fjalë e frazeologjizma të rralla


 

Fjalë të rralla

DH
► dh’giell: Thëngjill-i, gaca.
► dhajshta (të): Njësoj me të dhirta, prej dhie. Gjithçka që bëhet me lesh dhish, por edhe tufa e dhive. Mutaf i dhajshtë. Çorape të dhajtë. Të dhajshta e të leshta kam 50 krerë (dhi e dele kam 50 krerë).
► dhemës / dhémës-a, por edhe dhém’s-a: Vemje. Njëlloj me vem te Çabej, larva leshtore e disa fluturave, e cila dëmton pemët dhe barishtet.
E
► eksajt: I mangët, i metë: ai është eksajt nga trutë. Nga turq. eksik, i mangët.
► enz’: Te Çabej është në formën end dhe më poshtë: pështyn miza mishin. Mbuloje mirë mishin, që të mos l’shojnë mizat enzë.
► ene…: Edhe: u ngrit më këmbë ene ia numëroi të gjitha në sy.
► e haa…: Pasthirmë. Njësoj si iha te Çabej. E haa çfar muhabeti paske! Ehu në shqipen e sotme.
► e gjegjme: E dergjur. Gruaja që sapo ka lindur, lehona. Grue e gjegjme. E njëjtë me lehonë te Çabej. Nga folja dergj, dergjet (në shtrat); është sëmurë. Nuk ka lidhje me djeg. Edhe dergjë, sëmundje e rëndë.
► e mrume: Thuhet për bukën e ardhur, që zihet me tharm. Bukë e mbrujtur. Buka e mrume ndryshon nga buka e norë pasi e para mbruhet me tharm ndërsa buka e norë përpunohet më dorë (bukë e ndorë, e ngjeshur me dorë).
► esnaf: Nga turq. esnaf, mjeshtëri, shoqëria e zanatçinjve të një fushe: esnafi i ekmekçinjve, esnafi i xhokaxhinjve, esnafi i kallajxhinjve. Në të folmen e vendit është titull nderimi në të drejtën zakonor që u jepej personave që thirreshin herë pas here nga gjyqtarët e së drejtës për saktësuar probleme teknike që do shërbenin në dhënien e drejtësisë sipas Kanunit të Skënderbeut.
F
► fërgi: Frëngji, vrimë, birë.
► fri: Grumbull dëbore krijuar prej erës, frymës, frijës.
► fushki / fushkí-a, at: Plehëra të thata, mbeturinat që grumbullohen gjatë pastrimit të bahçes apo oborrit.
► fshtajk / fshtájk-u: Shenjë udhe. Ishte natë dhe nuk dukej fshtajku i udhës. Formuar nga shtegu, shtajgu, fshtajgu. Edhe fig.: po më doli në fshtajk (po më doli para, po më doli në shteg).
► fëllçin’ / fëllçín’-a, -të: Dy pjesët që mbajnë shpatën tek rasboj. Gjithashtu dhe nofullat e kokës së berrit, bulshitë, bulçitë, fulshitë, fulçitë.
► frulliz’ / frúlliz’-a: Bora që ngre era e fortë: frulliza e borës, e miellit; tymnaja që krijohet gjatë bluarjes në mulli.
► fur / fúr: Kollitem, e kollitura e njeriut që ngutet në të ngrënë për shkak se i shkon keq ushqimi: jepi ujë, se u fur; mos u fur n’të granme!
► fakllo / fákllo: Ndriçon, vetëtin, bën rreze. Kështu thuhet kur ndonjë objekt shkëlqen. Njësoj me vezullon te Çabej. Kur erdhën nga shehëri, u faklloshin pushkët në krah. Kjo nusja e re fakllon. Ndoshta nga flakëron, shkëlqen si flaka.
► frrok’ / frrók’-a: Një dru për të mbështjellur perin. Për të mbështjellë perin janë përdorë edhe frrokat e kartonit.
► fshtajn’: Një dru që shërben për mbështetje, diçka më i hollë se druri që shërben për mullar.
► falaxhaj / fálaxhaj-u: Falaxhi, ndihmëtari në një punë bujqësore pa shpërblim, falas, argat, argjat. Çabej bashkon formën falëtar dhe formën upri: grup fshatarësh që venë e ndihmojnë falas një bujk të katundit në punët e bujqësisë. Antonim i uhaxhi. Puna me falaxhaj s’të kënaq kurrë. Jo rrallë përdoret edhe argjat – argjet (argat). Paske mbledhë nji argjet të mirë. Këtë verë i kam ba punët krejt me falaxhaj. Sipas së drejtës zakonore të krahinës, falaxhajut apo argjetit u ke borxh bukën.
► famull / fámull-i: Përveç kuptimeve që përmend Çabej,famull, famuj quhet fijani, fëmija ose fëmijtë e ndrikullës.
► faktëj: Njësoj me feftoj te Çabej, kur të kalon dikush pranë disi në largësi sysh, ku vetëm pakëz e heton. Më faktoj para sysh. E pashë, se më faktoj, kur isha në pazar. Nuk ka lidhje me fakt, por me onomatopenë më bëri fak-fak para syve.