Dëshmori Artan Cuku – Meteori që s’do shuhet kurrë


 

Impresionet e jashtëzakonshme dhe vlerësimi im për dimensionin, vlerat morale e intelektuale dhe profesionale, talentin dhe madhështinë e figurës së Drejtorit të Policisë Artan Cuku, më çojnë deri atje sa që në mënyrë metaforike do ta krahasoja atë me një trup qiellor të shndritshëm“Meteor” të pashuar që vezullon e lëviz në sistemin tonë diellor. Shpirti i tij prehet në paqe atje lart në univers.
Kanë kaluar me shumë se dy vjet kur dora tinzare e një vrasësi profesionist me pagesë nga mafia e drogës i mori jetën ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Drejtuesit të Parë Artan Cukut, djalit dhe personalitetit tonë të shquar dibran. Vrasja e Tanit ishte një humbje e madhe për familjen dhe të afërmit e tij, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë trevën e Dibrës dhe lurjanët. E kush nuk u prek e derdhi lot për Tanin jo vetëm kolegët e miqtë e shokët e tij, por edhe gjithë ata të cilëve Tani u kishte shërbyer me ndershmëri e përkushtim si në Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Tropojë, Berat, Tirane, Vlorë e kudo.
Thuhet së heronjtë kanë një shqisë më tepër se njerëzit e tjerë të zakonshëm. Heronjtë bëjnë dallim nga pjesa tjetër e njerëzve pasi kanë diçka të veçantë jo vetëm në shqisa por dhe në karakterin dhe sjelljen e tyre. Ata rrezatojnë më shumë guxim, trimëri, besë, sakrifikim, ego pozitive, zgjuarsi dhe në imazh duken më të burrëruar se bashkëmoshatarët apo kolegët e tyre. Po ashtu në popull thuhet shpesh se heronjtë apo trimat që kanë këtë shqisë fatkeqësisht nuk jetojnë shumë gjatë, pasi jeta, momenti, detyra, atdheu, zëri i brendshëm i trupit të tyre apo ego iu thërret. Nuk është e rastësishme që mosha mesatare e heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare ishte afërsisht 18-30 vjeç, por edhe mosha mesatare e dëshmorëve të Policisë është përafërsisht midis 30-45 vjeç. Pra duke u ndarë nga jeta në mesin e saj apo lulen e rinisë, siç thotë populli.

Mjedisi ku u lind, rrit dhe edukua Artan Cuku
Në Malësi dhe jo vetëm, ekziston një aforizëm: Familjet e mëdha lindin veç trima. Shpesh në mjediset e ndryshme shoqërore e familjare kur flitet për trimëri, burrëri apo mençuri, zakonisht thuhet se ai “burrë ose trim ka dalë nga Derë e madhe” e fshatit;apo ajo kullë ose familje që lindi dhe rriti këta djem trima është e para e fshatit. Dhe nuk ka se si të ndodh ndryshe edhe me familjen Cuku. Të tillë mjedisi i përkiste edhe familja e Sulë Cukut në Lurë me 7 pjesëtarë, e cila dallohej për burrëri, kuvend, urtësi, respekt dhe zgjuarsi. Dera e kullës së familjes Cuku ka qenë e hapur për gjithë lurjanët për miqtë, jabanxhinjtë, të afërmit etj. Në këtë derë u lind, u rrit dhe trimërua edhe Artani i cili sot prehet në Altarin e Lirisë si Dëshmor i Atdheut.
Artani u lind më 25.01.1975 në fshatin Lurë e Vjetër të rrethit Dibër. Edukimi familjar, dashuria e prindërve ndaj të gjithë fëmijët, të afërmve dhe fqinjëve lanë gjurmë të thella në koshiencën dhe kureshtjen e Artanit për dijen. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar ai e përfundoi në Fushë-Lurë. Që në moshë të vogël Artani shquhej për zgjuarsi, shkathtësi, sjellje shembullore dhe ishte i shkëlqyer në mësime dhe kishte prirje të gjithanshme. Nisur nga rezultatet e mira dhe me mbështetjen e familjes Artani vazhdoi arsimin e mesëm të përgjithshëm në qytetin e Peshkopisë, që e përfundoi në vitin 1994. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, nga viti 1994-1996, ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikoll Kaçorri” Lurë. Bashkëmoshatarët, mësuesit dhe kolegët e Tanit e karakterizojnë atë si njeri me virtyte të spikatura si: i zgjuar, i sjellshëm dhe i respektueshëm, këmbëngulës në kryerjen e detyrave, i pëlqenin sfidat dhe ishte i papërtueshëm për çdo detyrë që i ngarkohej apo ndihme që i kërkohej nga kushdo.
