Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Klosit e Burrelit për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit të kësaj zone.


Në foto: Sali Bushi duke mbajtur referimin.

Bashkitë e Klosit dhe Burrelit së bashku me fshatrat të cilat bëjnë pjesë në këto bashki vendosen në pjesën perëndimore të Qarkut të Dibrës. Në Bashkinë e Klosit bëjnë njësitë administrative Klos, Xibër, Suç e Gurrë, ndërsa në Bashkinë e Burrelit bëjnë pjesë njësitë administrative Burrel, Baz, Derjan, Rukaj, Macukull, Komsi, Lis e Ulëz dhe fshatrat që bëjnë pjesë në këto njësi administrative.

Rrugët lidhëse me Rrugën e Arbërit

Rruga e Arbërit në lashtësi lidhte pjesën lindore të Shqipërisë me portet e Durrësit,Vlorës e Shëngjinit. Ajo ishte nje nyje e rëndësishme transballkanike së bashku me rrugën Egnatia që kalonte më në perëndim. Degëzimet e saj shtriheshin deri ne Prizren, Shkup, Preshevë e më në lindje.

Degëzimet e Rrugës së Arbërit në Mat fillojnë nga Qafa e Murrizës e vendosur në jug-perëndim të luginës së Matit, në kufi me Zall Bastarin.

Nga qafa e Murrizës kalonin dy rrugë:

Qaf Murrize-Guri i Bardhe-Ura e Vashes-Plani i Bardhë-Qaf Buall-Bulqizë-Dibër dhe

Qaf Murrizë-Qafë Shkallë-Klos. Në Klos kemi ndarjen në tre drejtime :

Klos (Dars)-Ura e Halilit-Bel Unjate-Gurrë (krahu perëndimor i luginës së Matit).

Klos-Suç-Shoshaj-Urakë-Perlat-Rrëshen-Lezhë-Shkodër

Klos-Ura e Allamanit-Cërujë-Patin, me dy variante: Varianti veror: Patin-Qaf Dardhë-Qaf Mesi-Qaf Murrë dhe Varianti dimëror: Patin-Kurdari-Gjalish-Lis-Qafë Murrë.

Këto variante mbi dymijë vjeçare, janë të shoqëruara me kala, ura, karakolle, kalldrëme të cilat ruhen pjesërisht deri në ditët e sotme. Rruga e Arbërit ka patur aktivitet të plotë deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë.

Deri tani ajo shfrytëzohet nga banorët e Xibrit, Gurit të Bardhë e Valit të Martaneshit   si varianti më i shkurtër për t’u lidhur me Tiranën dhe Durrësin. Pothuajse të gjitha fshatrat lidhen me rrugë automobilistike më qendrat e tyre Klosin dhe Burrelin. Rrugët që duan përmirësime, mirëmbajtje dhe ndonjë shtesë rruge e re me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit janë :

Rruga Fundi i Planit të Bardhë-Stavec-Gjon- Krastë (rreth 6 km. rrugë e re) për t’u lidhur me rrugët ekzistuese të zonës së Martaneshit, Batër, Thekën e deri tek Liqeni i Sopeve të cilat duan vetëm përmirësim e mirëmbajtje.

Rruga Qaf Burrel-Qaf Ujku-Maja Burrelit-Liqejt e Allamanit(Kurdarisë,Hysen Begut, etj.)-Qaf Murrë-Kepi i Skënderbeut, nga të cilat 6 km. rrugë e re, pjesa tjetër përmirësim e mirëmbajtje.

Rruga Vinjollë-Manazdre-Qaf Murrë-Kepi Skënderbeut-Guri Vashës-Liqejt e Lurës, nga të cilat 3 km. rrugë e re, pjesa tjetër përmirësim e mirëmbajtje.Rruga Vig-Qaf Kishë-Linos-Daznjan-Shkalla e Deshëve-Macukull, kërkon vetëm përmirësim e mirëmbajtje.

Rruga Qaf Shënkoll-Gjoçaj-Lami i Madh-Kurbnesh-Lurë kërkon përmirësim e mirëmbajtje. Rruga Xibër Hane-Llapush të Gurrës-Qaf Shtamë, nga të cilat 4km. rrugë e re dhe pjesa tjetër përmirësim e mirëmbajtje.

