Fjalë e frazeologjizma të rralla


Marrë nga libri “Toponimia e Çidhnës” i autorëve
Haki Përnezha dhe Rruzhdi Bitri,
Botimet M&B, Tiranë, 2016.

Frazeologjizma të rralla

♦ Kaç e puth – Káç e púth: Kjo shprehje shërben për të treguar dy persona që në raportet e tyre prishen dhe rregullohen shpejt, e kjo ndodh shumë shpesh.
♦ Duel (e çitëm) kren’sh / Dūel … e çítëm .. .e bám’… krén’sh: Doli, e nxorëm, e bëmë … krenësh). Përdoret për ndonjë rast kur nuk jemi të sigurt se do t’ia arrijmë të ndajmë diçka, duke i dhënë secilit pjesën e vet.
♦ Menja n’rrafshe e toka n’brinjë: Mendja në rrafshe dhe toka në brinjë.
Thuhet për dikë që nuk do t’ia dijë, me mendje të rrafshuar dhe i qetë pavarësisht se nuk ka shtroje dhe fle në brinjë. E nëjtë me Mendja n’thatë e toka nër ujë.
♦ Muer n’thue: Mori në thua. Thuhet për dikë që preket lehtë, preket me një fjalë, që nuk duron fare; për dikë që zemërohet punë e pa punë.
♦ Han n’kasht’ t’samarit: Përdoret me kuptimin: që s’ka asgjë për të ngrënë, që përpiqet të mbijetojë me rezervat e veta. Thuhet për dikë që është shumë i varfër.
♦ Ia çiti kashtën samarit / Ia çíti káshtën sámarit: Ia nxori kashtën samarit. Përdoret me kuptimin e prishi punën fare, e dërmoi muhabetin. Jo rrallë herë përdoret edhe varianti identik me të mësipërmin: E la për dërrasash, ia hoqi kashtën samarit.
♦ Kërkon klluf k… e merr pall’ bith’s / Kërkon kllúf k…. e merr páll’ bíth’s: Kërkoi klluf k… e mori pallë bythës. E njëvlershme me Shkoi shyta për brinja e la vesht.

Fjalë të rralla

► dari / darí-a: Darovi, dari. Nga sll. dar, darov, dhuratë; daroviti, dhuroj. Dhuratat që përgatit nusja për njerëzit e burrit. Tek Çabej, darovi. Nusja kishte sjellë dari të madhe. Me fjalën dari lidhet dhe folja daris, e cila përdoret me kuptimin jap, dhuroj.
► drugj’ / drúgj’-a: Një copë dru rreth 30 cm në të cilin mbështillet peri për të endur pëlhurën e leshit: Ti or pashë s’i din k’to rrugja / se n’Çidhën nrajshe tajret drugja (pop.).
► dredh’: Një fashë lëkure e gjerë deri 1 cm, që nxjirret nga lëkura e lopës dhe që shërben për të thurur a qepur opingat e bëra me lëkurë lope. Quhej dredhë pasi ajo gjatë përdorimit përdridhej e bëhej si gjalmë.
► dërtnall / dërtnáll: Tek Çabej, dërtnall, me kuptimin vrapon me të katërta. Në të folmen e vendit përdoret me kuptimin: i trashë; që s’di çfarë bën. Njëri dertnall.
► drage: I vogli i maces, koteleja. I mbante në krah si macja draget. Te Çabej, drage, peshk i ujërave të ëmbla.
► (o) drêêê!!! – Pasthirmë; shpreh habi e pakënaqësi. E sjell edhe Çabej, por në formën drë. Ç’na gjeti! Fjala dreq, e shkurtuar, për bestytëni.
► dispjek: Grabis gjithçka. Nuk i lanë asgjë, s’i ka mbetur asgjë. E bënë dispiak. Kanë hyrë në shtëpi dhe më kanë bërë dispiak. Çabej e lidh me inat.
► dëgram: Dogram, e plotësuar, e kompletuar, në mënyrë perfekte. Kishte një shtëpi dogram. Tek Çabej, me kuptimin punime zdrukthtarie.
► dëknajs: Dokëndis, tek Çabej me kuptimin bie rëndë në stomak; i bëj dëm shëndetit; prek në sedër. Në Dibër më së shumti përdoret me kuptimin këmbëngul: I doknajsi nji dhajmcë në stomak.
► dullak: Çabej përmend formën duvak dhe jep shënimin: një rrobë në formë thesi që u vihej nuseve gjatë transportit nga shtëpia e tyre deri te shtëpia e dhëndrrit. Fjalë me burim nga turq. duvak, vello. Figur.: kur i fola, u bë dullak i kuq.
► disi / disi / dísi: Me këtë fjalë nis tregimi i një ëndrre. Përdoret shpesh deri në përfundim të ligjërimit. Përmendja e fjalës disi na bind se kemi të bëjmë me ëndërr.
► denajk/ dēnajk: Danik, ndaras të tjerëve. Që rrin ndarë nga të tjerët, nga grupi. Dukej se ishte i mërzitur se rrinte danajk. Përdoret edhe si folje në formën danajk-u, me kuptimin veçoi, ndau: danajku disa lekë dhe të tjerat m’i ktheu mua (bised).