Fis shekullor me kontribut për çështjen kombëtare


Libri i Sakip Camit “Fis i martirizuar”, me figura historike njerëzore të një fisi, me episode të shkëputura, me një vijë lidhëse të epokave fisnore të ndodhura në disa breza me radhë, më shtynë që të shkruaj disa mendime dhe të bëj vlerësime për këtë dukuri të re, të shtuar në kohën e demokracisë në çdo cep të Shqipërisë.
Historia luftarake atdhetare e Dibrës shtrihet thellë ndër shekuj. Për të, sidomos në shek. XX, është folur e shkruar shumë. Të dhënat e para të dokumentuara vijnë që me fillimet e pushtimit osman. Në luginat, grykat e honet e Dibrës e posaçërisht të fshatrave të saj, sikurse venë në dukje disa studiues, nën udhëheqjen e Skënderbeut, në vitet 1444-1468 ushtritë turke pësuan humbjet e para në trojet shqiptare e kundër shqiptarëve. Më pas të njohura janë kryengritjet antiosmane në 1492, 1700-1705, 1715 e 1729, të viteve 1825-1830, si dhe të kontributit dhe të ndihmesë luftarake të dhënë në kuadrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe në Shpalljen e Pavarësisë. Roli i Dibrës ishte i dukshëm në përballimin e sulmeve të serbëve në vitet 1912-1914. Çdo fshat krijoi çetën e vet për luftime kundër serbëve. Luftimet kundër serbëve në Topojan të çetës së Fetah Camit. Pasqyrim gjejnë masakrat serbe në Dibër, 1913 deri tek ndarja e vitit 1913 – 1948 me farefisin në Dibër të Madhe.
Përparësi zënë beteja kundër Hajredin Pashës në Fushën e Gjoricës, kuvendi i Dibrës, kulla e Camit, kulla e Dibrës, si dhe përhapjen e arsimit shqip në Dibër dhe kundërshtimi për të mos paguar taksat turkut, plagosja e Shaban Camit. Luftëtarët e Camëve bllokuan forcat serbe dhe nuk i lanë të kalonin luginën e Drinit të Zi. Ky ishte një sukses i rëndësishëm për vullnetarët shqiptarë, të komanduar nga antiesatisti i vendosur Fetah Cami.
Atdhetarizmi i dibranëve shënoi majat më të larta gjatë Luftës së Dytë Botërore. Krahina u kthye në një nga bazat më të fuqishme dhe më të hershme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në shkallë vendi. Trimnia e pashoqe e gjithë partizanëve …por mbi të gjitha vihet në dukje heroizmi i Ahmet Camit, i cili i paska sulmue tradhtarët dhe qenka kacafytë me tërbim e urrejtje. Ukë Dan Cami dhe Sinan Cami internohen në Berat nga fashistët italianë, mjaft pjesëtarë të fisit Cami të vdekur për shkak të torturave në burg. Me tej pasqyrohen kryetarë të Këshillave Nacionalçlirimtare, rrëzimi i aeroplanit italian mbi Gjoricë, Prill 1941, vrasja e mësuesit Fasli Cami, si dhe roli i grave, fëmijëve dhe të moshuarit në arrati, etj.
Gjerësisht trajtohet brezi i katërt kundër fashistëve dhe nazistëve, duke filluar me internimet, burgosjet, atentatet dhe vrasjet nga fisi Cami. Lidhje e fistit Cami me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, bëri që shumë nga fisi të rreshtohen partizanë në Br. XVIII S. Përshkruhet Fasli Fetah Cami, mësuesi i parë dhe dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Në faqet e librit zë vend të dukshëm edhe Hidër Rrahman Cami, kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar që vdiq në burgun komunist.
Fisi që shtrihet në Gjoricë, Viçisht, Golevisht, Sepetovë dhe në Dibër të Madhe, pjesë e Dibrës, ka përcjellë në breza trimëri dhe dashuri për jetën dhe njerëzit. Këto vende gjithmonë janë dalluar dhe shquar për urtësi dhe dashuri vëllazërore e fisnore. Zakonet dhe traditat e pasura të trashëguara në breza kanë ardhur deri në ditët tona, të cilat tregojnë për jetesë dhe kulturë të vijueshme në breza. Shfletimi i faqeve të këtij libri për mua ishte një ndjenjë e labit për të njohur dhe lidhur kontakte me figura të panjohura të një fisi, por, në anën verilindore të vendit, të Dibrës, të njohur dhe të dalluar në shekuj për luftëra e përpjekje për jetesë dhe mbijetesë, duke pasur në prag të derës hasmin shekullor, që kërkonte ta gllabëronte.