 

Qafa e Buallit

Buqësia. Blegtoria e Frutikultura

Rajoni i Matit ka karakteristika të ndryshme klimatike e mjedisore gjë që ka kushtëzuar dhe zhvillimin e orientuar lokal të tyre. Kështu, Xibri, Vinjolli, Manazdreni, Macukulli e Zall Gjoçaj, me një mikroklimë të ashpër, në shekuj kanë qenë shquar për mbarshtrimin e bagëtive të imta, kryesisht dhen dhe dhi. Vetë pozicioni gjeografik me klimë të ftohtë dhe të freskët, me verë relativisht të shkurtër dhe dimër të gjatë nuk favorizonte të mbjellat bujqësore, pemtarinë e vitikulturën.

Nga ana tjetër lugina e Matit karakterizohet nga një mikroklimë e nxehtë dhe e thatë në verë, ndërsa e lagësht dhe e butë në dimër. Një mikroklimë e tillë në shekuj ka favorizuar kutivimin e bimëve bujqësore(misër, grurë, perime, etj.) dhe kultivimin e pemtarisë, veçanërisht vreshtarisë. Matjani në shekuj nuk mund ta konceptonte shtëpinë dhe arën e tij të parrethuar me lloje-lloje pemësh frutore e variatete rrushi, deri në kultivaret lokale me emër në prodhimin e rakisë, verës, mushtit, hardallisë si; rrushi i “Cërujës”, “Gjalishit”, “Tajga” etj. Aq favorizuese është mikroklima në këtë rajon për rrushin, sa, kronikani i Perandorisë Osmane, Elvia Çelebi, kur kaloi nga Qafa e Thanës (mali i Bejnit), nëpër Shëngjun, Bejnë, Fullqet, Gurra, Frankth për në Qaf Shtamë e Krujë thekson “ … ishte korrik, por nuk pashe dielle me sy nga tendat e rrushit…”. Në ditët e sotme në kushtet e ekonomisë së tregut, matjani i është kthyer traditës së herëshmë të kultivimit të gjithë llojeve të frutave deri tek fiku që kultivohet deri në fshatrat e Klosit.

Ka filluar e vazhdon me inensitet mbjellja e pemëve frutore, rrushit e krahas tyre mbajtja në një numër më të vogël e bagëtive. Produktet e prodhuara, megjthëse cilësore nuk kanë infrastrukturën e nevojshme të përpunimit në rrugë industriale si baxho, punishte rakije dhe vere, fabrikë përpunimi mishi, fabrikë përpunim bimësh industriale etj. Dihet se në botë, por dhe rreth nesh, ka krahina të njohura për prodhim të orientuar si p.sh. krahina e Shampanjës në Francë e njohur për prodhimin e verërave, rajonet e Napolit në Itali, të njohur për prodhimin domates për salcë, rajone të tjerë të njohur për prodhimin e djathrave, proshutës etj. Natyrisht ndërtimi i Rrugës se ArbËrit është mjaft i dobishëm për tregtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale Bio, të kësaj treve, në tregun e madh të Tiranës.

Hapja e Rrugës se Arbërit do të zgjojë interesin e banorëve të larguar këto vitet e fundit në Tiranë e Durrës, t’ju kthehen trojeve të të parëve të tyre të lëna djerr, për t’i punuar dhe mbjellë, pasi distanca shkurtohet gati ne 1/3 dhe ashtu si dhe bota e përparuar rreth nesh, edhe ne, të banojmë në metropol, dhe të punojme 50 apo 100 km larg. Kjo natyrshëm do të sillte dhe një zbutje të papunësise, por dhe një treg atraktiv, të leverdishëm, cilësor dhe me kosto relativisht të ulët.

Natyrisht kjo rrugë në shekuj nuk ka sherbyer vetëm për transport udhëtarësh, por veçanërisht edhe për transport mallrash. Janë të njohura në shekuj pazaret e Klosit dhe të Lisit që ishin në aks të Rrugës së Arbërit. Në këto pazare tregtarët matjanë, dibranë, krutanë tiranas dhe elbasanas, shkëmbenin mallrat industrial me prodhime bujqësore e blegtorale, traditë që vazhdon deri në ditët e sotme.

