Grindja për kufijtë ndërmjet Zogollit dhe Çidhnës


Se sa fort e kishin marrë fuqinë në dorë tani katundarët përkundra oxhaqeve dhe parive na e tregon bukur anekdota e Has Bulkut, të cilën e quajmë anekdotë, por nji anekdotë që tregon nji ngjarje të vërtetë.
Hasan Bulku ishte i fisit Koltrake, që në atë kohë banonin në Sinjë. Edhe këta shkonin keq e qenë vra me Kaloshët, kështu që u detyruan të shpërngulen. Koltrakët sot banojnë në Kukej e Kastriot, kurse pasardhësit e Has Bulkut, Sulhasanët (Sula, i biri i Has Bulkut), banojnë në nji lagje të Fushë Aliajt, poshtë katundit Blliçe.
Has Bulku ishte shumë i varfër. Në rininë e vet kishte qenë hizmeqar ke sheh Ibrahimi në Borovjan, mendoj bujk ke bejlerët e Vakufit (Hysenagollët). Ai ishte kaq i varfër, sa kur sheh Ibrahimi martoi të birin dhe e grishi, nuk kishte me i dërgue nji dash bakshish simbas zakonit. Tue ecë rrugës, i del nji lepur. Ky nuk iku, por qëndroi në vend me kryet e kthyem nga Hasani, sikur me dashtë me i thanë: “Merrëm mue e çomë në dasëm në vend të dashit!” Hasani e vrau dhe e mori me vete.
– Or i bekue, i tha shehut duke ia vu lepurin përpara. – Ta kam sjellë në vend të dashit! Isha mirë me duer bosh, por për mos me u marrue, ma qiti Zoti përpara kët’ lepur. Për hajr të qoftë dasma!
Të gjithë qeshën me këtë shaka të Has Bulkut. Lepurin e futën në kazan. I përzimë me dhjamë dashi, ai ishte ba aq i shijshëm, sa të gjithë kërkonin nji copë prej tij, por ai ishte aq i paktë në atë kallaballëk mishnash, sa quhej me fat të madh ai që gjente nji copë.
Has Bulku kishte nji mik në Macukull të Matit, i cili e grishi në dasëm. Kur hyni mbrenda në konak dhe deshte me varë pushkën, vuri re se të gjithë kunjat ishin mbushë plot e përplot me armë. Vetëm në nji kunj ishte varë tek nji pushkë. Kjo ishte pushka e Zenel Vatës. Ky ishte pari në Macukull, nji burrë me influencë të madhe në të gjithë Matin. Kur Zogolli deshte me ia mbledhë armët Matit, ai i hyni në saraj dhe e vrau. Për këtë arsye i këndohet kanga edhe sot:
…Xheç rahmet or Zenel Vata,
Çi na i lae pushkët e gjata!…
Has Bulku nuk e njihte Zenel Vatën, as nuk e dinte se pushka e varun ishte pushka e tij. E gjeti vendin ma të lirë në atë kunj dhe vari pushkën e vet, por Vata çohet i zemëruem nga vendi dhe i briti:
– A nuk e njeh pushkën e Zenel Vatës?!
Zeneli e mori pushkën e Hasanit dhe tue e përplasë kondakun e saj për muri e ban dy copash. Hasani mbeti në kambë i habitun. I lëshoi nji sy mexhlisit për të kërkue ndihmë, por vuri re se të gjithë e shikonin me urrejtje.
– Nuk e patët me udhë me ia ba nji jabanxhiu (sepse ishte dibran, jo matjan) kështu, – tha dhe duel jashtë me krahë të mbledhun prej frike, prej zemërimi e prej turpi. Shkoi dhe u ul në oborr te shërbyesit e dasmës (kafexhinjtë e gjellbamsit) tue mendue se ç’do të bante për të pague veten. Mat e pre, por nuk i dilte hesapi kurkund. Kur erdhi koha me shtrue darkën, akshitë po mbushnin lengjerët me mish. Njenin nga lengjerët po e rregullonin ma mirë, sepse ishte për sofrën e Zenel Vatës. Në këtë lengjer, Has Bulku rrëmbeu kokën, bishtin dhe shpatullën, ua hodhi qenve dhe iku. Koka, bishti dhe shpatulla quhen shenja burrnie. Në sofër këto do t’i viheshin përpara Zenel Vatës, si i parë i atij vendi. Kur pa legjenin kështu të shëmtuam, ai briti:
– Ku janë raçet e burrnisë?