Libri na përshkruan thjeshtë dhe me ndjenjë vuajtjet dhe sakrificat e kohëve që fisi përballoi, duke i dhuruar mbijetese fisnore sakrifica lufte bashkë me jetën, me pasurinë e tyre, veçanërisht me dibranët dhe familja Cami në Viçisht, nuk ka se si rrjedha historike familjare të bëhet një ndjenjë mallëngjimi dhe krenarie e ligjshme, që e meriton të nderohet e respektohet me ndershmëri njerëzore. Në këtë panoramë familjare vjen rrëfimi për njerëz të thjeshtë, për luftëtar, për dëshmor, për mësues, por punëtor dhe të ndershëm për të jetuar dhe krijuar familje me moral dhe të përkushtuara për fisin. Për më shumë se shumë vite Sakipi ka gërmuar dhe është marrët me gjenezën Cami, ku në të ka përfshirë burrat dhe gratë, fëmijë, nipër dhe mbesa të çdo familje, është një punë guximtare, e lodhshme, por ja vlen që të njihet dhe të vlerësohet. Marrja përsipër e një nisme të tillë kërkon guxim, pjekuri dhe përkushtim, për të nxjerrë në dritë njerëz dhe figura që pluhuri i historisë shekullore të fshihej dhe ti sillte përsëri në jetë.
Në shoqërinë shqiptare të së kaluarës, veçanërisht në atë të fshatarësisë, të cilës i përkiste edhe familja e fisi Cami, familja ka qenë e mbetet bërthama më e qenësishme dhe më e fuqishme e shoqërisë ndër shekuj. Madje mbartëse dhe trasmetuese, nga brezi në brez, e vlerave e virtyteve më të mira të të parëve. Një vend të veçantë zënë dhe figurat e shquara patriotike të fisit Cami si Zenel Ahmet Cami, Eqerem Zenel Cami, Mane Ibrahim Cami, Haxhi Shem Cami, Dan Shem Cami, Shahin Demir Cami, Hamit Ibrahim Cami, Hazis Hamit Cami etj. Trajtohen në libër edhe figura të tjera të fisit Cami si Moisi Ahmet Cami, Mësues i Merituar, Tefta Ahmet Cami (Cani), ministre e Arsimit dhe Kulturës, Dr. Shpëtim Cami, profesori i praktikës dhe teorisë politike, Edvin Lulëzim Cami, poligloti që njeh dhe përkthen në 13 gjuhë të botës,Aurel Cami, PhD, dhe Ferdinad Cami, shqiptari i parë zëvendëspresident i superkompanisë, L-Discovery, Chicago-Illinoi.
Në kuptimin e ngushtë të fjalës familja, është një grup i vogël social, që përfshin marrëdhëniet midis burrit dhe gruas të lindura nga martesa; marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve të lindur ose të birësuar dhe midis të afërmve të tjerë me origjinë të përbashkët gjaku e jetese. Si dukuri shoqërore, familja përfshin: marrëdhënie të ndërlikuara e komplekse shpirtërore, psikologjike (ndjenja dashurie, të simpatisë, të pëlqimit etj.); marrëdhënie morale (të nderit e të dinjitetit, të besnikërisë e të ndjenjës së detyrës ndaj njëri-tjetrit e ndaj shoqërisë) si dhe procese materiale që lidhen me sigurimin material të familjes, me riprodhimin e brezave të ardhshëm etj.
Në kuptimin e gjerë të familjes, pjesë e saj janë edhe anëtarët e fisit. Fillimisht me fis, në shoqërinë e hershme shqiptare, kuptohej një grup njerëzish të shoqërisë primitive me lidhje të afërta gjaku, me gjuhë e zakone të njëjta. Më vonë, me zhvillimin e zgjerimin e shoqërisë njerëzore, në kuptimin popullor dhe etnografik, me fis kuptohej një grup njerëzish të afërt që rridhnin nga një baba i përbashkët e i hershëm në linjë gjaku dhe qumështi.
Vend të dukshëm zë dhe gruaja në familje, por dhe në shoqëri. Gra të shquara të fisit Cami përfaqësohen nga Nënë Pema (Peme Rexha) (Cami), Bejaze Duka (Cami), Bejaze Kamberi (Cami) Shyrete Cami (Sharku), Burrëresha Ramije Cami (Skuka), veterane e LANÇ-it, Tefta Ahmet Cami (Cani) dhe shumë të tjera.
Këto vlerësime e këndvështrime janë mbajtur në vëmendje në gjithë rrjedhën e shtjellimit të librit “Fisi i martirizuar”. Këto i kanë shërbyer autorit si udhërrëfyes për mbledhjen e përpunimin e të dhënave që shkojnë disa breza larg, si në linjën mashkullore dhe atë femërore. Largësia e këtyre brezave, në të Drejtën Zakonore të Dibrës, është pranuar të jetë 7 në linjën mashkullore dhe 5 në atë femërore apo sikurse quhet ndryshe, në linjën e barkut apo të qumështit, tërësia e fëmijëve që vijnë nga një nënë në lidhjen gjinore femërore, bark pas barku. Kjo bashkësi brezash në fshatrat e Dibrës është quajtur bark apo edhe fis.
Nëpërmjet përshkrimit të figurave historike të një fisi si Cami, pena e Sakip Camit ka sjellë përsëri në memorien e fisit stërgjyshërit Hani i Ibrahimit me djem Hidri, Hasani dhe Islami, Cami dhe Koleci, Ahmet Cami, Zenel Cami, Mahmud, Shemë e Mustafë Cami, Feta e Shaban Cami, Rrem e Shahin Cami dhe shumë të tjerë familjarë në vite e dekada.
