Me rastin e 75 vjetorit të rënies
Dëshmorët e Sofraçanit


Jpeg

Sofraçani si shumë fshatra të Dibrës gjatë një shekulli 1844-1944 është djegur katër herë. Popullsia është masakruar, vrarë e plaçkitur bashkë me atë pak pasuri që kishte grumbulluar në breza.
1- Më 1844 në luftën kundër Hajredin Pashës u vranë disa luftëtarë nga Sofraçani. Fshati u rrënua, u dogj e u kthye në gërmadhë.
2-Në vitin 1899 Turqia pasi sulmoi e shkatërroi gjithçka mori 18 robër për t’i dërguar në Jemen siç thotë edhe kënga:
“Kre për kre me t’vramit e vet,
ka marrë burra tetëmbëdhjet,
e n’Jemen i paska tret…” 1)
Kënga bën fjalë për luftën e Sofraçanit nën udhëheqjen e Jakup Canit kundër rekrutimit të ushtarëve për t’i çuar në luftën e Jemenit.Në këtë përpjekje u vranë 18 ushtarë turq prandaj mori 18 luftëtarë nga Sofraçani e Gryka e Madhe e i çoi në Jemen. Nga këto u kthye vetëm Hasan Curri, kunati i Jakup Canit nga fshati Dushaj i Bulqizës.
3- Në 1913-1920 u shkretuan të gjitha fshatrat, u vranë 44 veta nga Gryka e Madhe. Populli për këtë u shpreh nëpërmjet vargjeve:
“Sofraçan deri në xhitet,
asnjë shtëpi s’paska met,
nuk pranojmë as pashë, as mbret…”2)
4- Gjatë luftës Nacional-çlirimtare, Sofraçani u kthye në një fushë betejë me fashistët italianë dhe gjermanë. Është një fshat strategjik , mund të quhet Porta e Grykës së Madhe sepse vetëm nga Gryka e Sofraçanit mund të futesh në luginën e Zerqanit për të dalë në Bulqizë, drejt Matit e Adriatikut.
Nga ana tjetër fshati është i zbuluar sepse mund ta bombardosh nga kodrat e Çerenecit, Strikçanit e Sopotit. Është e njohur beteja e Sofraçanit më 23 gusht 1943 kundër ushtrisë italiane, disfata më e madhe që pësuan trupat ushtarake fashiste në prag të falimentimit në pritën e organizuar tek Shkami i Hoxhe nga batalioni partizan i Dibrës. Kënga vazhdon me vargjet:
“Del ushtria në Qafë të Hanit,
ç’po qëllon prita e Shkamit,
kërcet shkoza dhe xhiteti,
italianët i xhet gazepi…” 3)
Brigada e IV Sulmuese, pas operacioneve me sukses në Mat, nëpërmjet Qafë-Murrës e Selishtës, me 12 korrik 1944 zbresin në Gjuras, Zogje, Topojan, Homesh, Sofraçan, Sopot, Strikçan. Më 14 korrik komanda gjermane hedh kundër forcave të brigadës IV Sulmuese grupin “Burgmeiter” dhe batalionin rezervë të Divizionit fushor në drejtimin Dibër e Madhe – Bulqizë, duke sulmuar pozicionet e asaj brigade në Homesh e Sofraçan.
Këshilli Nacional Çlirimtar ( Ramiz Roçi e Bajram Cani) nisën veprimtarët Merdan Roçi e Rustan Cani për në Kaptinë të Martaneshit. Ata shoqëruan disa anglezë të kapur robër deri në Varre Vrame, atashur pranë Abas Kupit, ndërsa Skënder Cani do të shoqëronte në Teqen e Bllacës një partizan të plagosur, bashkë me një letër për shtabin partizan, që ndodhej aty ku shpjegohej rreziku i ndonjë sulmi eventual në drejtim të fshatit Sofraçanit.4)
Mbas dite një kolonë e madhe gjermane, bashkë me forca të tjera të xhandarmërisë shqiptare e armatosur me artileri të rëndë, vendoset në Kodrat e Çerenecit. Prej këtu niset në 3 drejtime:
1-Një pjesë e forcave nisen nga Bregu i Zallit Bulqizë në Shupenzë – Homesh, për t’u pykëzuar në Bllacë, me objektiv t’i presin rrugën forcave të brigadës IV Sulmuese, për t’u futur në thellësi të Dibrës.