Pavarësisht nga diploma e mësuesisë që kishte fituar dhe e ushtronte, Artani nuk i ndërpreu përpjekjet e tij për të vazhduar shkollën e lartë. Ngjarjet e vitit 1997 lanë shumë gjurmë tek Tani, të cilat e motivuan atë të mendonte se si mund të jepte kontributin e tij për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. Po atë vit ai konkuroi ne Akademinë e Policisë dhe fitoi me pikët maksimale për vazhdimin e studimeve të larta. Gjatë viteve 1997-2000 Artani mbaroi studimet e larta në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera duke fituar titullin “Specialist i Lartë i Policisë”. Ishte student sistematik, aktiv gjatë procesit mësimor, i pëlqente të eksploronte me kërshëri fushën e hetimit kriminal, kriminalistikës, atë juridike, sigurisë publike, historisë, sociologjisë dhe psikologjisë etj. Të gjithë pedagogët e kujtojnë Artanin si student inteligjent, i formuar profesionalisht dhe me ego pozitive. Që atëherë Tani kishte të dhëna se do të kishte një karrierë të shkëlqyer në të ardhmen e tij.Etjen për dije, shkollim e trajnim të thelluar Artani nuk e ndali edhe pas mbarimit të Akademisë. Gjatë karrierës së tij, ai përfundoi pa shkëputje nga puna, studimet për Drejtësi në nivelet Bachelor e Master dhe më pas iu nënshtrua provimit të avokatisë ku mori titullin “Avokat”.Gjithashtu ai ka kryer me sukses me dhjetëra kurse e trajnime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Institucionet Ligjzbatuese Shqiptare, Europiane dhe Amerikane, përgjatë periudhës 2000 – 2014. Në CV e tij numërohen mbi 15 certifikata trajnimi e kualifikimi në fushën e hetimit te krimit dhe sigurisë publike.

Artan Cuku, ekspert hetimi ekselent dhe drejtues i talentuar i Policisë
Erdhi momenti kur Artani me njohuritë e fituara në shkollë do t’i zbatonte në jetë. Në Shtator të vitit 2000, menjëherë pas mbarimit të Akademisë së Policisë, Artani u emërua në strukturat e Policisë së Shtetit, në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Malësisë së Madhe. Në startin e karrierës së tij u vunë re cilësi të spikatura të një oficeri me talent e me pasion, me intuitë dhe fantazi profesionale. Kjo u reflektua në zbulimin e disa ngjarjeve të vjetra që kërkonin angazhim, devotshmëri, këmbëngulje, kurajë e aftësi operative e procedurale. Hartoi planin operacional për kapjen e disa personave të kërkuar që në ato vite ishin të shumtë por dhe mjaft të rrezikshëm dhe kur strukturat e policisë kishin imazh të ulët në publik pas vitit 1997.
Pas rreth një vit e gjysmë eksperiencë si specialist i hetimit të krimeve në Malësinë e Madhe, në fillim të vitit 2002, nisur nga rezultatet e admirueshme, vlerësohet nga titullarët duke e emëruar Shef të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë Shkodër. Qyteti i Shkodrës në atë periudhë kishte një kriminalitet të theksuar. Vetëm dy vjet kishin kaluar kur në këtë qytet u dogj godina e policisë dhe situata ishte totalisht jashtë kontrollit. Duhet thënë se në këtë periudhë me punën e përkushtimin e ekipit policor, me rezultatet që u arritën balanca kishte kaluar në anën e Policisë së Shtetit. Krimi dhe grupet kriminale humbën terren në Shkodër dhe parametrat e sigurisë filluar të përmirësohen. Artan Cuku ishte njëri nga protaganistët e spikatur dhe shumë aktivë në kthesën që u arrit me shumë sakrificë në drejtim të vendosjes së rendit në këtë qytet. Shumë persona të rrezikshëm u kapën dhe shumë dosje penale u përpiluan në atë kohë të vështirë.
