LEGJENDA E LEGJENDAVE


Nga Xhafer Martini

“Legjenda e legjendave “ u shkrua në vitin 1994, për t’u botuar po atë vit në frëngjisht nga shtëpia botuese e Parisit “Flammarion”, si libri përmbyllës I një serie për legjendat e ndryshme të botës. Pas botimit shqip si serial në gazetën “Albania” të Tiranës, për herë të parë u botua si libër nga shtëpia botuese “Dukagjini” e Kosovës. Ky është botimi I parë si libër në Shqipëri”. (Botuesi)
Kadareja, ashtu si në të gjitha gjinitë e llojet letrare, shkëlqen edhe në esetë. Esetë lexohen si poezi, në ditë të veçanta dhe me gjendje shpirtërore të veçantë. Lexohen jo thjesht për të mësuar përmbajtjen e asaj që është shkruar, por edhe asaj që nuk është shkruar, por që qëndron mes radhëve ose fshihet prapa tyre. Eseja lexohet për kuptimin dhe nënkuptimim të vështirësuar, por edhe për mënyrën se si është shkruar, për rendin e fjalëve në nivelin më të epër dhe për bashkëlidhjen e tyre në mënyrën më të përsosur. Mbi të gjitha lexohet për zgjedhjen e fjalëve që ato, në tërësi, të komunikojnë flladitshëm e shëndetshëm, me rrjedha ajeri të freskët midis tyre. Eseja nuk shkruhet për t’u marrë vesh, ose nuk shkruhet thjesht për këtë qëllim, për të komunikuar në rrafshin gjuhësor; eseja shkruhet për të menduar, për të abstraguar, madje për një formë të re mendimi, ku raportet e sendeve dhe të gjerave përmbysen dhe ndryshohen, sa të duket se je në një ndërkohë midis ëndërrës dhe zgjimit, të asaj kohe të ndërmjetme që të duhet “për të ardhur në vete”, por e domosdoshme për të ndarë dy botë- botën e ëndërrës me realitetin konkret.Është një kohë e veçantë që zgjat aq pak, por është tepër e ngjeshur në krahasim me kohën e zakonshme. Në një sekondë të kësaj kohe, mund të “futim” një shekull të kohës së zakonshme.
Kjo që them unë mund të mos jetë e vërtetë, mund të jetë vetëm një ndiesi, por një ndiesi pa të cilën ne nuk bëjmë, pa të jemi fare të paaftë për të kuptuar esetë.
Eseja e Kadaresë për legjendat fillon me mjegull dhe mbaron me mjegull…Mjegulla është pjesë e legjendës apo legjenda është pjesë e mjegullës? A ka lidhje midis tyre? Këtyre pyetjeve është vështirë t’u përgjigjesh se nuk janë shtruar për përgjigjie. Ne themi që legjendat janë jashtëzakonisht të hershme, ato I përkasin foshnjërisë së njerëzimit. Mos vallë mjegulla nuk është e hershme?! Po janë të sferave të ndryshme: njera e sferës abstrakte, tjera e sferës konkrete. Fenomenet e natyrës kanë lindur para se të lindte mendimi për to. Megjithatë, nuk është ky problemi që na shqetëson. Hershmëria nuk është kusht për ta shpjeguar lidhjen midis tyre. Kadareja të gjithë librat me ese I fillon më mënyrë befasishme. Befasia është një cilësi e këtij shkrimtari. Po befasia e tij është artistike. Ai di masën, kohën e vendin e përdorimit të saj. Një cilësi tjetër e Kadaresë është se ai nuk të thotë kurrë se ku do të dalë. Edhe në qofsh shumë I hollë nga mendja, ai sikur t’I ngatërron gjërat, sikur ikën nga normaliteti dhe del në një zonë ku ndodhet teatri I ngjarjeve, të cilat shkrimtari I shtyn dhe I përplasën me një vrull marramendës; ke ndijimin që çdo episod apo ndodhi, çdo send apo njeri, ndihet ngushtë, dhe pret që të dalë prej andej. Kjo shkakton një angushti dhe një lëvizje të vazhdueshme , diçka si ankth, diçka si mëdyshje, shkurt, një pasiguri. Të mundon ajo pyetja themelore: ku do të dalë autori me gjithë këto? Po pyetja tjetër edhe më e rëndësishme:po pse duhet të dalë diku?Autori tregon. Ti kupto sa të mundesh. Kjo është marrëveshja, kjo është kontrata, tjetër nuk ka dhe nuk duhet të ketë. Kur kupton këtë, ndihesh më I qetë, lexon më normalisht dhe vetëdijësohesh se ke gjetur kohën e përshtatshme.
Aty flitet edhe për probleme të tjera. Po kryesorja është legjenda. Ngjarje nuk ka dhe bën pak ftohtë. Mbase kjo ndodh prej mjegullës që është përherë e ftohtë. Rretherrotull teje ka qetësi, por jo fort larg ndien një rropamë, diçka përplaset dhe valën goditëse e ndjen si thëllimin e ftohtë. Gjithmonë gjërat që nuk ua dimë shkakun dhe nuk I shohim, na bëjnë më shumë përshtypje, na shkaktojnë ankth. Ndihesh disi I alarmuar sikur po vjen cunami dhe, meqë nuk ia di drejtimin, nuk di nga të ikësh për të shpëtuar. Kur e shikon se kush po e shkakton gjëmën, ardhja e saj është e rrufeshme si orteku dhe nuk mund të shmangesh. Çfarëdo që të bësh, je I humbur. Kjo është ndiesi, atmosfera që krijon autori. E arrin vetëm mjeshtëria e të treguarit, me ngatërrime të qëllimshme, me spostime, me ndërrime vendesh që shkakton një lëvizje të vazhdueshme. Kadraje e kap lexuesin gjithnjë të papërgatitur… Në esetë e Kadaresë befasia nuk është e thjeshtë, ajo ka kurthe mendimi. Duket sikur po tregohet diçka pa mend dhe pa vend, sidomos diçka pa lidhje. Se ç’lidhjeje do të kishte me këtë temë një bisedë fare e shkurtër në fillim të viteve 70, midis dy ambasadorëve, në Paris, në një vend ku ambasadorët, ndryshe nga ç’ndodh tek ne- që I bëjmë zot shtëpie-, konsiderohen thjesht nëpunës, edhe pse mund të përfaqësojnë një shtet të fuqishëm. Me gjithëatë, ambasadori për të cilin do të bëjmë fjalë, ishte I autoritetshëm. Peshën e kishte jo prej vendit që përfaqësonte- Guatemalën- por pse ishte shkrimtar I madh, Asturiasi, I njohur në gjithë botën, I njohur edhe tek ne me librat e bukur “Zoti President”, dhe “Uik-end në Guatemalë”. Po le të shkojmë tek biseda:
“Asturias:- Shqipëria….kam dëgjuar për vendin tuaj. Desha të di një gjë. A ka shumë mjegull?