2- Kolona e dytë, e përbërë kryesisht nga xhandarë (forca të reaksionit) kundër luftës Nacional-çlirimtare, morën rrugën nga Sopoti për të sulmuar në befasi Zerqanin.
3 – Kolona e tretë mori detyrën të mësynte Sofraçanin, prandaj ajo u ul nga Kodrat e Çerenecit erdhi në Bregun e Zallit Bulqizë, duke pritur muzgun, për t’a futur në patkua fshatin. 5)
Mehmet Deda, një veprimtar i Luftës Nacional-çlirimtare ishte nisur për të marrë kalin në livadhin pranë Vanishtës buzë Zallit. Aty ndeshi me ushtarët gjermanë, të cilët e lidhën. Nën kërcënimin e bajonetave, me Metin përpara, gjermanët rrethuan fshatin, ndërkohë fatin e Metit e pësoi Shaqir Lila. Ngadalë dhe pa zhurmë, erdhën përpara shtëpisë Ramadan Canit.
Plaku i Canajve para shtëpisë dëgjoi nga rruga lëvizje hapash. Ktheu kokën dhe pa se bishat po shtynin Metën, të cilit i vunë tytat e armëve në gjoks dhe i vendosën në krahë të njëri-tjetrit.6) Në grackë ra edhe Qerim Hoxha. Kështu u rrit në katër numri i të arrestuarve. Artileria filloi bombardimet, kryesisht në Shkamin e Sofraçanit, nga Kodrat e Cerenecit.
Historia përsëritet disa herë brenda një shekulli: bombardohet Sofraçani nga turqit, serbët, italianët dhe tashti nga gjermanët. Fshati filloi lëvizjen për mbrojtje. Shkami Sofraçanit ka qenë strehë e përhershme. Gjatë lëvizjes për strehim, hasën me ushtarët e lufta u zhvillua deri trup me trup. Goditja e befasishme nuk ju dha kohë të organizoheshin dhe të bashkoheshin me partizanët, që kishin zënë pozicionet në Qafën e Sofraçanit. Fshatarët e marrë peng, po rezistonin. Mehmeti u bën me dije shokëve se gjermanët po pregatiteshin t’i pushkatojnë.
Mendojnë se si mund të shpëtojnë nga armiqtë, që veç forcës, nuk kishte rrugë tjetër. Atëhere Shaqiri i jep një goditje me shkelm gjermanit e në përleshje e sipër, bashkë me Qerimin shpëtojnë nga kthetrat e agresorit. Por, Ramadani goditet me bajonetë në shpatull e kraharor, ndërsa mbi Mehmetin u derdhën një breshëri plumbash. Pjesa tjetër e ushtrisë mblodhi burrat e fshatit në livadhe të thata. Tridhjetë burra i lidhën, i izoluan 24 orë, pa bukë e ujë. Gjatë kontrolleve të befasishme, pasi dogjën 22 shtëpi të fshatit, nga 35 që ishin gjithsej, u kapën Ali Gjaci, Hysni Gjaci, Ismail Lila e Ibrahim Seferi, të cilët i pushkatuan në Zabelet e fshatit Vlashe. Fashistët nuk kursyen as gratë: dogjën të gjallë Seline Roçin në shtëpinë e saj.
Fshatarët e arrestuar, i morën nga Qafa e Sofraçanit, Qafë- Vlashe e në Homesh i izoluan në oborin e familjes Dema mbushur plot me robër tjerë. Hysni Dema doli garant para gjermanëve, duke u shprehur se janë fshatarë, nuk kanë lidhje me partizanët. Ata u lanë të lirë, shkuan pranë familjeve, organizuan ceremoninë e varrimit të shokëve të vrarë. 7)
Bilanci i luftimeve ishte 7 të vrarë, 30 të arrestuar, disa të arratisur 22 shtëpi të djegura, shumë bagëti të asgjësuara. Viktimë e luftës njihet edhe Selvije Roçi, e cila u dogj në shtëpi, ishte edhe shtatzënë. Masakër e vërtetë, që tregon se gjermanët nuk erdhën si kalimtarë apo çlirimtarë, siç pretendojnë disa pseudohistorianë, por si pushtues.

