Dy gungaçët


Një burrë gungaç e zuri nata në rrugë dhe, ngaqë ishte ftohtë dhe nuk pati asnjë vend strehimi, u fut në një mulli, ku, të paktën, ishte ngrohtë dhe i mbrojtur nga bishat e malit. E zuri gjumi shpejt dhe nuk dihej kur do të ishte zgjuar, sikur në mes të natës të mos kishte shkuar në mulli një ushtri e madhe artistësh, ku disa u binin veglave, disa këndonin dhe disa kërcenin. Po ata nuk kishin qenë xhindet. Kur panë gungaçin, njëri prej tyre e kapi për njërës këmbë, e solli disa herë rrotull dhe deshi ta hedhë treqind pashë lart në qiell që, kur të binte në tokë, të mos i gjendej as nishani. Por kryexhindi i tha:
– Mos u ngut, ta provojmë mos din të kërcejë.
E futën në valle dhe panë që ai ishte një kërcimtar i rrallë. Ajo gunga e madhe në shpinë jo vetëm nuk e pengonte, por i jepte kërcimit të tij një bukuri të veçantë. Xhindët, më të rrallë, i ndihmojnë njerëzit. Ngaqë gungaçi u pëlqeu shumë si kërcimtar, vendosën t’ia rregullojnë gungën. E shtrinë përdhe dhe disa syresh hipën në gungë dhe ajo duke kërcitur nga pak, të gjithë kockat shkuan në vend dhe gungaçi u bë burrë i bukur dhe shpatullgjerë, sikur kishte qenë kur nuk e kishte kapur sëmundja. Pastaj e lanë të lirë.
Gungaçi, sapo arriti në vendin e tij, doli për të shëtitur dhe të gjithë njerëzit habiteshin kur e shikonin me shpinë të drejtuar. E pyesni si e qysh kishte ndodhur që ai ishte bërë prapë si njerëzit e tjerë, por ai thoshte shkurt: “Punë Zoti!” dhe nuk jepte shpjegime. Veç kur e pyeti një gungaç si ai, ia tregoi fill e për pe si kishte ndodhur. Ky gungaçi mezi priti sa të ngrysej dhe shkoi në mulli. Aty nga mesi i natës erdhën xhindët dhe filluan ahengun siç e kanë zakon. Kur panë gungaçin, e futën në valle. Por ai nuk dinte të kërcente fare. Kjo i zemëroi shumë xhindët, se e morën si mossajdisje, prandaj e nxorën jashtë dhe e hodhën në një greminë, ku nuk iu rregullua gunga, por u copëtua fare.