Ambasadori: Hë, si të thuash…Mund të them se po. Natyrisht që ka edhe mjegull…
Asturias: Nuk jua bëra kot pyetjen. Në qoftë se ka mjegull, do të thotë se duhet të ketë legjenda”. (Kadare: Vepra:Onufri: 2009: 12)
Guatemala është në Amerikën e Jugut, ku nuk ka shtete me zhvillim shumë të madh ekonomik, por kanë një kulturë të lashtë, kanë edhe shumë legjenda.
Dhe Kadareja vazhdon: “Një tjetër pyetje e acartë…është ajo nëse legjendat nuk janë gjë tjetër veçse një histori e degraduar. Është e hidhur kjo hamendje, sepse lidhet me mendimin e mjaft dijetarëve se legjendat janë kryesisht pjellë e popujve që nuk janë të aftë të shkruajnë historinë, shkurt, e popujve të paqytetëruar” (21)
Nga lidhja e legjendave me mjegullën, që ende nuk e kemi shpjeguar, kalohet tek lidhja e tyre me historinë. Këtë e shpjegon vetë Kadare. “Legjendat janë histori të popujve që nuk kanë shkrim, -thotë ai,- një histori e degraduar”. Legjendat tek ne nuk janë studiuar. Janë mbledhur dhe janë shoqëruar me ndonjë parathënie për tematikën, problematikën dhe asgjë më shumë.Kanë tërhequr vëmendjen Legjenda e Murimit që lidhet me ndërtimin e Kalasë së Shkodrës dhe Kostandini e Doruntina që bën fjalë për vëllain që ngrihet nga varri, Legjenda e Rinjohjes e ndonjë tjetër. Këto dhjetëvjeçarët e fundit, kur mund të bëheshin studime të mirëfillta, pa korniza dhe ideologjizma, ka lindur një prirje e rrezikshme për t’I luftuar “vjetërsirat”. Kjo nuk është një luftë e shpallur, ajo zhvillohet në kuadrin e luftës kundër tabuve- në kulturë e histori,- që, sipas disa studiuesve, bëhen pengesë për të pasqyruar realitetin si për ngjarjet ashtu edhe për heronjtë. Shkohet edhe më tej me çmitizimin dhe me çlegjendarizimin e heronjve e ngjarjve, siç ka ndodhur , fjala vjen, me Skënderbeun. Shumëkujt nuk i pëlqen kur Skënderbeut I thonë hero legjendar, ose hero mitik, dhe duan ta zhveshin atë si nga legjendariteti ashtu edhe nga miticizmi. Miti nuk është larg legjendës në kuptimin e përceptimit historik dhe funksional e filozofik. Prandaj kur flasim për legjendat në një farë mënyre flasim edhe për mitet. Tek ne janë luftuar edhe mitet. Kur lexon një studim për letërsinë nën diktaturë, çuditesh kur mëson që shkaku nga e cila paska vuajtur kjo letërsi paska qenë mitologjia, një mitologji e re. Unë them se çdo kohë ka mitete veta, edhe kohët moderne. Për shembull, sot tek ne ekziston miti I bashkimit kombëtar, I krijimt të Shqipërisë Etnike, miti I të bërit të shqiptarit qytetar I Evropës me të gjitha të drejtat dhe detyrat, miti I ndërtimit të shtetit të së drejtës, miti I ngritjes së nivelit ekonomik, miti I barazisë në ekonomi, por edhe në shakllën e dinjitetit kombëtar, të paktën, me vendet fqinje e të tjera. Unë jam dakord që mitet janë karakteristikë për shoqëritë e prapambetura, por ato janë karakterisitikë edhe për diktaturat, sepse një diktaturë është e prapambetur. Por le të shkojmë tek legjendat. Legjendat janë histori, siç thotë Kadare, por jo një histori e rrëgjuar. Legjendat janë një histori ndryshe, një histori që nuk ka të bëjë me shtete, madje as me kontinete, është një histori planetare që nuk merret me ngjarje të veçanta, por me domethënie epokash, me kthesa dhe dimensione të mëdha që janë në shërbim të të gjitha epokave të njerëzimit, si forma më e përkryer e ndërgjegjes së tyre që ka ardhur “duke u zhvilluar” – sipas nesh dhe sipas historisë- , dhe “duke u degjeneruar”, sipas legjendave. Për mua legjendat janë si pelenat për fëmijën, që e ruajnë nga të ftohti, edhe nga të nxehti, që e ndihmojnë atë për t’u mjedisuar dhe aklimatizuar. Legjendat, më duket mua, janë pelenat e popujve, meqë ato kanë qenë mbështjellja e parë e tyre. Duke qenë të tilla, ato nuk kanë si të mos jenë pjesë e historisë së popujve. Por ne e dime se historia ka të bëjë me ngjarje të mëdha, me luftëra dhe përpjekje të mëdha, me humbje dhe fitore e kështu me radhë. Këto jepen përmes datave, fakteve episodeve, dokumenteve, pra, jepen në atë mënyrë që të bëjnë të mendosh për gjithçka tjetër, vetëm për mjegullën jo. Kjo edhe për faktin se mjegulla dhe historia janë krejt të kundërta me njera – tjetrën. Legjenda, meqë operon me mjegullën, si veti të saj ka fshehjen e sendeve, dukurive, ngjarjeve. Historia bën të kundërtën: ndriçon ngjarje, dukuri dhe heronj permes dokumenteve, datave, fakteve etj. Po lidhja midis tyre ekziston: atë që fsheh legjenda, përpiqet ta zbulojë historia. Bashkohen, pra, në objektin. Në të dyja rastet objekt është jeta, por ashtu si e kuptojnë dhe si e japin ato. Kadare I jep përparësi legjendës në pasqyrimin më të mirë të jetës në krahasim me historinë. Këtu nuk ka rëndësi me kë je: me legjendën apo me historinë.Ka rëndësi argumentimi. Po në rastin konkret ka rëndësi se si e shtron pyetjen Kadare. Nuk thonë kot se, nëse do përgjigje të mençura, bëj pyetje të mençura.