Mehmet Abaz Deda
Lindi më 1892 në një familje të varfër me të kaluar atdhetare. Në moshë të re ai përcolli ngjarje të rëndësishme siç ishin ato të kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912, gëzimin e madh të shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë etj. Me pushtimin e Dibrës nga ana e pushtuesve austriakë, Mehmet Deda merret forcërisht ushtar dhe e kryen këtë shërbim në një periudhë të trazuar të luftës së parë botërore në vitet 1917-1918 larg atdheut në Austri.
Pas mbarimit të shërbimit ushtarak erdhi pranë familjes dhe u muar kryesisht me bujqësi. Mbështeti fuqishëm luftën e madhe Nacional-çlirimtare duke u bërë edhe vetë pjestarë i çetës së Grykës së Madhe.
Më 14 gusht të vitit 1944 mori detyrën për të dërguar një porosi forcave partizane në Vorret e Vrame. Kur po zbriste poshtë për të marrë kalin u arrestua nga gjermanët. Me të ardhur në fshat e arrestuan bashkë me Ramadanin, Qerimin e Shaqir Lilën. Katër të arrestuarit i kërcënuan për vdekje. Mehmeti u tha bashkëfshatarëve se po përgaditen të na pushkatojnë. Ai i kuptonte disa fjalë gjermanisht. Rezistuan forcërisht por pa sukses. Ata vranë Mehmetin e Ramadanin. Me vendim Nr 147, datë 31/12/1972 Mehmet Deda është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, më i moshuari dëshmor i Sofraçanit.8)

Ramadan Jakup Cani
Lindi më 1889. Për më shumë se një shekull gjyshi Sulejmani dhe baba i tij Jakupi ishin ndër kundërshtarët kryesor në Grykën e Madhe kundër reformave të Tanzimatit e deri tek ata turqëve të Rinj më 1908. Në rrethet patriotike të Dibrës Jakup Cani njihet si përkrahës i Lidhjes së Prizrenit, i luftës për arsim e shkollë shqipe, bashkëluftëtar i Mersim Demës, Sul Shehut, Destan Pucës në lëvizjet e mëdha për pavarsinë. Udhëheqës i çetës kundër turqëve e serbëve. Mbrojti Qeverinë e Lushnjës, pjesmarrës në lëvizjen e marsit 1922 dhe i revolucionit demokratiko borgjez 1924.
Ramadani ishte rregjistruar në çetën e Grykës së Madhe.Mori pjesë në luftën për çlirimin e Zerqanit, 3 gusht 1943, në luftën e Sofraçanit që u zhvillua më 23 gusht 1943. Ishte ekspozuar për veprimtarinë e tij prandaj ishte këshilluar prej shokëve të ruhej dhe të tregonte kujdes gjatë lëvizjeve nëpër Zerqan apo në fshat. Shtëpia e tij bazë e luftës nacional-çlirimtare. Djali i tij, Arifi, u vra në luftën italo-greke më 1940.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste erdhën gjermanët. Më 14 gusht ato sulmuan Sofraçanin. Pas arrestimit të Mehmet Dedes sapo u futën në fshat arrestuan Ramadanin dhe afër Livadheve të Thata e vranë bashkë me Mehmetin, dy atdhetarë të flaktë, ndërkohë dogjën shtëpitë e tyre të parat. Ramadani është shpallur me vendim Nr 50 datë 30/06/1972 “Dëshmor i Atdheut”. Ai prehet në varrezat e dëshmorëve në Peshkopi.

Ibrahim Myslim Seferi
Lindi më 1922 në një familje që u dallua për trimëri, besë e bujari. Ajo priti e përcolli udhëtar e luftëtar nga Gryka e Vogël, Luznia, Gryka e Madhe e Bulqiza. Mbaroi tre vjet të shkollës fillore në Zerqan, pastaj si gjithë moshatarët e tij u muar me bujqësi. U rrit jetim sepse nëna u nda nga jeta në moshë shumë të re. Është nip i oficerit fanolist Muharrem Dervishi nga Krajka. Simpatizant i luftës për liri dhe pavarsi. Shkonte në çetën e Grykës së Madhe sa herë thirrej në luftra apo aksione të ndryshme. Mbante lidhje të përhershme me Ramadan Canin e Këshillin nacional-çlirimtar. Kur gjermanët mësyjnë fshatin ishte në shtrat shumë i sëmurë megjithatë doli e arrestuan dhe vranë në Qafën e Vlashajve. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve në Peshkopi. (Fadil Toçi, kujtime, 02/04/2019).