Vlerat që ka mundur Sakip Cami të qëmtoj, të përgjithësoj dhe të pasuroj në libër të çdo pjesëtari të fisit të Cami do t’i zbukurojnë e pasurojnë shpirtin, për sot e për nesër, çdo pjesëtari të këtij fisi me emër në çështjen kombëtare. Unë shpreh siguri se me leximin e këtij libri fisi Cami do ndjehet krenar për të parët, por edhe do të rritur besimin e përkushtimin për të nesërmen e çdo njërit prej tyre. Pa diskutim dhe dashurinë e respektin për njeri tjetrin brenda familjes e fisit. Kushtet e integrimit, të globalizmit e të lirisë së lëvizjes që po përjetojnë brezat e sotëm me ndryshimet marramendëse të botës që na rrethon, nxjerrin më në pah nevojën e vlerave dhe kthimin e vështrimit prapa. Kjo si parakusht për të kujtuar e ruajtur lidhjet e gjakut, të qumështit dhe të barkut e këtej edhe për të jetuar me nder e dinjitet të tashmen e për të ecur më të sigurt përpara në të ardhmen në përballimin e sfidave të padiskutueshme të kohës. Sfidat nuk janë gjë e re. Me to, sikurse tregon edhe përvoja jetësore e brezave të hershëm të familjes e fisit Cami, janë përballur, përballen e do të përballen në çdo brez. Me ndërgjegje në këtë libër theksoj se është një Homazh për gjyshërit, prindërit, të gjithë të përkushtuarit për çështjen kombëtare të këtij fisi të madh.
Njerëzimi, duke përballuar sfidat e kohës, ka krijuar një traditë të tërë, për rreth 80.000 vitesh. Kjo traditë përfaqëson shumatoren e rrugëtimit e të mënçurisë njerëzore, pa të cilën bota nuk do të kishte këtë zhvillim që ka sot. Asgjë, as në shkencë e dije, sado mendje të ndritura, nuk ka filluar e nuk fillon nga hiçi. Në këtë shumatore e si pjesë modeste, por me vlerë të saj në këtë cep shkëmbor të Ballkanit Perëndimor, gjykoj se hyn edhe kontributi i mbarë popullit shqiptar sikurse edhe i familjes e Fisit Cami. Gjithsesi sërish theksoj se ky botim do të mbetet faqe e hapur për tu plotësuar.
Në lexim libri të duket si një punë e thjeshtë, e sistemuar dhe kaq, por, për ata që merren me gjenezën është një punë e vështirë dhe kërkon përkushtim dhe vëmendje ndaj çdo vlere dhe të çdo pjesëtari të tij. Libra të tillë kanë vështirësi dhe sjellin gjithmonë edhe mendime dhe kundërshti, për mënyrën e ndërtimit dhe të kompozimit të tyre.
Libri është i një llojit të veçantë, i ndërtuar ndryshe dhe i strukturuar thjeshtë, ku vjen gjeneza e fisit, ku përfshihen njerëzit që nga vitet e lindjes të stërgjyshërve, deri te filizat e rinj. Veç sidomos angazhimi i secilit, qoftë edhe të shkruaj shkurtimisht për familjen e tij të ngushtë dhe për vete, është e mbetet detyrim i respektuar dhe zgjidhje gjithnjë e më tepër shteruese. Ne, paraardhësit apo brezi më i vjetër, kemi detyrim moral ndaj pasardhësve tu lëmë të shkruar të kaluarën e familjes e fisit apo edhe atë vetiake.
Familja dhe fisi CAMI, në pjesën më të madhe të brezave të mëparshëm që njihen, kanë qenë të lidhur pazgjidhshmërisht me fshatin dhe krahinën e Dibrës. Shkalla e njohjes, të paktën nga brezi i Parë, i para mbi tre shekuj që është mundur të gjejë studiuesi Sakip Cami, tregon se janë autoktonë, jo të ardhur nga ndonjë vend apo krahinë tjetër. Në të kundërt, degëzime të veçanta të brezave të mëpasëm, për shkaqe të ndryshme e të panjohura plotësisht prej tij, por që faktohen apo mund të hamendësohen, janë larguar nga vendlindja e të parëve për në krahina të tjera të Shqipërisë. Kjo dukuri u bë sunduese, ndërkaq edhe tepër e njohur, në 60-70 vitet e fundit të shek. XX. Këto krijuan ngulmime të reja masive nëpër Shqipëri. Madje edhe jashtë shtetit, thuajse në të gjitha kontinentet.
Në leximin e kësaj biografie familjare, kuptojmë dhe vështirësinë që ka pasur dhe hasur Sakip Cami në shkrimin dhe pasqyrimin e saj, në këtë panoramë, që shërben si një rast i llojit të veçantë. Me guxim ai ja ka dalë. Këtë e gjykon dhe e vlerëson edhe lexuesi më i thjeshtë…
Tiranë, 2019