“Me fjalë të tjera, thelbi I një ngjarjeje historike jepet më mirë dhe më thellë prej historianëve me anë të fakteve, datave, emrave, shifrave, arsyetimeve logjike, apo prej legjendës kryeneçe, e cila, duke I bërë lëmsh të gjitha ato, jep një motërzim tjetër, të ndryshuar, të mjegulluar, gati-gati një ëndërr të asaj që ka ndodhur, për të mos thënë një fantazmë të saj.” (Kadare: Vepra, 2005: 21) Nga shkrimtari mësojmë se legjendat kanë një pelerinë të vetën, kanë veshjen, “kostumin” e vet. Kjo është mjegulla që, siç e thotë Asturias, është shoqëruese e legjendave. Po mjegulla fsheh. Atëherë si mundet që legjenda që ka një element shumë të rëndësishëm – fshehjen,- të pretendojë për të dhënë ngjarje historike, madje jo vetëm të pretendojë, por ta bëjë këtë shumë mirë? Sekreti qëndron në faktin se elementi fshehjës tek legjendat- mjegulla- ka dyanshmërinë e saj- fshehjen dhe zbulimin. Unë jam nga një vend ku në rininë time të hershme kishte shumë mjegull- lugina e Drinit të Zi. Në qoftë se të gjithë gjërat e tjera fshehin, bllokojnë rrugën e shikimit me errësirë, mjegulla bën të kundërtën- ajo përdor të bardhën, dritën, për të bllokuar dritën. Mjegulla është një dritë që nuk të lë të shikosh.Atje ku e kapte mjegulla, shikmi nuk mund të depërtonte: shihnim vetëm një det të pafund të bardhë. Por kur hiqej mjegulla, pikërisht në ato vende që ajo kishte mbuluar, ndriçimi bëhej dhjetra here më I fuqishëm, gjithçka dukej transparente dhe tepër e ndritshme. Ajri dridhej nga hollimi. Dallohej me shikim të zakonshëm tërë vendi ku kishte qëndruar gjysmë ore më pare mjegulla. Mjegulla e ka ndriçimin , pra, edhe nga ana fizike, por e ka edhe nga ana artistike, nga ana mendore; ajo vihet në shërbim të legjendës pikërisht me fshehjen por edhe për ndriçimin e saj. Mjegulla është një verbërim I përkohshëm, nuk zgjat shumë. Po ai që është I verbër dhe papritur I vjen shikimi, shikon shumë më qartë se të tjerët. Ai e vlerëson më shumëse të tjerët ç’do të thotë të shikosh. Po të lexoni “Verbëria” e Saramangos do ta kuptoni këtë. Pra, “verbëria e mjegullës”, nuk është thjesht gjendje fizike, por edhe shpirtërore, një ndiesi që ne nuk dime ta shpjegojmë se nuk kemi përvojën e jetës për të.
Kadare është në favor të legjendës. Meriton vëmendje mënyra se si e shpreh: “Në një vështrim të parë na duket se të gjithë ne do të parapëlqenim motërzimin e parë, atë historik, sepse atje do të gjenim diçka që do të na duhet. Megjithatë, pasi e kënaqim kureshtjen me shifra dhe emra dhe data, ne I kthehemi legjendës së mjegullt. Çfarë ka atje që nuk e gjejmë dot tek historia? Ç’është ajo e fshehtë që rri e ndrydhur veç në dy-tri fraza e ndonjëherë veç më ndonjë mallkim në një fjalë dykuptimshme, ose thjesht një aht! Përse pikërisht ajo, dhe vetëm ajo, mbush një zbrazëti që nuk e mbush dot asgjë dhe shqyen një hapësirë dhe vendos një përkitje ne sfera të parrokshme, që teksti historik nuk I bën dot? (22)
Është pikërisht ajo që thamë: largimi I papritur I mjegullës që lë pas një ndriçim marramendës që nuk mund ta lërë asnjë gjë tjetër. Përpara errësirës së bardhë të mjegullës- pra edhe të legjendës- dhe pastaj përpara ndriçimit të saj të jashtëzakonshëm, sa shtatë diej, çdo fakt, çdo datë, çdo mjet tjetër që përdor historia,do të dukej si hiçgjë. Madje historianët nuk janë të sigurtë se tregojnë të vërtetën.Ka shumë thënie të vrazhdëta për ta. Por ajo më sarkastikja është kjo: “ Është thënë se pavarësisht që edhe vetë Zoti nuk mund ta ndryshojë të kaluarën, këtë gjë mund ta bëjnë historianët; ndoshta në këtë drejtim ata mund të jenë të dobishëm për Të dhe Ai e toleron ekzistencën e tyre” (Baleta: “Dilema historike”: 2011: 15)
Legjenda është edhe alegori, edhe figurë, ose, thënë më saktë, një konceptim figurativ. Historia është e thatë, e drejtëpërdrejtë, me arsyetime, shpesh edhe bajate, ose me një logjikë të cungur. Shkurt, është e mërzitshme. Kurse mbi legjenedat je si mbi krah mjegullash që nuk dihet nga të çojnë. Imagjinoje veten të fluturosh mbi një pulëbardhë gjigande, e cila, për më tepër, nuk nu di ç’është lodhja. Je I lirë, ke hapësirë të pamasë, nuk ke asnjë kufizim. Pra, liria, hapësira, pangjashmëria me asgjë tjetër, çudia, e thëna dhe e pathëna, të gjitha të mpleksura dhe të gërshetuara bashkë, krijojnë tjetër atmosferë dhe veprojnë mbi ndjenjat tona ndryshe nga ç’vepron historia. Prandaj legjenda na I bën ngjarjet dhjetra herë më të kapshme dhe të besueshme se sa historia. Ditët që ka mjegull janë patjetër ditë me diell. Në ditë të vranëta nuk ka mjegull. Po të ngjitesh në male, në ditët me mjegull, do të shikosh se në lartësi dielli ndriçon si asnjëherë tjetër, ndërsa poshtë, në rrafshinë ose në luginë, kemi oqeanin e bardhë të mjegullës që ka edhe ai ndriçimin e vet verbues, por edhe bllokues.
