Burrat në shtëpi e nusja në mulli


Në një fshat të Gollobordës ishin tre vëllezër, por që të tre dembela. Për punë nuk ia thoshin fare. Kur u martua vëllai i madh sikur ranë rehat. Të gjitha punët ua bënte nusja. Një ditë kur nusja futet në magje të zinte bukën shikon se mielli ishte mbaruar. Futet në dhomën ku rrinin vëllezërit bashkë e loznin domino dhe u thotë:
– Në magje nuk ka miell, duhet të shkoni në mulli, ndryshe nuk kemi bukë për darkë. Njani prej vëllezërve i kthehet nuses:
– Po shko, moj nuse, në mulli, ç’pret? Nusja kur u bë gati të shkonte në mulli, ndaloi dhe njëherë dhe pa ato meshkujt e shtëpisë që loznin domino pa e prishur terezinë:
– Besa vetëm kjo punë nuk është e mirë. Tre burra në shtëpi e të shkojë nusja në mulli, sikur nuk bën. Po, nejse, unë po shkoi, por haram i qoftë mullixhiut po nuk ma bluajti mua drithin pa ren.
Marrë nga vëllimi “Gurrat e Korabit”,
Botimet “Email”, Tiranë 2012