U nda nga jeta Shemsi Manjani


Komuniteti dibran në Tiranë bashkë me shumë të ardhur nga Homeshi, Dibra e Elbasani më 16 qershor përcollën për në banesën e fundit Shemsi Rakip Manjanin (Hoxha).
Lindi më 1934 në fshatin Homesh të rrethit të Dibrës në një familje me kontribute gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në atë të rindërtimit të vendit, zhvillimit të arsimit e mirëqenies.
Arsimin fillor e mbaroi në fshatin e lindjes. Shtatëvjeçaren në Peshkopi së bashku me shkollën e mesme pedagogjike (1949-1953). Në periudhën 1953-1957 përfundoi studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, dega Gjuhë ruse, duke u kthyer përsëri në shkollën e mesme pedagogjike Peshkopi si mësues i rusishtes për një periudhë 10 vjeçare.
Në vitet 1963-1965 u emërua drejtor në shkollën pedagogjike, ndërsa në vitet 1965-1967 drejtor në shkollën e mesme të përgjithshme në Peshkopi.
Për një periudhe kohe nëntë vjeçare (1967-1976) Shemsi Manjani drejtoi seksionin e arsimit dhe kulturës të rrethit Dibër.
Me këmbëngulje e vullnet sipas përvojës të kombinuar me pasionin në fushën e mësuesisë i dhanë një hov të ri zhvillimit sasior e cilësor të arsimit parauniversitar në rrethin e Dibrës. U zgjerua arsimi 8 vjeçar, ai i mesëm i përgjithshëm dhe profesional. U rrit ndjeshëm numri i shkollave, nxënësve dhe mësuesve, bashkë me kualifikimin e tyre. Shkolla dhe kultura njohën zhvillime të reja duke e radhitur Dibrën ndër rrethet e dalluara në shkallë Republike.
Sporti u shtri shumë edhe në fshat, suksese të rëndësishme u shënuan me ekipet cilësore të rëndësishme si alpinizmi, qitja, radioamatorizmi, volejbolli (vajza), shahu etj. Si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i zgjedhur nga populli ndihmoi në forcimin e këshillave, pushtetit lokal, për të qenë sa më afër halleve dhe problemeve të njerëzve në fshat e qytet.
Në vitin 1976 filloi punë si mësues në shkollën e Muhurrit, për të ardhur në vitin 1980 përsëri në Peshkopi, por tani si kryeredaktor i gazetës lokale “Ushtima e Maleve”.
Në gazetë solli vrullin dhe frymën e kolektivitetit, duke i ndihmuar dhe zgjeruar rrethin e bashkëpunëtorëve dhe korrespondentëve vullnetarë në skajet më të largëta të rrethit.
Përvoja e mirë e shumë brigadave, kolektivave, në krom, bujqësi, ndërmarrjet ekonomike, pasqyruar në shtyp e rritën nivelin e gazetës, duke e bërë atë më të dashur e mjaft të kërkuar prej një mase të madhe nga punonjësit e intelektualët e Dibrës. Vetë Shemsiu ishte aktiv në përgatitjen e reportazheve, artikujve problemorë dhe me karakter edukativ, një shembull i mirë për gazetarët e “Ushtimës”.
Ka pasqyruar gjithnjë në faqet e shtypit të shkruar dhe në media, zakonet, traditat, historinë resurset ekonomike e turistike të Dibrës e sidomos të vendlindjes së tij, Homeshit e Grykës së Vogël. Ka qenë gjithmonë i angazhuar në veprimtari lokale, sesione shkencore për arsimin, kulturën e sportin, në mënyrë të veçantë për shkollën pedagogjike ku kaloi dhe vitet më të bukura të jetës së tij si nxënës, por edhe si drejtues.
Në 1985-1987 erdhi si mësues në Tomin, ndërsa 1987-1989 e mbylli karrierën e tij të mësuesisë në shkollën e mesme bujqësore.
Shemsi Manjani u martua me Nevrez Shëngjergjin nga Elbasani, diplomuar për Histori-gjeografi. Punoi në arsim në Dibër rreth 30 vjet, ndër mësueset më të dalluara, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”, Klasi i I. “Qytetare Nderi” e Peshkopisë. Djali, Sokoli mbaroi Universitetin e Tiranës, dega Stomatologji, ndërsa vajza, Teuta, Kimi industriale.
Brezi i ri i viteve ‘50 të shekullit të kaluar do ta kujtojnë Shemsi Manjanin si futbollist të “Korabit”, ndër lojtarët më të mirë të ekipit. Atëherë ekipi i “Korabit” në sajë të futbollistëve të talentuar si: Lutfi, Riza e Shemsi Manjani qëndroi në kategorinë e parë. Ishin vitet më të suksesshme në futboll të klubit “Korabi”, një shembull i mirë për brezat e rinj të sportit në rrethin e Dibrës.
Familja e tij i ka dhënë shumë sportit në rrethin e Dibrës. Teuta ushtroi sportin e shahut dhe për dy vjet u shpall kampione kombëtare për femra. Bajrami, vëllai i tij punoi në shkollën e Shupenzës me ekipet sportive të fëmijëve për një kohë të gjatë. Shemsiu, edhe pas daljes në pension, përfaqësoi “Korabin” në ndeshje ndërkombëtare ping pongu në Maqedoni, Bullgari, Kosovë etj.
Gjithnjë aktiv, punëtor dhe i palodhur si veprimtar në Shoqatën e Intelektualëve Dibranë dhe bashkëpunëtor i gazetës “Rruga e Arbërit”.
Pas viteve 1995 erdhi familjarisht në Tiranë. Shemsi Manjani ishte dhe mbeti një ndër kuadrot me autoritet dhe integritet për rrethin e Dibrës. I tillë do të mbetet gjithnjë për miqtë, shokët, të afërmit, mësuesit, për të gjithë ata që e njohën në Dibër, Tiranë, Elbasan etj.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Osman Turja, Jovan Bardhi, Elmas Lala, Ramiz Lela, Beqir Shehu, Xhevahir Hoxha, Bashkim Lleshi, Reme Daci, Menduh Dema, Shehat Cami.