“Tragjedia antike I trashëgoi të gjitha mitet, legjendat e fantazmat e poemës epike. Hijet e tyre vijnë fuqishëm gjer tek Shekspiri. Asnjë autor tjetër në botë nuk është I afërt me Eskilin, sa anglezi I madh. Ledi Makbeth, Hamleti, fantazma e mbretit, njollat e gjakut në duart e vrasësve, ndërgjegjja e shqetësuar, këto e të tjera si këto janë shembëlltime të Klitemnestrës, Orestit, fantazmës së mbretëreshës dhe vrasjes së famshme të ndërgjegjes, që Eskili e përshkoi I pari në këtë botë që e përfytyronte si një lëng që rrjedh pike-pikë në trurin e njeriut.
Romani, në kuptimin e tij të madh, nis pikërisht në kohën e Shekspirit, në një vepër që është poemë epike e roman njëkohësisht- “Don Kishoti”. Në trurin e personazhit kryesor bota e tërë është e përmbysur dhe e rindërtuar sipas çmendurisë, do të thoshin disa, e sipas një sitemi tjetër të menduarit, do të thoshin të tjerët. Ëndërra dhe realiteti rrugëtojnë bashkë, njëlloj si në kohën kur truri duhej të ishte dydhomash(dykameral). Dhe nga të dyja pjesët, në qoftë se për një çast do të pranonim këtë përftim, pjesa legjendare është më zotëruesja dhe, pa dyshim, më tërheqsja” (47) Kadare ndalet tek veprat më të larta të njerëzimit për të na thënë se legjendat japin shumë, tregojnë shumë, flasin shumë. Po këtë ato e bëjnë se gjuha e tyre nuk është ajo e zakonshmja, por gjuha e figurshme.

Legjendat flasin me figura. Gjithçka që përfshihet në një legjendë funksionon ndryshe, jo sipas logjikës së zakonshme. Mjegulla në legjendë kishte si funksion ndriçimin dhe jo errësimin, por edhe personazhet, mënyra se si grinden si mendojnë, si përplasen, nuk janë si te veprat e tjera letrare.Veprat e mëdha e kanë nxjerrë në pension logjikën, arsyetimin, rendin e gjërave. Me këto nuk arrin asgjëkundi në shpjegimin dhe kuptimin e tyre. Ato kanë tjetër kuptim, tjetër logjikë, tjetër formë të menduari. Don Kishoti, edhe kur me veprimet dhe qëndrimet e tij bëjnë keq, (I bën keq vetes dhe të tjerëve), edhe kur tallet dhe përtallet, kur përbuzet dhe përçmohet prej të tjerëve, nuk ndihet keq, nuk bije aspak shpirtërisht, tek ai nuk zhduket heroikja, nuk demoralizohet dhe nuk mbrapset kurrë. Ai i shikon dhe I ndjen ndryshe gjërat, ai jeton në një botë me funksionalitet të ndryshuar. Por ama ka një lidhje edhe midis asaj që bën Don Kishoti dhe kohës kur zhvillohen ngjarjet. Kjo është një e vërtetë e pacënueshme: ai vrapon për të ndrequr botën, për të vendosur drejtësinë. Në këtë nismë ai është tepër realist dhe më progresisti në botë. Bota vërtet ka nevojë për t’u ndrequr, ka thënë një dijetar, por Don Kishoti nuk ka mjete për ta bërë këtë. Kjo I shkakton atij dështim pas dështimi dhe, natyrisht, e bën jo të kohës. Përplasja e tij me mullijtë e erës ka një kuptim të madh, ajo del prej metaforës dhe shtrihet në jetë. Ai I lufton ata si gjigandë, por, djalli, papritmas, ia kthen në mullinj me erë. Kështu I thotë ai Sanços. Dhe Don Kishoti nuk thoshte gjëra që nuk I besonte. Kjo vepër ashtu si ato të Eskilit, të Shekspirit, është ndërtuar mbi ideale të tjera, që ne nuk I njohim dhe nuk I dime. Kdareja, siç e shikojmë, nuk e ndan as mitin dhe asnjë formë tjetër përceptimi dhe shembëllimi të lashtë nga legjendat, ato I shikon së bashku, siç kanë qenë dhe siç janë, duke mos pasur një kufi ndarës. Mitet, legjendat, fantazmat, hijet, tabutë (patjetër edhe tabutë) janë brumi me të cilën janë gatuar tragjeditë e lashta dhe të reja, nëse këtu kemi parasysh Shekspirin. Profesori gjerman I sociologjisë , Robert Hep, e ka analizuar kështu temën e tabuve: “Në një shoqëri tabutë tregojnë se çfarë mban kjo shoqëri si gjë të shenjtë. Tabutë zbulojnë gjithçka nga e cila shoqëria ka frikë…shumë tabu luajnë një rol për mbrojtjen e individit nga rreziqet, madje tabutë janë pjesë e formimit të individit. …Prandaj priftërinjtë dhe sundimtarët nuk kanë ngurruar të përdorin tabutë për të siguruar pushtetin e tyre. Është mirë të kuptojmë se deri më sot nuk ka ekzistuar ndonjë shoqëri që të ketë hequr dorë nga përdorimi I tabuve për të garantuar pushtetin e vet…Një shoqëri moderne nuk reagon më ndryshe se një shoqëri primitive ndaj shkeljes së tabuve. Shkelja e tabuve në përgjithësi përceptohet si një gjë e “tmerrshme”, “e pështirë” dhe që shkakton një përbuzje spontane dhe përshtirosje deri në fund. Në fund, shkelësi izolohet, përjashtohet nga shoqëria dhe emri I tij e kujtimi I tij për të bëhen vetë “tabu”. ( Baleta:”Dilema historike”, 2011: 61)