– I muer Has Bulku, – i thanë.
– Po ju ç’botë?
– Na iku.
Ai u ngrit prej sofre pa hangër bukë. I duhej me marrë hak, por me e ndy çiçin e pushkës së tij të famshme që kishte vra pashën e Matit, në trupin e nji njeriu pa vlerë, bujk e hismeqar, do t’ishte për të nji vepër shumë e ulët. Nji ditë, ai i ra stanit të Sinës, ku banonte Has Bulku dhe rrëmbeu gjithë bagëtinë e këtij katundi. Këtë deshën edhe sinjanët. Këtyne u kishte ardhë në majë të hundës, sepse Zogolli ua kishte vu kufinin pak ma larg se oborret e shtëpive të tyne. Ata e prenë brezin e lisave në Val, por kjo nuk solli ndonji dobi, sepse Zogolli vazhdonte me ngrefë mendër nalt mbi Val, në pjesën e pllajut që i takonte, në Val të Sinës. Duhej me veprue ma me guxim.
Nji ditë u mblodhën rreth katërqind çidhnakë, të cilët vunë të parë Has Bulkun dhe natën, u ranë staneve të Macukullit e të Zogollit bashkë. Ata rrëmbyen 12000 krerë berra dhe jo vetëm këtë, por ngarkuen në kuaj edhe shegat e djathit dhe kusijat, sepse të nesërmen, ku do ta futshin gjithë atë qumësht kur t’i mjelshin dhent? Duke kalue nëpër shkallën e Macukullit u desh që disa deshë t’i hedhin prej shkambit e poshtë në humnerë për t’u lirue rrugën deleve, sepse deshët i kishin brinjët kaq të gjata, sa nuk mund të kalojshin pa i ngatërrue brinjët në atë vend të ngushtë e me zanë rrugën. Qysh prej asaj nate, ky vend u quejt “Shkalla e deshëve” e kështu quhet edhe sot. Kur mbërrin mbi majën e naltë të Valit, Has Bulku lëshoi teposhtë dy kusia të mëdhaja, të cilat tue u rrokullisë me ropamë të madhe atij shpati të naltë lajmëruen sinjanët se u prishën stanet e Zogollit e të Zenel Vatës. Gjithë populli, të mëdhenj e të vegjël vrapoi me pa kusiat në vendin ku ishin ndalë. Qysh prej asaj dite edhe ky vend, quhet “Arat e kusijave”. Kumonët e këtyre deshëve deri tani në këto vitet e fundit kanë pasë qenë ruejtë në Sinë.
Pra, ata që shkojnë në Macukull nëpërmjet Shkallës së Deshëve, duhet të kujtojnë Has Bulkun, sepse e ka pasë lanë vetë me gojë:
“Të boni si të boni, ju qi shkoni nëpër “Shkallën e deshëve” të m’kujtoni”!
Edhe ata që u bie rruga nga “Arat e kusijave”, duhet ta kujtojnë Has Bulkun, sepse e ka pasë lanë vetë me gojë:
“Ju, qi shkoni kah “Arat e kusijave”, n’ato ferra, ta dini se për nji fjalë goje ia kam marrë Zenel Vatës, bishtin, shpatullën, kokën ene 12 000 berra”!