 

Pasuritë   minerale

Me zhvillimin e ekonomisë së vendit veçanërisht pas viteve ’50 në Mat morën zhvillim të vrullshëm investimet në industrinë e kromit, energjitikë, mekanikën bujqësore etj. Nga minierat e kromit të Matit dhe Martaneshit janë prodhuar dhe transportuar për në portin e Durrësit mbi 8.5 milion ton krom, me dhjetra milion m3 lëndë drusore, mermere e gëlqerorë të mermerizuar etj. të cilët kanë të faturuar në koston e tyre për çdo ton dhe m3 dhe taksën e rëndë të transportit që për fat të keq vazhdon të merret dhe në ditët e sotme nga djersa dhe mundi i banorëve të këtyre trevave. Krahina e Matit dhe është e njohur për pasuritë e mëdha industriale që zotëron. Kështu, përllogariten në disa dhjetra milion ton rezervat e mineralit të kromit (Cr2O3), në disa dhjetra milion m3 rezervat në mermere e gëlqerorë të mermerizuar, gelqerorë pllakorë, argjila industriale e materiale ndertimi, bimë industriale e medicionale, me rëndësi të madhe ekonomike për të sotmen e të ardhmen e kesaj krahine. Duhet theksuar se 90% e pasurive që përmendëm ndodhen në skajin jug-lindore dhe lindore të luginës se Matit, vetëm 10-20 km nga porta e Qaf Murrizës dhe vetëm 40-60km nga metropoli Tiranë-Durrës.

Venburimet kryesore të kromit përqëndrohen kryesisht në pjesën veri-perëndimore, qëndrore e jug-perëndimore e perëndimore të masivit ultrabazik të Bulqizës. Në krahinën e Matit bëjnë pjesë vendburimet, objektet dhe shfaqjet e kromit të pjesës veri-perëndimore e perëndimore të këtij masivi, të vendosura në krahun lindor të krahinës së Matit si : Vendburimet e kromit të Cërrujës, Shkallës, Qaf Burrelit, Qaf Dardhës, Majës së Kunorës, Qaf Gjelas, Liqeni i Dhive, Manazdreni lindor e perëndimor, Vinjoll, Vanas e Daznjan. Rezervat gjeologjike prognozë të përllogaritura në disa milionë ton krom nga specialistët e fushës së gjeologjisë, ndodhen afër dhe për rreth këtyre vendburimeve të njohur.

 

Përveç kromit nga mineralet metalore, në krahinën e Matit kemi dhe vendburimin sulfureve të Nikelit të Qaf Dardhës e shfaqjet e mineraleve sulfure nga Qafë Dardha në Patin, Cërrujë e Shahinaj, Objektet dhe shfaqjet e mineralit të bakrit në zonën Baz-Stojan dhe shfaqjet dhe shenjat e arit në konglomeratet terrigjene të zonës së Kurvajës, për kuarc dhe ar.

Gurët dekorativë karbonatikë e ofiolitikë përfaqësohen nga   Gëlqerorët e mermerizuar të vendburimit të Qaf Shtamës dhe daljeve të Llapush-Xibër-Guri i Bardhë si dhe gëlqerorët pllakorë të Trisaikut të mesëm dhe ranorët pllakorë Cr-Pg të luginës së Burrelit mjaft të përdorshëm në kushtet e sotme të ekonomisë së tregut, në krah të Rrugës së Arbërit, vetëm 10-12 km, në sasi prej disa dhjetra milion m3 dhe me cilësi të mirë. Po ashtu në afërsi të Lisit takojmë vendburimin e gëlqerorëve të mermeriauar të Lisit dhe objektet e Burgajetit e Qaf Kishës, shtresë trashë deri në masiv me karakteristika fiziko-mekanike cilësore dhe ngjyrë nga të kuqe mishi deri në gri me ndërtim konglomeratik. Nga gurët dekorativë ofiolitikë kemi gabrot e Cërrujës e të Krastës dhe dunitet masive të vendburimit të Krastës.                                

Argjilat industriale ndodhen ne Shoshaj dhe Shëngjun ne sasi prej disa milion ton. Argjilat e Shoshajve, duke u bazuar në vetite fiziko-mekanike dhe përbërjen kimike të tyre, janë të përshtatëshme për prodhim tullash dhe tjegullash. Argjilat kanë kushte të mira tekniko-minerare, për pasojë, shfrytëzimi i tyre nuk kërkon shpenzime të mëdha.                      

