Ndërron jetë përfaqësuesi i shquar i komunitetit dibran në Tiranë z.Luan PUSTINA


Ka ndëruar jetë në moshën 85 vjeçare, z. Luan Pustina, një përfaqësues i nderuar i komunitetit dibran në Tiranë, ish-anëtari i kryesisë së Shoqatës “Bashkësia Dibrane”.
Luan Pustina u lind më 23 tetor 1934 në Tiranë. Vinte nga një familje me tradita të shquara atdhetare të qyteti të Dibrës së Madhe. Stërgjyshi i tij udhëhiqte lëvizjen e madhe anti-osmane të fundit të shekullit XIX. Në këngët popullore, për trimërinë e tij, ai cilësohej si “Nurçe Levendi Pustina”, pasi fjala e tij zinte vend në parinë dibrane.
Gjyshi i Luaniti, Ali Pustina, ishte ndërlidhës i krahinës së Dibrës me atë të Aqif Pashë Elbasanit dhe me Vlorën e Ismail Qemalit, në përpjekjet shembullore të dibranëve gjatë viteve ‘12-’15 të shekullit të kaluar, për të mos ua lëshuar trojet dibrane serbëve, deri sa u vra prej tyre në 1915.
Gjate periudhës së diktaturës familja e Luanit u konsiderua si e deklasuar, për arsye se para çlirimit dajat e tij, vëllezërit Shijaku, ishin tregtarë të mëdhenj dhe i ati ishte oficer në Mbretërinë Shqiptare. Luani mbaroi Teknikumin Financiar të Tiranës në vitet 1947-1950 duke qenë kontigjenti i parë që përgatiste kjo shkollë në Tiranë. Menjëherë pas kësaj ai nisi një karrierë të vlerësuar në institucionet shtetërore dhe në ekonomi të bazës. Pas dy viteve punë në Komisionin e Planit të Shtetit, me 1952, transferohet në Ministrinë e Financave me detyrën e revizorit. Në vitin 1954 shkëputet nga puna për të ndjekur Fakultetin Ekonomik. Në vitin 1958 mbaron studimet me rezultate shumë të mira.
Menjëherë pas shkollës së lartë emërohet në seksionin e financës të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, me detyrën e kryeinspektorit të financimit, detyrë që i jepte mundësinë të ndiqte problemet ekonomike, financiare e kontabile të ndërmarrjeve më të rëndësishme të kryeqytetit.
Luani ishte i pari ekonomist i vendit që analizoi të dhënat e 10 ndërmarrjeve të industrisë së lehtë në Tiranë, duke konkluduar mbi pasojat e rënda ekonomike të vlerësimit të veprimtarisë së ndërmarrjeve sipas treguesit unik të vlerës globale.
Duke analizuar investimet që bëheshin në qytetin e Tiranës, Luani vinte re mungesën e analizës paraprake të rentabilitetit të tyre. I tillë ishte rasti i fabrikës së bukës, e ngritur në një cep të qytetit, që ishte me kosto të lartë transporti. Ngritja më pas e 6 gryksheve në çdo zonë të qytetit e rregulloi këtë anomali.
Pas përfundimit të planifikimit buxhetor për ngritjen e Parkut të Madh të Tiranës në kodrat e Liqenit Artificial, në vitin 1970 nisi aktivizimi i Luanit në kooperativat bujqësore të Tiranës, fillimisht në zonën kodrinore të Dajtit, më pas deri në vitin 1979 në kooperativën bujqësore të Pezës. Shumë shpejt, kjo kooperativë, një nga më të mëdhatë e vendit, me pesë mijë punëtorë, dhjetë sektorë dhe njëqind e gjashtëmbëdhjet brigada, arriti rezultate të larta ekonomike e financiare, ku spikaste puna novative dhe reformatore e ekonomistit të talentuar Luan Pustina.
Gjate punës së tij i është dashur të përballet me shumë sfida, që regjimi i kohës i vinte përpara, me shfrytëzimin e kapacitetit të tij, sepse ishte i aftë t’u jepte zgjidhje konkrete problemeve të shumta të ekonomisë.
Studimin për problemet e zhvillimit demografik të rrethit të Tiranes, (i përmasave të mëdha dhe i vëzhgimeve të shumta që duheshin bërë), e realizoi për 9 muaj, në 150 faqe, 80 tabela të plotësuara me përfundime e konkluzione, si dhe vlere aplikative. Profesionalizimi i lartë i kryerjes së studimit ka bërë që disa shkencëtarë shqiptarë i janë referuar këtij studimi në kumtesa e tyre jashtë shtetit.
Jetëshkrimi i këtij njeriu nuk do të ishte i plotë, po të mos shënojmë se gjatë kësaj periudhe Luan Pustina ka referuar në shumë konferenca shkencore në Tiranë, në Vlorë, Gjirokastër, Sarandë. Me ftesë personale ka referuar në Milano, Torino, Savona dhe në mars 2011 në Sardenja me tematiken: “Ku investohet në Shqipëri.”
Veprimtaria e këtij personaliteti nuk mund të kuptohet pa punën që bënë ai si përfaqësues i shoqatës italiane të voluntariatit, e cila asistoi në Shqipëri nga viti 1994 dhe vazhdon edhe sot punën e saj. Në këtë periudhë ai realizoi mbi 250 misione në njësi ekonomike, komuna, bashki, institucione qendrore dhe njësi private, duke dhënë ndihmë falas në 11 fusha të jetës ekonomiko-shoqërore e kulturore të vendit. Luani ishte një njohësi i mirë dhe i thellë i historisë dhe veçanërisht asaj të trevës së Dibrës.
Mbi tavolinën e punës së Luanit gjen projekte me interes aktual dhe perspektiv për vendin. Mirëpo në shtator 1997, me ndryshimet në qeverisje Luani nxirret në pension, pavarësisht nga projektet që kishte gati.
Ishte një nder themeluesit e Shoqatës “Bashkësia Dibrane” në Tiranë që më 25.12.1992 dhe anëtar i kryesisë së saj për vite me radhë.