Në fundin e vitit 2002, për aftësitë profesionale të shfaqura në Shkodër, Artani përzgjidhet nga titullarët e Ministrisë së Brendshme dhe transferohet në detyrën si Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, qytet ky shumë problematik në atë kohë. Durrësi si një vend bregdetar ku përveç krimit të rrugës ushtrohej një veprimtari dinamike e trafiqeve dhe krimit të organizuar. Eksponentë të rëndësishëm të krimit u goditën në atë kohë. Persona të rëndësishëm të botës së krimit me lidhje politike u përballën me reagimin e fortë të policisë. Artani ishte ideatori dhe drejtuesi kyç i këtyre aksioneve të fuqishme dhe në këtë qytet, por nga ana tjetër filluan edhe angazhimet e personave me influencë politike të lidhur me botën e krimit për ta lëvizur nga ky qytet. Këtë detyrë e mbajti ai deri në vitin 2004 për t’u transferuar në qytetin më të largët verior. Gjatë periudhës që Artani qëndroi në detyrën e shefit të hetimit të krimeve, u cilësua nga shtypi i kohës si “Heroi i vitit”.
Në vitin 2004 emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë. Për disa muaj në këtë qytet u organizuan operacione spektakolare për kapjen e personave me rrezikshmëri të madhe që nga Lekbibaj e deri në skajet më të largëta të bjeshkëve të Shkëlzenit. Çdo aksion i drejtuar nga Artani ishte i padiskutueshëm, i suksesshëm e pa humbje njerëzore. Në këtë periudhë u bë një punë e madhe për grumbullimin e armëve nga popullata, pasi periudha e vitit 1997 kishte krijuar kushte që gjithkush kishte armë dhe rreziku i ngjarjeve kriminale ishte evident në çdo moment. Duhet theksuar se përpara vajtjes së Artanit në këtë detyrë gjendja e rendit dhe sigurisë në rrethin e Tropojës ishte plotësisht jashtë kontrollit. Situata ishte përkeqësuar deri aty sa asnjë oficer Policie nuk pranonte të drejtonte Komisariatin e Policisë së Tropojës. Deri kur vajti Artani në atë detyrë puna kryesore për ruajtjen e rendit e sigurisë në Tropojë (aq sa mund të quhet rend e siguri), bëhej nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë që shkonin nga Tirana. Artani sapo mori detyrën deklaroi se do të bëjë të mundur sigurimin e rendit dhe të qetësisë me djem e burra të strukturave të policisë që ishin pjesë e Komisariatit të Tropojës. Dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ja arriti objektivit
Pas disa muajsh shërbimi e përballje në Tropojë, po në vitin 2004,transferohet në Berat në Sektorin Kundër Akteve Terroriste ku u mor me krijimin e dosjeve sipas procedurave ligjore e standardet profesionale për të gjithë personat e evidentuar me precedent në sektorin që mbulonte. Në fundin e këtij viti emërohet Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin Nr.4 në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Detyrë parësore dhe efektive ishte hetimi i ngjarjeve të vjetra të pazbuluara deri në atë kohë. Shumë ngjarje kriminale të viteve 1997 e në vazhdim ishin pa autor, dosjet e përpiluara për këto ngjarje ishin krejt skematike pa mundësinë e duhur për të kryer veprime të plota procedurale për shkak të situatës së atëhershme. Ndaj me prioritet një punë e madhe u krye në rihetimin e këtyre ngjarjeve, dokumentimin dhe vënin para përgjegjësisë ligjore të autorëve për krimet e vjetra të kryera. Kjo punë do të jepte një imazh dhe impakt mjaft pozitiv në komunitet si dhe do të ndikonte shumë në parandalimin e krimeve të tjera. Artani si drejtues i seksionit kundër krimeve ishte në krye të të gjitha veprimeve hetimore dhe protagonisti i të gjitha sukseseve të këtij Komisariati.