Forma e zakonshme e të menduarit nuk respektohet nga veprat e mëdha. Në veprat e mëdha ka thyerje të befasishme, thyerje të humnershme që vinë prej një gjesti, prej një veprimi dhe këto janë ato që të trondisin. Për shembull, kur të përbetuarit vrasin Jul Cezarin, edhe pse kjo ndodh në befasi, komplotistët, në mos të gjithë, disa do ta kishin pësuar prej shpatës së tij, sepse ai nuk e kishte për gjë edhe kur luftonte një me dhjetë vetë. Por Cezarit ju prenë krahët dhe ju thye shpata, kur pa se edhe Bruti, që e kishte rritur si djalin e vet, ishte në mes të përbetuarve, bile ai ishte kryesori. Kur ai I nguli thikën, Cezari tha vetëm kaq: “Edhe ti, or Brut, o bir?” dhe u shemb në tokë, kurse gjaku që doli nga plaga që I shkatoi Bruti, e ndiqte pas dorën gjakatare. Popujt “ I zvarrisnin pas vetes (legjendat), bashkë me ato relike që kishin, kemi të bëjmë jo thjesht me një këmbim përrallash e legjendash, jo thjesht me një shpërndarje e pasurim, por me diçka thelbësore , kjo, gjithashtu, ndihet menjëherë. Rrugëtimi I legjendave nga një pjesë e globit tek tjetra, nga një popull tek tjetri, nga njera kohë tek tjetra, bëjnë pjesë në thelbin e dukurisë. Pa këtë rrugëtim, legjendat nuk do të ishin ato që janë. Është kjo zhvendosje e pafund që u siguron atyre shenjën e pare dalluese: universalitetin”.(Kadare)
Studiuesi Max Mueller ka theksuar se “përrallat dhe legjendat popullore sod me sod zanë vendin e parë në studim të kohëve të kalueme të races së njeriut”. (Eposi I Kreshikëve dhe Legjenda”, Plejad, 2005:5) Dy mbledhësit e shquar të kësaj krijimtarie, At Bernarin dhe At Donat Kurti, në parathënien e hartuar me këtë rast, shkruajnë: “Puna qi habiti botën dijetare mbarë, kje kjo, se nëpër botim të vllazënve Grimm u pa qi katundarja e Niederzucehrn kallxon po njato prralla që kallxon larsja e petkave në Pelermo; se malsori I Shqipnis këndon njato kangë kreshike si dhe bariu I Irlandës a bujku I Germanis; e se nji largsi mija e mija kilometrash ndeshet njeriu me një typ të vetun legjendash e rapsodijash.” ( Po aty, f. 6)
Kadare thotë se “përveç ecjes në hapësirë, nga populli në popull, përveç zhvendosjes në popull, përveç zhvendosjes në kohë, nga shekulli në shekull, legjenda ka edhe një lëvizje të tretë, plot zigzake e trille. Si toka ose klima, që I shkon një bime, e tjetrës kurrësesi, ka vende dhe klima që I shkojnë legjendës, e të tjera që nuk I shkojnë aspak. Me pak fjalë, gjatë rrugëtimit të tyre, legjendat mund t’I kapërcjejnë trojet e papërshtashme” (Kadre: Vepra, 2005: 55) Legjendat u ngjajnë njerëzve, të cilët vazhdimisht kanë shtegtuar duke u ndalur në tokat më të mira, për të vazhduar pastaj rrugëtimin po për të njejtin qëllim, po për të njejtën arsye deri në kohët moderne. Në kohët moderne e pushuan shtegtimin e tyre edhe legjendat. Harta e kontinenteve nuk është poulluar njësoj me legjenda. Ka vende ku ato nuk ekziszojnë fare, ka vende ku denduria e tyre është shumë e madhe.
Piktori I shquar Ibrahim Kodra tregon se kur vizitoi SHBA, nuk u mrekullua nga zhvillimi I atij vendi aq sa u mrekullua në Amerikën Latine, (ku vërtet nuk ka njjë zhvillim të madh e modernitet, madje në disa shtete ka shumë varfëri) me kulturën e saj popullore shumë të pasur: plot mite e legjenda, plot fantazi dhe hije, plot tabu, ku realiteti dhe ëndërra jetojnë bashkë, ku nuk është gjë për t’u çuditur që I vdekuri një javë më parë vjen e shikon shtëpinë për të cilën e ka marrë malli. Në veprat e Markesit kjo ndodh shpesh. Është popull jo vetëm me legjenda, por me një të menduar legjendar. Markesi mori çmimin Nobel dhe u bë shkrimtar I përbotshëm pse pasqyroi në veprat e tij pikërisht këtë legjendaritet ku ëndrra dhe realiteti nuk kanë ndonjë kufi ndarës.