Shkëmbinjtë karbonatikë e ofolitikë, ranorët e inertet lumore si lëndë e parë ndërtimore takohen në të gjithë teritorin e Matit nga Vinjolli, Mbas Deja e Lami i Madh në lindje dhe nga Vali, Guri i Bardhë e Qaf Shtama në perëndim, në gropën e Burrelit dhe shkëmbinjtë ofiolitikë nga Plani i Bardhë në Shahinaj, Qaf Dardhë e deri në Vinjoll, Vanas e   Daznjan. Në zonën e Matit kemi dhe inertet lumore të shtratit të lumit Mat dhe daljet kuarcore të zonës Derjan-Urxallë-Rremull-Shtjefën dhe shfaqjet e qymyreve në zonën Rripë-Gurrë. (Agim Shenjatari, Bashkim Lleshi, Ramazan Ceni, Sali Bushi, Simon Duni, Shadan Stërmasi, Zenel Hysa, etj. 1970-2000)

Duhet theksuar se për të ardhmen, mbetet e hapur perspektiva për kërkimin, vlerësimin dhe rivlerësimin e mineraleve dhe shkëmbinjeve industrial të territorit të Matit, për të zbuluar dhe vënë në shërbim të ekonomise potenciale te reja mineralmbajtëse dhe fusha të reja kërkimi, zbulimi e shfrytëzimi.

Pasuritë ujore të krahinës së Matit

Ndër pasuritë ujore më të rëndësishme të krahinës së Matit janë lumi i Matit që e përshkon krahinën nga Martaneshi në Klos, Suç e deri sa dershet ne liqen, Liqeni i Ulzës, liqeni i Shkopetit, liqejt malorë të Balgjajt e Fush Balgjajt e të Allamanit (Kurdarisë, Hysen Begut, Petritit, Dhive, etj.), përrejt që derdhen në lumin e Matit në të dy anët e luginës si Përrejt e Bejnit, Cërrujës, Lusës, zalli i Kurvajës, Përroi i Flimit, e lumi i Urakës në krahun lindor dhe Përrejt e Mashnorit, Darsit, Rripës, Batrës, Germanit, Bazit, Bushkashit, Ulzës e Shkopetit në krahun përëndimor, si dhe burimet e freskëta të Gurrës së Linosit, Gurrës së Vinjollit e Gurrës së Shlliut, si dhe shumë burime të tjera të vogla me ujë të pjshëm në të gjithë krahinën e Matit.

 

Turizmi historik e malor

Ndërtimi i rrugës së Arbërit do të zgjojë interes për zhvillimin e turizmit historik e malor. Krahina e Matit nga Qaf Murriza në Qaf të Buallit, Macukull e Shkopet, kudo që të shkelësh është pëllëmbë e histori. Ka të dhëna hitorike që të parët e kastriotëve e kanë origjinën nga Shqefni i Matit ku kemi toponimet, Rrahu i Kastriotit, lagja Kastriot, Varret e Mark Shqefnit (Kastriotit), etj. Vendet dhe objektet historike që mund të vizitohen për gjatë Rrugës së Arbërit e në vazhdim që do t’i shërbejnë njohjes së mëtejshme të historisë nga të gjithë vizitorët vendas e të huaj janë :

Pjesë kalldrëmi i Rrugës së Arbërit në Gur të Bardhë, Ura e gurit me hark e Gurrës në hyrje të Gurit të Bardhë, Urat e gurit me hark e Kulmares, Ura e Gurit e Hoxhës, Ura e Gurit e Cime Toskës në Gur të Bardhë, Ura e Gurit me hark e Vashës mbi lumin Mat, Kalaja e Petralbës përball Gurit të Bardhë shtëpia e dytë e Skënderbeut, Kalaja e Xibrit dhe Kalaja e Cërrujës, Lugina e Valit, Kisha e Varri monumental (Suç), Kuvendi i Dukagjinit (dhjetor 1601-shkurt 1602) në Qafën e Shën Kollit ku muarën pjesë 2656 delegatë nga 14 krahina të vendit, Përmendorja e formulës së pagëzimit në Qaf   Kishë (Macukull) (shkruar nga Pal Engjëlli kryepeshkop i Durrësit, këshilltar i Skënderbeut, më 1462),etj. (Adi Darsi 2017, Bashkim Lleshi 2011 e 2017, Valter Shtylla 2007)

Në këtë teritor ndeshen edhe shumë ndërtesa guri me frengji, me dritare të vogla me kapakë, me shkallë druri e guri nga brenda e nga jashtë, me telis dhe me oxhaqe si :banesat e Veli Domit, Elmaz Dezhgiut e Xhelal Bodës (Guri i Bardhë), Rexhep Karait (Dars), Bajram Allushit e Rexhep Lleshit (Klos Katund), Hysen Dodollit (Bejn), kulla e Çelës (Patin), Kullat e Abdulla Zylfit e Ali Selës (Kurdari), kullat e Emaz Muharemit e Sul Lëkursit (Gurrë e Madhe), banesat e Asllan Hutës e Jakup Kurtit (Plani i Bardhë) etj.