Në vitin 2005 nga Komisariati Nr.4, transferohet dhe emërohet si Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, në vitet 2006 deri në 2007 punoi në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Tiranë dhe më pas në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Edhe në këto detyra delikate dhe shumë specifike Artani me përkushtimin, përvojën dhe aftësitë e spikatura në punën e tij sollën rezultate të larta. Madje duhet thënë se nuk pati dosje që tronditën opinionin publik që të mos kishte angazhimin, ekspertizën dhe inteligjencën e Artan Cukut, të cilat u finalizuan me sukses në atë kohë

Artan Cuku-Ylli në ngjitje në hierarkinë e Policisë së Shtetit
Ekspertiza e shkëlqyer, talenti, aftësitë drejtuese në strukturat e policisë kishin krijuar “pistën” e ngjitjes së Artanit në nivelin e lartë të drejtimit të Policisë. Artani kishte aftësi të rralla lidershipi si Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit, me afro 17 vjet përvojë (përfshirë dhe kohën e Akademisë).Ai ka iniciuar, drejtuar dhe menaxhuar hetime të rëndësishme në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.Aftësitë e tij të veçanta organizative dhe menaxheriale, vinin si rezultat i ngritjes graduale në karrierë dhe trajnimeve profesionale të vazhdueshme duke filluar nga niveli Inspektor terreni e deri në gradën e lartë policore drejtuese “Drejtues i Parë”.
Gjatë gjithë karrierës të gjitha vlerësimet e punës ndër vite, të cilat gjenden në dosjen e tij personale, kanë qenë të nivelit “shumë mirë”.
Për aftësitë e spikatura menaxhuese dhe drejtuese, në mesin e vitit 2007 Artani emërohet si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Vlorë,detyrë të cilën e kreu me shumë sukses. Meqenëse situata kriminale në qarkun e Fierit në këtë periudhë ishte shumë problematike dhe kërkohej me ngut që të dërgohej një ekspert dhe drejtues i aftë, komanda eprore në qendër në fund të vitit 2007 vendosi që Artanin ta emëronte Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Fier. Për të njëjtat arsye dhe aftësi të spikatura drejtuese, në fund të vitit 2008 u caktua si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Berat dhe më pas deri në vitin 2011 Zv/Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë.
Theksojmë se për 4 vite si Zv/Drejtor i Policisë në katër Qarqe Artani ka përballuar ngarkesë maksimale dhe sfida të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Sipas emërtimit organikZv/Drejtori i Policisë së Qarkut në atë kohë ishte dhe drejtuesi më i lartë i hetimit të krimeve. Bazuar në këto aftësitë të larta drejtuese dhe eksperiencën e shkëlqyer Artani dërgohej nëqarqet ku ishin problemet kriminale më të vështira dhe që duheshin zgjidhur në kohë. Në këto vite ta arta për Policinë e Shtetit janë kryer hetime spektakolare dhe janë finalizuar operacione të rëndësishme. Këto rezultate të mira dhe ky angazhim i madh policisë së kësaj periudhe ndikoi dukshëm në realizimin e prioriteteve dhe standardeve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave, si dy arritje të mëdha dhe historike për Shqipërinë. Padyshim që Drejtues i Parë Artan Cuku kishte rolin dhe protagonizmin e tij nërritjen e efektivitetet parandalues e goditës të krimit të organizuar nga drejtoritë e sektorët që menaxhonte e drejtonte ai, duke i bërë publike çdo javë rezultatet spektakolare të arritura nga policia.