Legjendat janë shprehja më e figurshme e njerëzimit. Legjendat nuk flasin me drejtpërdrejtshmërinë, nuk flasin për një vend dhe për një rend të caktuar, ata nuk kanë në përdorim ndonjë fjalor politik, ato nuk përmendin fjalët: shtypje, shfrytëzim, dhunë dhe egërsi, taksa të rënda dhe të papërballueshme, revoltim I popullit dhe ndeshja e tij me pushtetarët e egër, humbje dhe fitore e të tjera. Me këto terma operon historia, publicistika, të gjitha veprat që I përkasin propagandës së hapur si mjet për të mbajtur popujt të nënshtruar. Nuk ka gjuhë dhe mënyrë tjetër për to. Legjendat kanë universialitetin e tyre jo vetëm për nga përmasat, por edhe nga mënyra e shprehjes. Kadareja e shpreh shumë bukur këtë që sapo e thamë: “…legjenda jo vetëm I largohet çdo lloj shifire e date, siç mund të kujtonte ndonjë naiv, jo vetëm nuk saktëson asgjë për përmasat e dramës, por shkon edhe më larg, ajo as që I përmend fare fjalët taks, taksidar dhe mbledhje taksash. Në vend të tyre ajo na flet për ca kuçedra që kanë zënë ujin e fshatit , për ca dragonj ose gjarpërinj, që kërkojnë diçka prej njerëzve. Ata që janë mosbesues ndaj legjendave kanë të drejtë të shqyhen gazit. …Përrallat e legjendat me kuçedra që shtupojnë ujin ose të mbjellat, janë ndër më të përhapurat në botë” (65)
Legjenda nuk përdor statistika, diagrama, shifra , pyetsorë, referimeve, sondazhe, dhe mjeteve të tjera të kohëve moderne. Ajo simbolizon, tkurr, ngjesh, dendëson, metaforizon. Skena ku luhet tragjedia është shumë e thjeshtë: një krua fshati dhe një kuçedër me shtatë krerë. Veprimi dramaturgjik zgjat aq sa djali I ri, prijësi e shpëtimtari I popullit, t’ia presë kuçedrës të shtatë krerët. Fitorja është e popullit. E keqja ashtu si erdhi, largohet. Legjendat janë figura, siç kemi thënë. Në legjenda flet e pjesshmja për të plotën, e vogla, për të madhen, momentalja për të gjithmonshmen. Kadare shpjegon bukur veprimin e mekanizmit të saj.
Legjenda, sipas meje është alegori. Ajo një gjë e thotë nëpërmjet një gjëje tjetër, e thotë më bukur, më qartë. Legjendat shmangin drejtpërdrejtshmërinë. Alegoria këtë e bën që pjesëmarrësit në një mexhelis të mos konfrontohen nga të folurit direkt. Një alegori, sado e hidhur të jetë, askush nuk e vë mbi vete. Nëse ndonjeri vepron kështu, del dikush nga mexhelisi dhe I thotë: “Or filani, mos e ver barrën huaj mbi shpinë”, me kuptimin se meselja nuk u tha për ty dhe nuk vret ty. Legjenda këtë e bën për arsye të tjera. Vërtet, sipas asaj që thotë Kadareja, kuçedra që ka zënë ujin dhe, për ta liruar atë, kërkon vajza e djem që t’I hajë, është shteti I egër që ushtron dhunë për të grabitur popullin. Por nuk është x shtet, nuk ka emër, se legjendat domethëniet I kanë universale, ata flasin në shkallë planeti.
Njeriu jetoi edhe pa shtet, mijëra vjet ai ka jetuar pa shtet. Pastaj u desh shteti si mënyrë e vetme organizimi për zhvillimin, rrethanat dhe kushtet e reja. Po shteti gjithnjë e më shumë filloi ta zhgënjejë krijuesin e tij, njeriun. Shteti u bë përbindësh, kuçedër, gjarpër helmues. Kjo sidomos duhet thënë për shtetet totalitare. Për këtë arsye njerëzit kujtojnë shoqërinë primitive kur jetonin me Besën. Nuk kishin pas nevojë për shtet. Kishin qenë shekuj të artë, të thjeshtë për t’u jetuar. Njeriut I bëri shumë dëm çartja e Besës. Ndarja prej saj ka qenë e dhimbshme, tragjike. Ka shumë legjenda që janë ngritur mbi këtë bazë, ka shumë vepra letrare që këtu e kanë këtu zanafillën. Kështu, si shembull, çartja e Besës është strumbullari I tragjedive të Shekspirit, si: Jul Cezari, Makbethi, Hamleti. Çartja e Besës ka shkaktuar trazira të mëdha. Legjenda e Murimit e ka bazën tek mosmbajtja e besës. Njeriu u pendua pse e prishi Besën, pse nuk bëri ç’mundi për ta rujatur atë. Kur e kuptoi këtë, ishte vonë, tani ishte prishur vetë njeriu. Se çfarë rëndësie kishte besa, e tregon Kostandini që ngre rrasën e varrit për t’ia prurë nënës Doruntinën në shtëpi sipas fjalës që I kishte dhënë. Atë e ngriti besa. Nuk duhet ngatërruar me ringjalljen si ajo e Krishtit. Kjo nuk është ringjallje biblike. Kishte një mision për të kryer dhe, mbasi e kreu atë , hyri prapë në varr. Kështu, sipas meje, duhet kuptuar kjo legjendë.
Legjenda është kondensim, është shtrydhje, është pa kohë dhe pa hapësrë, u përket të gjithë popujve. Ajo është historia e këtyre popujve, por e shprehur me një mënyrë dhe formë tjetër. Ajo ecën paralel me historinë, por as nuk fajson dikë si historia, as pretendon për të dhënë mësime. Figurativisht legjendat janë si ato shenjat që vihen në një fushë të minuar, si paralajmërim për të mos shkelur më mbi to.Pastrimi I minave, thënë me figurë, ka vazhduar dhe vazhdon, por kjo tokë nuk do të jetë kurrë e pastër, kurrë nuk do të jetë e sigurtë, gjithmonë do të jetë e kontaminuar me të keqen. Këtë thotë legjenda. Legjenda është palca, truri, klorofili, në të është koncentruar përvoja e njerëzimit.