 

Gjeomonumentet, hidromonumentet e monumentet e natyrës

Ndërtimi i rrugës së Arbërit dhe përmirësimi e ndërtimi i rrugëve të reja lidhëse më atë do t’i japë një zhvillim të mëtejshëm edhe turizmit rural e malor në krahinën e bukur të Matit. Gjatë zhvillimit të turizmit malor në gjithë teritorin e Matit ndeshen gjeomonumente, hidromonumente e monumente të natyrës si :

Vendburimi i kromit të Shkallës (në formë tubi), Vendburimi Cërrujë, Guri i Gjatë në Urxuall (Derjan), Kepi i Skënderbeut (Varosh), Guri i Vashës (Mbas Dejë), Maja e Boshtrës, Puset e Valcës (Macukull), Kanjoni i Urakës, Kanjoni i Flimit (Dukagjin) Kanjonet e Unxës-Shqefën-Rremull, Kroi i Gjeneralit (Vakëf Guri Bardhë), Burimi i Shutresë (Laç,Urakë), Shpella e Sekes, Shpella Urxall, Shpella e Nezirit, Shpella e Blazit, Guri i Hijes, Lisi i Qershizës (JL Ulzës), Lisi i Tushës(Frankth), Lisat e Shkollës, Ram Pores, Lisi i Varrit të mirë, Lisi te varret e Kurmetës (Macukull), Lisi i Qaf Shënkolit (Dukagjin), Lisi i Bërshinit (Klos), Lisi i Kodrës Varreve (Urxall), Lisi te varret e Shqypit (Barbullej), Lisi te varret e Kurmetës (Shqefën), Lisi i Teqesë Domit (Batër,Komsi), Lisat e Kishës dhe Bërshini (Groshot,Dukagjin), Lisat e Mbas Dejës (Vinjoll), Rrapi i Çelës (Patin) ,Rapi i Marqethit (Lis) e Rrapi i Zabelit (Gurrë e Madhe), etj. (Perikli Qirjazi, Skënder Sala 2007, Sali Bushi 2019)

 Mbëshhtetur në këto bukuri të natyrës së luginës së Matit dhe maleve për rreth në çdo drejtim mund të organizohen Guida turistike malore. Me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit do ti jepet një hop zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm ekonomisë, por dhe zhvillimit të turizmit historik e malor të kësaj treve. (Agim Shenjatari 2007,Bashkim Lleshi 2006, Bashkim Lleshi,Avni Dibra 2007)

Referimet        

Adi Darsi “Për në Petralbë, një rrugë drejt historisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.3(131) mars 2017

Agim Shenjatari ”Pasuritë minerale të rrethit të Matit që vihen në lëvizje për ekonominë e tregut me 

ndërtimin e Rrugës së Arbërit” Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007

Agim Shenjatari, Bashkim Lleshi, Ramazan Ceni, Sali Bushi, Simon Duni, Shadan Stërmasi, Zenel Hysa, 

etj. Raporte të rilevimit e kërkim zbulimit të kryera në zonën e Matit e Martaneshit më 1970-2000. 

Bashkim Lleshi “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit më të shpejtë të turizmit malor 

                           dhe njohjes së mëtejshme të historisë Gazeta Rruga e Arbërit nr.6 tetor 2006

Bashkim Lleshi,Avni Dibra “Rruga e Arbërit premisë për zhvillimin e turizmit“

                             Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007

Bashkim Lleshi “Macukulli fshati i historisë së vjetër dhe investimeve të reja” G.“Rruga e Arbërit” prill 

2011

Bashkim Lleshi Rruga e Arbërit do ti shërbejë njohjes së mëtejshme të historisë” G.“Rruga e Arbërit” 

mars 2017

Munir Shehu - “Dibra I në vitet 1840-1860”, Tiranë 2010

Perikli Qirjazi, Skënder Sala –“Monumentet e natyrës së Shqipërisë” Tiranë 2006

Valter Shtylla- “Rruga e Arbërit rruga kryesore e vendit krahas rrugës Egnatia që në lashtësi” 

Kuvendi Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit, faqe 5-19, Tiranë maj 2007