të gjitha fshatrat e deri në Shupenzë. Shkolla vazhdonte me tri turne, ku Osmani në kohë të mirë e të keqe do të dilte nga shtëpia në orën 6 të mëngjesit për të hapur dyert e shkollës e për t’u interesuar që të ndizeshin sobat në kohë të keqe, pasi nxënësit vinin të lagur dhe largohej nga shkolla vetëm në mbrëmje vonë. Në fillimet si drejtor shkolle vetëm kolektiv arsimtarësh kishte 135 veta, ku shumica vinin nga Tirana, por edhe nga rrethe të ndryshme të vendit.
Jo pak, por Osmani qëndroi drejtor pranë kësaj shkolle nga viti 1975 deri në vitin 1990, plot pesëmbëdhjetë vjet. Osman Miha nuk është thjesht vetëm një kontribues i zhvillimit të arsimit profesional në Bulqizë, por realisht një nga themeluesit e tij, dhe me emrin e tij lidhet edhe progresi i mëtejshëm i këtij arsimi. Ai e drejtoi gjatë shkollën e mesme shumëdegëshe të Bulqizës dhe i dha fizionomi të qëndrueshme profilit të minierave me drejtimin kompetent si hartues i teksteve dhe për lidhjet e gjera me minierën e kromit, duke përgatitur specialistë të aftë për zbulimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare, veçmas të kromiteve. Shkolla e mesme e Bulqizës, nën drejtimin e Osmanit dhe të disa mësuesve me emër, u bë baza e përgatitjes së specialistëve të lartë në degë të ndryshme të universitetit, që shkallë-shkallë plotësuan nevojat me kuadro vendas. Në hyrje të qytetit të Bulqizës ajo shkollë tërhiqte vëmendjen me godinën, me kabinetet e gjuhës së huaj, të kimisë, fizikës etj., që konkurronin denjësisht edhe ato të shkollave më të mira në qendër të Tiranës.
Janë me qindra e qindra kuadro që dolën nga bangat e kësaj shkolle e sot drejtojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, dolën mjekë e inxhinierë, ushtarakë të zot e ekonomistë, gjuhëtarë e diplomatë. Krahas punës si drejtor shkolle, Osmani nuk qëndroi vetëm në rolin e drejtuesit dhe administrimit të një shkolle të madhe, por punoi shumë dhe me përpilimin e mjaft teksteve mësimore për shkollat profesionale si autor, por edhe me bashkautor. Të tillë tekste mund të përmendim: “Makina minerare”, “Transport miniere”, “Makina transport miniere 1”, “Makina transport miniere 2”. Këto tekste nuk ishin vetëm për shkollën e mesme profesionale në Bulqizë, por shërbenin për të gjitha shkollat profesionale në vendin tonë.
“Shkolla kishte vërtet mësues të mirë e kualifikuar, – thotë Osmani, por edhe nxënësit vinin të gjithë të përgatitur mirë. Kishte nxënës që edhe vetë mësuesi kishte frikë kur futej në orën e mësimit, pasi ishin aq të përgatitur, sa me pyetjet që bënin ua vështirësonin orën e mësimit edhe vetë mësuesve nëse do të vinin në klasë të papërgatitur mirë. Të tillë nxënës mund të përmend Bardhul Camin, i cili ishte i talentuar në të gjitha lëndët, saqë mësuesi kur e pyeste, orën e mësimit e ktheni në debat, duke përfituar njëkohësisht të dy së bashku, nxënësi dhe mësuesi. Edhe nxënësit pa shkëputje nga puna kishin një përparim të dukshëm, ku shumica vazhduan shkollën e lartë e të tjerë filluan punë në minierë si teknikë, gjeologë, mekanikë, elektricistë etj. Kryesore ishte se direkt nga shkolla nxënësit që mësonin pa shkëputje nga puna pajiseshin edhe me kategorinë e punës, pa qenë nevoja ta merrnin me testim në minierë.”
Kur gjykojmë rreth aftësive drejtuese e organizuese të Osman Mihës, të mençurisë së tij për zgjidhjen e problemeve të shumta që i dilnin përpara, të shumta e të komplikuara, me urtësinë që e karakterizonte ai dinte që t’i zgjidhte të gjitha e t’u jepte udhë. E vetmja mënyrë për të bërë punë të dobishme, ndoshta jo të mëdha, por që të jenë të mirëpritura nga njerëzit, është që ta duash atë që bën dhe të lodhesh e të sakrifikosh për të arritur gjithçka. Dhe Osmani ishte shumë i dashuruar me punën, me profesionin.
Osmani dhe familja e tij bëjnë diferencën për mikpritjen, për njerzillëkun dhe raportin e krijuar me qytetin minator të Bulqizës.
Pas viteve nëntëdhjetë, Osmanin e heqin si drejtor shkolle, edhe pse kishte dhënë shumë, sa shkolla e Bulqizës radhitej si një ndër shkollat më të mira në shkallë vendi. Pas shkëputjes nga arsimi Osmani kalon drejtor i ndërmarrjes së bukës në Bulqizë dhe në vitin 1994, si rezultat i reformave që po bëheshin, doli i papunë. Gjatë viteve 1997-1998 fillon punë si shef në zonën “D” dhe nga vitet 1999-2000, kryespecialist i pagave dhe normave në minierën e Bulqizës.
Në vitin 2001 largohet përfundimisht nga Bulqiza dhe vjen me banim në Tiranë. Këtu fillon punë pranë firmës së ndërtimit “Andi Konstruksion”, që kishte themeluar dhe administron vëllai i tij i vogël Latifi, në fillim si ekonomist e sot vazhdon përsëri si drejtues teknik pranë kësaj firme me reputacion në Tiranë dhe jashtë saj.
Punoi e jetoi në një kohë të vështirë, në një moshë të re, kur shokët e tij ende nuk kishin dalë nga bangot e shkollave. U përplas me dallgët e jetës nga më të vështirat, por Osman Miha ishte një pinjoll i një familje të mirë, të njohur jo vetëm në Qafë-Murrë, por dhe jashtë sinorit të saj. Ai veproi me kujdes dhe çau përmes dallgëve dhe furtunave, se i tillë ishte brumosur.
Logjika udhëzon vetëm një pjesë të vogël të njeriut, ndërsa pjesa tjetër i bindet pasionit dhe ndjenjave të vërteta. Ndërsa jam njohur fare mirë me punën gjysmëshekullore të Osman Mihës, të cilën e ka nisur me hapa të vegjël, por mjaft të sigurt për të “udhëtuar” gjatë, mendja më shkon te mundësitë që paska në fakt njeriu për të qëndruar deri në fund besnik, për të ndryshuar veten dhe shoqërinë. Ai gjithë karrierës së tij ia kushtoi arsimit në përgjithësi e në veçanti arsimit profesional. Osman Miha ka qenë gjithmonë pjesë në teatrin e jetës shqiptare, por kurrë si spektator i saj.
Kanë kaluar shumë vite, kanë rrjedhur shumë ngjarje dhe ujëra të rrëmbyeshme në jetët njerëzore. Te personaliteti i Osman Mihës nuk ka ndryshuar asgjë, megjithëse i ka kaluar shtatëdhjetë vitet. Është po ai i pari, që nuk dinte të mbante inate, nuk kishte mllefe, por përkundrazi, rrezaton gjithmonë e kudo vetëm dashuri e respekt në maksimum për njerëzit.