Legjenda bën thjirrje për ta luftuar të keqen, jo në formën e saj konkrete, se ajo nuk ka konkretësi, por si ide dhe si qëllim. E keqja mposhtet, është ideja e çdo legjende. Del heroi që është I aftë të luftojë, është I gatshëm të flijohet. Ideja e flijimit vjen nga legjedat. Ideja e ringjalljes vjen po nga legjendat. Të gjitha idetë e mëdha vinë nga legjendat.
“Zbërthimi I legjendave, gjetja e kuptimit që ndryn lëvozhga, gërryerja e shtresë së pare të çmërsit, e shtresës së dytë, të shtatë, për të mbërritur te kumti fillestar, është një gjë tejet pasionante. Nuk ka kurrëfarë çelësi universal për hapjen e tyre…Dryni që mbron portën mbuluese, duket se është I tillë që pranon ose jep përshtypjen se pranon shumë çelësa. Ndërkaq, ka raste kur dryni ka zënë aq shumë ndryshk, sa nuk pranon asnjë”. (69) Pikërisht kjo e fshehtë e legjendave më shtynë të merrem me to. Këtë të fshehtë e ka edhe alegoria, prandaj jam marrë shumë gjatë me të. Midis alegorisë dhe legjendave ka pika takimi. Kjo është një arsye më shumë që më shtyn drejt legjendave.
Çdo legjendë ka drynin e vetë. Me çelësin e vet çdonjera prej tyre hapet. Çelësi kopil nuk hap asnjë legjendë. Po çelësi që I hap të gjitha legjendat është pranimi I tyre. Që kur I pranojmë, ne nuk dyshojmë për vlerat e tyre dhe përpiqemi t’I evidentojmë këto vlera. Çlegjendarizimi nuk është zgjidhje, çmitizimi nuk është zgjidhje. Ne nuk kemi as mundësi e asj mjete për të çmitizuar dhe për të çlegjendarizuar legjendat e mitet. Për t’I hapur dhe për t’I zbërthyer I kemi të gjitha mundësitë. Përpjekja që u bë nga një historian zvicerian për ta çmitizuar Skënderbeun nuk ia arriti këtij qëllimi. Për Skënderbeun kanë shkruar dy lloj autorësh: historianët, dhe populli. Populli ka krijuar Skënderbeun e vet, më të plotë, më afër vetes. Meqë unë jam nga vendi I origjinës së Skënderbeut- Çidhna-, kisha rolin tim për ta mbrojtur Skënderbeun nga ata që e sulmonin. Unë iu kundërvura Schmitt-it duke shkruar librin “Optika e Schmitt-it për Skënderbeun”(M&M: 2009) Këtë e bëra kur pashë se historianët e mirfilltë, me grada dhe me tituj, nuk u shqetësuan, përkundrazi, iu veshën historianit zvicerian. Nuk isha në truallin tim, mbasi nuk jam historian me diplomë, por vetëm me pasion. Unë them që pasioni është diplomë për çdo gjë. Në truallin tim zbrita më vonë: mblodha legjendat dhe gojëdhënat për Skëndrebun. Më të mirat I përmblodha në librin “Dasma me treqind nuse”, Tiranë 2010. Gjysmën këtij korpusi prej afro 700 faqesh I zënë legjendat dhe gojëdhënat. Prej tyre doli një Skënderbe tjetër, ndryshe nga ai që kanë dhënë historianët: më I plotë, më I njerëzishëm, më I gjallë, më I lidhur me popullin, më I kuptueshëm. Prej këtij Skënderbeu mëson fare mirë pse ai mposhti Perandorinë më të madhe të kohës për njëzet e pesë vjet me një grusht njerëzish, mëson ku qëndronte forca e tij. Skënderbeu I krijuar nga populli dhe Skënderbeu që jepet nga historianët, të dy bashkë, për mendimin tim do të bënin një figure të plotë dhe të besueshme.
Ka një nënkapitull Kadareja ku thuhet se legjendat thirren nën armë. Në Ballkan edhe kjo ndodh. Ballkanasit grinden edhe për legjendat.
Krahina e Jutbinës është qendra e personazhëve të eposit mesjetar ballkanas , prej ku kanë nisur aventurat ushtarake, vendi ku janë regjistruar fitoret dhe humbjet. Ky epos është I vetmi monument në botë “I krijuar në dy gjuhë, shqip dhe serbokroatisht. Këto janë dy gjuhë që s’kanë asgjë të përbashkët me njera-tjetrën, madje janë më larg nga njera –tjetra seç mund të jetë, ta zëmë, suedishtja me italishten. Dy popujt autorë, përveç që kanë të ndryshme gjithçka, nuk janë aspak dy fqinjë të mirë. Përkundrazi, në një armiqësi të pafund, gati njëmijë e pesëqindvjeçare, ka krijuar midis tyre një ftohtësi të ngjashme me klimën e eposit, ku “Shumë po ndrit njaj diell e pak po nxe”. (73)
“…si është e mundur që këta dy popuj, që nuk kanë dashur të kenë asgjë të përbashkët midis tyre: as troje, as fe e as krushqi, janë zënë në kurth në një krijim artistik të përbashkët. Disa e kanë parë këtë si shenjë të providences: si një aspiratë afrimi. Të tjerët, përkundrazi, si një përjetim I grindjes”. (73) Kjo që ka ndodhur midis këtyre popujve është një anomali, është një absurditet. Kultura kurdoherë I bashkon popujt, nuk I ndanë. Nuk kishte pse të ndodhte ndryshe me dy popuj fqinj- shqiptarët dhe serbët. Grindja për autorsinë e eposit është pasoja. Shkaku që I prodhon këto grindje ka të bëjë me hapësirën që zënë serbët dhe shqiptarët në këtë vend që quhet Ballkan. Populli më I lashtë, – shqiptarët- është rrudhur vazhdimisht dhe kundërshtarët e tij, të ardhurit, -serbët, – janë zgjëruar vazhdimisht. Të kishte qenë secili popull në tokë të vet, në fqinjësi të mirë, eposi I përbashkët vetëm do t’I vllazëronte. Serbët kur luftojnë me të të mposhtur, luftojnë me të gjitha armë. Ata luftën me shqiptarët e kanë bërë për t’I vrarë, për t’I dëbuar dhe, më e fundit, për t’I asimiluar. Ata e duan token shqiptare pa shqiptarë. Prandaj në këtë luftë ata kanë përdorur të gjitha mjetet. Kanë rekrutuar edhe fenë dhe kulturën. Serbët kanë përdorur si armë gjuhën, manastiret, kishat, toponiminë, mitologjinë, arkeologjinë e gjithçka që përfshihet në rrethin e madh të kultures.