Pas vitit 2011, Artani transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në funksionin e Shefit të Sektorit Kundër Pastrimit të Parave, detyrë të cilën e kreu për rreth një vit. Ky ishte një drejtim i ri i punës së Artanit por dhe një prioritet i kohës për policinë. Përveç eksperiencës së jashtëzakonshme që kishte në hetimin e veprave të rënda penale kundër jetës dhe personit si dhe veprave penale që lidheshin me trafiqet dhe krimin e organizuar, tashmë Artani i përkushtohet njohjes me hollësitë procedurave dhe legjislacionit të pastrimit të produkteve të veprës penale, si sfidë tjetër e strukturave të luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Situata e krimit të organizuar dhe trafiqeve në qarkun e Vlorës në këtë kohë kërkonte një dorë të fortë për të fituar betejën mbi krimin dhe ky drejtues ishte Artani, i cili në vitin 2012 u emërua në detyrën e Drejtorit të Policisë Qarkut Vlorë. Në fakt kjo është koha me e lavdishme për Artanin, koha më e mirë dhe për qytetarët e Vlorës, koha me rezultatet më të mira të Policisë së Qarkut të Vlorës në 30 vitet e fundit. Duke patur mbi supe këtë detyrë të rëndë dhe peshën e përgjegjësisë në drejtimin e Policisë së Qarkut Vlorë, Artani me stafin e tij bënin diferencë të theksuar nga gjithë qarqet e tjera në punë, në rezultate e në performancë. Aksione spektakolare u finalizuan në Vlorë. U goditën disa grupe të fuqishme trafikimit të drogës që kishin lidhje dhe me politikanët e qeverisë në hije. Disa herë personalitete të Policisë Italiane dhe Ambasadori Italian i kohës shfaqeshin në konferenca shtypi ne krah të drejtorit të suksesshëm Artan Cuku, duke prezantuar finalizimin e disa operacioneve të përbashkëta me partnerët europianë të cilët e respektonin dhe admironin aq shumë Tanin.

Artan Cuku-Viktimë e Politikës të lidhur me krimin
Pas rotacionit politik të qeverisjes, në emër gjoja të reformës dhe sloganit “Policia që duam”, filloi gjuetia ndaj elitave të Policisë dhe sidomos ndaj atyre që kishin prishur pazaret e drogës, gjë që u vërtetua më vonë (grupi i organizuar Habilaj, Jambelli, Xhafaj etj.) Artani u vu në shënjestrën kryesore të politikës, duke e shkarkuar pa motivacion nga posti drejtor i policisë së qarkut të Vlorës dhe emërimin e tij specialist i thjeshtë në Drejtorinë e Studimeve Strategjike në Policinë e Shtetit. Edhe në këtë detyrë të re, Tani shpalosi dijet dhe eksperiencën e tij në projektet e ndryshme të zhvillimit strategjik të Policisë së Shtetit. Por karriera e tij nuk vazhdoi gjatë, pasi u ndërpre në Qershor 2014dhe u lirua nga Policia e Shtetit pa asnjë shkak ose motivacion. Paradoksi ishte në atë se para lirimit u kërkua nga zyra e personelit vlerësimi i punës së Tanit, i cili ishte shkëlqyeshëm, madje edhe për të gjitha vitet e punës ishte i njëjti vlerësim. Pra ky ishte një vendim politik i zbatuar verbazi nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të kohës. Kjo vërtetohet edhe nga vendimi i Gjykatës që e cilësoi të paligjshëm urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm. Një urdhër politik për një njeri jo politik, për një oficer të lartë të Policisë Shqiptare, për njeriun më të suksesshëm të të gjitha kohërave në Qarkun e Vlorës. Dhe kjo bëhej vetëm për një arsye që u vërtetua më pas.
Politikanët që erdhën në drejtim nën pretekstin e reformës në Polici iu duhesh të caktonin në detyra drejtuese të policisë njerëzit e tyre për ta bërë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë me atë që tani njihet botërisht si Kanabizimi i vendit dhe damkosja e Policisë së Shtetit, plagë të cilën po e vuan edhe në ditët e sotme.
Artani u la rrugëve qëllimisht nga ministri i kohës për të mbuluar çdo gjurmë e lidhje që vet ministri kishte me grupin kryesor të trafikimit të drogave nga Vlora. Artani dinte shumë për këto lidhje misterioze midis politikës dhe krimit dhe për këtë e pagoi rëndë me jetën e tij.