Basha: Luan Pustina me punë u ka lënë brezave të ardhshëm një trashëgimi të fuqishme

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha, i shoqëruar nga Kryetari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane” z. Bujar Kapexhiu, zhvilluan një vizitë në shtëpinë e të njerit Luan Pustina, ku u takuan me familjarët e tij.
Ato u takuan dhe ngushëlluan bashkëshorten e të ndjerit, znj.Gjyltere dhe dy vajzat Andia dhe Laura Pustina, të shkencëtarit, humanistit dhe njeriut model të shoqërisë tonë, Luan Pustinës, i cili ka kontribuar me mjaft mendime të vyera, projekte studimore, ekonomiko-sociale mbi Rrugën e Arbrit etj.
Zoti Lulzim Basha, e quajti humbje të madhe ndarjen nga jeta të intelektualit Luan Pustina, i cili me punë, i ka lënë brezave të ardhshëm një trashëgimi të fuqishme, për të luftuar me intelekt varfërinë, prapambetjen, për të vendosur arsyetimin mbi padrejtësisë. Ai ishte shembulli model i një prindi të nderuar, e që me egon e tij krijoj një shoqëri të veçantë dhe u dallua për projektet të dobi të komunitetit dibran të Tiranës, në studime mbi volontariatin shqiptar, në nisma bamirësie, pjesëmarrës në dhjetëra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, në sesione shkencore, theksoi z. Basha.
Ndërsa kryetari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, z. Bujar Kapexhiu vlerësoj shumë punën e pakursyer dhe të palodhur të Luan Pustinës, figurë që transmetonte vetëm mirësi dhe pozitivitet.
Nën gjurmët e tij, komuniteti dibran, njeh mjaft arritje në realizime aktivitetesh, konferencash dhe sesione shkencore mbi genocidin serb në trojet Shqiptare, projekti ekonomiko-social mbi Rrugën e Arbrit etj.
Ndërsa znj. Gjyltere, vlerësoj kontributin e Luanit si bashkëshort e si prind model në edukimin e fëmijëve e brezave të ri. Ai u largua nga kjo botë, me mjaft projekte të parealizuara. Dy vajzat e z. Luan Pustina, Andia dhe Laura, vlerësuan vizitën e z. Lulzim Basha dhe i përcollën atij respektin e veçantë që babai i tyre kishte për të.
Gjthashtu ato morën anglazhim që të gjitha materialet studimore, problematikat me karakter ekonomik dhe social, të Luan Pustinës ti botojnë në një vëllim shkencor i cili do të mbaj emrin e tij, e që do të promovohet në bashkëpunim me shoqatën “Bashkësia Dibrane” në një akademi solemne.