Mos I akuzoni shqiptarët pse janë të papajtueshëm me ne, u ka thënë një dijetar I tyre. Është fakt që ne jemi ulur në tokat shqiptare. Pa pranuar këtë, nuk ka miqësi midis nesh.
Kadare e mbyll shumë bukur esenë për legjendat: “Legjendat janë mjegulla jonë. Mjegulla, për të cilën kemi aq shumë nevojë të gjithë ne, banorët e këtij planeti: tiranë dhe skllevër, të mirë dhe të ligj, të lumtur dhe të brengosur, të lire, të pranguar dhe të fyer, bankierë dhe horra, fisnikë, prostitute dhe vrasës.
Ne kemi nevojë për to, sepse pamja dhe ngjarjet e botës janë tepër tmerruese për sytë dhe ndërgjegjen tone. Ato kanë nevojë për një vello. Në mënyrë që e vërteta të mbërrijë gjer tek ne, e thyer si nëpër një prizëm. Përndryshe, ajo do ta shkatërronte ngrehën e brishtë të shpirtërave dhe trupave tanë. “ (Kadare: Vepra, Onufri: 2009: 127)
Mbase Kadareja, kur shprehet kështu, ka parasysh legjendën e njohur të quajtur “Kutia e Pandorës”. Pas një grindje të perëndive për shkak se Prometeu vodhi zjarrin, Zeusi, për t’u hakmarrë, dërgoi Pandorën tunduese tek vëllai I Prometeut. Pandora u dërgua në tokë bashkë me kutinë dhe premtoi se nuk do ta hapte kurrë. Por kurioziteti për të pare se çfarë kishte brenda, e shtyu ta hapte dhe nga ajo dolën sëmundje, xhelozi, urrejtje, vdekje dhe turli telashesh. Me gjithë nxitimin për ta mbyllur kutinë, djajtë tani kishin dalë prej saj dhe brenda kutisë mbeti vetëm Shpresa. Pandora kuptoi se se ishte ushtare në lojën e madhe të vendosur nga zotat. Nga kjo historia kemi mbërritur tek idioma “Kutia e Pandorës” që do të thotë të bësh ose të fillosh diçka që do të shkaktonte problem të paparashikuara.
Kadare “Legjendën e Legjendave” e ka shkruar dhe botuar shumë vite më pare, më 1994. Atëherë nuk dihej aspak se si do të shkonin punët midis serbëve dhe shqiptarëve, përkatësisht midis kosovarëve dhe serbëve. Në vitin 1992 ndërkombëtarët u mblodhën në Londër për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, mbasi secila prej Republikave të saj donte të dilte më vete. Dolën me luftë e gjak, dikush më shumë e dikush më pak. Kosovën nuk e përmendën megjithëse ishte më e madhe se ishi – Republika e Maqedonisë dhe e Malit të Zi që dolën shtete më vete. Pse nuke lanë të lire, të pavarur edhe Kosovën? Kosovën e lanë nën sundimin e Serbisë.U shpërbë ish_- Jugosllavia por u krijua Serbia e madhe me kosovën. Argumentimi ishte banal: “Nuk e ndajmë Kosovën se ajo në ish- Jugosllavinë nuk e kishte republikës”. Punët shkuan si shkuan dhe qe një mrekulli historike që Kosova u shpall shtet I pavaruar, sovraniteti I të cilës u njoh edhe nga Gjykata e Hagës dhe nga mbi njëqind shtete. Në vend që të avancohej kjo gjë – njohja ndërkombëtare e saj- doli ndërrimi kufinjve, verifikimi I kufijve, korrigjimi I kufinjve e të tjera thënie që ta mjegullojnë atë që kërkohet në të vërtetë. Me Malin e Zi doli demarkacioni, I cili megjithëse u kundërshtua nga mjaft forca politke dhe qytetarë të Kosovës, më në fund u realizua. Prej tij Kosova humbi mijëra hektare tokë. Serbia natyrisht kërkon më shumë se disa mijëra hektare tokë, ajo kërkon që ta shpërbëjë Kosovën. Ja, këto janë raste kontrete të hapjes së Kutisë së Pandorës. Dhe këtë e bëri presidenti I Kosovës, Thaçi. Nuk dihet përse edhe me ndihmën e kujt, por ai e ka artikuluar I pari.
Kutia e Pandorës është kthyer në simbol të së keqes. Kur lexon didsa libra që ngrihen mbi teori konspirative, të pushton dëshpërimi dhe të humbet shpresa; çdo përpjekje e njerëzimit për kah progresi të duket e kotë, se bota nuk drejtohet nga udhëheqësit dhe qeveritë përkatëse, ashtu si e dimë ne, por nga një grup oligarkësh e mafiozësh që mbajnë frerët e njerëzimit në dorë në gjithë globin tokësor.Para tyre presidentët, kryetarët e qeverive, ministrat, forumet ndërkombëtare etj, nuk janë veçse kukulla. Janë disa gjëra që më mirë të mos I dish se sa t’I dish. Prandaj ne kemi nevojë edhe për mjegull…
Xhafer Martini