Dëshmori i Atdheut Artan Cuku prehet në Altarin e Lirisë
Fundi tragjik i paracaktuar i një heroi nga politika erdhi kur më datën 08.04.2017, rreth orës 20:10, humbi jetën në një atentat mafioz tek hyrja e shtëpisë së tij, Drejtuesi i Parë i Policisë Artan Cuku, ku pas hetimeve të specializuara organi i akuzës ka konkluduar se vrasja e tij është kryer në bashkëpunim, për shkak të Detyrës së tij, gjatë kohës kur ushtronte funksionet e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, krim i parashikuar nga nenet 79/b e 25 te Kodit Penal (“Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”). Sipas hetimeve dhe provave u vërtetua se Artan Cuku u ekzekutua nga vrasës me pagesë me porosi të bosëve të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekt me zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe politikanë të lartë. Artan Cukun e tradhtoi dhe futi në kurth ish-ministri i tij, i cili e hodhi në rrugë të madhe (një lloj kurthi made in reforma al.), duke i lënë dorë të lirë mafies dhe krimit të organizuar për t’i mbyllur gojën një herë e përgjithmonë!. Ky qëndrim përçmues dhe injorues i funksionarëve të shtetit ndaj drejtuesve të lartë të Policisë të përkushtuar në detyrë dhe të paepur ndaj krimit është jo vetëm në kundërshtim me çdo standard politik, ligjor e etik, por është edhe kriminal që duhet ndëshkuar.
Artanit iu bënë nderimet e duhura më datë 09.04.2017, kur Policia e Shtetit në nderim dhe respekt të meritave të tij,në hollin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, organizoi ceremoninë shtetërore të homazheve, në të cilën morën pjesë qindra njerëz, miq e koleg të tij, qytetarët të Tiranës dhe nga të gjithë qarqet e vendit ku ai kishte shërbyer. Dhimbja dhe lotët për humbjen e Artanit ishin të papërmbajtshme.

Vlerësime dhe dekorime për meritat e Dëshmorit Artan CUKU

Për merita të larta, Ministri i Brendshëm me Urdhrin nr. 464, datë 12.06.2017 i ka akorduar Artan Cukut “Medaljen e Nderit” pas vdekjes me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike”
Presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani me Dekretin nr.10532, datë 27.06.2017 ka dekoruar Artan Cukun me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) me motivacionin “Ne vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin maksimal, devotshmërinë e pashembullt, sakrificën e rrallë në luftën pa kompromis kundër keqbërësve dhe krimit të organizuar, si profesionist dhe misionar pararojë në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit”.
Këshilli i Bashkisë Dibër, me vendimin nr.13, datë 09.02.2018, i ka akorduar Artan Cukut titullin “Qytetar Nderi i Dibrës” (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat profesionale, për kontribut të lartë në strukturat e policisë së shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si dhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të trevës së Lurës dhe Dibrës”.
Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 770, datë 02.04.2019 ka shpallur Artan Cukun “Dëshmori i Atdheut” dhe familjes së tij i ka dhëne simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”.
Këshilli i Qarkut Dibër, me Vendimin Nr. 19 Datë 27/06/2019, i ka akorduar Artan Cukut titullin: “Nderi i Qarkut Dibër” (pas vdekjes) me motivacionin:
“Për vlerat e veçanta njerëzore, kontributin e lartë në strukturat e Policisë së Shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si edhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të Qarkut të Dibrës”.
Dëshmori Artan Cuku do të mbetet në kujtesën e çdo punonjësi të policisë dhe çdo njeriu që e ka njohur e punuar me të si simbol i vlerave të larta njerëzore, inteligjencës, besnikërisë, moralit të lartë, si drejtues i talentuar i policisë, intelektual me vlera,vendimmarrës kurajoz dhe me performancë të lartë.Ne jemi shumë mirënjohës dhe përulemi me respekt para jetës dhe veprës së Artanit, të cilën ai ia përkushtoi me vetëmohim mbrojtjes së jetës së qytetarëve të vendit të vet.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorit Artan Cuku.

* Ish – Drejtues Policie, Ish – Pedagog në Akademinë e Policisë.