Hysni Selim Gjaçi
Rrjedh nga një familje fshatare e varfër, i datëlindjes 1921. I ati Selimi ishte një patriot dhe burrë i zgjuar. Kishte marrë pjesë në luftën kundër serbëve, austro hungarezëve. Përkrahu revolucionin e qershorit 1924. Shkollën fillore Hysniu e mbaroi në Zerqan. Punoi pak vite në bujqësi .Si familje kishte marrëdhënje shumë të mira në fshat, ishin njerëz puntorë e humanë. Pas arrestimit dogjën shtëpinë dhe rrënuan gjithçka. Merret forcërisht me gjithë rezistencën trup me trup me ushtarët gjermanë të shumë të numër dhe të armatosur gjer në dhëmbë, duke u gdhirë 15 korriku 1944 pushkatohet me tre bashkëfshatarë të tjerë nga Sofraçani në Qafë të Vlashajt. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim Nr 147, datë 31/12/1972.

Ismail Hasan Lila
Lindi në Sofraçan më 1915 në një kohë kur Shqipëria ishte një arenë lufte siç ishte ajo e luftës së parë botërore. U rrit në varfëri dhe u muar kryesisht me bujqësi. Gjatë periudhës së mbretërisë së Zogut u përpoq të gjej punë në Dibër të Madhe, në Tiranë dhe Durrës por nuk u bë e mundur. Pushtimin italian dhe gjerman e priti me shqetësim të madh, prandaj luftën e tij e bashkoi me atë të çetës partizane të Grykës së Madhe e Bulqizës.Me të marrë sinjalin për futjen e forcave gjermane në fshat, ndonëse tentoi të lajmëronte njerzit të largoheshin drejt shkëmbit dhe qafës së Sofraçanit , për tu bashkuar me partizanët u arrestua. U pushkatua në Qafë të Vlashajt më 15 korrik 1944. Edhe një dëshmor tjetër iu bashkua armatës së madhe të dëshmorëve të luftës nacional-çlirimtare. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim Nr 147, datë 31/12/1972.

Ali Mehmet Gjaçi
Dita e 15 korrikut të vitit 1944 do të ishte dita fatale për jetën e 24 vjeçarit Ali Gjaçi. U rrit në një familje me të kaluar patriotike. Sofraçanasit asnjëherë nuk u pajtuan me pushtuesit por luftuan gjatë kundër turqëve, serbëve,bullgarëve etj.
Në kohë paqeje u endën rrugëve të botës për punë në Ohër, Manastir, Selanik e deri në Stamboll. Aliu kishte provuar luftën kundër fashitëve italianë tek shkëmbi i Hoxhajve. Shtëpia e tij kishte pritur luftëtarë të brigadave partizane. Arrestohet nga gjermanët dhe pushkatohet me dy shokë të tjerë në Qafë të Vlashajve. Emri dhe vepra e tyre do të kujtohen e nderohen brez pas brezi. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim Nr 147, datë 31/12/1972.
Populli, si kudoherë, nuk u pajtua edhe me pushtuesit, pavarësisht nga demagogjia. Përkundrazi, nuk e pushoi luftën për mbrojtje të Atdheut, lirisë e pavarësisë së tij.
Dëshmorët e Sofraçanit dhanë jetën jetën për lirinë, që gëzuan brezat pas rënies së tyre. Ata do të mbeten në zemrat dhe mendjet e banorëve të Grykës së Madhe e të mbarë popullit tonë.

Referenca
1. Këngë kushtuar luftës më 1899, kundwr pushtuesve turq.
2.Vargje të thurura nga populli kushtuar luftës kundër serbëve.
3-Popullore, kushtuar luftës kundwr italianwve, tek Shkambi i Hoxhe, më 23 gusht 1943.
4. Skwnder Cani, vjeç 80, kujtime. Dorwshkrim 2007.
5 Rakip Caka, gazeta “ushtima e maleve”, 14 korrik 1984
6. Rakip Caka, po aty.
7. Bajram Cani, kujtime të mbledhura nga Nazmi Koçi, dorwshkrim.
8. Mehmet Deda – rob i Luftës së Parë Botërore, kthyer në fshat më 1918. Kreu ushtrinë në Austri.