As Xhemal Pasha, as Zenel Vata nuk mundën me e marrë këtë hak. Xhemal pasha u kërkoi çidhnakëve që t’ia kthejnë bagëtinë, por këta i kërkuen të vijë në kanun për të caktue kufijtë. E, mbasi ai nuk i shtrohej kanunit, këta nuk ia ndanë damet. Për të mbrojtë stanet, Zogolli ngriti nji postë me kllukë mbi Val të Sinjës. Çidhnakët, të udhëhequn prej Nure Gjoçit e Ali Hanit prej Çidhnës së Poshtme, e sulmuen këtë postë dhe i përzunë kllukët pas nji beteje të ashpër, duke e çlirue vendin deri në Zhaurr, tek Guri i Vashës e tek Pika e Ujit (kroi i Cikrimit), ku duhet të ishte kufini. Mbas kësaj lufte, për disa vjetë, bjeshkët mbetën pa u shfrytëzue. Në vitin 1902, Xhemal pasha e ndërtoi prapë postën e kllukëve mbi Val dhe ngriti nji stan, por kllukbash aty vu Tafë Tolën prej Çidhne. Ky ishte njilloj si të vesh ujkun të ruajë vathën, sepse Tafë Tola, vërtet ishte sejmen tek Zogolli për të marrë nji rrogë, por për çështjen e kufinit e urrente pashën njisoj si çidhnakët e tjerë. Mbas nji viti, pranë postës, në vendin që quhet Lugjet e Pashës, ai ngrefi nji stan gjoja të vogël, sa për berrat e vet, por vitin tjetër mblodhi aty gjithë dhentë e Sinës e të Arrasit. Zogolli i dërgoi fjalë se duhej me e prishë atë stan, por ai i çoi fjalë se përkundrazi, duhej me u prishë stani i Zogollit. Atëherë, Xhemal pasha dërgoi nji fuqi të madhe dhe e prishi stanin e Tafë Tolës tue rrëmby gjithë bagëtitë që ndodheshin aty. Mbas nji viti, Tafë Tola zgjodhi 40 djem çidhnakë dhe i ra stanit të Zogollit që kishte ngrefë në Pllajë, rrëmbeu 700 berra e i solli në Çidhën.
Qysh prej këtij viti malin e shfrytëzonin ma tepër çidhnakët dhe Zogolli ngrefte stan vetëm po t’i jepej leje. Aliajt dhe Kaloshët, që ishin parí në Çidhën, nuk muerën pjesë në këtë luftë kundër Zogollit. N’at kohë që çidhnakët të bashkuem luftonin kundër Zogollit, ata ishin vra dhe vriteshin me njeni-tjetrin, mbrenda fisit.
Nën mbretërimin e Zogut, Gjeçi, Hani e Tola në Çidhën e pësuen njilloj si Lleshi në Muhurr. Ata nuk pranoheshin as për qeveri, as për xhandarë e jo ma me i futë djemtë nëpër shkolla.
Çështja e këtij kufini u rregullue vetëm pas çlirimit, në vitin 1944, kur nji komision i posaçëm doli për rregullimin e kufijve ndërmjet Muhurrit, Çidhnës e Matit. Ai mbeti po n’at’ vend: tek Guri i Vashës, në Zhaur e tek Kroi i Cikrimit. Kështu, fshatarët çidhnakë e muhurrakë e fituen luftën e tyne të gjatë.

KANGA E BATALLIT
Ti Batall1), o i pahile 2)
Çi po lufton me Mat e Dibër,
Me iltinat karafile.
– Karafilet, kush t’i mori?
– Në saraj aty dibranë!
– Ti Batall, o mjekër gjanë,
Çi bane sejmenët nizamë?
– Ca i kan’ vra, ca i kan’zanë.
Në Pazar thirri tellalli:3)
– Kush mos ardhtë, vaj prej halli,
I shkon gjaja, i shkon malli,
Gjan’ e tij e merr Batalli!
– Ti Batall, o mjekër zi,
Çi bone sejmenët hashi?
-Ca i kan’ vra e ca i kan’ gri!
Veç mos m’prekni n’gra e n’fmi,
Ku t’thoni ju, aty do t’rri!

1. Riza pashë Zogolli, çalonte shumë dhe ecte si shkatarraq (batall).
2. E ironizon. Ai shumë i zgjuar, dinak e hileqar. Kërkonte t’i shtrijë pronat e tij deri në Val të Sinës e në Bulaç mbi Muhurr. Në luftë kundër tij u ngritën Katër Grykët, Çidhna, Muhurri e Luznia. Lufta për çështjen e kufijve do të vazhdojë edhe me Xhemal pashën.
3. Në Pazar të Lisit, nxori tellallin për të mbledhur popullin në luftë kundër kryengritësve, por populli nuk e përkrahu dhe ai mbeti keq me një pakicë.